A asht Bibla (Ungjijtë) e korruptuar, siç pretendohet nga doktrina islame e tahrif-it?

Të thuash se Bibla asht e korruptuar sepse ka variante tekstuale asht si të thuash se historia romake asht e rreme sepse kemi shumë kopje të Tacitit me dallime të vogla. Sa më shumë dëshmitarë, aq më e fortë asht ruajtja, jo më e dobët.

8 Min Lexim
Codex Vaticanus
Deklaratë: Të gjithë artikujt dhe reflektimet e botuara në Via Veritatis paraqesin pikëpamjet personale të autorëve. Ato nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të asnjë institucioni fetar.

Themeli i diskutimit

Çdo pretendim për “korrupsion” të nji teksti të shenjtë presupozon domosdoshmërisht dy kushte minimale (1) që të ekzistojë nji tekst origjinal i identifikueshëm dhe (2) që të ketë prova historike dhe tekstuale të verifikueshme që tregojnë ndryshimin e tij, prova që vetë pretenduesi duhet t’i posedojë dhe t’i paraqesë. Pa këto dy elemente, pohimi për korrupsion nuk asht argument, por deklaratë ideologjike me funksion propagandistik.

Çështja

A asht Bibla (Ungjijtë) e korruptuar, siç pretendohet nga doktrina islame e tahrif-it?

Pretendimet

Pretendimi i parë
Myslimanët thonë se Bibla asht ndryshu dhe korruptu me kalimin e kohës dhe se Kurani erdhi për ta korrigju. “Ata i ndryshojnë fjalët (në Tevrat) nga domethënia e tyre dhe braktisën një pjesë me të cilën ishin urdhëruar.” (Kurani, 5:13). Ky kundërshtim presupozon pa prova se ekziston nji Bibël, me saktësisht Tevrat, që i bie “Dhjata e vjetër”, “origjinale” e ndryshme nga ajo që kemi sot.

Pretendimi i dytë
Ka shumë dorëshkrime dhe variante tekstuale, kjo tregon se Bibla nuk asht ruajtur. Ky kundërshtim barazon gabimisht ekzistencën e varianteve tekstuale me korrupsion doktrinar, pa dalluar ndërmjet ndryshimeve formale dhe përmbajtjes teologjike.

Pretendimi i tretë
Ungjijtë u shkruan shumë vonë dhe u përzgjodhën nga Kisha për interesa pushteti. Ky kundërshtim presupozon në mënyrë të pabazuar se autoriteti institucional i Kishës i paraprin tekstit, dhe jo se buron prej tij.

Fakti

Vetë Kurani pranon ekzistencën dhe autoritetin e Shkrimeve krishtere para-islamike: “Le të gjykojnë njerëzit e Ungjillit sipas asaj që Allahu ka zbritur në të.” (Kurani 5:47), edhe pse Ungjillin e projekton në bazë të mitit të shpalljes Kuranike, manual që i asht dhënë Jezusit në ndërkohë që Jezusi asht libri i gjallë.

Po ashtu janë disa fjalë që i drejtoheni vet profetit të Islamit “Nëse dyshon për atë që të kemi zbritur, pyeti ata që lexojnë Librin para teje.” (Kurani 10:94).

Ndërkohë, historikisht, dorëshkrimet e Ungjijve datojnë shekuj përpara shfaqjes së Islamit, çka e bën të pamundun pretendimin për korrupsion të mavonshëm pa gjurmë.

Përgjigjja themelore

Pretendimi se Bibla asht e korruptuar bie që në themel, sepse nuk plotëson asnjë nga kushtet minimale të provës historike dhe tekstuale. Para së gjithash, Bibla duhet kuptuar jo si manual i vetëm i diktuar, ashtu siç lexohet Kurani në traditën islame, por si nji bibliotekë tekstesh e ndarë në dy pjesë:
“Dhjata e Vjetër”, që përmban librat e kanonit judaik, dhe
“Dhjata e Re”, që përfshin Ungjijtë, Veprat e Apostujve, Letrat apostolike dhe Apokalipsin.
Në total, Bibla përmban rreth 73 libra të zhanreve historik, juridik, poetik, profetik, biografik-teologjik, letra, dhe apokaliptik me nji shtrirje kohore rreth shek. XIII p.K. (pas Eksodit) deri te shkrimet e fundit rreth vitit 100 pas Krishtit.

Duke u kthyer te pretendimi i tahrif1-it, kjo doktrinë jo vetëm që tregon injorancë strukturore mbi natyrën e Biblës, por nuk ofron asnjë tekst alternativ, asnjë version “origjinal” të humbur, dhe asnjë dëshmi konkrete historike që të tregojë se kur, ku dhe nga kush asht kryer ky korrupsion. Pa këto elemente, pohimi nuk asht kritikë tekstuale, por mohim ideologjiko-propagandistik i përmbajtjes së tekstit.

Krishterimi nuk ka pretenduar kurrë se Bibla “ra nga qielli” si nji libër i vetëm, por se Zbulesa u transmetua në histori përmes dëshmitarëve real dhe komuniteteve konkrete. Pikërisht për këtë arsye, ekzistenca e shumë dorëshkrimeve nuk asht shenjë korrupsioni, por shenja më e fortë e ruajtjes. Me mijëra dorëshkrime greke, latine dhe orientale, tekstet e Ungjijve mund të krahasohen dhe të rindërtohen me nji siguri që nuk ekziston për asnjë vepër tjetër të antikitetit.

Variantet tekstuale që ekzistojnë janë kryesisht ortografike ose stilistike dhe nuk prekin asnjë doktrinë themelore të Krishterimit. Nuk ekziston asnji dorëshkrim alternativ që të paraqesë nji Jezus tjetër, jo pa kryq, jo pa hyjni, jo pa ringjallje. Prandaj pretendimi për korrupsion nuk buron nga analiza e tekstit, por nga refuzimi i përmbajtjes së tij teologjike.

Sa i përket akuzës se Kisha “zgjodhi” Ungjijtë për pushtet, kjo përmbys rendin historik. Ungjijtë u njohën si autoritativë sepse ishin tashmë të përdorur në liturgi dhe të pranuar nga komunitetet apostolike, në nji kohë kur Kisha ende nuk kishte strukturë të konsoliduar institucionale. Kisha nuk e krijoi Ungjillin, ajo e njohu dhe e ruajti atë. Autoriteti nuk prodhon të vërtetën, por e dëshmon atë, ndryshe nga modeli kuranor, ku autoriteti politik–fetar përcakton se çfarë duhet besuar. (ref. Uthmanit)

Të thuash se Bibla asht e korruptuar sepse ka variante tekstuale asht si të thuash se historia romake asht e rreme sepse kemi shumë kopje të Tacitit me dallime të vogla. Sa më shumë dëshmitarë, aq më e fortë asht ruajtja, jo më e dobët.

Përgjigje ndaj pretendimeve

Përgjigje ndaj pretendimit të parë
Kurani flet për shtrembërim, por nuk identifikon kurrë nji tekst të humbur. Përkundrazi, ai i drejton lexuesit te Shkrimet ekzistuese, çka bie ndesh me idenë e korrupsionit total, krijon nji kontradiktë në shpallje.

Përgjigje ndaj pretendimit të dytë
Variantet tekstuale janë objekt studimi kritik dhe nuk përbëjnë korrupsion doktrinar. Asnjë doktrinë qendrore nuk varet nga nji variant i vetëm.

Përgjigje ndaj pretendimit të tretë
Ungjijtë ekzistonin dhe qarkullonin përpara çdo koncili. Kisha nuk i shpiku, ajo i ruajti.

Pasojat antropologjike dhe psikologjike

Nëse pranohet ideja se Zbulesa hyjnore mund të humbasë ose të korruptohet pa gjurmë historike, atëherë besimi nuk asht më akt i arsyeshëm, por nënshtrim i verbër ndaj autoritetit aktual. Kjo prodhon nji psikologji ku e vërteta nuk gjykohet nga dëshmia, por nga fuqia që e shpall. Përkundrazi, ruajtja historike e Shkrimeve e vendos besimin në dialog me arsyen dhe e mbron njeriun nga arbitrariteti fetar.

Përmbyllje

Pretendimi i tahrif-it nuk asht tezë historike, por mekanizëm mbrojtës ideologjik. Bibla nuk asht e korruptuar, ajo asht teksti më i dokumentuar i historisë njerëzore. Mohimi i saj nuk vjen nga provat, por nga përmbajtja që sfidon nji vizion tjetër të Zotit dhe të njeriut.

Pyetja

Nëse Bibla ishte e korruptuar për shekuj me radhë, pse Kurani u drejtohet njerëzve të Ungjillit që ta gjykojnë sipas Librit që kishin dhe kanë në duar?


  1. “Tahrif” është një term që përdoret për të përshkruar ndryshimin ose manipulimin e një teksti ose dokumenti origjinal, shpesh me qëllim të shpërndarjes së informacionit të pavërtetë ose të deformuar. Ky term përdoret shpesh në kontekste religjioze, historike dhe sociale. Në veçanti, në Islam, “tahrifi” i referohet ndryshimit të teksteve fetare (p.sh., Librave të Shenjtë të mëparshëm si Torah dhe Ungjilli) gjatë periudhave të ndryshme historike, duke e kthyer ato në forma që nuk përputhen më me versionin origjinal. ↩︎
Share This Article
Pa Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *