Kur ke sado pak njohuri në gazetari, në momentin që merr në dorë të shkruash një artikull, janë disa parime që duhet të udhëheqin shkrimin apo hulumtimin tënd: Seek Truth and Report It (Kërko të vërtetën dhe raportoje); Minimize Harm (Minimizo dëmin); Act Independently (Vepro i pavarur); Be Accountable and Transparent (Ji përgjegjës dhe transparent), siç përcakton Kodi i Etikës i Society of Professional Journalists.
Gjithashtu, International Federation of Journalists (IFJ) thekson, ndër të tjera, se faktet nuk duhet të deformohen dhe citimet nuk duhet të manipulohen. Liria e medias shoqërohet me detyrime dhe përgjegjësi.
Në rastin e Don Shan Zefit, në lidhje me ngjarjet e fundit të cilat tashmë nuk kanë nevojë të rishpjegohen ka ndodhur një dështim zinxhiror i etikës së gazetarisë.
Parimi i parë: Seek Truth and Report It. Kjo nënkupton verifikimin para publikimit. Kushdo që ka përkthyer deklaratën e Don Shanit, duket se nuk ka qenë njohës i mirë i gjuhës gjermane. Kushdo që ka punësuar një person pa njohuritë e nevojshme për përkthimin shqip–gjermanisht, sidomos në kontekstin kulturor dhe terminologjinë e Kishës Katolike (sepse je duke intervistuar një prift), dhe nuk e ka verifikuar përkthimin para publikimit – mban përgjegjësi.
Madje narratori ka bërë edhe interpretim të deklaratës, ndonëse gazetari është i detyruar të jetë i saktë dhe të mos deformojë faktet, sidomos kur kemi të bëjmë me një punim nga dora e dytë. Gazetari në fjalë nuk e kupton vetë gjuhën shqipe, por merr një deklaratë të përkthyer, të ripërpunuar dhe mbi të ndërton narrativë. Një përkthim i dobët dhe një mosverifikim i tij, siç shihet, prodhojnë pasoja reale.
As portalet dhe individët në Kosovë nuk janë më pak fajtorë. Lajmi u riprodhua pa u dëgjuar audioja origjinale. Brenda pak minutash, reputacioni i priftit u gjykua, veprimtaria e tij shumëvjeçare u hodh poshtë, u dënua dhe u shpall fajtor. Më pas doli në dritë komunikimi i Don Shanit me gazetarin gjerman, Benedikt Schulz. U publikua deklarata e papërpunuar, ku në origjinal thuhej: “sepse me kostume, tesha, kostum, e me këto veshje, nuk ka shpirt… nuk ka shpirt shqiptari” një fjali që nuk përmban pretendimin e publikuar: “si musliman nuk ke shpirt shqiptari”. Citimi i kontestuar, në atë formë, nuk ekziston.
Çështja ishte e ndjeshme. Pikërisht për këtë arsye, parimi Minimize Harm nuk është luks etik, por domosdoshmëri profesionale. Nëse një portal publikon diçka të tillë, nuk mjafton ta riprodhosh. Kërko të vërtetën. Verifiko faktet. Minimizo dëmin, sepse shpejtësia nuk e zëvendëson saktësinë.
Nëse Don Shani do të kishte pasur frikë nga e vërteta, ai nuk do ta kishte publikuar email-in ku i kërkon gazetarit t’ia dërgojë inçizimin e plotë, audion e plotë të intervistës. Që në fillim ai ka përsëritur se nuk ka dhënë një deklaratë të tillë. Një njeri që kërkon zbardhjen e plotë të materialit origjinal nuk sillet si dikush që fshihet; sillet si dikush që kërkon verifikim.
“Kryqëzojeni, kryqëzojeni”, brohoriste populli ndërkohë, një reagim emocional, i menjëhershëm, i pakontrolluar. Në epokën digjitale, gjyqi publik zhvillohet më shpejt se procesi i verifikimit. Dhe shpeshherë dënimi shpallet para se të dëgjohet prova.
Tani pyetja shtrohet: çfarë do të bëjë secili individ dhe secili portal që ka keqinformuar opinionin? A do të ketë një kërkim faljeje të qartë dhe publik, me të njëjtin entuziazëm si akuza fillestare? Apo do të mjaftohemi me heshtje, me një redaktim të fshehtë, me një “update” të padukshëm?
Sepse përgjegjësia nuk përfundon te portali gjerman që e korrigjoi materialin. Përgjegjësia vazhdon te çdo medium që e riprodhoi lajmin pa verifikim, te çdo titull sensacional që ushqeu indinjatën kolektive. Transparenca është detyrim!
Në fund, secili duhet ta bëjë zgjedhjen e vet: të kërkojë falje dhe të pranojë gabimin ose t’i lajë duart si Pilati. 🙂
Reagimin e plotë e gjeni në profilin e Facebook, të Don Shan Zefit!






