Mbi Abortin

15 Min Lexim
Deklaratë: Të gjithë artikujt dhe reflektimet e botuara në Via Veritatis paraqesin pikëpamjet personale të autorëve. Ato nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të asnjë institucioni fetar.

Nëse eutanazia na vendos përballë dilemës mbi autonominë absolute të individit mbi jetën e vet dhe, në anën tjetër, shenjtërinë e jetës si dy sfera që sfidojnë njëra-tjetrën vazhdimisht, aborti na vë përballë një tensioni tjetër: atij midis lirisë absolute të individit mbi trupin e vet dhe të drejtës së patjetërsueshme të një qenieje njerëzore për të ekzistuar.

Ky artikull nuk ka për synim të japë një verdikt përfundimtar për një nga çështjet më komplekse të etikës por synon të shërbejë si një hartë udhëzuese mes qasjeve dhe rrymave të ndryshme të mendimit. Përmes ballafaqimit të argumenteve pro dhe kundër abortit duke filluar nga pikëpamjet e autonomisë radikale e deri te mbrojtja e fetusit, barra e peshimit të vlerave dhe mbajtja e një qëndrimi personal i mbetet vetë gjykimit kritik të lexuesit.

Për Via Veritatis, përfshirja e këtyre perspektivave është e domosdoshme që tema të tilla të mos mbeten tabu. Në vazhdën e trajtimit të temave të ndjeshme, siç ishte ajo e eutanazisë apo e homoseksualitetit, ne vazhdojmë të shtyjmë përpara debate ku kërkohet guximi për të folur dhe për t’i bërë pyetje vetes, duke ftuar lexuesin të thellohet në lexime dhe të argumentojë në mënyrë racionale!

Zbërthimi i këtij debati në filozofinë kryesore të kohës sonë kërkon ballafaqimin e dy autoreve kyçe të shekullit XX: Simone de Beauvoir dhe Edith Stein, të cilat, ndonëse nisen nga përvoja femërore, arrijnë në përfundime krejtësisht të ndryshme. Për t’i dhënë shkrimit një përmasë më të plotë, kemi integruar edhe doktrinën e Kishës Katolike përmes katekizmit dhe enciklikave të saj. Ky qëndrim, shpesh i keqkuptuar ose i panjohur nga publiku i gjerë, vjen si një ftesë për të zgjeruar horizontin dhe gjykimin rreth kësaj teme komplekse.

Simone de Beauvoir vs. Edith Stein

Simone de Beauvoir (1908–1986) ishte një nga figurat më ndikuese të filozofisë ekzistencialiste dhe aktivisjta kryesore e valës së dytë të feminizmit modern. Traktati i saj i vitit 1949, Seksi i Dytë, i dha botës njërën nga fjalitë më të famshme në historinë e emancipimit: “Grua nuk lind, por bëhesh”, kjo do të thotë se shoqëria ndërton role gjinore artificiale për ta mbajtur gruan në nënshtrim.

Simone de Beauvoir

Në fillim të viteve 1970, Franca po përjetonte një përplasje të madhe sociale. Nga njëra anë, protestat e vitit 1968 kishin zgjuar një frymë të re lirie dhe rebelimi mes rinisë. Nga ana tjetër, sistemi ligjor dhe institucionet mbeteshin thellësisht konservatore dhe patriarkale. Sipas një ligji të ashpër të vitit 1920, aborti në Francë ishte rreptësisht i ndaluar dhe dënohej me burg. Kjo bënte që rreth një milion gra në vit të abortonin në fshehtësi të plotë, duke rrezikuar jetën në kushte tmerruese higjienike, ndërsa gratë e pasura udhëtonin jashtë vendit (në Angli apo Zvicër).

Për të thyer këtë tabu dhe heshtje vrastare, lëvizja feministe MLF dhe revista Le Nouvel Observateur projektuan një akt radikal të mosbindjes civile. Për të shkruar këtë thirrje, ato iu drejtuan shkrimtares më të famshme të vendit – Simone de Beauvoir.

Më 5 prill 1971, u botua “Manifesti i 343-ve” (Manifeste des 343), i cili u shkrua nga vetë Beauvoir. Manifesti ishte një provokim i hapur ndaj shtetit, ku 343 gra (mes tyre figura të shquara si Catherine Deneuve, Marguerite Duras dhe vetë Beauvoir) deklaruan publikisht:

“Unë deklaroj se kam abortuar.”

Ato pranuan një “krim” për të cilin ligjërisht duhej të shkonin në burg, duke e vënë shtetin përpara një dileme: të arrestonte disa nga gratë më të dashura dhe më të famshme të Francës, ose të pranonte mizorinë e ligjeve të veta. Manifesti kërkonte qasje të lirë në kontracepsion dhe abort të sigurt e falas për të gjitha gratë. Beauvoir e nënshkroi, anipse nuk kishte qenë kurrë shtatzënë, por kjo vetëm për të përdorur ndikimin e saj intelektual si mburojë për gratë e shtresave më të varfra që pësonin traumën e ligjit.

Ajo çka bën Beauvoir, nuk ishte veç një një lëvizje politike, por një zbatim praktik i teorisë së saj filozofike.

Simone de Beauvoir e nis diskutimin e saj duke trajtuar konceptin e lirisë, jo si një ideal abstrakt, por liria si një mundësi që kushtëzohet nga “situata” ku ndodhet individi. Kjo liri vjen me përgjegjësi të mëdha: vullnetin për të projektuar ekzistencën drejt së pafundmes, pavarësisht kufizimeve fizike. Megjithatë, Beauvoir vëren se në shoqëritë patriarkale, kjo liri mbetet e paarritshme për gratë, të cilat janë të dënuara me atë që ajo e quan “skllavëria e riprodhimit”.

Në këtë kontekst, ligji kundër abortit shihet si një mjet sistematik që përdoret nga patriarkati për ta kategorizuar gruan si “Tjetri” (the Other). Duke ia mohu kontrollin mbi riprodhimin, shoqëria e lidh gruan pas natyrës së saj biologjike, duke ia pamundësu pavarësinë ekonomike dhe sociale. Pa akses në abort të sigurt, gruaja mbetet nën varësinë e burrit dhe strukturave kapitaliste, e rrjedhimisht mbetet e paaftë për të marrë një rol aktiv në jetën publike.

Beauvoir mendon se nuk është procedura ajo që vret, por “backstreet abortion” (aborti i rrugicave) barrë e cila mbetet kryesisht mbi supet e grave që i takojne klases punëtore e jo elitave. Për të, mbrojtja e jetës embrionale nuk mund të ketë përparësi ndaj jetës dhe lirisë së gruas; pa të drejtën mbi trupin e vet, ajo mbetet subjekt i sunduar nga një fat i errët.

Në skajin tjetër të mendimit filozofik dhe etik të shekullit XX, përballë ekzistencializmit radikal të Beauvoir-it, pozicionohet Edith Stein (1891–1942) – një nga figurat më komplekse dhe më brilante të mendimit modern. E lindur në një familje të devotshme hebreje, Stein u bë studentja e parë e shquar dhe asistentja kryesore e Edmund Husserl-it. . Përmes fenomenologjise, ajo iu përkushtua analizes së rreptë të ndërgjegjes, përjetimit të brendshëm dhe strukturës së personit njerëzor.

Rrugëtimi i saj intelektual mori një kthesë radikale ekzistenciale kur, e ndikuar nga shkrimet e Shën Terezës së Avilës, ajo u konvertua në katolicizëm dhe më vonë hyri në urdhrin e rreptë të murgeshave Karmelitane (e njohur më pas si Shën Tereza Benedikta e Kryqit).

Edith Stein

Filozofia e Stein përbëhet nga një sintezë unike midis fenomenologjisë husserliane dhe tomizmit. Për dallim nga rrymat që e shihnin trupin si thjesht material, Stein zhvilloi një ontologji të gruas, ku trupi dhe shpirti koekzistojne në një harmoni kuptimplotë.

Për shkak të prejardhjes së saj hebreje, ajo u arrestua nga regjimi nazist dhe u vra në dhomat e gazit në Aushvic.

Përballë pikëpamjes ku fetusi shihet si pengesë dhe liria si shkëputje nga kufizimi biologjik, Edith Stein ofron një antitezë fenomenologjike.

Ndryshe nga Beauvoir, e cila e sheh trupin si një “situatë” skllavëruese, Stein tenton të zbulojë Eidos-in, thelbin e vërtetë të gruas. Në disertacionin e saj mbi empatinë (Einfühlung), Stein analizon se si ne e njohim tjetrin si qenie njerëzore. Beauvoir e sheh “Tjetrin” si një kufizim të lirisë sime, Stein e sheh empatinë si rrugën e vetme për të zbuluar vlerën e personit.

Nga kjo pikëpamje, fetusi nuk është një parazit apo një pushtues biologjik, por një person i ri që kërkon të njihet dhe të mirëpritet përmes empatisë më të lartë që është ajo e nënës. Përmes kalimit të saj nga fenomenologjia drejt besimit katolik, Stein arriti në bindjen se dinjiteti njerëzor nuk është një dhuratë nga shteti, por një vlerë absolute që buron nga thjeshtësia e të qenit njerëzor.

Kjo bindje e shndërroi atë në një zë gatise profetik kundër ideologjisë naziste që klasifikonte jetën përmes dy ndarjeve: të denjë ose të padenjë. Për Stein, aborti i detyruar, sterilizimi dhe dhomat e gazit ishin të dyja shprehje të të njëjtit mohim: asgjësimit të shenjtërisë së jetës njerëzore.

Qëndrimi i Kishes Katolike

“Para se të trajtoja në krahërorin amënor, të njoha e, para se të dilje nga gjiri amënor, të shenjtërova.” (Jer 1:5)

Përmes citatit nga libri i Jeremisë, Katekizmi i Kishës Katolike thotë se: “Jeta njerëzore duhet respektuar dhe mbrojtur në mënyrë absolute që nga çasti i ngjizjes”. Kisha pohon se aborti i drejtpërdrejtë, i dëshiruar si qëllim apo si mjet, është në kundërshtim të plotë me ligjin moral.

Aq i rëndë konsiderohet ky akt, saqë Kisha e sanksionon atë me shkishërim ‘latae sententiae’ (automatik) për këdo që është bashkëpunëtor i vetëdijshëm në realizimin e tij. Në këtë kontekst, sqarohet se ‘diagnoza prenatale’ është moralisht e lejueshme vetëm nëse ajo “respekton jetën dhe integritetin e embrionit dhe të fetusit njerëzor”.

Vargu i Jeremisë profet i jep një dimension metafizik jetës pra ajo nuk është thjesht një proces biologjik, por një projekt hyjnor që ekziston në mendjen e Zotit qysh përpara se të shfaqet në ekografi.

Rrjedhimisht, kjo perspektivë e nxjerr embrionin nga ‘pronësia’ e prindërve dhe e vendos atë në sferën e ‘të drejtave të personit’. Ky nuk është një qëndrim i ri; Kisha thjesht vazhdon të ripërsërisë atë që gjendet qysh në librin e Zanafillës: njeriu është krijuar sipas shëmbëlltyrës së Zotit (Imago Dei). Jeta njerëzore është një dhuratë që duhet mbrojtur nga ngjizja deri në vdekjen natyrore, e jo një pronë që mund të asgjësohet sipas vullnetit individual.

Shën Gjon Pali II, në enciklikën “Evangelium Vitae”, e shpjegon këtë projekt hyjnor përmes Psalmit 139:16: “Sytë e tu e panë substancën time të paformë”. Edhe pse kjo enciklikë është e pasur me elemente të shumta, thelbi i saj (mbi abortin) qëndron si një kritikë ndaj shoqërisë moderne, e cila tenton ta fshehë mëkatin përmes gjuhës.

Kur aborti quhet thjesht “ndërprerje e shtatzënisë”, kjo terminologji tenton të maskojë natyrën e vërtetë të aktit. Papa e bën të qartë: aborti është vrasje e qëllimshme dhe e drejtpërdrejtë e një qenieje njerëzore në fazën e saj fillestare. Fetusi është personi më i dobët dhe më i pambrojtur, gjithashtu përgjegjësia nuk bie vetëm mbi gruan, por është strukturore: ajo përfshin baballarët që braktisin, familjarët që ushtrojnë presion, mjekët që vihen në shërbim të vdekjes dhe ligjvënësit që miratojnë ligje të tilla.

Ky qëndrim teologjik thellohet edhe më tej: “Eshtrat e mi nuk mbetën të fshehur kur unë po trajtohesha në fshehtësi, i endur në thellësinë e tokës” (Ps 139:15). Edhe kur jeta njerëzore është e padukshme në syrin tonë, ajo po “trajtohet në fshehtësi” si një substancë e paformë, ajo tashmë është e njohur dhe e dashur nga Zoti. Metafora “i endur në thellësinë e tokës” ndoshta po përshkruan barkun e nënës si një vend të shenjtë, ku çdo qelizë thuret me një qëllim hyjnor. Kësisoj, aborti nuk është thjesht një procedurë, por hedhje poshtë e veprës hyjnore dhe mohim i asaj dashurie që na njeh edhe kur asgjë tjetër nuk e rrok dot plotësinë tonë.

Megjithatë, çfarë mund të themi për rastet më tragjike, si incesti apo përdhunimi? Kjo mbetet një nga çështjet më delikate. Ndonëse Kisha Katolike e njeh thellësinë e tmerrit dhe të traumës që shkaktojnë këto krime, ajo mbron parimin se një e keqe nuk mund të rregullohet përmes një të keqeje tjetër. Fëmija është i pfajshëm për tragjedinë e krimit të kryer dhe nuk mund të sakrifikohet për mëkatin e dikujt tjetër.

Kisha thekson se aborti mund t’i shkaktojë gruas një traumë të re psikologjike përmbi atë ekzistuese, prandaj këshillon mbështetjen e pakursyer të çdo lloj forme të komunitetit katolik ndaj viktimës dhe propozon adoptimin si alternativë kur nëna s’është në gjendje të kujdeset për fëmijen ose s’është e gatshme.

Së fundi, Kisha vepron sipas “parimit të efektit të dyfishtë” që dmh nëse shtatzënia rrezikon drejtpërdrejt jetën e gruas për shkak të komplikimeve mjekësore, lejohet ndërhyrja për shpëtimin e saj. Nëse gjatë kësaj procedure foshnja vdes si pasojë e tërthortë dhe jo si qëllim parësor, ky akt mund të lejohet moralisht. Por, Kisha mbetet kategorikisht kundër çdo ndërhyrjeje që ka si qëllim parësor vrasjen e fetusit, pavarësisht rrethanave të rënda të ngjizjes.

Burime:

https://tribunemag.co.uk/2022/06/abortion-bobigny-trial-france-manifesto-343-womens-rights

https://stmaryscathedral.ca/wp-content/uploads/2022/07/On-the-Problem-of-Empathy-Edith-Stein-auth-z-liborg.pdf

https://www.vatican.va/content/john-paul-ii/en/encyclicals/documents/hf_jp-ii_enc_25031995_evangelium-vitae.html

Share This Article
Pa Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *