Ditët e fundit është publikuar një lajm nga Catholic News Agency duke kthyer edhe njëherë në qendër të vëmendjes konfliktin e vazhdueshëm mes Episkopatës Gjermane dhe Selisë së Shenjtë mbi çështjen më problematike të Kishës: homoseksualitetin.
Selia e Shenjtë ka publikuar një letër e cila daton në nëntor të vitit 2024 ku Dikasteri për Doktrinën e Fesë refuzon kategorikisht “Vademecum” gjerman – një udhëzues ky që synonte të krijonte një ritual zyrtar për bekimin e çifteve të së njëjtës gjini.
Përplasja e ipeshkvinjve gjerman me Selinë e Shenjtë nis fillimisht tek përkufizimi i vetë martesës. Në Gjermani kërkohet një adaptim me “realitetin pastoral” por Vatikani i referohet Kushtetutës Gaudium et Spes (neni 48):
Për vetë natyrën e vet institucioni i martesës dhe dashuria bashkëshortore janë të caktuar për lindjen e fëmijëve dhe edukimin e tyre… nuk janë më dy, por një trup i vetëm” (Mt 19,6).
Kisha kësisoj, argumenton se bekimi i një unioni/lidhjeje që nuk është i hapur ndaj jetës dhe nuk përbëhet nga një burrë e një grua, bie ndesh me vetë ligjin natyror. Siç e citon edhe Katekizmi (KKK 2360) se seksualiteti i përket vetëm dashurisë bashkëshortore, ku intimiteti bëhet një shenjë dhe një peng i bashkimit shpirtëror.
Një nga pikat më delikate të këtij debati që po e përcjell Kishën Katolike prej vitesh, është mënyra sesi Kisha i trajton personat homoseksualë. Kisha përmes Katekizmit (KKK 2359) është e qartë: këta persona duhet të pranohen me “respekt, dhembshuri dhe delikatesë” sepse mënyra se si ata janë Kisha konsideron se për ta mbetet sprovë në vete, prandaj duhet shmangur çdo damkosje apo diskriminim i padrejtë.
Megjithatë, kjo dhembshuri pastorale nuk e ndryshon gjykimin mbi aktet. Nëse i referohemi Katekizmit përsëri neni 2357 e qartëson edhe njëherë: “Tradita gjithmonë ka deklaruar se veprimet homoseksuale janë në thelb të shthurura… ato i mohojnë aktit seksual dhuratën e jetës“.
Këtu qëndron edhe problemi: Gjermania kërkon të bekojë lidhjen, ndërsa Selia e Shenjtë thekson se mund të bekohet vetëm personi që kërkon ndihmën e Zotit për t’iu afruar “përsosurisë së krishterë” përmes dëlirësisë.
Kjo përplasje nuk është diçka e re, Gjermania ka kohë që mban qëndrime të tilla. Në vitin 2011, Benedikti XVI në fjalimin e tij në Freiburg, kritikoi ipeshkvinjtë përmes termit “Entweltlichung” që mund të përkthehet si shkëputje-nga-bota, duke i akuzuar ata se përveçse ishin bërë burokratë, të pasur e të fokusuar në strukturat politike kanë harruar fenë e vërtetë, akuzoi ata se po tentonin të modernizonin Kishën. Ai u kërkoi atyre të mos ndiqnin modat e kohës por Ungjillin i cili qëndron i pandryshueshëm.
Ai poashtu refuzoi peticionin e nënshkruar nga qindra teologë që kërkonin ndryshime radikale në liturgji dhe moralin seksual, duke argumentuar se Kisha nuk mund të bëhet një kopje e shoqërisë laike.
Ndërkaq, ajo që nisi si një ftesë për dialog ‘sinodal’ në vitin 2019 nga Papa Françesku, përfundoi në një nga krizat më të mëdha të interpretimit në historinë moderne të Kishës. Dokumenti “Fiducia Supplicans” i vitit 2023, që synoi të tregonte afërsinë e Zotit me çdo individ, u përdor nga Kisha Gjermane si një kalë troje për të futur ritualizimin e unioneve që Katekizmi i Kishës Katolike dhe Koncili i Dytë i Vatikanit i konsiderojnë të papajtueshme me ligjin natyror.
Leoni XIV gjatë fluturimit të tij të fundit apostolik nga Afrika, bëri një deklaratë duke theksuar se uniteti i Kishës nuk duhet të sillet vetëm rreth moralit seksual duke përmendur se drejtësia dhe liria janë prioritete më të mëdha dhe gjithashtu u tregua i qartë se Selia e Shenjtë nuk pranon bekimin formal dhe ritual të çifteve homoseksuale.
Letra e cila u soll në vëmendje nga Vatikani, e vitit 2024, na e rikujton përsëri se Kisha nuk është organizatë politike e as nuk udhëhiqet mbi dëshira personale që të ndryshojë kushtetutën me votim të popullit. Ajo mbetet besnike ndaj mësimeve të vetë themeluesit të saj: Jezu Krishtit.
Kjo letër është nënshkruar nga kardinali Victor Manuel Fernandez duke shërbyer si refuzim kategorik i vademecum-it gjerman. Sipas letrës, doracaku gjerman tentonte të fuste elemente si “aklamacioni” duke shkelur frymën e deklaratës Fiducia Supplicans, duke rikujtuar që Kisha nuk ka fuqinë të japë bekime liturgjike që ofrojnë legjitimim moral për praktika seksuale jashtëmartesore.
Për udhëheqësit e Kishës në Gjermani, ky është një moment reflektimi. A do të ndjekin rrugën e Kishës Katolike apo do të insistojnë në një reformë që rrezikon të krijojë ndarje të pariparueshme brenda trupit të Kishës Universale?
Letra e plotë në gjuhën italiane: https://www.doctrinafidei.va/content/dam/dottrinadellafede/documenti/2024-11-18-Lettera-Prefetto-a-SER-Mons-Ackermann.pdf






