Angelus 21 Dhjetor 2025

"Përshpirtëria dhe dashuria, mëshira dhe dorëzimi: ja virtytet e njeriut të Nazaretit që Liturgjia sot na i propozon, që të na shoqërojnë në këto ditë të fundit të Ardhjes, drejt Krishtlindjes së Shenjtë. Janë qëndrime të rëndësishme, që e edukojnë zemrën për takimin me Krishtin dhe me vëllezërit..."

5 Min Lexim
Deklaratë: Të gjithë artikujt dhe reflektimet e botuara në Via Veritatis paraqesin pikëpamjet personale të autorëve. Ato nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të asnjë institucioni fetar.

Të dashur vëllezër dhe motra, mirëmëngjes!

Sot, e diela e katërt e Ardhjes, Liturgjia na fton të meditojmë mbi figurën e Shën Jozefit. Ajo na e paraqet, në mënyrë të veçantë, çastin kur Hyji i zbulon, në ëndërr, misionin e tij (krh. Mt 1:18–24). Kështu na propozon një faqe shumë të bukur të historisë së shëlbimit, protagonisti i së cilës është një njeri i brishtë dhe i gabueshëm, si ne, dhe njëkohësisht i guximshëm dhe i fortë në fe.

Ungjilltari Mateu e quan “njeri i drejtë” (krh. Mt 1:19), gjë që e përshkruan si një izraelit të devotshëm, që e zbaton Ligjin dhe e frekuenton sinagogën. Por, përveç kësaj, Jozefi i Nazaretit na shfaqet edhe si një person jashtëzakonisht i ndjeshëm dhe njerëzor.

E shohim këtë kur, edhe para se Engjëlli t’i zbulojë misterin që po ndodhte në Marinë, përballë një situate të vështirë për t’u kuptuar dhe pranuar, ai nuk zgjedh rrugën e skandalit dhe të dënimit publik ndaj nuses së tij të ardhshme, por atë diskrete dhe dashamirëse të largimit të fshehtë (krh. Mt 1:19). Kështu ai tregon se e kupton kuptimin më të thellë të vetë përkushtimit të tij fetar: atë të mëshirës.

Pastërtia dhe fisnikëria e ndjenjave të tij bëhen edhe më të dukshme kur Zoti, në ëndërr, ia zbulon planin e shëlbimit, duke i treguar rolin e papritur që ai duhet të marrë: të jetë bashkëshorti i Virgjërës, Nënës së Mesisë. Këtu, në të vërtetë, Jozefi, me një akt të madh feje, lë edhe strehën e fundit të sigurisë së tij dhe niset drejt një të ardhmeje që tashmë është plotësisht në duart e Hyjit. Shën Augustini e përshkruan kështu pëlqimin e tij: «Nga përshpirtëria dhe dashuria e Jozefit, Virgjëra Maria lindi një Bir, dhe pikërisht Birin e Hyjit» (Sermo 51, 20.30).

Përshpirtëria dhe dashuria, mëshira dhe dorëzimi: ja virtytet e njeriut të Nazaretit që Liturgjia sot na i propozon, që të na shoqërojnë në këto ditë të fundit të Ardhjes, drejt Krishtlindjes së Shenjtë. Janë qëndrime të rëndësishme, që e edukojnë zemrën për takimin me Krishtin dhe me vëllezërit, dhe që mund të na ndihmojnë të jemi, për njëri-tjetrin, një grazhd mikpritës, një shtëpi e hapur, një shenjë e pranisë së Hyjit. Në këtë kohë hiri, të mos humbasim asnjë rast për t’i praktikuar: duke falur, duke inkurajuar, duke dhënë pak shpresë njerëzve me të cilët jetojmë dhe atyre që takojmë; dhe duke rinovuar në lutje dorëzimin tonë bijësor ndaj Zotit dhe Providencës së Tij, duke ia besuar Atij gjithçka me besim.

Na ndihmoftë në këtë Virgjëra Maria dhe Shën Jozefi, të cilët të parët, me fe dhe dashuri të madhe, e kanë pranuar Jezusin, Shëlbuesin e botës.


Pas Engjëllores (Angelusit)

Të dashur vëllezër dhe motra!

Ju përshëndes me dashuri të gjithëve ju, qytetar të romës dhe shtegtarë nga Italia dhe nga pjesë të tjera të botës, veçanërisht ata që kanë ardhur nga Jumilla, në Spanjë, dhe grupin e mësuesve të Our Lady College nga Hong Kongu. Përshëndes gjithashtu besimtarët e Chieti Scalo dhe të Vogherës, mësuesit dhe nxënësit e Liceut Shkencor “Banzi Bazoli” të Leçes dhe anëtarët e “Fondazione Agostiniani nel Mondo”, me rastin e përvjetorit të saj.

Sot u drejtoj një përshëndetje të veçantë fëmijëve dhe të rinjve të Romës! Të dashur, keni ardhur me familjarët dhe me katekistët tuaj për bekimin e figurave të Jezusit Foshnjë, që do t’i vendosni në grazhdin e shtëpive, të shkollave dhe të oratorëve tuaj. Falënderoj Qendrën e Oratorëve të Romës që e ka organizuar këtë ngjarje dhe i bekoj me gjithë zemër të gjithë “Bambinelli” (figurat e Jezusit foshnje). Të dashur të rinj, përpara grazhdit, lutjuni Jezusit edhe për qëllimet e Papës. Në veçanti, të lutemi së bashku që të gjithë fëmijët e botës të mund të jetojnë në paqe. Ju falënderoj me gjithë zemër!

Dhe me “Bambinelli” (figurat e Jezusit foshnje) dhe me të gjitha shprehjet e fesë sonë në Jezusin foshnje, ju bekoftë gjithmonë Ati, Biri dhe Shpirti Shenjt.

Të gjithëve ju uroj një të dielë të mbarë dhe një Krishtlindje të shenjtë e të qetë!

Share This Article
Pa Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *