Halloween, Festa e të Gjithë Shenjtërve dhe Përkujtimi i të Vdekurve: Çfarë mëson vërtet Kisha Katolike?

23 Min Lexim
Deklaratë: Të gjithë artikujt dhe reflektimet e botuara në Via Veritatis paraqesin pikëpamjet personale të autorëve. Ato nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të asnjë institucioni fetar.
xr:d:DAFQsuwPMio:2,j:39646913265,t:22110110

Tri ditë, tri kuptime, një shpresë e krishterë

Çdo vit, në fund të tetorit, bota perëndimore përfshihet nga festimet e Halloween-it. Kostumet, kungujt e ndriçuar, skeletet dhe figurat e frikshme dominojnë hapësirat publike, ndërsa shumë të krishterë përballen me një pyetje: A është Halloween një festë pagane, satanike apo një traditë që lidhet historikisht me krishterimin?

Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, është e domosdoshme të dallojmë tri data:

  • 31 tetori – Halloween (All Hallows’ Eve): Mbrëmja përpara Festës së të Gjithë Shenjtërve, e lidhur sot edhe me tradita popullore dhe kulturore.
  • 1 nëntori – Solemniteti i të Gjithë Shenjtërve (Sollemnitas Omnium Sanctorum): Kisha kremton të gjithë ata që janë në lavdinë qiellore.
  • 2 nëntori – Përkujtimi i të Gjithë Besimtarëve të Vdekur (Commemoratio Omnium Fidelium Defunctorum): Kisha lutet për të vdekurit dhe, në veçanti, për ata që kanë nevojë për pastrimin përfundimtar.

Këto tri data nuk kanë të njëjtin status liturgjik dhe as të njëjtin kuptim teologjik. Për ta kuptuar qëndrimin katolik, duhet të nisemi nga një e vërtetë themelore: në qendër të besimit të krishterë nuk qëndron vdekja, por Jezu Krishti, i cili e ka mundur vdekjen me Ringjalljen e Tij.

Halloween: A është një festë e Kishës Katolike?

Fjala Halloween vjen nga shprehja angleze All Hallows’ Eve, që do të thotë «Mbrëmja përpara Ditës së të Gjithë Shenjtërve» Në anglishten e vjetër, fjala hallow lidhej me të shenjtën, ndërsa eve ose even tregonte mbrëmjen përpara një feste. Pra, nga pikëpamja gjuhësore, emri Halloween ka një lidhje të qartë me kalendarin e krishterë. Megjithatë, duhet të bëjmë një dallim të rëndësishëm: emri i krishterë i kësaj mbrëmjeje nuk do të thotë se çdo zakon që sot lidhet me Halloween-in ka prejardhje të krishterë apo është miratuar nga Kisha.

Prejardhja historike

Kremtimi i përbashkët i shenjtorëve, veçanërisht i martirëve, është shumë më i vjetër se format moderne të Halloween-it.

Në shekujt e parë, komunitetet e krishtera kujtonin martirët në përvjetorët e vdekjes së tyre. Me shtimin e martirëve, u zhvilluan edhe përkujtime të përbashkëta. Në vitet 609–610, Papa Bonifaci IV e kushtoi Panteonin e Romës në nder të Shën Marisë dhe të gjithë martirëve. Kremtimi i lidhur me këtë kushtim ishte më 13 maj.

Gjatë shekujve VIII–IX, data e 1 nëntorit u përhap si dita e kremtimit të të Gjithë Shenjtërve në Kishën perëndimore. Kjo datë u konsolidua gradualisht në kalendarin liturgjik latin.

Nga ana tjetër, popujt keltë kishin zakone të lidhura me përfundimin e stinës së korrjeve dhe fillimin e dimrit, përfshirë festën e njohur si Samhain. Disa elemente të Halloween-it modern mund të kenë marrë ndikime prej këtyre traditave, prej zakoneve mesjetare të krishtera dhe prej kulturës popullore më të vonshme.

Megjithatë, nuk është historikisht e saktë të pohohet, pa prova të mëtejshme, se Kisha Katolike e krijoi Festën e të Gjithë Shenjtërve thjesht për të zëvendësuar Samhain-in. Po aq e pasaktë është të mendohet se çdo element i Halloween-it modern vjen drejtpërdrejt nga liturgjia katolike.

Duhet të dallojmë historinë e festës së krishterë nga historinë e zakoneve popullore që u lidhën me të.

Çfarë thotë Kisha Katolike për pjesëmarrjen në Halloween?

Kisha Katolike nuk ka një normë universale që ta shpallë çdo pjesëmarrje në Halloween mëkat, as një normë që ta bëjë këtë festim të detyrueshëm. Vlerësimi moral varet nga përmbajtja e veprimit, qëllimi i pjesëmarrësit dhe rrethanat konkrete.

Në një memorandum të 28 shtatorit 2018, ipeshkvi David Konderla, i Dioqezës së Tulsa-s në Shtetet e Bashkuara, u bëri thirrje katolikëve të ruajnë kuptimin e krishterë të kësaj periudhe dhe të shmangin praktikat që bien ndesh me fenë katolike.

Ai propozoi, ndër të tjera, veshjen e fëmijëve si shenjtorë, që të njihnin dëshminë e tyre të krishterë dhe të frymëzoheshin prej saj. Kjo është një udhëzim baritor i një ipeshkvi dioqezan, jo një dekret universal për të gjithë Kishën.

Çfarë mund të pranohet?

Një aktivitet familjar ku fëmijët vishen me kostume, marrin ëmbëlsira, vizitojnë fqinjët apo marrin pjesë në një festë shoqërore nuk përbën, vetëm për këtë arsye, një praktikë okulte ose një mëkat.

Po kështu, një figurë skeleti ose një simbol i vdekjes nuk përbën domosdoshmërisht adhurim të së keqes. Edhe në artin e krishterë gjenden kafka dhe simbole të vdekshmërisë njerëzore. Ato mund të shërbejnë si memento mori: kujtesë se jeta tokësore është e përkohshme dhe se njeriu duhet të përgatitet për takimin me Hyjin.

Megjithatë, përmbajtja konkrete e një feste mund ta ndryshojë krejtësisht gjykimin moral mbi të.

Çfarë ndalon Kisha?

Katekizmi i Kishës Katolike është i qartë:

N. 2116: Kisha kundërshton praktikat e fallit, thirrjen e të vdekurve për të marrë informacion, mediumët dhe format e tjera të parashikimit okult.

N. 2117: Kisha dënon praktikat e magjisë dhe të shtrigërisë, përmes të cilave njeriu përpiqet të përdorë fuqi të fshehta për të ushtruar pushtet mbi të tjerët.

Këto ndalime burojnë nga Urdhërimi i Parë: adhurimi i përket vetëm Hyjit.

Prandaj një katolik duhet të refuzojë pjesëmarrjen në rituale satanike, spirituale, magji dhe praktika të tjera okulte, pavarësisht nëse organizohen më 31 tetor apo në cilëndo ditë tjetër të vitit. Kjo nuk do të thotë se një fëmijë me një kostum imagjinar është duke praktikuar magji.

Kisha dallon përfaqësimin artistik apo lojën nga pjesëmarrja e vërtetë në praktika fetare dhe okulte.

Nëse dëshirojmë t’i edukojmë fëmijët në fenë katolike, duhet t’u mësojmë të dallojnë simbolin nga realiteti, lojën nga rituali dhe të mirën nga e keqja, jo t’i trajtojnë automatikisht të gjitha si të njëjta.

1 nëntori: Festa e të Gjithë Shenjtërve

Solemniteti i të Gjithë Shenjtërve është një nga kremtimet më domethënëse të kalendarit katolik. Kisha nuk nderon vetëm shenjtorët e kanonizuar zyrtarisht, si Shën Pjetrin, Shën Palin, Shën Augustinin apo Shën Terezën. Ajo kremton të gjithë ata që kanë arritur bashkimin e përjetshëm me Hyjin, përfshirë edhe ata emrat e të cilëve nuk njihen nga historia.

Për të kuptuar këtë festë, duhet të lexojmë Shkrimin e Shenjtë.

Themeli biblik: Zbulesa 7,9–17

Shën Gjoni përshkruan një turmë të panumërt njerëzish, nga të gjitha kombet, popujt dhe gjuhët, që qëndrojnë përpara fronit të Hyjit dhe Qengjit, të veshur me petka të bardha. Ky vizion është një ndër tekstet biblike kryesore për kuptimin e Festës së të Gjithë Shenjtërve. Shenjtorët nuk paraqiten si hyjni të veçanta dhe as si qenie që konkurrojnë me Krishtin. Ata qëndrojnë përpara Qengjit dhe ia atribuojnë shpëtimin Hyjit.

Kjo është thelbësore për teologjinë katolike, shenjtëria nuk është një fuqi autonome e njeriut, por fryti i hirit të Hyjit dhe i pjesëmarrjes në jetën e Krishtit.

A i adhuron Kisha Katolike shenjtorët?

Jo.

Adhurimi në kuptimin e mirëfilltë (latria) i përket vetëm Hyjit.

Shenjtorëve u jepet nderim (dulia), sepse jeta e tyre dëshmon veprimin e hirit të Hyjit. Maria, Nëna e Jezusit, nderohet në mënyrë të veçantë (hyperdulia), por nuk adhurohet si Hyj. Katekizmi, në numrat 956–957, mëson se shenjtorët, të bashkuar me Krishtin në lavdi, ndërmjetësojnë për ne.

Ky ndërmjetësim nuk e zëvendëson ndërmjetësimin e vetëm shpëtimtar të Jezu Krishtit, të cilin Shën Pali e shpall në 1 Timoteut 2,5. Përkundrazi, ndërmjetësimi i shenjtorëve varet tërësisht nga Krishti.

Pse është e rëndësishme kjo festë?

Sepse ajo i kujton çdo të krishteri thirrjen e vet për shenjtëri. Në Mateu 5,1–12, Jezusi shpall Lumturitë: lum të varfrit në shpirt, të mëshirshmit, zemërpastërtit dhe ata që përndiqen për drejtësi.

Shenjtorët janë dëshmia historike se këto fjalë të Krishtit mund të jetohen realisht. Papa Benedikti XVI, më 1 nëntor 2011, theksoi se rrugët e shenjtorëve janë të ndryshme, por të gjitha bashkohen në ndjekjen dhe përngjasimin me Krishtin. Kështu, festa nuk është një kremtim nostalgjik i njerëzve të së kaluarës. Ajo është një thirrje për jetën tonë të tanishme: shenjtorët nuk janë vetëm njerëz që duhen admiruar, por dëshmitarë që na tregojnë si të ndjekim Krishtin.

2 nëntori: Përkujtimi i të Gjithë Besimtarëve të Vdekur

Pas solemnitetit të 1 nëntorit, Kisha kremton më 2 nëntor Përkujtimin e të Gjithë Besimtarëve të Vdekur, i njohur në anglisht si All Souls’ Day. Këto dy ditë janë të lidhura teologjikisht, por nuk janë identike. Më 1 nëntor Kisha kremton ata që gëzojnë lavdinë e Hyjit. Më 2 nëntor Kisha lutet për të vdekurit dhe ia beson ata mëshirës së Hyjit, veçanërisht për ata që kanë nevojë për pastrim përpara hyrjes në lavdinë qiellore.

A mëson Kisha Katolike se shpirtrat kthehen në tokë më 2 nëntor?

Jo.

Liturgjia e 2 nëntorit nuk bazohet në besimin se shpirtrat dalin nga varret, kthehen në shtëpitë e tyre apo kërkojnë ushqim dhe flijime prej të gjallëve. Kjo ditë nuk është një ritual komunikimi me të vdekurit. Përkundrazi, ajo është një akt lutjeje drejtuar Hyjit për ata që kanë ndërruar jetë.

Në dokumentin zyrtar Directory on Popular Piety and the Liturgy, numrat 255–260, Selia e Shenjtë përmend Meshën, vizitat në varreza, lutjet, veprat e mëshirës dhe lëmoshën si shprehje të devocionit të krishterë për të vdekurit. Po ky dokument paralajmëron kundër fallit përmes të vdekurve, interpretimeve supersticioze të ëndrrave dhe besimit në rimishërim.

Pse lutemi për të vdekurit?

Një nga dëshmitë biblike më të rëndësishme gjendet në Librin e Dytë të Makabenjve 12,43–46. Juda Makabeu organizon një ofertë shlyese për të vdekurit, në lidhje me shpresën e ringjalljes. Teksti e paraqet lutjen për të vdekurit si një veprim të mirë dhe të devotshëm.

Kisha Katolike e njeh këtë libër si pjesë të Shkrimit të Shenjtë dhe e lidh këtë dëshmi me traditën e saj të lutjes për të ndjerët. Katekizmi, n. 1032, mëson se Kisha, që nga fillimet e saj, ka nderuar kujtimin e të vdekurve dhe ka ofruar lutje për ta, sidomos Flijimin Eukaristik.

Një dëshmi e mëtejshme e traditës së lashtë gjendet tek Shën Augustini, i cili në Rrëfimet (IX, 11–13) përshkruan dëshirën e nënës së tij, Shën Monikës, që të kujtohej pranë altarit të Zotit.

Kjo tregon se lutja për të vdekurit ishte një pjesë e rëndësishme e jetës së krishterë shumë kohë përpara zhvillimit të kremtimeve të sotme të nëntorit.

Çfarë është Purgatori sipas Kishës Katolike?

Shpesh, kundërshtimet ndaj ditës së 2 nëntorit lidhen me doktrinën katolike të Purgatorit. Prandaj është e rëndësishme ta shpjegojmë saktë.

Katekizmi i Kishës Katolike, n. 1030, mëson se ata që vdesin në hirin dhe miqësinë e Hyjit, por nuk janë pastruar plotësisht, e kanë të sigurt shpëtimin e tyre të përjetshëm dhe i nënshtrohen një pastrimi përfundimtar. Në numrin 1031, Kisha e quan këtë pastrim Purgator dhe e dallon qartë nga dënimi i të humburve.

Purgatori nuk është një mundësi e dytë për të zgjedhur Hyjin pas vdekjes dhe as një gjendje ndërmjet shpëtimit dhe dënimit me përfundim të pasigurt. Ai është pastrimi i atyre që janë të shpëtuar, por kanë ende nevojë të përsosen në shenjtëri.

Kisha nuk na mëson se çdo i vdekur ndodhet domosdoshmërisht në Purgator. Prandaj, në lutjen liturgjike, ne ua besojmë të vdekurit mëshirës dhe gjykimit të Hyjit.

Pse lutja jonë mund t’i ndihmojë?

Përgjigjja lidhet me një doktrinë themelore katolike: communio sanctorum, ose bashkësia e shenjtërve.

Kjo bashkësi përfshin:

  1. Besimtarët që janë ende në udhëtimin tokësor.
  2. Ata që, pas vdekjes, janë duke u pastruar.
  3. Ata që tashmë gëzojnë lavdinë e Hyjit.

Këto nuk janë tri Kisha të ndara, por tri gjendje të anëtarëve të së njëjtës Kishë, Trupit Mistik të Krishtit.

Konstitucioni dogmatik Lumen Gentium, n. 49–51, shpjegon se lidhja e dashurisë dhe e bashkimit në Krishtin nuk ndërpritet nga vdekja. Për këtë arsye, lutja për të vdekurit nuk përbën një përpjekje magjike për të kontrolluar botën e përtejme, por një shprehje të dashurisë dhe të bashkësisë në Krishtin.

Të lutesh për të vdekurit nuk do të thotë t’i thërrasësh shpirtrat e tyre

Më 25 korrik 2025, Dikasteri për Doktrinën e Fesë publikoi letrën The Earth Is Not Separate from the Sky, në të cilën shpjegoi marrëdhënien ndërmjet të krishterëve të gjallë dhe të vdekurve. Dokumenti bën një dallim themelor ndërmjet lutjes për të vdekurit dhe evokimit spiritist të tyre.

  • Lutja për të vdekurit është kërkesë drejtuar Hyjit që Ai t’i mëshirojë dhe t’i pranojë në lavdinë e Tij.
  • Evokimi spiritist është përpjekje për të vendosur, përmes mjeteve njerëzore, komunikim të perceptueshëm me shpirtrat e të vdekurve për të marrë informacion ose ndihmë.

E para është pjesë e besimit dhe e traditës katolike.

E dyta kundërshtohet nga Kisha.

Ky dallim është veçanërisht i rëndësishëm për 2 nëntorin.

Kur një katolik ndez një qiri në varreza dhe lutet për prindërit e tij të vdekur, ai nuk është duke kryer një ritual nekromancie.

Kur një meshtar kremton Meshën për një të ndjerë, ai nuk po thërret shpirtin e tij nga bota tjetër. Kisha i drejtohet Hyjit dhe ia beson Atij të vdekurit.

Prandaj është teologjikisht e gabuar të barazohet përkujtimi katolik i të vdekurve me spiritizmin.

Pse Kisha i bashkon 1 dhe 2 nëntorin?

Përgjigjja gjendet në misterin e bashkësisë së shenjtërve. Më 1 nëntor, Kisha e kthen shikimin drejt përmbushjes së premtimit të Krishtit: bashkimit të përjetshëm me Hyjin. Më 2 nëntor, ajo shpreh dashurinë për ata që kanë vdekur dhe lutet që të arrijnë këtë përmbushje.

Këto dy ditë na kujtojnë se dashuria e krishterë nuk reduktohet vetëm në marrëdhëniet ndërmjet njerëzve që jetojnë në tokë.

Shën Pali shkruan në Romakëve 14,8 se, qoftë kur jetojmë, qoftë kur vdesim, i përkasim Zotit. Dhe në 1 Korintasve 12,26–27, apostulli e paraqet Kishën si një Trup, në të cilin anëtarët janë të lidhur me njëri-tjetrin. Katekizmi, n. 954–959, e zhvillon pikërisht këtë mësim.

Më 1 nëntor 2014, Papa Françesku shpjegoi se dy ditët e para të nëntorit janë një kohë e veçantë për të reflektuar mbi realitetet e fundit dhe mbi lidhjen shpirtërore ndërmjet Kishës në tokë dhe asaj në qiell.

Pra, lidhja ndërmjet këtyre dy kremtimeve nuk është folklorike, por kristologjike dhe ekleziologjike: ato marrin kuptim nga Krishti dhe nga bashkimi i Kishës në Të.

Si duhet t’i jetojë një familje katolike këto tri ditë?

Për një familje që dëshiron të jetojë në përputhje me mësimin e Kishës, këto ditë mund të bëhen një mundësi e veçantë edukimi dhe lutjeje.

Më 31 tetor, prindërit mund t’u shpjegojnë fëmijëve kuptimin e Festës së të Gjithë Shenjtërve. Mund të organizojnë aktivitete me figura të shenjtorëve, të lexojnë jetën e tyre dhe të bëjnë një lutje familjare. Aktivitetet e zakonshme shoqërore duhen vlerësuar me maturi, duke shmangur gjithçka që nxit supersticionin, praktikat okulte ose lavdërimin e së keqes.

Më 1 nëntor, pjesëmarrja në Meshën e Shenjtë dhe meditimi mbi Lumturitë janë mënyra të përshtatshme për ta jetuar solemnitetin. Besimtarët duhet të respektojnë detyrimet liturgjike të zbatueshme në vendin e tyre.

Më 2 nëntor, familja mund të marrë pjesë në Meshën për të vdekurit, të vizitojë varrezat, të kujtojë të afërmit që kanë ndërruar jetë dhe të lutet për ta. Një akt bamirësie, i kryer në kujtim të një të ndjeri, shpreh gjithashtu dashurinë e krishterë.

Në këtë mënyrë, vdekja nuk trajtohet si një spektakël frike, por si një realitet njerëzor që ndriçohet nga shpresa e Ringjalljes.

Krishti e ka mundur vdekjen

Krishterimi nuk e mohon realitetin e vdekjes. Nuk e trajton vdekjen si një iluzion dhe as nuk përpiqet ta kontrollojë përmes magjisë. Krishterimi shpall një ngjarje historike dhe teologjike që qëndron në qendër të fesë së tij: vdekjen dhe Ringjalljen e Jezu Krishtit. Në Ungjillin sipas Gjonit 11,25, Jezusi shpall:

«Unë jam ringjallja dhe jeta.»

Ky pohim është çelësi i kuptimit të të gjitha kremtimeve të krishtera që lidhen me vdekjen dhe jetën e amshuar. Festa e të Gjithë Shenjtërve nuk e madhëron njeriun të shkëputur nga Hyji, por hirin e Krishtit që e shenjtëron njeriun. Përkujtimi i të Gjithë Besimtarëve të Vdekur nuk e madhëron vdekjen, por mëshirën e Hyjit dhe shpresën e Ringjalljes.

Ndërsa Halloween-i, si fenomen kulturor bashkëkohor, duhet të vlerësohet me dallim dhe maturi, duke refuzuar praktikat që kundërshtojnë besimin.

Përfundimi është i qartë, Kisha Katolike na fton ta kremtojmë fitoren e Jezu Krishtit mbi vdekjen e jo ta fuqinë e vdekjes

Shenjtorët dëshmojnë përmbushjen e premtimeve të Krishtit. Lutja për të vdekurit dëshmon dashurinë e Kishës. Ndërsa jeta jonë tokësore mbetet një thirrje për shenjtëri. Sepse shpresa përfundimtare e të krishterit nuk është kthimi i shpirtrave në tokë, por ringjallja e të vdekurve dhe jeta e botës që do të vijë.


Burimet zyrtare të Kishës Katolike

1. Katekizmi i Kishës Katolike, nn. 946–962.
Bashkësia e shenjtërve, ndërmjetësimi i shenjtorëve dhe lidhja ndërmjet besimtarëve të gjallë e të vdekur.

Lexo dokumentin – Vatican.va

2. Katekizmi i Kishës Katolike, nn. 1030–1032.
Purgatori, pastrimi përfundimtar dhe lutjet për të vdekurit.

Lexo dokumentin – Vatican.va

3. Katekizmi i Kishës Katolike, nn. 2110–2117.
Supersticioni, idhujtaria, falli, magjia dhe spiritizmi.

Lexo dokumentin – Vatican.va

4. Koncili II i Vatikanit, Lumen Gentium, nn. 49–51 (1964).
Bashkimi i Kishës tokësore me Kishën qiellore dhe përkujtimi i të vdekurve.

Lexo dokumentin – Vatican.va

5. Kongregata për Kultin Hyjnor dhe Disiplinën e Sakramenteve, Directory on Popular Piety and the Liturgy (2001), nn. 208–235 dhe 248–260.
Nderimi i shenjtorëve, lutjet për të vdekurit dhe praktikat popullore që duhen shmangur.

Lexo dokumentin – Vatican.va

6. Dikasteri për Doktrinën e Fesë, The Earth Is Not Separate from the Sky (25 korrik 2025).
Dallimi doktrinar ndërmjet lutjes për të vdekurit dhe evokimit spiritist.

Lexo dokumentin – Vatican.va

7. Papa Françesku, Angelus, 1 nëntor 2014.
Kuptimi i dy ditëve të para të nëntorit dhe bashkësia e shenjtërve.

Lexo dokumentin – Vatican.va

8. Papa Benedikti XVI, Angelus, 1 nëntor 2011.
Thirrja universale për shenjtëri dhe kujtimi i besimtarëve të vdekur.

Lexo dokumentin – Vatican.va

9. Ipeshkvi David Konderla, Memorandum on the Celebration of Halloween, Dioqeza e Tulsa-s (28 shtator 2018).
Udhëzim baritor mbi kuptimin e krishterë të Halloween-it dhe dallimin nga praktikat okulte. Teksti i Dioqezës është riprodhuar nga Catholic Culture.

Lexo memorandumin

Shënim redaksional: Citimet biblike dhe shpjegimet doktrinare janë paraqitur në shqip; referencat e Selisë së Shenjtë lidhen me tekstet zyrtare kryesisht në gjuhën angleze. Interpretimet historike të zakoneve popullore nuk duhen ngatërruar me mësimin dogmatik të Kishës.

Share This Article
Pa Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *