Ky artikull është përkthyer dhe publikuar me lejen e mirëfilltë të agjencisë LiCAS.news.
Organizatorët e Ditës Botërore të Rinisë (DBR) 2027 kanë emëruar pesë shenjtër pajtorë, jetët e të cilëve pasqyrojnë persekutimin, migrimin dhe luftën sociale, duke i paraqitur ata si udhërrëfyes për të rinjtë që po përgatiten për këtë takim global.
Komiteti Organizativ Lokal (KOL) për DBR Seul 2027 njoftoi përzgjedhjen, duke thënë se shenjtërit u zgjodhën në dritën e temave të aktivitetit: e vërteta, dashuria dhe paqja.
Lista e shenjtërve pajtorë:
- Papa Gjon Pali II: Themeluesi i Ditës Botërore të Rinisë.
- Andreu Kim Taegon dhe shokët: Martirët e Kishës së hershme koreane.
- Françeska Ksaveria Kabrini: E njohur për punën e saj me emigrantët.
- Zhozefina Bakhita: Jeta e së cilës pasqyroi besimin mes vuajtjeve.
- Karlo Akutis: I lidhur me ungjillëzimin në epokën digjitale.
Së bashku, këto figura shtrihen në kontinente dhe breza të ndryshëm, me jetë të formësuara nga lufta, shpërngulja, skllavëria dhe sfidat e kulturës moderne përvoja që organizatorët thonë se bëjnë jehonë me realitetet me të cilat përballen shumë të rinj sot.
Procesi i përzgjedhjes
Procesi i përzgjedhjes filloi në fund të vitit 2024 dhe përfshiu një anketë mbarëkombëtare me të rinjtë, rregulltarët e rinj dhe punonjësit pastoralë, pasuar nga diskutimet e Komitetit Organizativ Lokal.
Më vonë, një grup vullnetarësh të rinj kaluan dy muaj duke studiuar jetën dhe spiritualitetin e shenjtërve, duke përgatitur lutje dhe përfaqësime simbolike përmes reflektimit dhe diskutimit.
Mesazhet nga krerët e Kishës
Kevin Farrell, prefekt i Dikasterit për Laikët, Familjen dhe Jetën, tha se shenjtërit pajtorë luajnë një rol qendror në formësimin e përgatitjes shpirtërore për këtë ngjarje:
“Shenjtërit pajtorë luajnë një rol themelor në përgatitjen për çdo Ditë Botërore të Rinisë. Ata i ftojnë të rinjtë, formatorët dhe pastorët të reflektojnë mbi dhuratën e thirrjes së Zotit, mbi thirrjet tona pagëzimore, priftërore, rregulltare dhe martesore, duke na inkurajuar t’i përgjigjemi asaj me bujari dhe guxim në ndjekjen e Krishtit, i cili ka munduar botën, siç na kujton edhe tema e DBR-së së ardhshme.”
Farrell shtoi: “Uroj që dëshmia e këtyre Shenjtërve Pajtorë të frymëzojë të rinjtë në mbarë botën, veçanërisht në kontekste të shënuara nga vështirësitë dhe persekutimi, për të parë se shenjtëria nuk është një ideal i largët, për të ngulitur vështrimin e tyre te Krishti dhe për t’iu përgjigjur me bujari thirrjes së Tij.”
Peter Soon-taick Chung, kryetar i komitetit organizativ, tha se shenjtërit ofrojnë shembuj konkretë: “Këta Shenjtër Pajtorë përfshijnë kontinente dhe breza, dhe secili prej tyre ofron një rrugë konkrete për të jetuar besimin mes realiteteve me të cilat përballen të rinjtë sot. Shpresoj që të rinjtë do të zbulojnë te këta shenjtër shembuj për jetën e tyre dhe, përmes rrugëtimit të përgatitjes për Ditën Botërore të Rinisë, të krijojnë një lidhje të thellë shpirtërore me ta.”
Angazhimi digjital
Organizatorët thanë se do të vazhdojnë t’i prezantojnë shenjtërit përmes platformave zyrtare dhe do të zhvillojnë programe për të thelluar angazhimin përpara takimit të vitit 2027.
Gjithashtu është lançuar një opsion interaktiv i titulluar “Takoni Shenjtin tuaj Pajtor!”, i cili i fton përdoruesit t’u përgjigjen pyetjeve dhe të zbulojnë se cili nga pesë shenjtërit i përshtatet më shumë personalitetit të tyre.
Informacione shtesë mbi Ditën Botërore të Rinisë:
Dita Botërore e Rinisë (DBR) nuk lindi si një projekt i planifikuar gjatë në zyrat e Vatikanit, por si një përgjigje ndaj etjes së të rinjve për Zotin. Gjithçka nisi në vitin 1984, kur Papa Gjon Pali II ftoi të rinjtë në Romë për të festuar Jubileun e Shpëtimit. Pjesëmarrja ishte aq masive (mbi 300,000 të rinj) sa që Papa vendosi ta zyrtarizonte këtë takim në vitin 1985.
Përgjatë dekadave, DBR është organizuar pothuajse në të gjitha kontinentet, duke u udhëhequr nga tre Papë:
Kronologjia e Plotë e Takimeve Globale të Rinisë
| Viti | Qyteti dhe Shteti | Papa |
| 1984 | Romë, Itali (Takimi Paraardhës) | Shën Gjon Pali II |
| 1985 | Romë, Itali (Themelimi Zyrtar) | Shën Gjon Pali II |
| 1987 | Buenos Aires, Argjentinë | Shën Gjon Pali II |
| 1989 | Santiago de Compostela, Spanjë | Shën Gjon Pali II |
| 1991 | Częstochowa, Poloni | Shën Gjon Pali II |
| 1993 | Denver, SHBA | Shën Gjon Pali II |
| 1995 | Manila, Filipine | Shën Gjon Pali II |
| 1997 | Paris, Francë | Shën Gjon Pali II |
| 2000 | Romë, Itali (Jubileu i Madh) | Shën Gjon Pali II |
| 2002 | Toronto, Kanada | Shën Gjon Pali II |
| 2005 | Këln, Gjermani | Benedikti XVI |
| 2008 | Sidnej, Australi | Benedikti XVI |
| 2011 | Madrid, Spanjë | Benedikti XVI |
| 2013 | Rio de Janeiro, Brazil | Françesku |
| 2016 | Krakov, Poloni | Françesku |
| 2019 | Panama City, Panama | Françesku |
| 2023 | Lisbonë, Portugali | Françesku |
| 2025 | Romë, Itali (Jubileu i të Rinjve) | Leoni XIV |
| 2027 | Seul, Kore e Jugut | Leoni XIV |






