Jezusi: Mësuesi suprem i njerëzimit

7 Min Lexim
Deklaratë: Të gjithë artikujt dhe reflektimet e botuara në Via Veritatis paraqesin pikëpamjet personale të autorëve. Ato nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të asnjë institucioni fetar.

Ata lidhin barrë të rënda që mezi mund të mbaren dhe ua ngarkojnë njerëzve në krahë, kurse vetë as me gisht nuk i luajnë. (Mt 23,4)

Duke dashur të reflektojmë mbi figurën e Jezusit si Mësuesi suprem i njerëzimit në këtë ditë të 7 Marsit, ky citat i Ungjillit përmbys logjikën tonë të zakonshme mbi autoritetin. Jezusi u drejtohet me një kritikë të ashpër skribëve dhe farisenjve, të cilët nuk vuanin nga mungesa e informacionit teologjik – përkundrazi, ishin njohës të shkëlqyer të Ligjit të Besëlidhjes së Vjetër. Ai godet pikërisht hapësirën boshe që qëndron midis fjalës së shpallur dhe jetës së jetuar.

Kjo shtron një pyetje ekzistenciale edhe për ne: çfarë vlere ka zotërimi i normave dhe ligjeve, nëse nuk i mishërojmë ato në përditshmëri? Farisenjtë shfaqen si përfaqësuesit më adekuatë të shprehjes popullore “bëj si them unë, por mos bëj si bëj unë” një qëndrim që e kthen të vërtetën në mjet shtypjeje dhe jo çlirimi.

Kjo ndarje është e domosdoshme për të dalluar Krishtin nga imazhi i mësuesit të rreptë e të paprekshëm që shpesh kemi krijuar në mendjet tona; një mësues para të cilit njeriu ndihet i paralizuar nga frika e gjykimit. Jezusi, në anën tjetër, na shfaqet jo si ai që shton barra mbi shpatullat tona, por si Ai që merr përsipër barrën e mëkateve të të gjithëve.

Metoda e Tij pedagogjike nuk synon thjesht transferimin e dijes, por një ndryshim rrënjësor të qenies sonë. Kjo shpaloset përmes një gjuhe të thjeshtë, por tronditëse, ku vendin qendror e zënë shembëlltyrat (siç e ka shqyrtuar thellësisht për Via Veritatis Don Kolë Dedaj te artikulli “Jezusi shpalos zemrën e Atit” – Shëmbëlltyra e Djalit të Humbur). Përmes tyre, Mbretëria e Hyjit bëhet e prekshme: një kokërr sinapi, një Atë i mëshirshëm, një Mësues që interpreton jetën dhe e shfaq të vërtetën brenda nesh, e jo si diçka të largët.

Një tjetër shtyllë e mësimdhënies së Tij janë “Lumturitë”. Siç shprehet Benedikti XVI, Predikimi në Mal i drejtohet mbarë botës, të tashmes dhe të ardhmes. Lumturitë nuk janë një ideologji e re apo një koleksion rregullash morale, por “transpozimi i Kryqit dhe i Ringjalljes në jetën e nxënësit”. Ato nuk mund të kuptohen si teori; ato jetohen vetëm duke e ndjekur Jezusin në udhëtimin e Tij. Në një shoqëri të magjepsur pas mirëqenies materiale, Kisha dhe çdo nxënës i Krishtit nuk duhet të kenë frikë nga varfëria apo persekutimi, sepse Ai që u përçmua dhe u dënua me vdekje, është i njëjti që shpall të lumë ata që vuajnë.

Jezusi ka ditur përherë të bëjë thirrje radikale, duke e njohur mirë natyrën njerëzore: na kërkoi ta duam të afërmin si vetveten dhe të lutemi për armiqtë. Sot, Ai na jep leksionin përfundimtar mbi madhështinë: “Ai që është më i madhi ndër ju, le të jetë shërbëtori juaj” (Mt 23,11). Jezusi të Enjtën e Madhe e kthen edhe këtë frazë në akt konkret veprimi, ani pse ai merr natyrë njerëzore, e njëkohësisht është Biri i Hyjit, ai lan këmbët e nxënësve të tij. Në këtë çast, Mësuesi i Vetëm dhe Zoti i Gjithësisë ulet në gjunjë para nxënësve të Tij, duke marrë rolin e shërbëtorit më të rëndomtë. Ky gjest është vula e fundit mbi gjithçka që Ai predikoi; është prova se autoriteti i vërtetë nuk ushtrohet përmes dominimit, por përmes shërbimit. Jezusi na mëson se figura e mësuesit, sado e lartë që të jetë në dije dhe dinjitet, gjen kuptimin e saj të plotë vetëm kur kthehet në shërbëtore të “më të voglit”, të fëmijës, të të paditurit, të të dobëtit.

Në dritën e 7 Marsit, ky akt na fton të reflektojmë mbi thelbin e profesionit të mësuesit. Nëse mësuesi e sheh punën e tij vetëm si një mjet për të siguruar një rrogë, ai mbetet te niveli i “rrogëtarit” që nuk ka lidhje shpirtërore me grigjën e tij. Por, nëse ai e sheh veten si një shërbëtor të një të mire më të madhe që është formimi i shpirtit njerëzor vetëm atëherë puna e tij shndërrohet në mision.

Sot, ndërsa urojmë mësuesit tanë për punën dhe përkushtimin e tyre, le të ndalemi një çast për të reflektuar mbi modelin që na la Mësuesi i Nazaretit. Edukimi nuk është thjesht transmetim i formulave apo i rregullave të ftohta; edukimi i vërtetë është mishërim i së Vërtetës në jetë. Ju ftojmë të mendoni, ose edhe ta ndani me neve: cili ka qenë ai mësues në jetën tuaj që, ashtu si Jezusi, nuk ju dha thjesht një leksion, por ju hapi një horizont të ri përmes shembullit të tij?

Urime 7 Marsi!


Lumturitë
(Mt 5, 3-11)

“Lum skamnorët në shpirt
sepse e tyre është Mbretëria e qiejve!

Lum ata që qajnë
sepse do të ngushëllohen!

Lum ata që janë të butë
sepse do ta trashëgojnë tokën!

Lum ata që kanë uri e etje për drejtësi
sepse do të ngihen!

Lum të mëshirshmit
sepse do të gjejnë mëshirë!

Lum ata që janë të pastër në zemër
sepse do ta shohin Hyjin.

Lum pajtuesit
sepse do të quhen bijtë e Hyjit.

Lum ata që salvohen pse kryejnë çka Hyji kërkon
sepse e tyre është Mbretëria e qiejve.

Share This Article
Pa Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *