A bie Trinia e Shenjtë në kundërshtim me monoteizmin?

Krishterimi nuk i shton ortakë Zotit, por shpall se Zoti nuk asht vetmi e mbyllun, por dashuri e përjetshme. Nji Zot që nuk ka marrëdhënie reale në vetvete nuk mund të jetë dashuri përpara krijimit. Ndërsa Zoti i zbuluar në Krishtin asht dashuri në vetvete, dhe kjo dashuri nuk e copëton njësinë e Tij, por e përkryen atë.

7 Min Lexim
Deklaratë: Të gjithë artikujt dhe reflektimet e botuara në Via Veritatis paraqesin pikëpamjet personale të autorëve. Ato nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të asnjë institucioni fetar.

Themeli i diskutimit

Çdo debat mbi monoteizmin presupozon një kuptim të saktë të asaj çfarë do të thotë “Një”. Nëse ky term përdoret pa dallim ndërmjet njësisë matematikore dhe njësisë ontologjike, atëherë debati asht i dënum me kenë i rremë që në fillim. Prandaj, përpara çdo kundërshtimi, duhet me u sqaru nëse Zoti po mendohet si numër apo si Qenie. Vetëm pas këtij dallimi, pyetja mbi Trininë mund me u shtru në mënyrë kuptimplote.

Çështja

A bie Trinia e Shenjtë në kundërshtim me monoteizmin?

Pretendimet

Pretendimi i parë
Myslimanët thonë se Zoti asht Një. Nëse thoni se asht Tre, atëherë nuk asht ma Një. Prandaj Trinia asht politeizëm. Në Kuran urdhërohet “Mos thoni: Tre. Pushoni! Kjo është më e mira për ju. Allahu është një Zot i vetëm.”1. Ky kundërshtim presupozon se njësia e Zotit asht e natyrës matematikore dhe se çdo dallim i brendshëm e shkatërron domosdoshmërisht unitetin.

Pretendimi i dytë
Nëse Ati asht Zot, Biri asht Zot dhe Shpirti Shenjt asht Zot, atëherë kemi tre Zota, jo një. Ky kundërshtim presupozon se fjala “Zot” i referohet Personit dhe jo Esencës.

Pretendimi i tretë
Trinia nuk gjendet kjartë në Bibël, prandaj asht shpikje e mavonshme e Kishës. Ky kundërshtim presupozon se zbulesa hyjnore duhet të paraqitet në formë formulash dogmatike të gatshme dhe jo si realitet i zbuluar gradualisht.

Fakti

  1. Në Shkrimin Shenjt, Jezusi u drejtohet apostujve duke thënë: “Shkoni e bëni dishepuj të gjithë popujt, duke i pagëzuar në emër të Atit, e të Birit, e të Shpirtit Shenjt.”2 ;
  2. Po ashtu, Ungjilli i Gjonit shpall: “Fjala ishte te Zoti, dhe Fjala ishte Zot.”3;
  3. Ndërsa Katekizmi i Kishës Katolike pohon kjartë: “Ne nuk rrëfejmë tre Zota, por një Zot të vetëm në tre Persona.”4.

Përgjigja themelore

Trinia nuk e mohon monoteizmin, sepse Krishterimi nuk flet për Zotin si nji numër, por si Qenie. Gabimi themelor në kundërshtimin islam qëndron në faktin se Zoti mendohet si nji “një” statiko-matematikor, ndërsa Krishterimi flet për nji “një” ontologjik, nji Esencë e vetme, e pandame dhe e përjetshme. Prandaj, kur flasim për Atin, Birin dhe Shpirtin Shenjt, nuk po flasim për tre Zota, por për tre Persona që janë plotësisht dhe njëkohësisht i njëjti Zot.

Dallimi ndërmjet Personave nuk vjen nga esenca, sepse esenca asht nji, por nga marrëdhënia. Ati asht Ati sepse lind Birin, Biri asht Bir sepse lindet prej Atit, Shpirti Shenjt rrjedh si dashuri e përjetshme ndërmjet Atit dhe Birit. Këto marrëdhënie nuk e ndajnë Zotin, por shprehin mënyrën se si Ai ekziston në vetvete. Prandaj Trinia nuk asht ndarje, por jetë e brendshme e Zotit.

Kjo asht arsyeja pse Trinia nuk asht “shirk”. Krishterimi nuk i shton ortakë Zotit, por shpall se Zoti nuk asht vetmi e mbyllun, por dashuri e përjetshme. Nji Zot që nuk ka marrëdhënie reale në vetvete nuk mund të jetë dashuri përpara krijimit. Ndërsa Zoti i zbuluar në Krishtin asht dashuri në vetvete, dhe kjo dashuri nuk e copëton njësinë e Tij, por e përkryen atë.

Trinia nuk asht kundër arsyes, por mbi të. Arsyeja sheh se nuk ka kundërshti logjike që nji Esencë e vetme të ekzistojë në marrëdhënie reale, edhe pse misteri mbetet. Edhe vetë njeriu, i krijuar sipas shëmbëlltyrës së Zotit, e reflekton këtë strukturë në mënyrë analoge në mendjen që lind fjalën dhe vullneti që gjeneron dashurinë. Kjo analogji nuk e shpjegon Zotin, por tregon se marrëdhënia nuk e shkatërron njësinë e qenies.

Përgjigje ndaj Pretendimeve

Përgjigje ndaj pretendimit të parë
Kundërshtimi bie sepse e trajton Zotin si numër dhe jo si Qenie. Kurani refuzon një Trini të kuptuar si ndarje sasiore, por kjo nuk asht Trinia e Krishterimit. Prandaj kundërshtimi lufton nji karikaturë të Trinisë, jo doktrinën reale të Kishës.

Përgjigje ndaj pretendimit të dytë
Pohimi se “Ati asht Zot, Biri asht Zot, Shpirti Shenjt asht Zot” nuk prodhon tre Zota, sepse fjala “Zot” i referohet Esencës, e jo Personit. Të tre Personat janë pjesëmarrës në të njëjtën Esencë hyjnore, të dalluar vetëm nga marrëdhënia, jo nga natyra.

Përgjigje ndaj pretendimit të tretë
Trinia nuk gjendet si term në Bibël, por si realitet. Bibla nuk asht manual dogmatik, por dëshmi zbuluese. Megjithatë Trinia shpaloset nga vetë Jezusi: “Shkoni e bëni dishepuj të gjithë popujt, duke i pagëzuar në emër të Atit, e të Birit, e të Shpirtit Shenjt.”5.

Pasojat antropologjike dhe psikologjike

Nëse Zoti kuptohet si njësi absolute pa marrëdhënie në vetvete, atëherë edhe njeriu, i krijuar sipas shëmbëlltyrës së Tij, reduktohet në individ të mbyllur që synon vetëm psuhtet. Marrëdhënia nuk asht ma pjesë përbërëse e qenies, por aksident. Dashuria nuk asht më realitet themelor, por funksion i përkohshëm. Kjo prodhon nji antropologji të bindjes, e të nënshtrimit, jo të bashkimit; të ligjit, e jo të dashurisë.

Përkundrazi, nëse Zoti asht Qenie që ekziston në marrëdhënie të përjetshme dashurie, atëherë edhe njeriu asht qenie e thirrun në marrëdhënie. Kjo shpjegon pse izolimi shkatërron psikikën, pse identiteti pa marrëdhënie prodhon ankth dhe pse liria pa dashuri përfundon në nihilizëm. Trinia nuk asht vetëm e vërtetë teologjikisht, por e domosdoshme antropologjikisht.

Përmbyllje

Të tria kundërshtimet bien sepse nisen nga i njëjti gabim themelor, Trinia lexohet me logjikë sasiore dhe jo ontologjike. Krishterimi nuk thotë se Zoti asht “tre”, por se Zoti asht nji Qenie e gjallë që ekziston në marrëdhënie të përjetshme dashurie. Kështu, Trinia nuk e shkatërron monoteizmin, por e largon mundësinë logjike të reduktimit të Zotit në pushtet të vetmuar dhe e zbulon Atë si dashuri në vetvete.

Pyetja

Nëse Zoti asht absolutisht Një, pa asnjë marrëdhënie reale në vetvete, si mund të jetë dashuri përpara krijimit?


  1. Kurani, En-Nisa 4:171 ↩︎
  2. Mateu 28:19 ↩︎
  3. Gjoni 1:1 ↩︎
  4. KKK 253 ↩︎
  5. Mateu 28:19 ↩︎
Share This Article
Pa Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *