Qytetnimi i dashnisë në Kosovë asht domosdoshmëri esenciale antropologjike. Shoqnitë nuk rrënohen vetëm prej varfnisë ekonomike por rrënohen kur njeriu pushon me e pa tjetrin si person dhe nis me e pa si mjet, si numër, si votë, si armik abstrakt. Kur fjala e fundit e Dom Mikel Sopit në emisionin te “Zanat” thotë “duhet me kriju qytetrimin e dashnisë” ai ban nji diagnozë shumë të saktë të krizës sonë aktuale: mungesa e kulturës së respektit të ndërsjelltë. Dashnia këtu nxën vend si strukturë mendimi, mënyrë e të vepruemit, mënyrë e të folunit publik. Nji shoqni që ironizon virtytin dhe e normalizon përçmimin, fillon me e prishë gjuhën, e masanej prish mendimin, e në fund prish institucionet. Qytetnimi i dashnisë nënkupton rikthimin e njeriut si qendër e diskursit, jo ideologjinë, jo interesin e ngushtë, jo tribalizmin kulturor. Ai asht vendosja e nji aksi etik ku e mira e përbashkët nuk përdoret si slogan, por si kriter real vendimmarrjeje. Pa këtë aks, çdo zhvillim material mbetet fasadë që çahet në krizën e parë.
***
Në planin kulturor, qytetnimi i dashnisë nënkupton edukimin e shijes për të mirën, jo vetëm informimin mbi të. Nuk mjafton me e ditë çka asht e drejtë por duhet me e dashtë të drejtën. Këtu hyn arsimi, arti, media dhe familja si katër shtylla që formojnë imagjinatën morale të nji populli. Nëse fëmija rritet në nji ambient ku suksesi barazohet me dominim dhe jo me shërbim, ai do ta bartë atë kod në politikë, në biznes e në marrëdhënie personale. Qytetnimi i dashnisë kërkon që gjuha publike me u pastru prej cinizmit të përhershëm dhe talljes destruktive që e relativizon çdo vlerë. Nuk flitet për moralizim artificial, por për krijimin e nji klime ku e mira nuk ndjehet si naivitet. Kur kultura e përditshme e shpërblen vetëm agresivitetin verbal dhe spektaklin, mendja kolektive humb ndjeshmërinë për nuancat e së vërtetës. Dashnia si qytetnim asht aftësia me e pa tjetrin jo si kërcënim identitar, por si bashkëudhëtar në nji histori të përbashkët. Kjo kërkon disiplinë të mendjes dhe pastërti të qëllimit, jo vetëm emocione kalimtare.
***
Në dimensionin politik e shoqnor, qytetnimi i dashnisë nuk e përjashton konfliktin, por e civilizon atë. Konflikti asht i pashmangshëm në nji shoqni pluraliste por çashtja asht nëse ai menaxhohet me dinjitet apo me dehumanizim. Dashnia në këtë kontekst asht vendosja e kufijve etikë të luftës së ideve: kundërshtari nuk shndërrohet në armik ontologjik. Nji popull që e ushqen narrativën e përhershme të përçarjes e konsumon energjinë e vet në luftë të brendshme dhe e humb horizontin strategjik. Qytetnimi i dashnisë kërkon institucione që nuk ndërtohen mbi frikë, por mbi besim të arsyeshëm, kërkon ligje që e mbrojnë dinjitetin para interesit momental. Parafrazimi i mendimit augustinian do të thoshte se nji bashkësi formohet jo prej mureve, por prej asaj që ajo zgjedh me dashtë si të mirën e saj më të lartë. Nëse e mira kolektive reduktohet në përfitim të shpejtë, qyteti bahet treg, e gjithashtu nëse e mira ngrihet në dinjitet, qyteti bëhet bashkësi.
***
Në planin shpirtnor, qytetnimi i dashnisë asht akt i brendshëm para se me u ba projekt publik. Njeriu që nuk pajtohet me veten, nuk pajton dot as shoqninë. Dashnia si qytetnim nuk fillon në parlament, por në ndërgjegje. Ajo asht aftësia me falë pa e relativizu drejtësinë dhe me kërku drejtësi pa e humb mëshirën. Parafrazimi i vizionit të Gjon Palit II do të nënkuptonte se nji komb nuk mbahet gjallë vetëm me ekonomi e teknologji, por me kapital moral që i jep kuptim lirisë. Liria pa dashni shndërrohet në egoizëm kolektiv dhe dashnia pa të vërtetë shndërrohet në sentimentalizëm të pafuqishëm. Qytetnimi i dashnisë asht balanca mes këtyne dy poleve: nji arkitekturë e brendshme që pastaj reflektohet në arkitekturë shoqnore. Pa këtë themel, çdo reformë mbetet teknike dhe e përkohshme. Me këtë themel, edhe gabimet bëhen mësime dhe jo plagë të përhershme.

Engjell Gjugja
është publicist dhe shkrimtar shqiptar nga Kosova, me veprimtari publike në hapësirën shqiptare dhe në diasporë. Ai është i angazhuar në publicistikë filozofike, teologjike dhe kulturore, ku trajton në mënyrë kritike çështje që lidhen me fenë, demokracinë, kujtesën historike.





