Mbi dashurinë do të gjykohesh

11 Min Lexim
Deklaratë: Të gjithë artikujt dhe reflektimet e botuara në Via Veritatis paraqesin pikëpamjet personale të autorëve. Ato nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të asnjë institucioni fetar.

I dashur lexues,

ashtu siç kemi thënë, çdo të premte në Kohën e Kreshmës do ndajmë një reflektim. Kësaj radhe do gjeni një fragment të shkëputur nga libri i Carlo Carretto – “Letra nga Shkretëtira”.

Përmes këtij fragmenti, Carretto me guxim hedh poshtë të gjitha ritet fetare, madje edhe Meshën Shenjtë dhe mbrojten e flaktë të dogmave, nëse ato nuk prodhojnë frytin e vetëm që ka rëndësi: dashurinë për Tjetrin! Feja, nëse nuk përkthehet në dashuri konkrete, mbetet një formalizëm i zbrazët.

Lexim të këndshëm! 🙂


U përpoqa të mendoja se sa gjatë do të më duhej të qëndroja nën atë shkëmb. Përgjigjja më erdhi nga Katekizmi: “Deri sa të jesh i aftë për një akt dashurie, të një dashurie të përsosur.” Në atë moment, nuk ndihesha i aftë.

Akti i dashurisë së përsosur është akti i Jezusit që ngjitet në Kalvar për të vdekur për të gjithë ne. Si anëtar i trupit të Tij mistik, pyeta veten nëse kisha arritur pjekurinë për të dashuruar aq sa të dëshiroja ta ndiqja Zotërinë tim në Kalvar për shpëtimin e vëllezërve të mi. Prania e batanijes që ia kisha mohuar Kadës një natë më parë, më tregonte se kisha ende një rrugë shumë të gjatë për të bërë! Kur isha i aftë të shihja një vëlla duke u dridhur e të kaloja tutje, si do të mund të vdisja për të, duke imituar Jezusin që vdiq për të gjithë? Kuptova se këtu isha i humbur; dhe se, nëse dikush nuk do të ndërhynte për të më ndihmuar, do të kalonin shekuj e epoka gjeologjike pa mundur të lëvizja përsëri.

Vështrova përtej dhe kuptova se gjithë ata shkëmbinj të mëdhenj në shkretëtirë nuk ishin gjë tjetër veçse varret e njerëzve të tjerë. Edhe ata ishin gjykuar mbi dashurinë dhe ishin gjetur të ftohtë (të vdekur shpirtërisht); ata ishin aty duke pritur Atë që një ditë tha: “Unë do t’ju ringjall në ditën e fundit.”

Edhe sot nuk mund t’ju tregoj nëse episodi i shkëmbit të madh ishte një ëndërr apo çfarë lloj ëndrre ishte. Ajo ushtroi një ndikim aq të fortë në mendimet e mia, duke e ndryshuar tërësisht perspektivën se si i perceptoj gjërat, saqë kurrë nuk kam mundur t’ia vesh atë që zakonisht nënkuptojmë kur, pas zgjimit, themi: “Pashë një ëndërr.”

Jo, jo: ishte diçka më shumë. Për mua, ajo hapësirë shkretëtire mes Tit-it dhe Silet-it mbetet vendi i purgatorit tim, mjedisi ku shpirti im mblidhet me dëshirë për të medituar mbi gjërat e Hyjit dhe ku… ndoshta do të kërkoj të shkoj pas vdekjes, për të vazhduar shlyerjen time, nëse nuk kam qenë i paaftë në jetë të kryej një akt dashurie të përsosur.

Ja ku është shkëmbi i madh nën diellin verbues të Saharasë, tehu i hijes mbi rërën e ngrohtë, horizonti i gjerë i Wadi-t, i brazduar nga gjurmët e kamionëve dhe xhipave të naftëtarëve dhe gjeologëve.

“Mbi dashurinë do të gjykohesh” – më kujton ky vend në palëvizshmërinë time; dhe sytë e mi të djegur nga dielli vështrojnë larg në qiellin pa re.

Nuk dua ta gënjej më veten; nuk mund ta gënjej më veten: realiteti është se nuk munda t’ia jepja batanijen time Kadës sepse i trembesha të ftohtit të natës; që do të thotë se e dua lëkurën time më shumë se atë të vëllait tim, ndërsa urdhërimi i Hyjit më thotë: “Duaje jetën e tjetrit si tënden.” Dhe kjo i përket ende Besëlidhjes së Vjetër, zbulesës së parë të Hyjit ndaj njeriut:

“Duaje Zotin, Hyjin tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd dhe me gjithë fuqinë tënde.” (Lp 6:5)

Por nëse vijmë te Besëlidhja e Re dhe Zbulesa e Jezusit, gjërat fillojnë të ndërlikohen paksa:

“…Duajeni njëri-tjetrin. Sikurse unë ju desha ju, ashtu edhe ju duajeni njëri-tjetrin.” (Gjn 13:34)

“Sikurse Unë!” – kjo do të thotë, jo vetëm batanijen, por vetë jetën. Në realitet, akti i përsosur i dashurisë konsiston në gatishmërinë tënde për të bërë atë që bëri Jezusi: domethënë, të vdesësh për Kadën, për mua, për të gjithë. Me këtë pamje parasysh, Qielli është vendi ku secili prej të pranishmëve duhet të jetë aq “i pjekur për të dashuruar”, sa të ofrojë jetën e tij për gjithë të tjerët. Është dashuri e përsosur, universale, radikale, pa asnjë hije kundërshtie, antipatie apo kufizimi, e derdhur aty si në një zjarr.

Kush është gati për këtë, le ta ngrejë dorën!

Prandaj, pas vizionit të shkëmbit të madh, unë e shoh purgatorin tim si të gjatë, tmerrësisht të gjatë, ndoshta aq të gjatë sa epokat gjeologjike.

Kjo rërë që prek me duart e mia, që rrjedh mes gishtave, i përket epokës “Primare”. Çdo gjeolog do të më thoshte: është 350 milionë vjeçare. Ata zvarranikë të mëdhenj që populluan këto vende dhe mbetjet e të cilëve i kam parë në varret e tyre në Sahara, i përkasin epokës “Sekondare”: 130 milionë vjet. Ato deve që mbartin kripë nga Nigeria dhe kalojnë pranë meje në karvanet e tyre të gjata e elegante, i numërojnë paraardhësit e tyre në epokën e largët “Terciare”: 70 milionë vjet më parë. Dhe njeriu, ky njeri aq i madh e në të njëjtën kohë aq i vogël, sa ngadalë marshon mbi varrezat e kafshëve që e paraprinë! Ata janë të epokës “Kuaternare”, të djeshmes: 500,000 vjet më parë.

Hyji nuk nxiton për t’i bërë gjërat; koha është e Tij, jo e imja. Dhe unë, një krijesë e vogël, njeri, u thirra për t’u transformuar në Hyjin përmes pjesëmarrjes. Ajo që më transformon është dashuria, të cilën Hyji e ka rrënjosur në qenien time.

Dashuria më transformon ngadalë në Hyjin.

Dhe mëkati, është pikërisht këtu: t’i rezistosh këtij transformimi, duke ditur dhe duke qenë i aftë t’i thuash “jo” dashurisë.

Të jetosh në egoizmin tonë do të thotë të ndalosh në gjendjen njerëzore, dhe kjo na pengon të transformohemi në dashurinë hyjnore. Derisa të transformohemi “përmes pjesëmarrjes” në Hyjin, përmes dashurisë, unë do t’i përkas “kësaj toke” dhe jo “atij qielli”.

Pagëzimi më ngriti në gjendjen mbinatyrore; por kjo gjendje duhet të piqet, jeta na është dhënë specifikisht për këtë proces pjekjeje; dhe është dashuria, domethënë dashuria e Hyjit, ajo që na transformon. Rezistenca ndaj dashurisë, paaftësia për të pranuar shtytjet e kësaj dashurie që më thoshte: “Jepi batanijen vëllait tënd”, është aq e rëndë, saqë krijon, mes Hyjit dhe meje, pragun e purgatorit tim.

Çfarë kuptimi ka thënia e Liturgjia e Orëve (Breviari), pjesëmarrja në Meshën Shenjtë dhe pastaj mospranimi i dashurisë? Çfarë kuptimi ka braktisja e gjithçkaje, ardhja këtu mes rërës dhe vapës, dhe pastaj rezistenca ndaj dashurisë? Çfarë kuptimi ka mbrojtja e së vërtetës, lufta për dogmat me teologët, të skandalizohesh nga ata që nuk kanë të njëjtën fe, dhe pastaj të mbetesh për epoka gjeologjike te dera e purgatorit?

“Mbi dashurinë do të gjykohesh“: këtë më ulërin ai kënd i shkretëtirës mes Tit-it dhe Silet-it. “Mbi dashurinë do të gjykohesh” – më thotë shkëmbi i madh nën të cilin do të kaloj purgatorin tim, ndërsa pres të piqem në dashurinë e përsosur; atë dashuri që Jezusi solli në tokë dhe ma dhuroi me çmimin e Gjakut të Tij, duke e ndjekur Atë me një britmë të madhe shprese:

“Unë do t’i ringjall në ditën e fundit.” (Gjoni 6:40)

Ajo ditë nuk është shumë larg!


Disa fjalë për shkrimtarin:

Carlo Carretto (1910–1988) i lindur në një familje fshatare nga krahina e Langhe-s, ishte fëmija i tretë nga gjashtë fëmijët, katër prej të cilëve u bënë pjesë e urdhrave rregulltarë (fetarë). Herët në jetën e tij, familja u zhvendos në një lagje periferike të Torinos, ku ndodhej një orator salesian, i cili do të kishte një ndikim të madh në formimin e gjithë familjes Carretto.

Carretto e jetoi besimin në dy pole ekstreme: në zhurmën e madhe të aktivizmit dhe në heshtjen dërrmuese të shkretëtirës. Për vite me radhë, ai ishte lideri i rinisë katolike në Itali, një figurë publike dhe me ndikim. Mirëpo, në kulmin e suksesit të tij, në moshën 44-vjeçare, ai dëgjoi një thirrje që do të ndryshonte gjithçka: “Lëre gjithçka dhe eja me mua në shkretëtirë.”

Ai iu bashkua “Vëllezërve të Vegjël të Jezusit”, urdhrit të frymëzuar nga Shën Charles de Foucauld, dhe u zhvendos në Saharë. Atje, mes rërës, diellit verbues dhe punës së rëndë manuale, Carretto zhveshi “petkun” e njeriut të rëndësishëm për t’u bërë thjesht një krijesë para Krijuesit. Nga kjo përvojë lindi kryevepra e tij, “Letra nga Shkretëtira”, një nga librat shpirtëror më të lexuar të shekullit XX, ku ai dëshmon se rruga drejt Hyjit nuk kalon përmes teorive, por përmes zhveshjes së egoizmit.

Share This Article
1 Koment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *