Teknologjia, Vetmia Digjitale dhe Humbja e Mendimit Kritik: Mesazhi i Papës për Rininë

Papa Leoni XIV paralajmëron për vetminë digjitale, dobësimin e mendimit kritik dhe presionin e suksesit që rëndon mbi të rinjtë. Në mesazhin e tij të 22 tetorit 2026, ai thekson rëndësinë e një edukimi që bashkon fenë me arsyen, kultivon aftësinë për të kërkuar të vërtetën dhe vendos dinjitetin njerëzor në qendër të formimit intelektual dhe shpirtëror.

11 Min Lexim
Deklaratë: Të gjithë artikujt dhe reflektimet e botuara në Via Veritatis paraqesin pikëpamjet personale të autorëve. Ato nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të asnjë institucioni fetar.
Papa Leoni XIV gjatë fjalimit të 22 tetorit 2026. Fotografia: Andreas Solaro / AFP, përmes Getty Images.

Më 22 tetor 2026, Papa Leoni XIV iu drejtua pjesëmarrësve të Kongresit Ndërkombëtar për Kujdesin Baritor në Shkolla dhe Universitete, duke trajtuar disa prej sfidave më të thella me të cilat përballen të rinjtë në shoqërinë bashkëkohore. Në qendër të mesazhit të tij qëndronte shqetësimi për vetminë digjitale, pasigurinë për të ardhmen, frikën nga dështimi dhe një kulturë që e mat gjithnjë e më shumë vlerën e njeriut përmes arritjeve dhe rezultateve.

Papa vuri në dukje se shumë të rinj, megjithëse jetojnë në një botë të karakterizuar nga mundësi të shumta komunikimi, përjetojnë ndjenjën e të qenët të padukshëm, të pakuptuar dhe të pamjaftueshëm. Për këtë arsye, ai kërkoi që shkollat dhe universitetet katolike të mos kufizohen vetëm në transmetimin e njohurive, por të bëhen mjedise ku çdo person ndihet i mirëpritur, i njohur dhe i respektuar në dinjitetin e tij.

Një vend të rëndësishëm në fjalimin e Papës zë marrëdhënia ndërmjet teknologjisë, mendimit njerëzor dhe edukimit. Duke iu referuar enciklikës Magnifica Humanitas, ai paralajmëroi për tundimin e hollë që e paraqet mendimin njerëzor si të panevojshëm pikërisht në çastet kur ai është më i domosdoshëm.

Ky paralajmërim merr rëndësi të veçantë në epokën e inteligjencës artificiale, kur përgjigjet e menjëhershme dhe automatizimi i proceseve njohëse mund ta dobësojnë prirjen e njeriut për të pyetur, për të shqyrtuar dhe për të gjykuar në mënyrë të pavarur. Megjithatë, theksi i Papës nuk qëndron te kundërshtimi i teknologjisë në vetvete, por te domosdoshmëria e ruajtjes së autonomisë intelektuale dhe e formimit të ndërgjegjes. Edukimi, sipas kësaj perspektive, kërkon kohë, durim, përballje me realitetin dhe kërkim të vazhdueshëm të së vërtetës. Ai duhet t’i ndihmojë të rinjtë të zbulojnë frytshmërinë e marrëdhënies ndërmjet fesë dhe arsyes, pa e reduktuar dijen në një grumbull informacioni apo në një instrument të thjeshtë për suksesin profesional.

Në përfundim, Papa Leoni XIV e vendos edukimin e zemrës në të njëjtin horizont me formimin e inteligjencës. Ai thekson se pas qëndrimeve mbrojtëse, pas frikës nga gjykimi dhe pas pasigurisë që shumë adoleshentë shfaqin, ekziston një dëshirë e thellë për të dashur dhe për të qenë të dashur. Prandaj, edukimi i vërtetë nuk mund të ndahet nga dhembshuria, mirënjohja, solidariteti, lutja dhe përkushtimi ndaj të tjerëve.

Papa u kujton edukatorëve dhe përgjegjësve të kujdesit baritor se detyra e tyre nuk është t’u ofrojnë të rinjve përgjigje të gatshme për çdo pyetje, por t’i shoqërojnë në rrugën e kërkimit dhe të zbulimit të dhuntive të tyre. Duke marrë si model Krishtin e Ngjallur në udhën drejt Emausit, ai paraqet një vizion të edukimit të mbështetur te prania, dëgjimi, dialogu dhe besimi te personi.

Më poshtë botohet i plotë, i përkthyer në gjuhën shqipe, fjalimi i Papës i datës 22 tetor 2026.


Fjalimi i plotë i Papa Leonit XIV

Drejtuar pjesëmarrësve të Kongresit Ndërkombëtar për Kujdesin Baritor në Shkolla dhe Universitete

Vatikan, 22 tetor 2026

Le të fillojmë me shenjën e Kryqit, me të cilën të gjithë jemi pagëzuar.

+ Në emër të Atit e të Birit e të Shpirtit Shenjt.
Paqja qoftë me ju.

Eminenca Juaj,

Shkëlqesitë Tuaja,

Të dashur vëllezër dhe motra,

Me gëzim të madh ju përshëndes në fillim të kësaj Konference për Kujdesin Baritor në Shkolla dhe Universitete. Falënderoj Prefektin e Dikasterit për Kulturën dhe Edukimin, sekretarët dhe zyrtarët e tij, si edhe ata që do të kenë përgjegjësinë për të nxitur reflektimin dhe thellimin e njohurive. Njëkohësisht, u shpreh mirëseardhjen time të përzemërt të gjithëve ju që keni ardhur nga kaq shumë vende të botës. Ju përgëzoj për punën që kryeni në institucionet arsimore dhe akademike, në shërbim të shpalljes së Ungjillit dhe të dinjitetit të personit njerëzor.

Është thelbësore që kujdesi baritor në shkolla dhe universitete të jetë i aftë t’i përgjigjet dëshirës që çdo person mbart brenda vetes dhe të ndërmarrë, së bashku me të, një udhëtim njerëzor dhe të krishterë. Ata të cilëve u drejtohet shërbimi juaj karakterizohen nga entuziazmi, bujaria dhe fryma e shërbimit, aq tipike për të rinjtë.

E megjithatë, sa shumë studentë përballen edhe me vështirësi ekzistenciale! Familje të përçara, vetmi digjitale, ndjenja pamjaftueshmërie ose frikë përballë një të ardhmeje që duket e pasigurt. Shumë prej tyre ecin nëpër korridoret e shkollave dhe universiteteve tona dhe ndoshta ndihen anonimë. Sa e rëndësishme është që shkollat dhe universitetet katolike të jenë, para së gjithash, një «shtëpi», një vend familjar ku njeriu ndihet i mirëpritur. Shpallja e parë e Ungjillit shpesh merr formën e një qëndrimi mikpritës: dikush që të shikon në sy, që ta mban mend emrin, që e vëren mungesën tënde dhe që gëzohet kur ti kthehesh.

Në një mjedis mikpritës, studenti mund të shprehë dëshirën e tij të thellë për të kuptuar dhe për t’i dhënë kuptim realitetit. Këtu prekim thirrjen e mirëfilltë të shkollave dhe universiteteve: kërkimin e përbashkët të së vërtetës. Prandaj, ju nxis të stimuloni inteligjencën e të rinjve dhe t’u jepni vlerë pyetjeve të tyre. Pasioni juaj, veçanërisht i atyre që punojnë në institucionet katolike, le të jetë t’i ndihmoni të rinjtë të përjetojnë bukurinë e takimit me Krishtin dhe frytshmërinë e bashkëveprimit ndërmjet fesë dhe arsyes, ndërmjet njohjes së fesë dhe formave të tjera të dijes.

Kujdesi baritor në shkolla dhe universitete është i thirrur të shoqërojë zhvillimin gradual të mendimit, të mësojë aftësinë për të dalluar dhe të nxisë kërkimin këmbëngulës. Procesi edukativ «është një udhëtim i gjatë që kërkon durim dhe, për rrjedhojë, ka nevojë për kohë që të zhvillohet dhe për një përballje me realitetin përtej dukjeve». Ne duhet «t’i mbrojmë të rinjtë tanë […] nga ai tundim i hollë që e bën mendimin njerëzor të duket i panevojshëm, pikërisht atëherë kur ai është më i nevojshëm» (Letra enciklike Magnifica Humanitas, nr. 140).

Një numër i konsiderueshëm të rinjsh sot duken sikur janë të paralizuar nga frika se mos gabojnë, se nuk janë në lartësinë e duhur, se do të keqkuptohen ose se nuk do të arrijnë t’i përmbushin pritshmëritë. Jetojmë në një kulturë të orientuar drejt rezultateve, e cila vazhdimisht i krahason dhe i rendit njerëzit, ndonjëherë në mënyrë të pamëshirshme. Një meritokraci e keqkuptuar përfundon duke mos e respektuar personin. Kjo është arsyeja përse shumë njerëz heqin dorë ende pa u përpjekur.

Ndihmojini të rinjtë që takoni të bëhen protagonistë të një mënyre të re të të jetuarit në botë, ndërtues të një shoqërie më njerëzore dhe më të drejtë. Guximi lind nga një besëlidhje besimi: nga përvoja e të pasurit dikë që beson tek ti përpara se ti vetë të besosh te vetja. Jezusi nuk i zgjodhi të Dymbëdhjetët sepse ishin të guximshëm; Ai i thirri dhe, nëpërmjet besimit që pati tek ata, i bëri të aftë. Ne duhet të jemi në gjendje t’ua përsërisim të rinjve tanë fjalët që dishepujt ia drejtuan Bartimeut të verbër: «Merr guxim, ngrihu! Ai po të thërret!» (Mk 10,49).

Nën parzmoren që shumë adoleshentë ndërtojnë për të mbrojtur veten nga vuajtja, fshihet dëshira për të dashur dhe për të qenë të dashur. Kujdesi baritor në shkolla dhe universitete do të jetë aq më i frytshëm, sa më shumë të përqendrohet në edukimin e zemrës. Të edukosh zemrën me dhembshuri, me mirënjohje, me aftësinë për t’u prekur nga vuajtja e të tjerëve; ta edukosh atë për lavdërimin dhe për mallin ndaj Hyjit. Shërbimi ndaj të varfërve, puna vullnetare dhe kujdesi për krijimin nuk janë thjesht veprimtari dytësore, por mjedise ku zemra mëson të zgjerohet. Të mos harrojmë: dashuria bamirëse dhe lutja janë të pandashme.

Të dashur vëllezër dhe motra, mësuesit e rremë dhe mesazhet mashtruese premtojnë t’u japin përgjigje të shpejta pyetjeve të të rinjve. Ju, përkundrazi, keni zgjedhur të bëni diçka më të madhe: të ecni përkrah tyre gjatë udhëtimit, derisa ata të zbulojnë dhuntitë që Hyji ka vendosur tashmë brenda tyre. Ashtu siç bëri Zoti i Ngjallur me dishepujt në udhën drejt Emausit: iu afrua, eci së bashku me ta, i dëgjoi, u shpjegoi, ua ndezi zemrat dhe, në fund, iu zbulua në thyerjen e bukës (krh. Lk 24,13–35).

Shpirti i Tij Shenjt e ndriçoftë dhe e mbështettë gjithmonë shërbimin tuaj. Maria e Tejetshenjtë, Selia e Urtisë, ju shoqëroftë së bashku me bekimin tim.

Faleminderit.


Burimi: Zyra e Shtypit e Selisë së Shenjtë, Buletini zyrtar, 22 tetor 2026.

Shënim redaksional: Tre paragrafët hyrës janë një koment shpjegues i mesazhit papnor. Teksti që vijon është përkthimi në gjuhën shqipe i fjalimit të plotë, sipas versionit anglisht të publikuar nga Selia e Shenjtë.

Share This Article
Pa Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *