Feja e tjetrit nuk e cenon besimin tim – Dom Kreshnik Ivani

11 Min Lexim
Deklaratë: Të gjithë artikujt dhe reflektimet e botuara në Via Veritatis paraqesin pikëpamjet personale të autorëve. Ato nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të asnjë institucioni fetar.

Në ditët e sotme, pothuajse çdo ditë, shohim transmetime të drejtpërdrejta ku njerëz të besimeve të ndryshme përplasen me njëri-tjetrin për shkak të fesë. Shpesh, këto përplasje shoqërohen me fyerje të rënda, gjuhë vulgare, përçmim dhe mungesë të plotë respekti për tjetrin. Dua të them diçka shumë të thjeshtë: prania e fesë së tjetrit në jetën time nuk është një kërcënim për besimin tim. Prania e tjetrit në hapësirën time nuk është domosdoshmërisht një prani pushtuese apo shkatërruese. Tjetri qëndron përballë meje me gjithçka që e karakterizon: gjuhën, ngjyrën e lëkurës, mënyrën e të veshurit, kulturën dhe gjithashtu fenë e tij.

Tjetri nuk është armiku im!

Përkundrazi, ai mund të bëhet një mundësi takimi, rritjeje, dialogu dhe, mbi të gjitha, një mundësi për t’i dëshmuar Krishtin. Unë besoj se Krishti është e Vërteta. Pikërisht për këtë arsye, nuk kam pse ta shoh tjetrin si pengesë, si kërcënim apo si armik. Për mua, prania e tij mund të jetë një mundësi për të dëshmuar Ungjillin. Por dëshmia e Ungjillit nuk bëhet përmes fyerjes, poshtërimit apo dhunës. Fyerja nuk është ungjillëzim; fyerja është kundër dëshmi e Ungjillit! Kush mendon se po mbron Krishtin duke përdorur fjalë të ndyra, duke fyer dhe duke poshtëruar njerëzit që kanë një fe tjetër, duhet të ndalet e të pyesë veten: A është kjo mënyra se si do të sillej Krishti?

Njeriu që kam përballë, edhe nëse i përket një feje tjetër, është krijuar nga i njëjti Zot që më ka krijuar edhe mua, sipas shëmbëlltyrës dhe ngjashmërisë së Tij (Zan 1,27). Kur unë e fyej, e përçmoj dhe e poshtëroj atë, po shkel dinjitetin e një njeriu që mban në vete shëmbëlltyrën e Hyjit. Edhe nëse tjetri gabon, edhe nëse sillet keq, edhe nëse është agresiv ndaj meje, kjo nuk më jep të drejtën ta mohoj dinjitetin e tij njerëzor. Sjellja e tij nuk mund të jetë justifikim për të hequr dorë nga identiteti im i krishterë. Pikërisht sepse jam i krishterë dhe sepse ndjek Krishtin, jam i thirrur ta respektoj tjetrin, edhe kur ai mendon ndryshe, beson ndryshe dhe e praktikon fenë e tij ndryshe nga unë.

Dashuria ndaj Hyjit nuk mund të ndahet nga dashuria për të afërmin

Jezusi na e ka thënë shumë qartë: «Duaje Zotin, Hyjin tënd, me gjithë zemrën tënde […] dhe duaje të afërmin tënd porsi vetveten» (Mt 22,37-39). Këto dy urdhërime nuk mund të ndahen nga njëri-tjetri. Nuk mund të them se e dua Hyjin, ndërkohë që urrej, fyej dhe poshtëroj njeriun që kam përballë. Nuk mund të pretendoj se e dua Krishtin, nëse nuk jam i aftë të dua atë për të cilin Krishti ka dhënë jetën. Dashuria për Hyjin dhe dashuria për të afërmin janë dy dashuri që ecin së bashku. Njëra nuk mund të jetë e vërtetë pa tjetrën.

Krishti nuk na ka kërkuar të duam vetëm ata që mendojnë si ne, që besojnë si ne apo që i përkasin të njëjtës fe me ne. Përkundrazi, në Ungjillin sipas Mateut, Ai na thotë:

«Duajini armiqtë tuaj, bekoni ata që ju mallkojnë, u bëni të mirë atyre që ju urrejnë dhe lutuni për ata që ju keqtrajtojnë dhe ju përndjekin»

(Mt 5,44)

Ky është standardi i krishterë. Jo të fitojmë një debat duke fyer tjetrin, por të dëshmojmë dashurinë edhe kur tjetri nuk na do.

Nëse dikush më fyen për shkak të fesë sime, a duhet t’ia kthej me të njëjtën monedhë? Nëse dikush më shan Krishtin, a duhet të shaj unë fenë e tij? Nëse dikush më sulmon për atë që besoj, a duhet të bëhem edhe unë sulmues?

Jo! Sepse Krishti nuk më ka mësuar kështu.

Ai vetë u fye, u përqesh, u poshtërua, u rrah dhe u kryqëzua. Por nga kryqi nuk kërkoi hakmarrje. Përkundrazi, u lut: «O Atë, fali, sepse nuk dinë ç’bëjnë» (Lk 23,34).

Krishti kishte mundësi të impononte vullnetin e vet me forcë, por zgjodhi rrugën e dashurisë. Ai nuk e imponoi Mbretërinë e Hyjit përmes dhunës. E dëshmoi me jetën e vet, deri në kryq.

Prandaj, kur dikush mendon se duhet ta mbrojë Krishtin duke përdorur dhunë verbale, duke fyer apo duke kërcënuar njerëzit e feve të tjera, duhet të kuptojë se po përdor një mënyrë që bie ndesh me Ungjillin që pretendon të mbrojë. Madje, duhet të kemi kujdes edhe për një gjë tjetër: nëse një person më fyen duke u paraqitur si katolik, ai nuk po më dëshmon bukurinë e katolicizmit. Po më dëshmon problemin e sjelljes së tij. Nuk duhet ta gjykojmë një fe të tërë nga sjellja e një njeriu, por as nuk duhet të lejojmë që dikush ta përdorë fenë si mbulesë për urrejtjen e vet. E njëjta gjë vlen edhe për njerëzit e feve të tjera. Nëse dikush më fyen dhe më sulmon në emër të fesë së tij, nuk do të thotë se të gjithë besimtarët e asaj feje janë të tillë.

Problemet e mia të brendshme nuk duhet t’i shndërroj në urrejtje ndaj tjetrit. Nëse kam vështirësi me veten, duhet të kërkoj ndihmë dhe të përpiqem t’i zgjidh, jo të shfryj agresivitetin tim mbi njerëzit që janë ndryshe nga unë. Dhe këtu dua të kujtoj edhe një mësim tjetër të Jezusit: «Gjithçka dëshironi t’ju bëjnë njerëzit juve, bëjuani edhe ju atyre» (Mt 7,12).

Nuk dua që dikush të më fyejë për shkak të fesë sime. Atëherë, përse duhet ta fyej unë për shkak të fesë së tij? Nuk dua që dikush të më detyrojë të heq dorë nga besimi im. Atëherë, përse duhet të përpiqem ta detyroj tjetrin të heqë dorë nga i veti?

Kjo nuk do të thotë se duhet të heqim dorë nga bindjet tona, se të gjitha fetë janë njësoj apo se nuk duhet ta shpallim Krishtin. Përkundrazi! Unë jam i krishterë, besoj në Krishtin si Rrugë, e Vërtetë dhe Jetë (Gjn 14,6) dhe jam i thirrur ta shpall Atë. Por duhet ta bëj këtë me dashuri, me respekt, me dialog dhe me dëshmi personale, jo me imponim.

Çfarë na mëson Kisha?

Edhe Koncili II i Vatikanit, në deklaratën Nostra Aetate, na jep një mësim shumë të qartë për marrëdhëniet me fetë e tjera.

Në numrin 2, Kisha mëson se nuk hedh poshtë asgjë nga ajo që është e vërtetë dhe e shenjtë në fetë e tjera. Ajo i sheh me respekt të sinqertë mënyrat e jetesës, mësimet dhe vlerat që gjenden në to, edhe pse në shumë aspekte ndryshojnë nga besimi katolik. Kisha njëkohësisht pohon detyrën e saj për të shpallur Krishtin, Rrugën, të Vërtetën dhe Jetën.

Kjo është shumë e rëndësishme: respekti për tjetrin nuk do të thotë të mohoj Krishtin. Dhe besnikëria ndaj Krishtit nuk më jep të drejtën të poshtëroj tjetrin. Madje, në të njëjtën frymë, Koncili na fton që, përmes dialogut dhe bashkëpunimit me besimtarët e feve të tjera, të ruajmë dhe të zhvillojmë vlerat shpirtërore, morale dhe shoqërore që gjenden tek ata. Ky nuk është relativizëm fetar. Është një mënyrë e krishterë për të jetuar besimin tonë në marrëdhënie me të tjerët.

Prandaj Krishti nuk ka nevojë për agresivitetin tim që të mbrohet. Ai më kërkon të jem dëshmitar i Tij. Sigurisht, kjo nuk do të thotë të heshtim përballë padrejtësisë, të pranojmë dhunën apo të heqim dorë nga mbrojtja e dinjitetit tonë. Do të thotë të mos përgjigjemi me urrejtje ndaj urrejtjes dhe të mos bëhemi vetë ajo që dënojmë.

Jezusi na thotë në Lumturitë:

«Lum ju kur do t’ju shajnë e do t’ju salvojnë dhe, duke gënjyer, do të thonë çdo të keqe kundër jush për shkakun tim. Gëzohuni e galdojini»

(Mt 5,11-12)

Pra, nëse më fyejnë për shkak të Krishtit, nuk kam pse të turpërohem për besimin tim. Nëse më përqeshin, nuk kam pse të bëhem përqeshës. Nëse më sulmojnë, nuk kam pse të kthehem në sulmues. Por as nuk duhet ta quajmë çdo konflikt apo çdo fyerje përndjekje për Krishtin. Duhet të kemi përvujtërinë të shqyrtojmë edhe sjelljen tonë.

Në fund të fundit, unë nuk jam thirrur të fitoj një luftë kundër njerëzve të feve të tjera. Jam thirrur të fitoj zemrat e tyre përmes dëshmisë së dashurisë së Krishtit.

Dhe dua ta mbyll me fjalët e Shën Palit:

«Mos lejo të mundesh nga e keqja, por munde të keqen me të mirë» (Rom 12,21).

Feja e tjetrit nuk ma pakëson besimin. Prania e tjetrit nuk ma kërcënon identitetin. Ndryshimi i tij nuk ma mohon të drejtën të jem ai që jam.

Unë nuk kam pse ta urrej tjetrin që të jem besnik ndaj Krishtit. Përkundrazi, pikërisht sepse jam i Krishtit, duhet të di ta dua edhe atë që nuk beson si unë.

Sepse Krishti nuk më ka thirrur të jem armik i njerëzve, por dëshmitar i dashurisë së Tij.

Nuk e mbroj Krishtin duke fyer tjetrin. E dëshmoj Krishtin duke e dashur tjetrin!

Dom Kreshnik Ivani
TAGGED:
Share This Article
Pa Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *