Kur Islami akuzon për tahrif, pse i duhet Mesjeta që s’e di ku asht Nazareti?

"Pretendimi islam për tahrif nuk qëndron mbi asnji provë historike, por mbi nevojë polemike, dhe “Ungjilli i Barnabës” nuk asht dëshmi që e mbështet këtë tezë, por simptomë e dobësisë së saj."

15 Min Lexim
Deklaratë: Të gjithë artikujt dhe reflektimet e botuara në Via Veritatis paraqesin pikëpamjet personale të autorëve. Ato nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të asnjë institucioni fetar.

Themeli i Diskutimit

Çdo pretendim për tahrif, pra për korrupsion të nji teksti të shenjtë, nuk asht thjesht pohim teologjik, por pretendim historik dhe, si i tillë, duhet m’u gjyku me kritere historike. Ky shkrim nuk ka synum m’e gjyku sinqeritetin e besimit të askujt, por ka nji qëllim strikt metodologjik me shqyrtu nëse tahrif-i qëndron apo jo mbi prova. Nuk mjafton me thanë se “teksti asht ndryshu” por duhet me u tregu kur, si, nga kush dhe, mbi të gjitha, krahasu me çfarë. Nëse këto elemente mungojnë, tahrif-i nuk asht ma analizë historike, por deklaratë ideologjike. Për këtë arsye, Kurani trajtohet seriozisht si tekst që ban pretendime për Shkrimet e mëparshme dhe i nënshtrohet të njëjtave kritere arsyetimi që Islami kërkon për të tjerat.

Prandaj çdo tekst që përdoret për me rrëzu Ungjijtë e shek. të parë duhet me kenë i hershëm, i dokumentuem dhe i rrënjosun në kontekstin real historik. Refuzimi i nji teksti që dështon në këto kritere nuk detyron askënd me e braktisë besimin e vet, por fton çdo lexues të ndershëm me e rishiku bazën historike të akuzës së tahrif-it.

Çështja

A ka të drejtë Islami me pretendu tahrif-in, kur nji ndër provat kryesore që përdor kundër Ungjijve kanonik del nji tekst mesjetar si “Ungjilli i Barnabës”? Kjo nuk asht pyetje polemike për efekt emocional. Asht pyetje metodologjike.

Pretendimi

Pretendimi i parë

Shumë apologjet muslimanë pretendojnë se “Ungjilli i Barnabës” asht ungjill autentik i hershëm, i fshehun ose i shtypur nga Kisha, arsyeja se shkon kundër doktrinës së saj. Ky pretendim duket bindës vetëm nëse nuk e mendon deri në fund.

Pretendimi i dytë

Pretendohet se “Ungjilli i Barnabës” përfaqëson Krishterimin e vërtetë para-Palit1 dhe se Jezusi nuk u kryqëzu, prandaj teksti asht në harmoni me Islamin.

Pretendimi i tretë

Pretendohet se të krishterët duhet të besojnë “Ungjillin e Barnabës” edhe pse ai shfaqet 1300–1500 vjet pas ngjarjeve që përshkruan, dhe të braktisin Ungjijtë e transmetuar që nga brezi apostolik.

Pretendimi i katërt

Pretendohet, shpesh në mënyrë të nënkuptuar, se tahrif-i asht fakt historik, edhe pse nuk ekziston asnjë tekst origjinal alternativ, asnji dorëshkrim paralel dhe asnjë zinxhir transmetimi që me e vërtetu atë.

Fakti

Nga pikëpamja e historisë tekstuale, “Ungjilli i Barnabës” shfaqet vetëm në Mesjetën e vonë. Dorëshkrimi ma i hershëm i plotë asht në italisht, fundi i shekullit XVI, sot në Vjenë. Dorëshkrimi spanjoll asht i humbur dhe njihet vetëm përmes përshkrimeve të vona dhe nji kopjeje fragmentare të shekullit XVIII. Para kësaj periudhe, për më shumë se një mijë vjet, mbizotëron heshtje totale.

Kjo heshtje nuk asht neutrale por asht vendimtare. Etërit e Kishës polemizuan me dhjetëra tekste apokrife, shpesh duke i citu rresht për rresht. Por për “Barnabën” nuk ka asnji grimcë citimi. Kjo do me thanë se ose teksti nuk ekzistonte, ose nuk kishte asgjë të përbashkët me atë që kemi sot.

Përgjigja Themelore

Tahrif-i, nëse pretendohet si fakt historik, duhet me u provu historikisht. Kjo tingëllon elementare, por këtu pikërisht prishet loja apologjetike islame, sepse shumë shpesh tahrif-i përdoret jo si tezë që kërkon prova, por si “kartë e gatshme” për me refuzu çdo dëshmi që nuk i shërben narrativës. Mirëpo historia s’funksionon me karta, por me dëshmi. E kur Islami e vendos veten në pozitën e gjykatësit mbi Shkrimet e mëparshme, ai e merr edhe barrën e provës: me na tregu ku asht teksti origjinal, ku u prek, kush e preku, pse e preku, dhe çfarë mbeti jashtë.

Në këtë pikë, “Ungjilli i Barnabës” del si prova kryesore polemike. Por këtu ndodh absurdi sepse për me provu se Ungjijtë e shekullit të parë qenkan “të korruptuem”, përdoret nji tekst që shfaqet vetëm në Mesjetën e vonë, në dorëshkrime të njohuna që fillojnë në shekullin XVI. Kjo nuk asht kritikë tekstuale por banalisht asht përmbysje e arsyes. Asnjë njeri normal s’kishte me e pranu që një dokument i shkruem sot me e rrezu nji dëshmi të shekullit të parë, pa tregu prova ma të forta se dëshmitari i parë. Me këtë logjikë, çdo njeri mundet me shkru nesër nji “ungjill” në Facebook dhe me thanë “ja, ky asht origjinali, tjerët janë të korruptuem.” Dhe çka e ndal? Asgjë, nëse standardi i provës zhduket.

Nga ana tjetër “Barnaba” nuk asht dëshmi e pavarur që del nga historia e hershme, por produkt që del pasi doktrina islame asht formu. Kurani thotë se Jezusi nuk u kryqëzu (Kurani 4:157)2. Mirëpo “Barnaba” nuk sjell asnjë zinxhir dëshmitarësh, asnji traditë të hershme, asnji dokumentim të periudhës romake por veç e zgjanon narrativën, e kthen në tregim me engjëj, zavendësim të Judës, skena dramatike, dhe e shet si “dëshmi.” Kjo asht si me e marrë nji fjali të shkurtë dhe me e shndërru në roman, pastaj me thanë se romani paska kenë gjithmonë aty, por s’na e paskan lanë me e pa. Jo. Romani asht roman. Dëshmia asht dëshmi. Dhe këtu “Barnaba” bjen në humnerën e vet sepse s’ka as pavarësi e as origjinalitet.

Pastaj vjen goditja empirike, që s’ka nevojë as për teologji. Teksti që pretendon se asht i shekullit të parë duhet me u sjell si i shekullit të parë d.m.th. me njoftë gjeografinë, zakonet, ekonominë, dhe frymën e botës që përshkruan. Por “Barnaba” nuk e ban. E trajton Nazaretin si port detar, kur Nazareti historikisht ka kenë fshat kodrinor, larg detit. Epo nuk asht “gabim i vogël” por gabim identiteti. Asht si me thanë se Shkodra asht port në Adriatik dhe prej Shkodrës del direkt me anije në Itali. Kush e njeh zonën, qesh. Kush nuk e njeh, mashtrohet. Por teksti që pretendon dëshmi apostolike nuk ka të drejtë me kenë injorant në gjeografinë ku pretendohet se ka jetu.

Dhe nuk mbaron me kaq. Teksti flet për Jubileun çdo 100 vjet, praktikë që lidhet me një vendim katolik të vitit 1300, përmend realitete feudale si baronë e marrëdhënie vasali, dhe shpesh përdor gjuhë, stil e varësi letrare të nji bote europiane të vonshme. Edhe vetë mënyra se si citon Shkrimet lidhet me traditën latine të Vulgatës (mesjetare), që nuk ekzistonte në shekullin I.

Tash duhet me e thanë troç se nëse prova kryesore që përdoret për me rrëzu Ungjijtë sidomos ata kanonik asht teksti që bie në gabime gjeografike, që përdor institucione mesjetare, që mbështetet në tradita latine të mëvonshme, dhe që shfaqet fizikisht vetëm në shekullin XVI, atëherë problemi nuk asht “a janë Ungjijtë të korruptuem?” Problemi asht se pse një fe që pretendon të jetë zbulesa e fundit dhe e pakorruptueshme detyrohet me u mbështet në nji “dëshmitar” mesjetar për me e mbajtë gjallë tezën e tahrif-it?

Dhe këtu del përfundimi logjik! “Barnaba” nuk asht provë e tahrif-it por “Barnaba” asht simptomë. Asht simptomë e nji nevoje polemike që me e gjet nji tekst që duket si “ungjill”, por që e përshtat Jezusin sipas dogmës islame dhe e godet Krishterimin në pikat ku ai dallon. Mirëpo ky lloj teksti nuk e rrëzon historinë mbi të gjitha vetëm e zbulon frikën nga historia. Sepse në fund, feja që ka të drejtë historike nuk ka nevojë me shpik dokumente të vona sepse ajo i përballon dokumentet e hershme.

Prandaj, Islami nuk e ka të drejtën metodologjike me pretendu tahrif-in duke e mbështetë te “Barnaba”, sepse në momentin që e ban këtë, e pranon vetë se nuk ka dëshmi të hershme për tezën e vet dhe se duhet me marrë hua nji tekst mesjetar për me u dukë sikur ka “ungjill alternativ”. E kjo, në gjuhë të thjeshtë, nuk quhet histori por quhet propagandë.

Përgjigje ndaj Pretendimeve

Përgjigje ndaj Pretendimit të parë

Teksti apostolik nuk zhduket universalisht për ma shumë se një mijë vjet. Kjo nuk ndodh as me lektyra e le ma me tekste fetare që qarkullojnë në komunitete të gjalla. Heshtja totale e burimeve asht provë kundër ekzistencës së tij sepse ka teskte e deklarata të tjera të shekullit të parë që janë heretike dhe nuk janë fsheh kurrë.

Me kërku që me besu se nji ungjill i shkrum nga nji shok i Palit ka ekzistuar në shekullin e parë, por asht zhduk pa lanë as citim, as fragment, as polemikë, pikërisht në kohën kur Kisha ishte e përndjekur dhe pa pushtet, asht absurde. Asht si me thanë nji libër u ndalu nga nji shtet që akoma nuk ekzistonte.

Përgjigje ndaj Pretendimit të dytë

“Ungjilli i Barnabës” nuk asht dëshmi e pavarur, por elaborim letrar i nji doktrine tashmë të formume. Faktikisht as që e vërteton deklaratën kuranore mbi Krishtin, por thjesht e zgjat dhe e mbështjell me nji rrefim romanizues.

Kurani thotë se Jezusi nuk u kryqëzu, “por iu duk ashtu”. “Barnaba” vazhdon tregimin se kishte engjëj, zavendësim të Jezusit me Judën dhe skenografi mesjetare. Dëshmia historike e barabartë me asgje ndërsa fantazia mesjetare kulmon. Asht njësoj si me e përdor nji roman si provë fakti.

Përgjigje ndaj Pretendimit të tretë

Historia nuk funksionon me përmbysje kronologjike. Burimet e hershme kanë përparësi ndaj atyne të vonshme, përveç nëse këta të fundit sjellin prova më të forta. “Barnaba” nuk sjell asnjë jo sepse ka, por sepse i mungojnë

Me braktisë dëshmitarët e shekullit të parë për nji tekst anonim mesjetar asht përmbysje e arsyes historike e cila e kërkon të vërtetën duke e përjashtu mundësinë e nënshtrimit nga çdo lloj autoriteti.

Përgjigje ndaj Pretendimit të katërt

Pa tekst alternativ, pa zinxhir transmetimi dhe pa moment historik të identifikueshëm të korrupsionit, tahrif-i mbetet slogan, jo fakt.

Me thanë se “teksti u korruptu” pa pas nji version të pakorruptuem për krahasim asht si me thanë “kjo pare asht false” pa pas “parën” origjinale. Pa standard, nuk ka provë.

Pasojat Antropologjike dhe Psikologjike

Përdorimi i tahrif-it si mjet polemik, i mbështetun mbi nji tekst si “Ungjilli i Barnabës”, përveç se me kenë problem historik po mbi të gjitha prodhon pasoja edhe ma të thella antropologjike dhe psikologjike. Kur e vërteta nuk kërkohet ma në dëshmi, por ndërtohet sipas nevojës doktrinare, besimi nga akt i arsyeshëm shndërrohet në bindje mbrojtëse.

Duke u bazu në këtë model, njeriu nuk ftohet të gjykojë, por të dorëzohet çorrazi ndaj çdo lloj ideologjie. Historia nuk lexohet për m’u kuptu. Çdo dëshmi që e sfidon narrativën shpallet “e korruptume”, pa u analizu dhe pa u provu. Kjo krijon një lloj psikologjie ku autoriteti (libri shenjt, imami, prifti, ideologu) za vendin e arsyes, dhe besimi nuk rritet prej të vërtetës, por prej frikës së ndonjë ndëshkimi kjoftë tokësor apo hyjnor.

Aty ku arsyeja dhe historia nuk frikësohen, besimi mbetet njerëzor, i lirë dhe i përgjegjshëm.

Përfundimi

Pretendimi islam për tahrif nuk qëndron mbi asnji provë historike, por mbi nevojë polemike, dhe “Ungjilli i Barnabës” nuk asht dëshmi që e mbështet këtë tezë, por simptomë e dobësisë së saj. Nji tekst mesjetar, i panjohun për më shumë se një mijë vjet, i mbushun me gabime historike, gjeografike dhe doktrinare, nuk mundet me e rrëzu dëshmitë e hershme të shekullit të parë mbi Jezusin. Islami, duke e mbështet akuzën e tahrif-it mbi nji dokument të tillë, pranon në mënyrë të nënkuptueme se nuk ka prova të hershme për pretendimin e vet dhe se duhet të marrë hua (apo me e kriju) nji narrativë të vonshme për me ruajt koherencën e doktrinës. Kjo nuk asht mbrojtje e zbulesës, por zëvendësim i historisë me propagandë.

Pyetja

Nëse Allahu asht i gjithëdijshëm, i drejtë dhe i mëshirshëm, si shpjegohet që Shkrimi e Tij u la u korruptu për ma shumë se një mijë vjet, pa asnjë tekst alternativ të ruajtun, dhe sot mbrohet vetëm përmes nji dokumenti mesjetar si “Ungjilli i Barnabës” që përmban plot kontradikta dhe gabime elementare? Nëse kjo quhet ruajtje hyjnore, atëherë problemi nuk asht Bibla apo Ungjijtë kanonik apo edhe vet Kisha, por vetë koncepti islam i Zotit si ruajtës i Zbulesës.


  1. “Me ‘para-Palit’ nënkuptohet pretendimi se ekzistonte nji Krishterim ‘origjinal’ përpara ndikimit të Apostullit Pal, nji pretendim për të cilin nuk ekziston asnjë dëshmi tekstuale.” ↩︎
  2. “Ne e vramë Mesihun – Isain, të birin e Merjemes, të dërguarin e Allahut”. Por, ata as e vranë, as e kryqëzuan, por ashtu u është dukur. Ata që nuk u pajtuan për çështjen e tij, me siguri që gjenden në dyshim për të. Ata nuk kanë ditur kurrgjë për të, por vetëm kanë hamendësuar. Ata, në të vërtetë, nuk e kanë vrarë…”  ↩︎

Share This Article
Pa Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *