Joseph Fadelle: Kur largimi nga Islami bëhet krim dhe liria e ndërgjegjes dënohet

Historia e Joseph Fadelle ngre një pyetje që shumë shoqëri islame preferojnë ta shmangin: çfarë ndodh kur një mysliman vendos të largohet nga Islami? Në rastin e tij përgjigjja ishte burg, torturë dhe një dënim me vdekje nga vetë familja. Në teori thuhet se feja është zgjedhje personale; në praktikë, largimi nga Islami shpesh trajtohet si tradhti. Kosova e përshkruan veten si një vend me Islam të moderuar, por prova e vërtetë e lirisë fetare nuk është sa njerëz hyjnë në një fe, por sa njerëz lejohen të dalin prej saj.

6 Min Lexim
Deklaratë: Të gjithë artikujt dhe reflektimet e botuara në Via Veritatis paraqesin pikëpamjet personale të autorëve. Ato nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të asnjë institucioni fetar.

Në çdo shoqëri ekziston një provë e thjeshtë për të matur lirinë: çfarë ndodh kur një njeri vendos të ndryshojë besimin. Në teori, feja është një zgjedhje personale. Në praktikë, në shumë vende me kulturë islame, kjo zgjedhje bëhet një çështje jete a vdekjeje. Historia e Joseph Fadelle, një ish-mysliman që u bë katolik, e ekspozon këtë realitet me një brutalitet që nuk mund të fshihet pas sloganeve për “tolerancë fetare”.

Joseph Fadelle nuk ishte një njeri i zakonshëm në botën islame. Ai lindi në Irak në vitin 1964 me emrin Mohammed al-Sayyid al-Moussawi, në një familje shiite aristokrate që pretendonte prejardhje nga vetë Muhamedi. Në një kontekst të tillë, Islami nuk ishte vetëm fe por ishte identitet familjar, nder, dhe pushtet social. Ndryshimi i fesë nuk shihej si një zgjedhje personale, por si tradhti ndaj familjes dhe komunitetit. 

Historia e tij fillon në mënyrë ironike. Gjatë shërbimit ushtarak në ushtrinë e Saddam Husseinit, Fadelle u vendos në një dhomë me një ushtar të krishterë. Fillimisht ai mendoi se kishte një mision, ta konvertonte këtë “jobesimtar” në Islam. Por në debatet e vazhdueshme teologjike ndodhi e kundërta. Duke sfiduar krishterimin, ai filloi të dyshonte për Islamin. Ky dyshim e shtyu të lexonte Kuranin dhe Biblën me një sy kritik, dhe pikërisht aty filloi transformimi i tij shpirtëror, dhe merr sens fjalia “një musliman që e lexon Ku’ranin është një ish-musliman i mirë”. 

Konvertimi nuk ishte një moment romantik mistik, por një proces i rrezikshëm dhe i gjatë. Fadelle e mbajti fshehtë besimin e tij për vite të tëra. Kur familja e tij zbuloi një Bibël në dhomën e tij dhe pa se djali i tij bënte shenjën e kryqit, reagimi ishte brutal, rrahje, kërcënime dhe një fatwa që kërkonte vdekjen e tij. Ai u burgos për më shumë se një vit në një burg politik të Irakut dhe u torturua. Më vonë familjarët e tij madje tentuan ta vrasin. 

Ai arriti të arratisej nga Iraku dhe pas një periudhe të rrezikshme në Jordani përfundoi në Francë, ku jeton edhe sot. Historia e tij u bë e njohur në botë përmes autobiografisë “The Price to Pay: A Muslim Risks All to Follow Christ”, ku ai përshkruan Islamin si një sistem që e konsideron largimin nga feja si tradhti të pafalshme dhe që shpesh e ndëshkon me dhunë sociale ose fizike. 

Kjo histori nuk është vetëm një histori personale. Ajo hap një pyetje që është gjithnjë e më e rëndësishme edhe në troje shqiptare. Në diskursin publik shqiptar shpesh dëgjohet një narrativë romantike, Islami në Kosovë është “i moderuar”, “i butë”, “tradicional”. Por realiteti social është më kompleks. Në shumë raste, ndryshimi i fesë, veçanërisht drejt krishterimit, përballet me presion familjar, stigmatizim dhe izolim social. Kjo është një fenomen që përmendet edhe në studimet mbi historinë fetare të shqiptarëve, si rasti i laramanëve, komunitete që fshehën besimin e krishterë për shkak të presionit islam gjatë periudhës osmane. 

Sëmundja jote është Krishti dhe pë të nuk ka ilaç. Nuk do të shërohesh kurrë prej saj.

Këto fjalë i thotë xhaxhai i Joseph Fadelle ndërsa i drejton revolen në gjoks.

Historia e Joseph Fadelle është një pasqyrë që e vendos këtë debat në një nivel më të thellë. Pyetja nuk është nëse një individ mund të besojë çfarë të dojë. Pyetja është nëse komuniteti është gati ta pranojë këtë liri. Nëse një fe reagon me frikë, presion ose dhunë ndaj një konvertimi, atëherë problemi nuk është individi që ndryshon besimin, por sistemi që nuk e toleron lirinë e ndërgjegjes.

Në troje Shqiptare kjo pyetje po bëhet gjithnjë e më aktuale. Në një shoqëri që pretendon të jetë demokratike dhe evropiane, liria fetare nuk mund të jetë vetëm slogani i ditës së festave. Ajo duhet të provohet pikërisht në momentin më të vështirë, kur dikush vendos të largohet nga feja e shumicës.

Historia e Joseph Fadelle na kujton se për shumë njerëz në botë, të zgjedhësh Krishtin nuk është një ritual kulturor por është një vendim që mund të kushtojë gjithçka: familjen, vendin, dhe ndonjëherë edhe jetën.

Dhe kjo është pyetja që Islami në troje Shqiptare duhet ta përballet pa frikë:
A është fe që pranon lirinë e ndërgjegjes, apo sistem që nuk e toleron braktisjen?

Sepse liria fetare nuk matet me sa njerëz hyjnë në një fe. Ajo matet me sa njerëz lejohen të dalin prej saj.

Referenca

TAGGED:
Share This Article
Pa Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *