Libri i ri i Leonit XIV, një reflektim mbi paqen si dhuratë dhe përgjegjësi

6 Min Lexim
Deklaratë: Të gjithë artikujt dhe reflektimet e botuara në Via Veritatis paraqesin pikëpamjet personale të autorëve. Ato nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të asnjë institucioni fetar.

Po botojmë tekstin e hyrjes së re të Papa Leo XIV për librin “Peace Be with You!”, (Paqja qoftë me ju!) botuar nga HarperCollins dhe i disponueshëm në libraritë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të vendeve anglishtfolëse duke filluar nga data 24 shkurt; ky është versioni në gjuhën angleze i vëllimit “E pace sia!”, botuar në gusht 2025 nga Shtëpia Botuese e Vatikanit.


Paqja është një nga çështjet më të mëdha të kohës sonë dhe është njëkohësisht dhuratë dhe angazhim: dhuratë nga Hyji, e ndërtuar nga burra e gra përgjatë shekujve.

Ne jetojmë në një botë të plagosur nga shumë konflikte dhe të goditur nga armiqësi të përgjakshme. Nacionalizmat e hidhura shkelin të drejtat e më të dobëtëve. Madje edhe para se të shtypet në fushëbetejë, paqja mposhtet në zemrën e njeriut kur ne dorëzohemi para egoizmit dhe lakmisë, dhe kur lejojmë që interesat partiake të mbizotërojnë në vend që të kërkojmë të mirën e përbashkët. Shumë shkrimtarë kanë theksuar se, kur ne refuzojmë të dëgjojmë historitë e të tjerëve, fillojmë t’ua mohojmë dinjitetin. Çpersonalizimi i tjetrit është hapi i parë drejt çdo lufte. Njohja e tjetrit, përkundrazi, është një parashijim i paqes. Por për të njohur, duhet së pari të dimë të duam. Shën Augustini thoshte: “Askush nuk mund të njihet veçse përmes miqësisë” (Eighty-three Different Questions, 71).

Dëshiroj të ndalem këtu mbi këtë dimension të dyfishtë të paqes: atë vertikal (paqja si dhuratë nga Lart) dhe atë horizontal (paqja si përgjegjësi e çdo personi).

Paqja është një dhuratë që Hyji ua ka dhënë burrave dhe grave të çdo kohe përmes lindjes së Jezusit në Betlehem. Engjëjt shpallën paqen mbi tokë sepse Hyji u bë njeri. Ai e përqafoi njerëzimin aq thellë saqë me Kryqin e Tij e shkatërroi armiqësinë e mëkatit. Shën Augustini shkruan: “Edhe ne do të marrim pjesë në lavdinë e Hyjit kur, pas ringjalljes së trupit tonë shpirtëror, do të ngrihemi në re për të takuar Krishtin, me kusht, natyrisht, që të punojmë për paqen me vullnet të mirë sa jemi këtu mbi tokë” (Sermones, 193). Lavdia e Hyjit zbriti mbi tokë për të na bërë pjesëmarrës në mirësinë e Tij të pafund. Kjo dhuratë thërret në veprim përgjegjësinë e përgjigjes sonë, të “vullnetit të mirë”, siç shkruan Shenjti i Hiponës.

Për më tepër, paqja është dhurata që i Ngjalluri ua dha nxënësve të Tij. Është një paqe “e plagosur” nga shenjat e kryqëzimit, sepse paqja e Jezusit buron nga një zemër që do dhe që lejon veten të preket nga vuajtja e çdo kohe dhe vendi. “Zoti iu shfaq nxënësve të Tij pas ringjalljes, siç keni dëgjuar, dhe i përshëndeti duke thënë: ‘Paqja qoftë me ju.’ Kjo është paqja e vërtetë dhe përshëndetja e shpëtimit: sepse vetë fjala përshëndetje e ka marrë emrin nga shpëtimi” (Shën Augustini, Sermones, 116).

Megjithatë, paqja është edhe angazhim dhe përgjegjësi për secilin prej nesh. Paqja do të thotë t’u mësojmë fëmijëve të respektojnë të tjerët dhe të mos i dhunojnë apo ngacmojnë kur luajnë. Paqja do të thotë të kapërcejmë krenarinë tonë personale dhe t’i bëjmë vend tjetrit, në familje, në vendin e punës, në sport. Paqja është kur zemra dhe jeta jonë banohen nga heshtja, meditimi dhe dëgjimi i Hyjit; sepse Hyji kurrë nuk e bekon dhunën, Ai kurrë nuk miraton përfitimin në kurriz të tjetrit, as abuzimin e shfrenuar me të vetmen Tokë, që po shfytyron Krijimin, përkëdhelje e Krijuesit.

Mund të ndihemi të pafuqishëm përballë shumë luftërave që po zhvillohen në mbarë botën. Mund të përgjigjemi në mënyra të ndryshme ndaj asaj që e kam quajtur “globalizimi i pafuqisë”: besimtarët mund, para së gjithash, t’i japin zë lutjes. Lutja është një forcë “e paarmatosur” që kërkon vetëm të mirën e përbashkët, pa përjashtime. Duke u lutur, ne çarmatosim egon tonë dhe bëhemi të aftë për dhurim falas dhe sinqeritet.

Për më tepër, zemra jonë është fusha më e rëndësishme e betejës. Pikërisht aty duhet të mësojmë fitoren pa gjak, por të domosdoshme, mbi shtysat e vdekjes dhe prirjet drejt sundimit: vetëm zemrat paqësore mund të ndërtojnë një botë paqeje. Duhet të praktikojmë një kulturë pajtimi, duke krijuar hapësira jo të dhunshme, vende ku dyshimi ndaj tjetrit mund të shndërrohet në mundësi takimi. Zemra është burimi i paqes: aty duhet të mësojmë të takohemi e jo të përplasemi, të besojmë e jo të mosbesojmë, të dëgjojmë e të kuptojmë në vend që të mbyllemi ndaj të tjerëve.

Së fundi, politika dhe bashkësia ndërkombëtare kanë përgjegjësinë të lehtësojnë ndërmjetësimin e konflikteve, duke përdorur artet e dialogut dhe të diplomacisë. “O Zot Hyj, na jep paqen tënde…, paqen e pushimit, paqen e së shtunës që nuk ka mbrëmje”: me këto fjalë të Augustinit, t’i kërkojmë Atit që t’i dhurojë botës sonë, të gjithë popujve, veçanërisht atyre që janë më të harruar dhe që vuajnë më shumë, hirin e bekuar të një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme.

Burimi: Vatican News

Share This Article
Pa Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *