“Hyji është dashuri, dhe, kush mbetet në dashuri, mbetet në Hyjin dhe Hyji mbetet në të” (1 Gjn 4, 16). Këto fjalë të Letrës së Parë të Gjonit shprehin me qartësi të veçantë qendrën e fesë së krishterë: përfytyrimin e krishterë për Hyjin, si dhe përfytyrimin e njeriut dhe të ecjes së tij, që rrjedh prej përfytyrimit që kemi për Hyjin.
Përveç kësaj, në po këtë rresht, Gjoni na jep si të thuash një formulë përmbledhëse të ekzistencës së krishterë: “Ne e njohëm dashurinë që Hyji ka kundrejt nesh dhe i besuam asaj”. I kemi besuar dashurisë së Hyjit – kështu i krishteri mund të shprehë zgjedhjen themelore të jetës së vet.
Njeriu bëhet i krishterë jo sepse ndërmerr një vendim etik apo një ide të madhe, por sepse takohet me një ngjarje, me një Person, i cili i jep jetës së tij një horizont të ri dhe me këtë, një drejtim vendimtar.
Në Ungjillin e vet Gjoni e kishte shprehur këtë ngjarje me fjalët e mëposhtme: “Hyji, aq fort e deshi botën sa që e dha një të vetmin Birin e Vet kështu që, secili që beson në Të, të mos birret, por ta ketë jetën e pasosur” (Gjn 3, 16). Me qendërsinë e dashurisë, feja e krishterë ka pranuar atë që ishte bërthama e fesë së Izraelit dhe njëkohësisht i ka dhënë kësaj bërthame një thellësi dhe një gjerësi të re.
Besimtari izraelitas, në fakt, lutet çdo ditë me fjalët e Librit të Ligjit të Përtërirë, në të cilat ai di se përmblidhet qendra e ekzistencës së vet: “Dëgjo, Izrael! Zoti, Hyji është një Zot i vetëm! Duaje Zotin, Hyjin tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd e me gjithë fuqinë tënde!” (Lp 6, 4-5). Jezusi ka bashkuar, duke bërë prej tyre një urdhërim të vetëm, urdhërimin e dashurisë për Hyjin me atë të dashurisë për të afërmin, që gjendet në Librin e Levitikut: “Duaje të afërmin tënd porsi vetveten” (Lev 19, 18; krh. 11 Mk 12, 29-31).
Duke qenë se Hyji na ka dashur i pari (krh. 1 Gjn 4, 10), dashuria tani nuk është më vetëm një “urdhërim”, por është përgjigjja ndaj dhuratës së dashurisë, me të cilën Hyji na del përpara.
Në një botë ku emri i Hyjit nganjëherë lidhet me hakmarrjen apo, madje edhe me detyrën e urrejtjes dhe të dhunës, ky është një mesazh që ka një aktualitet të madh dhe një domethënie shumë konkrete. Për këtë, në Enciklikën time të parë dëshiroj të flas për dashurinë, me të cilën Hyji na mbush dhe që ne duhet t’ua përçojmë të tjerëve…
Ky lexim i enciklikave si “Hyji është Dashuri” nga Papa Benedikti XVI, ndoshta nuk do të jetë gjithmonë i lehtë, sepse kërkon saktësi dhe seriozitet, por do t’ju ndihmojë ta shihni konceptin tuaj të dashurisë në një këndvështrim krejtësisht të ri.
Për këtë arsye, duke parë nevojat e katekumenëve që po përgatiten për pagëzim, neofitëve që sapo kanë filluar ecjen e tyre, por edhe të shumë besimtarëve “nominalë” që krishterimin e jetojnë si një trashëgimi zakonore, i ftojmë të gjithë që ta lexojnë këtë enciklikë për të mos e ngatërruar dashurinë me thjesht ndjenja, emocione apo kërkim kënaqësie e aq më pak me egoizmin që banon brenda nesh dhe shpesh maskohet si dashuri e rremë.
Siç na mëson Benedikti XVI, të jesh i krishterë nuk do të thotë të zgjedhësh një “ide”, por të lejosh që një Ngjarje të të ndodhë: takimi me një Person që i jep jetës një horizont të ri dhe një drejtim vendimtar.
Ky tekst është thirrja për t’u zgjuar nga gjumi i një feje që vetëm “përsëritet”, për të hyrë në një besim që “përjetohet”.
https://viaveritatis.info/wp-content/uploads/2025/12/6.-Hyji-eshte-Dashuri.pdf
Shënim: Enciklika është përkthyer nën përkujdesjen e: ARQIPESHKVIA METROPOLITANE SHKODËR – PULT






