Pse Vatikani ka Observator Astronomik?

12 Min Lexim
Deklaratë: Të gjithë artikujt dhe reflektimet e botuara në Via Veritatis paraqesin pikëpamjet personale të autorëve. Ato nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të asnjë institucioni fetar.

Për çka njihet Vatikani në përgjithësi? Përgjigja kryesisht të çon tek Bazilika e Shën Pjetrit, tavani magjepsës i Kapelës Sistine apo Dhomat e Rafaelit, do të thotë është vendi ku arti dhe arkitektura, kryesisht nga dora e gjeniut Michelangelo, kanë ngrirë kohën në mermer dhe afresk.

Megjithatë, përtej bazilikave, kishave, artit, Vatikani njihet edhe per Observatorin Astronomik të nivelit botëror i cili gjendet në Castel Gandolfo…

Observatori Astronomik i Vatikanit, Castel Gandolfo

Historik i shkurtër

Interesi i Kishës Katolike për astronominë ka filluar në shekullin XVI; në këtë kohë, Ipeshkvi i Romës ishte Papa Gregori XIII. Duke tentuar të transformonte kalendarin julian, prifti jezuit Christoph Clavius përdori vëzhgimet astronomike për të vërtetuar se viti zgjat saktësisht 365 ditë, 5 orë, 49 minuta dhe 12 sekonda.

Ky ishte kalimi historik nga kalendari julian në kalendarin gregorian, rrjedhimisht astronomia u bë një nevojë ekzistenciale për Vatikanin.

Kësisoj, Il Collegio Romano (Universiteti i Jezuitëve) u shndërrua në një qendër astronomike, ku astronomë si Clavius konfirmonin zbulimet e Galileos. Kështu, pavarësisht tensioneve të institucioneve me teologjinë, në vitin 1774 u themelua zyrtarisht Observatori i Kolegjit Romak.

Vatikani pushtoi të gjitha “ballinat” e shkencave botërore rreth vitit 1868, kur Atë Angelo Secchi analizoi dritën e yjeve. Meqenëse deri atëherë astronomët thjesht observonin pozicionin e tyre, Secchi bëri një hap revolucionar: ai klasifikoi 4,400 yje sipas spektrave të tyre dhe dëshmoi se yjet përbëhen nga elemente të njëjta si Toka (hidrogjen, hekur, etj.). Edhe sot, Secchi nderohet nga NASA për kontributin e tij në spektroskopi.

Sidoqoftë, rreth viteve 1870, Italia u bashkua si shtet dhe Papa humbi “Shtetin Papal”, duke u detyruar të mbyllej brenda mureve të Vatikanit.

Shteti i ri po sekuestronte institucionet e Kishës, përfshirë këtu edhe Observatorin e Kolegjit Romak, duke dëbuar shkencëtarët jezuitë nga laboratorët e tyre.

Ky ishte shekulli XIX që dominohej nga pozitivizmi, rrymë filozofike e cila pohonte se vetëm shkenca mund të njohë të vërtetën. Kisha në atë kohë shihej si burim i injorancës, armike e progresit njerëzor dhe një institucion mesjetar; kështu, përmes narrativës se feja dhe shkenca janë në luftë, ky mendim nisi të dominonte në universitetet e kohës.

Prandaj, Vatikani duhej të dëshmonte të kundërtën! Për këtë, Kisha Katolike duhet të përkulet përherë para figurës së Leonit XIII.

Ai ishte një vizionar dhe strateg i madh, i cili kuptoi se Kisha po mbetej prapa një bote që po vraponte drejt teknologjisë, laboratorëve dhe teorive të reja sociale.

Ai hapi Arkivat e Vatikanit për historianët që dëshironin të studionin, duke pohuar se Kisha nuk ka frikë nga e vërteta.

Në vitin 1887, në Kongresin Ndërkombëtar të Astronomisë të mbajtur në Paris, Leoni XIII urdhëroi që të merrte pjesë edhe Vatikani.

Idenë e kishte të qartë: nëse astronomët e Vatikanit bënin të njëjtën punë me ata të Parisit, nuk mund të flitej më se kleri ishte injorant. Kësisoj, ai bleu teleskopin më modern të kohës dhe e vendosi në pikën më të lartë të Vatikanit, në Kullën Leonine.

Faqja kryesore e akteve të Kongresit të Parisit (1887), dokumenti që shënoi hyrjen zyrtare të Vatikanit në projektin më të madh astrofizik të shekullit XIX, ‘Carte du Ciel‘

Vatikani në atë kongres u përfaqësua nga Atë Francesco Denza (i urdhrit Barnabit), një shkencëtar me reputacion ndërkombëtar.

Më 14 mars 1891, u lëshua dokumenti “Ut Mysticam” nga Papa Leoni XIII, një manifest i vërtetë filozofik. Në të bëhet e qartë se të gjithë duhet të shohin që Kisha dhe kleri i saj nuk janë kundër shkencës së vërtetë; përkundrazi, ata e përqafojnë atë, e inkurajojnë dhe e promovojnë me përkushtim të plotë.

Dokumenti gjithashtu tregon se, që nga Kongresi i Parisit, Vatikani me Observatorin e tij ka marrë detyrën e madhe për të riprodhuar me anë të fotografisë pozicionin e yjeve në qiell. Përmes këtij vëzhgimi, Papa thekson se njeriu mund të dëshmojë lavdinë e duarve të Zotit dhe mund ta njohë Atë më së afërmi përmes thjerrëzave të teleskopëve.

Observatori më pas u zhvendos në rezidencën verore papale me kërkesë të Papa Piut XI, ku qëndron edhe sot, pasi dritat e Romës filluan ta bënin qiellin të padukshëm.

Me shtimin e ndotjes dritësore në Itali, Vatikani hapi degën e re në Arizona dhe ndërtoi teleskopin VATT në Mount Graham, një nga vendet me qiellin më të pastër në botë.

Sot, në epokën e Inteligjencës Artificiale, Observatori ka kaluar në robotizim të plotë të teleskopit dhe në përdorimin e kartave grafike për analiza përmes Machine Learning.

Aktualisht, stafi përbëhet nga 15 jezuitë dhe priftërinj nga e gjithë bota, shkencëtarë të nivelit më të lartë si: Fr. Richard Anthony D’Souza, S.J. (Drejtori); Br. Guy Consolmagno, S.J. (Drejtor Emeritus dhe President i Fondacionit); Fr. Bob Macke, S.J. (Kuratori i Meteoritëve); Fr. Gabriele Gionti, S.J. & Don Matteo Galaverni; si dhe Fr. Christopher Corbally, S.J.

Të gjithë anëtarët e ekipit janë profesionistë dhe kanë punime të botuara në revista prestigjioze shkencore si Nature ose Astrophysical Journal.

Pyetja themelore

Kthehemi te pyetja mbi të cilën Br. Guy Consolmagno, S.J., ka shkruar një artikull: “Pse Vatikani ka Observator?“.

Ai shtron dilemën: a nuk ka Vatikani punë më të rëndësishme sesa t’i vrojtojë yjet? Pse të humbasim kohën me hënat e Jupiterit, kur ka njerëz në botë që vdesin për bukë?

Këto ishin pyetjet që shqetësonin ndërgjegjen e astronomit, por gjatë rrugëtimit të tij, nga fshatrat e Kenias deri në laboratorët e MIT-it, ai zbulon të vërtetën se njeriu nuk jeton vetëm nga buka, por edhe nga mrekullia.

Sipas tij, astronomia nuk është ikje nga problemet e botës, por ajo që mbron dinjitetin njerëzor. Përmes vëzhgimit në teleskop, pasthirrma e secilit është “wow”; kjo përvojë na kujton që jemi më shumë se thjesht qenie konsumuese, jemi krijesa të etura për të pafundmen.

Siç thotë edhe Consolmagno, astronomia është mënyra se si ne e përjetojmë universin si krijesa që janë të interesuara për më shumë sesa thjesht “çfarë ka për drekë?”. Ai e shpjegon këtë përmes një metafore: shkenca është si një lojë letrash mes një fëmije dhe nënës. Ai kujton fëmijërinë e vet kur e ëma luante me të, jo që të fitonte, por për t’i treguar dashurinë.

Kësisoj, ai thotë se është edhe puna në Observator: “Zoti luan një lojë me mua“, shprehet ai. Ai i vendos gjëegjëzat, dhe rëndësia nuk qëndron te përgjegjet, por tek aktiviteti i gjetjes së tyre. Shkenca, për klerin dhe jezuitët, nuk e largon Zotin, por e bën Atë një bashkëlojtar në kërkimin e përjetshëm për të Vërtetën.

Observatori në shekullin XXI

Ky mision nuk mbetet vetëm në teori.

Këta priftërinj jezuitë, që nga rënia e Kabulit, bashkëpunojnë me rrjete ndërkombëtare për të ofruar leksione astronomie online për vajzat në Afganistan, të cilave u është ndaluar shkollimi, me qëllim mbajtjen gjallë të shpresës dhe intelektit.

Gjithashtu, organizohet Shkolla Verore e Vatikanit në Castel Gandolfo, me prioritet studentët që vijnë nga vendet në zhvillim, jo nga ato të pasura, duke siguruar të gjitha shpenzimet për të rinjtë që kanë talent. Tema e fundit e trajtuar për periudhën 2025-2026 është përdorimi i AI në analizën e të dhënave të Big Data në Astronomi.

Motoja që mirëpret çdo vizitor në Observatorin e Vatikanit: një ftesë për të gjetur hyjnoren përmes kërkimit shkencor:

Ejani ta adhurojmë, Zotin që na krijoj.

Më shumë për historinë e Observatorit Astronimik: https://www.vaticanobservatory.org/wp-content/uploads/2017/01/History-of-the-Vatican-Observatory.pdf

Nëse dëshironi të bëni një udhëtim virtual në Observator: https://app.twinteraction.com/augmentour?m=SSBQNiqoCiW&name=Vatican+Astronomical+Observatory+-+Barberini+Domes+%7C+Pontifical+Villas&at_config=ky034UyFjO&tw_space_id=189

Linku për të gjitha aktivitetet dhe artikujt në Observator: https://www.vaticanobservatory.org/

Astronomi i Papës: https://www.youtube.com/watch?v=o3eqYbKVYC0

Më poshtë gjeni disa foto nga galeria e Observatorit Astronomik të Vatikanit:

Krateri Kopernik dhe Mare Nubium (Deti i Reve) në Hënë.
1995 | Planetët, Hapësira
Fotografi nga Atë Carreira SJ me refraktorin Zeiss 40 cm në Castel Gandolfo gjatë Shkollës Verore të Observatorit të Vatikanit në vitin 1995.
Nebula Emisive NGC 2359, “Përkrenarja e Thor-it”
Hapësirë, Yje-Nebula
Imazh nga VATT i realizuar nga Brucker, Consolmagno, Romanishin dhe Tegler.
Grumbulli i Hapur M103
Hapësirë, Yje-Nebula
Imazh nga VATT i realizuar nga Brucker, Consolmagno, Romanishin dhe Tegler.
Teleskopi i Vatikanit për Teknologji të Avancuar (VATT) Natën Teleskopët, VATT Teleskopi i Vatikanit për Teknologji të Avancuar (VATT) në Arizona përbëhet nga dy pjesë: Teleskopi “Alice P. Lennon” dhe Objekti i Astrofizikës “Thomas J. Bannan”.
Murgeshat duke matur pozicionet e yjeve
Historike Murgeshat e Instituti të Motrave të Marisë Fëmijë duke matur pozicionet e yjeve për projektin “Carte du Ciel” të Observatorit të Vatikanit.
Papa Pali VI duke ndjekur zbarkimin në Hënë
Në natën e zbarkimit të Apollo 11 në Hënë, më 20 korrik 1969, Papa Pali VI vizitoi Observatorin e Vatikanit dhe vëzhgoi Hënën duke përdorur thjerrëzën kërkuese të teleskopit “Schmidt” të Observatorit të Vatikanit.
Atë Georges Lemaître, Robert A. Millikan dhe Albert Einstein
Atë Georges Lemaître (1894-1966, bashkë me Robert A. Millikan dhe Albert Einstein), prift belg dhe astrofizikan, ishte një nga themeluesit e asaj që më vonë u njoh si teoria e “Big Bang-ut”.
Koleksioni i Meteoritëve të Vatikanit
Bob Macke S.J. e realizoi këtë imazh të koleksionit të meteoritëve të Vatikanit gjatë një inventarizimi në vitin 2018.
Studentët e diplomuar të astronomisë duke ndjekur Tranzitin e Venusit
Shkollat Verore të Observatorit të Vatikanit (VOSS), 2012

Share This Article
Pa Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *