Papa Leoni XIV e vazhdon “betejën e tij” shpirtërore e intelektuale kundër Inteligjencës Artificiale dhe rrezikut permanent që po i kanoset njeriut për ta humbur autenticitetin e tij njerëzor. Epoka jonë është epoka e inteligjencës artificiale, ku chat-bots po e zbehin qoftë mendimin kritik të njeriut, e qoftë nevojën e tij autentike për të krijuar.
Në një botë ku udhëheqësit politikë, teknokratët e drejtues të fushave të tjera po dorëzohen përpara këtij hovi teknologjik duke e shtyrë atë përpara pa marrë parasysh pasojat, Kisha Katolike po shfaqet si e vetmja që po bën thirrje për kujdes, etikë dhe vigjilencë përballë IA-së.
Ngjashëm me paraardhësit e tij, ai u është drejtuar artistëve për disa herë me radhë – e këtë e bëri edhe dje, më 2 tetor, duke i falënderuar ata për shërbesën e tyre të çmueshme dhe për bashkëpunimin e frytshëm me Selinë e Shenjtë.
Në këtë udhëkryq bashkëkohor, po e rikthejmë vëmendjen te Letra e Papa Gjon Palit II dërguar Artistëve në vitin 1999, ku artisti krahasohet me Hyjin Krijues (letra është e përkthyer edhe në shqip):
Askush më mirë se ju artistë, arkitektë gjenialë të së bukurës, nuk mund të parandiejë diçka nga ai pathos me të cilin Hyji, që në ag të krijimit, e shikonte veprën e duarve të veta. Janë të panumërta çastet kur drithërimat e atij emocioni janë shprehur në shikimet me të cilat ju, sikundër edhe artistët e të gjitha kohërave, jeni mbushur me admirim për shkak të forcës së mistershme të tingujve e fjalëve, ngjyrave dhe trajtave, duke u mahnitur e medituar mbi veprën e frymëzimit tuaj të brendshëm… Hyji prandaj e ftoi njeriun në jetë, duke ia ngarkuar barrën e të qenit mjeshtër. Brenda ‘krijimit artistik’, njeriu, më shumë se kurrë ndonjëherë tjetër, shfaqet si shëmbëlltyrë e Hyjit — dhe këtë detyrë e vendos në jetë para së gjithash duke i dhënë trajtë lëndës së mrekullueshme të humanizmit të tij, si dhe duke e sunduar në mënyrë krijuese gjithësinë që e rrethon.”
Kësisoj, duke vazhduar dialogun me artistë, Papa Leoni XIV, nuk dëshiron ta lërë në harresë njeriun konkret – atë që përmes duarve të tij, përmes punës e mundit krijon vepra që nuk janë vetëm produkte, por pasqyrime të vetë qenies së tij.
Krijimi artistik së këndejmi është akt ekzistencial përmes të cilit njeriu gjen udhë të reja për ta shprehur jetën e tij të brendshme e shpirtërore, për t’u përballur me misterin e jetës dhe t’i japë formë asaj që mbetet e pashpjegueshme.
Me të drejtë Shën Gjon Pali II thoshte “historia e artit është histori e njerëzve”, sepse historia e artit përmban në vete gjurmët autentike të shpirtit njerëzor gjatë shekujve, kërkimin e njeriut për kuptim dhe rezistencën e tij ndaj harresës dhe zbrazëtisë.
Përmes fjalimit të tij të fundit, të cilin po e sjellim të përkthyer më poshtë, Leoni XIV i rikonfirmon këro reflektime, dhe e fton njeriun e çdo shoqërie që të njohë dhe të mendojë mbi kufirin e padukshëm që ndan veprën e një makine nga shkëndija e krijimit njerëzor:
FJALA E SHENJTËRISË SË TIJ, PAPA LEONIT XIV
DREJTUAR ARTISTËVE DHE KURATORËVE TË PRANISHËM NË TAKIMIN
“ARTI I TË MUNDURËS: TË THURËSH SË BASHKU”
I ORGANIZUAR NGA DIKASTERI PËR KULTURËN DHE EDUKIMIN
Salla e Konsistorit
E premte, 2 tetor 2026
Fjalët e para që do të dëshiroja t’ju thoja janë “faleminderit”. Faleminderit për bashkëpunimin që i keni ofruar Selisë së Shenjtë gjatë viteve të fundit, veçanërisht për ngritjen e Pavijonit të Bienales së Venecias (Shënim: Bëhet fjalë për hapësirën artistike të Selisë së Shenjtë në Bienalen e Venecias, e cila është një nga ekspozitat më të rëndësishme në botë ku shtete e institucione të ndryshme prezantojnë artin bashkëkohor.) dhe për projektet e artit bashkëkohor të promovuara nga Dikasteri për Kulturën dhe Edukimin. Faleminderit për besimin me të cilin keni pranuar të ecni krah për krah me Kishën, edhe përgjatë shtigjeve të reja.
Mendoj, për shembull, për Pavijonin e ngritur në burgun e grave në ishullin e Giudecca-s, të cilin e vizitoi Papa Françesku. Kushdo që ka qenë atje e di se nuk bëhej fjalë thjesht për të çuar artin në burg, por për t’u dhënë mundësi të burgosurave t’i mësonin diçka artit dhe të na mësonin diçka neve. Sepse “personi njerëzor është ‘i dinjitetshëm’ thjesht për nga vetë fakti se ekziston dhe se është i paracaktuar për amshimin” (Fjala e mbajtur në Accueil Notre-Dame, Lurde, 27 shtator 2026) dhe është gjithmonë më i madh se brishtësia dhe gabimet e tij apo saj.
Më bëri përshtypje gjithashtu motoja e Pavijonit të sivjetshëm venecian, e frymëzuar nga Shën Hildegarda e Bingenit: “Veshi është Syri i Shpirtit”. Në të vërtetë, si një antenë, arti është i ndjeshëm ndaj pyetjeve njerëzore – herë si një klithmë, e më shpesh si një pëshpëritje – dhe i bën ato të dëgjueshme, të dukshme dhe të trajtueshme me të tjerët.
Shën Augustini na la një dëshmi të papërsëritshme mbi plogështinë dhe shqetësimin e brendshëm (inquietudo) të zemrës njerëzore në kërkim të së vërtetës. Arti, kur është autentik, animohet po ashtu nga ky shqetësim. Për këtë arsye, Kisha nuk e ka konsideruar kurrë artin si diçka thjesht dekorative. Përkundrazi, për Kishën, arti ushqen qëndrimin thelbësor të dëgjimit, përmes të cilit mund të njohim aspiratat dhe plagët e njerëzimit, etjen tonë për bukuri, drejtësi e paqe, si dhe kërkimin tonë për kuptim.
Jetojmë në epokën e motorëve të kërkimit që na ofrojnë mijëra përgjigje të menjëhershme. Megjithatë, sado të fuqishëm që të jenë, ata thjesht rikthejnë atë që tashmë ekziston dhe priren të na japin atë që ne tashmë e dëshirojmë. Në epokën e teknologjisë dhe konsumizmit, rreziku i madh nuk është vetëm censura, por edhe homogjenizimi; jo thjesht heshtja e imponuar, por zhurma që e bën të pamundur dëgjimin. Arti është një lloj tjetër “motori kërkimi”. Ai nuk vepron përmes klasifikimit mekanik, por përmes kërkimit dhe pikëpyetjeve që ngre. Në të vërtetë, këtij kërkimi i kushtohet një vëmendje e përqendruar që nuk kënaqet me grumbullimin e thjeshtë të fakteve, sepse nuk rresht kurrë së gërmuari më thellë, në kërkim të fillit që i bashkon ato.
Papa Shën Pali VI shqiptoi fjalë që mbeten një pikë referimi për marrëdhënien e Kishës me artistët: “Ne kemi nevojë për ju,” tha ai. “Shërbesa jonë ka nevojë për bashkëpunimin tuaj. Sepse, siç e dini, shërbesa jonë është të predikojmë dhe ta bëjmë botën e shpirtit, të padukshmes, të patejkalueshmes, të Hyjit, të qasshme dhe të kuptueshme – madje frymëzuese. Dhe në këtë detyrë, që përkthen botën e padukshme në forma të kapshme e të kuptueshme, ju jeni mjeshtërit” (Homelia në Meshën me Artistët, 7 maj 1964).
Nga ana ime, po ju drejtohem edhe unë sot: Kisha ka nevojë për ju. Kjo është veçanërisht e vërtetë në këtë epokë të inteligjencës artificiale, në të cilën kemi nevojë urgjente të dallojmë artin njerëzor nga ai që prodhohet nga makineritë. Ekziston një dallim ontologjik – përpara se të jetë estetik – midis artit dhe asaj që një makinë mund të gjenerojë përmes llogaritjeve statistikore bazuar në miliona imazhe të krijuara nga të tjerët. Algoritmeve u mungon shkëndija e njerëzores, ndërsa “kultura dhe arti autentik e ruajnë këtë shkëndijë” (Letra Enciklike Magnifica Humanitas, 122).
Për të gjitha këto arsye, Kisha dëshiron të rinovojë një aleancë me artistët dhe institucionet kulturore; një aleancë për mbrojtjen e asaj që është njerëzore. Siç pata mundësinë të thoja gjatë vizitës sime të fundit në UNESCO: “Promovimi i edukimit, shkencës dhe kulturës është i pamundur pa përmirësuar në të njëjtën kohë jetën e burrave dhe grave që janë të angazhuar në këto veprimtari” (Fjala e mbajtur në UNESCO, Paris, 25 shtator 2026).
Të dashur artistë, të dashur kuratorë, dijeni se Kisha ju shikon me vlerësim, mirënjohje dhe shpresë; se ajo ka nevojë për ju dhe dëshiron të ecë krah për krah me ju, në mënyrë që së bashku të mbrojmë madhështinë e njerëzimit që na është besuar.
Hyji ju bekoftë të gjithëve ju dhe punën tuaj! Faleminderit.
Burimi: https://www.vatican.va/content/leo-xiv/en/speeches/2026/october/documents/20261002-artisti-dce.html






