Papa Leoni XIV i ka ftuar të gjithë besimtarët të kthejmë sytë drejt Betlehemit – atij qyteti që duke u dukur i vogël dhe i parëndësishëm në sytë e botës, u zgjodh nga Hyji si vatra e shpëtimit.
Në këtë predikim të mbajtur në Uruguai, Papa u flet posaçërisht të rinjve dhe komuniteteve të krishtera që jetojnë si pakicë, duke i sfiduar të mos dorëzohen para mediokritetit apo zhurmës së një jete të mbushur me shpërqendrime që nuk lënë vend per Hyjin. Duke ndërthurur figurën e Dijetarëve që kërkojnë me guxim me atë të barinjve që ndodhen në mes të natës së tyre, ky mesazh është një thirrje e fuqishme për t’u bërë dëshmitarë të një gëzimi që sfidon vdekjen, për të mos pasur frikë nga “përgjithmonë” në dashuri e në jetë, dhe për ta mbajtur Krishtin në qendër përmes një angazhimi radikal drejt shenjtërisë.
Ju ftojmë ta lexoni! 🙂
Të dashur vëllezër dhe motra, i dashur Uruguai, mirëmbrëma!
I jap falënderime Hyjit për mundësinë që të jem këtu me ju. Falënderoj gjithashtu Kardinalin Sturla, Kryepeshkop i Montevideos, për fjalët e tij të mirëseardhjes, si dhe Federicën, Giovannin dhe familjen Gutiérrez Hernández që ndanë dëshmitë e tyre me kaq çiltërsi.
E di se vite të gjata besnikërie fshihen nën atë që mund të shihet gjatë një vizite të shkurtër: familjet kanë përcjellë fenë, meshtarët dhe burrat e gratë e shuguruar kanë dhënë jetën e tyre, laikët, shpesh gjatë rinisë së tyre, kanë mbështetur bashkësitë e tyre dhe shumë të tjerë janë vënë në shërbim të të tjerëve nga dashuria për Hyjin. Faleminderit që e bëni Jezu Krishtin të pranishëm në kaq shumë jetë. Ai na zgjodhi që të shkojmë e të japim fryt (krh. Gjn 15,16), dhe ndoshta një pjesë e madhe e atij fryti mbetet aty ku as ne vetë nuk mund ta shohim. Kisha ju është thellësisht mirënjohëse.
Të qenit këtu me ju këtë mbrëmje më jep mundësinë të ndaj një përsiatje mbi diçka që shumë bashkësi të krishtera po e përjetojnë sot: përparimin e sekularizimit dhe një indiference fetare gjithnjë e më të përhapur.
Në shumë vende, feja nuk përcillet më aq lehtë sa në brezat e mëparshëm dhe po rritet numri i njerëzve që e jetojnë pjesën më të madhe të jetës së tyre pa pjesëmarrje në Kishë apo praktikë fetare. Anëtarët e Kishës shtegtare në Uruguai është dashur të mësojnë ta jetojnë dhe ta shpallin fenë e tyre në këtë kontekst, siç sapo dëgjuam. Për këtë arsye, përvoja e tyre mund t’i ndihmojë vëllezërit dhe motrat në pjesë të tjera të botës që po fillojnë të zbulojnë, në mënyra të ndryshme, se çfarë do të thotë të jesh pakicë. Megjithatë, edhe në këto rrethana, shumë vetë ngulmojnë: prindër që luten me fëmijët e tyre, mësues që përpiqen ta jetojnë dhe ta dëshmojnë fenë e tyre, të rinj që kanë zbuluar Krishtin dhe dëshirojnë ta ndjekin edhe kur ndihen vetëm, bashkësi që vazhdojnë të mblidhen dhe meshtarë që udhëtojnë largësi të mëdha për t’u çuar sakramentet besimtarëve. Teksa përsiatja mbi gjithë këtë, më erdhi ndërmend një qytet i vogël biblik: Betlehemi.
Profeti Mikea e kishte quajtur «më të voglin ndër klanet e Judës» (5,2); Shën Mateu, nga ana tjetër, tha më vonë: «Assesi nuk je më i vogli» (2,6). Betlehemi ishte ende i vogël. Asgjë nuk kishte ndryshuar në madhësinë apo rëndësinë e tij politike.
Ndoshta Betlehemi mund të na mësojë diçka për këtë realitet: kur jemi të paktë në numër, kur forcat tona pakësohen, kur kuptojmë se prania jonë shoqërore nuk është më ajo që ishte dikur, mund të tundohemi ta gjykojmë gjendjen tonë me kritere thjesht njerëzore. Ungjilli na fton t’i shohim gjërat ndryshe. Hyji zgjodhi Betlehemin dhe vetëm kjo zgjedhje mjafton për të na penguar që ta barazojmë vogëlsinë me parëndësinë.
Mjafton të mendojmë për Eukaristinë: Zoti i universit është i pranishëm nën pamjet e përulura të bukës dhe të verës! E njëjta logjikë hyjnore shfaqet tashmë në lindjen e tij. Shën Luka tregon se, kur erdhi koha që fëmija të lindte, «nuk kishte vend për ta» (2,7). Të gjitha bujtinat ishin plot.
Ndoshta mund të shohim në këtë një shëmbëlltyrë të indiferencës së sotme. Jeta mbushet me veprimtari, ndjenja, plane dhe shpërqendrime, derisa mungesa e Hyjit nuk ndihet më si mungesë. Përfundojmë duke jetuar pa e kërkuar atë, madje pa e kuptuar se sa shumë kemi nevojë për të.
Krishti vjen, por bujtina është plot. Nuk ka vend brenda, kështu që ai përfundon i shtrirë në një grazhd. Së shpejti Herodi do të përpiqet ta vrasë, i paaftë të durojë një mbretëri që nuk mund ta kontrollojë.
Diçka nga Betlehemi vazhdon të ndodhë: Hyji mund të konsiderohet i panevojshëm dhe feja të kufizohet në sferën private, sikur të mos ketë asgjë për t’i dhënë shoqërisë. Kur përpiqemi të ndërtojmë një botë pa Hyjin, rrezikojmë ta lëmë edhe njerëzimin pa vend. Por asgjë nga këto nuk e ndryshon realitetin: ai Fëmijë është Hyji dhe ai vjen për të na shpëtuar. Ky «ne» përfshin secilin dhe secilën prej nesh, sepse indiferenca mund të futet vjedhurazi, pak nga pak, edhe në jetën e atyre prej nesh që besojmë.
Betlehemi na bën një pyetje të thjeshtë: a ka vend për të? A ka vend në kohën tonë, në mënyrën tonë të të menduarit, në shtëpitë tona? A ka vend për ta dëgjuar atë, për të marrë faljen e tij, për ta lejuar fjalën e tij të na korrigjojë? Duhet ta mbajmë Krishtin në qendër të jetës sonë përmes lutjes, Meshës, Rrëfimit dhe leximit meditues të Ungjillit. Të gjithë ne duhet të bëhemi dishepuj përsëri e përsëri. Nëse duam që të tjerët ta gjejnë Krishtin, duhet ta njohim vetë më parë rrugën për në Betlehem.
Edhe Dijetarët shkuan në Betlehem pasi panë një yll nga larg. Ata nuk ishin njohës të Shkrimeve të Shenjta. Nuk e dinin se ku do të përfundonte udhëtimi i tyre dhe as nuk mund të shpjegonin se çfarë po kërkonin. Por ajo dritë zgjoi tek ata një kureshtje që i vuri në lëvizje.
Të dashur miq: me përulësi dhe thjeshtësi, ju mund ta pasqyroni dritën e Krishtit në jetën tuaj.Ndoshta ka njerëz që nuk do ta hapnin kurrë një Bibël vetë, që nuk kanë shkelur në kishë prej vitesh, ose që as nuk mund të thonë nëse besojnë në Hyjin. Por kur t’ju shohin ju, tek ata mund të zgjohet dëshira për Hyjin; madje mund të zbulojnë se ia vlen të rrezikosh jetën për ta gjetur atë.
Miq, të rinj, guxoni të hidhni hapin e martesës, të krijoni vetë një familje. Mos kini frikë nga fjala «përgjithmonë»! Çifte të martuara, hapeni shtëpinë tuaj ndaj jetës, edhe kur bota ju thotë se një fëmijë është barrë. Nëse ndonjëri prej jush ndien se Krishti po e thërret të lërë gjithçka pas për ta ndjekur atë në meshtari ose në jetën e shuguruar, mos e shpërfillni atë zë nga frika se mos humbisni mundësi të tjera.
Kur të qenit i drejtë dhe i ndershëm ka një çmim, paguajeni atë. Kur falja duket si humbje, falni. Kur të gjithë ju thonë të mendoni së pari për veten, mos kini frikë ta vini veten në vendin e fundit.Jini të gatshëm të hiqni dorë nga koha, paratë, rehatia dhe planet për t’u shërbyer të tjerëve. Ata që ju shohin, le të pyesin veten: «Pse jetojnë kështu? Nga e marrin këtë liri? Pse e duan kaq shumë njëri-tjetrin?»
Ylli që panë Dijetarët nuk ishte destinacioni. Misioni i tij ishte t’i çonte në Betlehem, aty ku është Krishti. Nëse jeta jonë ngjall një pyetje, ajo do të ketë dhënë fryt kur ajo pyetje ta udhëheqë dikë te Jezusi. Për të përhapur shumë dritë, nuk kemi nevojë të jemi të shumtë në numër, por të pasqyrojmë dritën e Zotit.
Shën Luka tani na çon në një skenë tjetër: disa barinj po e kalojnë natën duke ruajtur kopetë e tyre. Ata nuk ndoqën yllin; nuk u nisën në ndonjë udhëtim dhe as nuk dukeshin se po kërkonin diçka. Ata janë thjesht në mes të jetës së tyre, duke bërë atë që bëjnë çdo natë. Pikërisht aty vjen Hyji për t’i takuar: «Mos kini frikë, sepse ja, po ju sjell një lajm të mirë, një gëzim të madh për mbarë popullin» (Lk 2,10). Motoja e vizitës sime është frymëzuar nga kjo shpallje: Ju shpall një gëzim të madh! Këto fjalë duhet të zënë gjithmonë një vend qendror në jetën e Kishës. Lajmi i Mirë ka nevojë për dëshmitarë,sepse kemi marrë një lajm që meriton t’i shpallet botës: Jezu Krishti! Biri i Hyjit është bërë njeri! Ai është Hyji me ne!
Përmes tij ne e dimë se mëkatet tona mund të falen. Mund t’i shoqërojmë ata që po vdesin dhe t’u themi se jeta e tyre nuk do të përfundojë në hiç. Mund të sjellim bukë e verë në altar dhe të marrim Korpin dhe Gjakun e tij. Mund t’u themi atyre që kanë rënë: «Ngrihu; mund t’ia fillosh përsëri». Shikoni se çfarë na është besuar! Jezu Krishti është shpresa jonë. Shoqëria mund të gjejë shumë gjëra të vlefshme në institucione të tjera, por asnjëra nuk mund ta zëvendësojë shpalljen se dashuria e Hyjit është më e fortë se vdekja, urrejtja, dhuna, lufta dhe mëkati. Ky është gëzimi që sjellim; Papa ka ardhur t’ju kujtojë këtë gëzim.
Engjëlli shton se ky gëzim i drejtohet «mbarë popullit». Ai nuk thotë «për ata që e prisnin», as «për ata që janë të përsosur». Disa njerëz, si Dijetarët, tashmë po kërkojnë dhe ne duhet t’i shoqërojmë në udhëtimin e tyre. Të tjerë,megjithatë, si barinjtë e Betlehemit, nuk po kërkojnë asgjë. Për ta, ky gëzim duhet të dalë dhe t’i gjejë në mes të natës së tyre.
Pasi dëgjuan shpalljen, barinjtë i thanë njëri-tjetrit: «Të shkojmë tani në Betlehem». Aty gjetën Marinë, Jozefin dhe Fëmijën. Ungjilltari shton se ata u kthyen në fushat e tyre «duke lëvduar e duke lavdëruar Hyjin» (Lk 2,20). Ata u kthyen në të njëjtën punë, në të njëjtat shtigje dhe ndoshta në të njëjtat probleme. Por nuk ishin më të njëjtët. Ata kishin takuar Krishtin.
Të dashur miq, ky takim le të jetë si një vizitë në Betlehem, që të mund të ktheheni në jetën tuaj në një mënyrë të re!Krishti le të hyjë vërtet në atë që bëni, në atë që doni, në atë që zgjidhni — madje edhe në ato anë të jetës suaj që askush nuk i sheh. Bëhuni shenjtorë! Mos u mjaftoni me një jetë thjesht të hijshme ose me një fe të zakonshme, të kënaqur duke bërë vetëm gjërat thelbësore. Mos i jepni Hyjit vetëm një pjesë të vetes – jepjani veten plotësisht!
Shenjtorët janë burra dhe gra që vërshojnë nga bollëku i jetës në Krishtin. Ata janë njerëz të lirë dhe autentikë, jeta e të cilëve e bën tërheqëse t’i thuash një «po» kumbuese dashurisë, së vërtetës dhe lumturisë. Mos kini frikë, pra, të synoni shenjtërinë. Krishti nuk na thirri në mediokritet; ai na thirri në një jetë të re dhe të plotë si e tija.
Të dashur vëllezër dhe motra, i dashur Uruguai: le ta dinë të gjithë se kemi qenë në Betlehem. Le të jetë e qartë se Krishti jeton dhe se takimi me të bën gjithë ndryshimin. Po ai Jezus që lindi në Betlehem, që vdiq dhe u ngjall, jeton përgjithmonë dhe mbetet me ne. Krishti na pret, vërtet i pranishëm në Eukaristi. Sa bukur që Betlehem do të thotë pikërisht «shtëpia e bukës». Aty lindi Ai që do t’i jepte veten si Buka e Jetës. Sot, prandaj, ne mund të vazhdojmë ta takojmë atë – kaq pranë dhe kaq të përulur – në çdo tabernakull. Kërkojeni aty, në adhurimin eukaristik. Flisni me të siç do t’i flisnit një miku dhe lëreni t’ju vështrojë.
Le ta vendosim gjithashtu jetën tonë nën vështrimin e Zojës së Tridhjetë e Treve. Ajo, Ylli i Mëngjesit që na çon te Biri i saj, le të na mësojë ta njohim dhe ta ndjekim atë. Le t’i kërkojmë Zotit hirin që t’i përgjigjemi gjithmonë thirrjes së tij ashtu siç bëri ajo: «Ja ku jam, o Zot; ja shërbëtorja jote. U bëftë në mua vullneti yt!»
Faleminderit.






