Padre Guilherme, Prifti DJ: Muzika si urë drejt Hyjnores.

4 Min Lexim
Deklaratë: Të gjithë artikujt dhe reflektimet e botuara në Via Veritatis paraqesin pikëpamjet personale të autorëve. Ato nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të asnjë institucioni fetar.

Në një botë ku feja dhe muzika moderne shpesh shihen si dy pole të largëta, Padre Guilherme, prifti portugez që po bën xhiron e botës, dëshmon të kundërtën. Gjatë vizitës së tij të fundit në Shqipëri, ai solli një energji të jashtëzakonshme në Tiranë, duke treguar se pulti i DJ-it mund të jetë një altar modern për të shpërndarë mesazhe paqeje dhe shprese sidomos për ta sjellë Lajmin e Gëzueshëm tek njerëzit.

Historia e Padre Guilherme nis me një fillim dramatik. Kur lindi, mjekët i dhanë pak shpresë për jetën, duke i thënë familjes se mbase nuk do të mbijetonte deri të nesërmen. Nëna e tij, në një akt besimi, premtoi se nëse ai shpëtonte, do t’ia dedikonte jetën e tij shërbimit të Zotit. Megjithatë, Guilherme e mësoi këtë histori vetëm pasi ishte bërë prift, thirrja e tij ishte tërësisht e brendshme dhe pa asnjë trysni nga familja.

Përpara se të bëhej i famshëm në Spotify dhe TikTok, ai shërbeu si toger dhe prift në Afganistan në vitin 2010, ku qëndroi gjashtë muaj në Kabul duke mbështetur ushtrinë dhe popullatën vendase. Ai ka vizituar gjithashtu Kosovën, me dëshirën për të parë një kishë të shëndetshme që mbështet besimin dhe njerëzit. Këto përvoja e kanë formësuar atë si një njeri që e sheh besimin jo vetëm brenda mureve të kishës, por kudo ku ka nevojë për paqe.

Padre Guilherme

Një nga momentet më ikonike të karrierës së tij është takimi në Vatikan, ku ai i kërkoi Papa Françeskut të bekonte kufjet e tij. Ky gjest, i cili bëri edhe kardinalët të qeshnin, simbolizon hapjen e kishës ndaj gjuhëve të reja të komunikimit. Për Padre Guilherme, muzika elektronike është thjesht një gjuhë tjetër, ashtu si arkitektura apo piktura, që kisha ka përdorur ndër shekuj për të përcjellë mesazhin e Zotit.

“Kur luaj muzikë, është si kur po lutem” thotë ai. Në setet e tij, ai përfshin mesazhe nga grupe si Metallica apo Guns N’ Roses, duke argumentuar se edhe këngët “rebele” mund të kenë histori të fuqishme që prekin zemrën dhe nxisin tolerancën. Gjatë performancës në Tiranë, ai madje përpunoi këngë tradicionale shqiptare në formatin elektronik, duke vlerësuar lart tolerancën fetare që gjeti në Shqipëri.

Për Padre Guilherme, ky nuk është një biznes personal. Ai ka krijuar një strukturë ku të gjitha të ardhurat nga muzika dhe performancat reinvestohen në produksione të reja ungjillizimi dhe në projekte të kishës, pa mbajtur asnjë fitim për vete. Ai e sheh veten si një “farë të vogël” që synon të prekë shpirtrat e njerëzve përmes tingullit, qofshin ata në palestër, në makinë apo në një festival.

Në fund të fundit, Padre Guilherme na kujton se besimi duhet t’i përshtatet kohës. Siç thotë edhe barsoleta portugeze që ai tregoi: “Jam ateist, shyqyr Zotit”, një thirrje për të gjetur të Hyjnoren edhe aty ku mendojmë se nuk ekziston.

TAGGED:
Share This Article
Pa Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *