Në një kohë tensionesh dhe luftërash që po përfshijnë Lindjen e Mesme, Papa Leoni XIV ngre zërin kundër mënyrës aktuale të të bërit politikë, duke theksuar se:
“Stabiliteti dhe paqja nuk arrihen përmes kërcënimeve reciproke, as përmes përdorimit të armëve… por vetëm përmes një dialogu të sinqertë dhe të përgjegjshëm.”
Në analizën e tij, diplomacia nuk është një mjet dytësor apo një shenjë dobësie, por i vetmi instrument racional që mund të thyejë “spiralen e dhunës”. Për Vatikanin, çdo raketë e lëshuar nuk është thjesht një akt ushtarak, por një dështim i politikës dhe një hap më tej drejt asaj që ai e quan një “humnerë e pakapërcyeshme”.
Papa ka bërë thirrje që të lutemi për paqe, si i vetmi “mjet” që shëron plagët!
Më poshtë vijon mesazhi i plotë i Atit të Shenjtë
ANGELUS
Sheshi Shën Pjetrit
E diel, 1 mars 2026
Të dashur vëllezër dhe motra!
Po ndjek me shqetësim të thellë atë që po ndodh në Lindjen e Mesme dhe në Iran në këtë kohë të trazuar. Stabiliteti dhe paqja nuk arrihen përmes kërcënimeve reciproke, as përmes përdorimit të armëve, të cilat mbjellin shkatërrim, vuajtje dhe vdekje, por vetëm përmes një dialogu të arsyeshëm, të sinqertë dhe të përgjegjshëm.
Përballë mundësisë së një tragjedie me përmasa të jashtëzakonshme, u drejtoj një thirrje të përzemërt të gjitha palëve të përfshira që të marrin përsipër përgjegjësinë morale për të ndalur spiralen e dhunës përpara se ajo të kthehet në një humnerë të pakapërcyeshme. Le të rimarrë diplomacia rolin e saj të duhur dhe le të mbrohet mirëqenia e popujve, të cilët lëngojnë për një ekzistencë paqësore të bazuar mbi drejtësinë. Dhe le të vazhdojmë të lutemi për paqen.
Gjatë këtyre ditëve, kanë mbërritur lajme shqetësuese edhe për përleshjet mes Pakistanit dhe Afganistanit. Bëj thirrje urgjente për një rikthim në dialog. Le të lutemi së bashku që harmonia të mbizotërojë në të gjitha konfliktet anembanë botës. Vetëm paqja, dhuratë e Hyjit, mund të shërojë plagët mes popujve.
Dëshiroj t’u shpreh afërsinë time të gjithë atyre që janë prekur rëndë nga përmbytjet në shtetin brazilian të Minas Gerais. Lutem për viktimat, për familjet që kanë humbur shtëpitë e tyre dhe për të gjithë ata që janë angazhuar në operacionet e shpëtimit.
Ju drejtoj një përshëndetje të ngrohtë të gjithë juve, romakëve dhe pelegrinëve nga vende të ndryshme, në veçanti grupit të kamerunasve që jetojnë në Romë, të shoqëruar nga Kryetari i Konferencës së tyre Episkopale, të cilin, me ndihmën e Zotit, do të kem gëzimin ta vizitoj në muajin prill.
Mirëpres besimtarët nga Dioqeza e Jashit (Iași) në Rumani, nga Budimiri në Koshice të Sllovakisë, nga Masaçusetsi (Massachusetts) i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe nga Vëllazëria e Santísimo Cristo de la Buena Muerte nga Haeni (Jaén) i Spanjës.
Përshëndes besimtarët nga Napoli, Torre del Greco dhe Afragola; nga Karaljo (Caraglio) dhe Vale Grana (Valle Grana); nga Komitini, Krotoni (Crotone), Silvi Marina dhe famullia e Shën Luigj Gonzagës në Romë; si dhe udhëheqësit skautë të grupit “Val d’Illasi” pranë Veronës dhe të rinjtë nga Faenca (Faenza) që kanë marrë Sakramentin e Krezmimit.
Ju uroj të gjithëve një të diel të mbarë.






