Sot, në “Spy Wednesday”, dita e tradhtisë së Judës, ju ftojmë të lexoni një qasje tjetër ndaj kësaj figure.
Don Primo Mazzolari, në predikimin “Vëllai ynë Juda”, guxon ta shohë tradhtarin përmes syve të Krishtit, i cili në Gjetseman nuk e dënoi, por e quajti “mik”.
Duke e quajtur Juden “vëlla”, Mazzolari nuk bën një provokim retorik; përkundrazi, ai rimerr terminologjinë e vetë Krishtit, i cili në çastin e puthjes në Gjetseman, i drejtohet asaj humnere njerëzore me fjalën: “Mik”.
Është një emër që përsëritet në lutjet e meshës, emri i Judës, tradhtarit.
Një grup prej fëmijëve tuaj përfaqësojnë Apostujt: janë dymbëdhjetë. Janë të gjithë të pafajshëm, djem të mirë, ende nuk kanë mësuar ta tradhtojnë Zotin; dhe Hyji dëshiron që ata e jo vetëm këta, por gjithë fëmijët e Tij, të mos mësojnë kurrë ta tradhtojnë Zotin. Kush e tradhton Zotin, tradhton shpirtin e tij, i tradhton vëllezërit, e tradhton ndërgjegjen e vet, tradhton detyrën e tij, dhe bëhet një i pafat. Zoti është i pranishëm në dhimbjen e kësaj tradhtie, që me siguri i ka shkaktuar zemrës së Zotit një vuajtje të pamasë.
I shkreti Judë!
Se çfarë po ndodhte në shpirtin e tij, nuk do ta kuptoj kurrë. Është njëri prej personazheve më të mistershëm që gjejmë në pasionin e Zotit. Dhe ne as nuk përpiqemi ta kuptojmë. Më mjafton të ju kërkoj pak mëshirë për vëllanë tonë Judën. Mos t’ju vijë turp të bashkoheni në këtë vëllazëri! Mua nuk më vjen turp, sepse e di sa herë e kam tradhtuar Zotin: askush nuk duhet të ketë turp për të. E duke e thirrur vëlla jemi në gjuhën e Zotit.
Kur e ka marrë puthjen e tradhtisë, në Gjetseman, Zoti iu ka përgjigjur me ato fjalë që nuk duhet t’i harrojmë: «Mik, me një të puthur po e tradhton Birin e Njeriut?» «Mik»: kjo fjalë tregon butësinë e pafund të dashurisë së Zotit, na bën të kuptojmë pse e thërrasim vëlla. Gjatë Darkës së Fundit pati thënë: «Nuk po ju them shërbëtorë, por miq». Apostujt janë bërë miqtë e Zotit: të mirë apo jo, bujarë apo jo, besnikë apo jo, mbeten gjithmonë miq. Ne mund ta tradhtojmë miqësinë e Krishtit; Krishti nuk na tradhton kurrë ne, miqtë e vet. Edhe atëherë kur nuk e meritojmë, edhe kur kthehemi kundër tij, edhe kur e mohojmë. Para syve të tij, para zemrës së tij, ne jemi gjithmonë miqtë e Zotërisë. Juda është një mik i Zotërisë, edhe në momentin kur e puth, e tradhton Mësuesin.
Si ka përfunduar ta tradhtojë? E njohim misterin e së keqes? Askush prej nesh nuk ka dështuar të gjejë pak të keqe brenda vetes në një moment të caktuar. E kemi parë duke u rritur; nuk e dimë pse jemi braktisur në të keqen, pse jemi bërë blasfemues, mohues. Nuk e dimë pse ia kemi kthyer shpinën Krishtit dhe Kishës. Në një moment ka dalë jashtë e keqja. Prej nga ka dalë? Kush na e ka mësuar? Kush na ka larguar aftësinë të besojë në të mirën, ta duam të mirën, ta pranojmë përgjegjësinë, ta përballojmë jetën si një mision? Shihni Judën, vëllanë tonë! Vëllanë tonë në këtë mister të përbashkët dhe në këtë befasi.
Dikush duhet ta ketë ndihmuar Judën që të bëhet tradhtar. Është një fjali në Ungjill, që nuk e shpjegon misterin e së keqes në Judën, por na e shfaq para syve në një mënyrë të habitshme: “Djalli hyri në të“, e ka pushtuar. Dikush duhet ta ketë futur. Sa njerëz e kanë punën e Djallit: ta shkatërrojnë veprën e Zotit, ta shkatërrojnë ndërgjegjen dhe të përhapin dyshimin, të fusin pabesim, ta largojnë besimin në Zot, ta fshijnë Zotin nga zemrat e shumë krijesave të tija. Kjo është vepra e së keqes: është vepër e Djallit. Ka vepruar në Judën, mund të veprojë edhe tek ne. Për këtë arsye Krishti thotë në kopshtin e Gjetsemanit: “Rrini zgjuar që të mos bini në tundim“.
Tundimi ka filluar me paratë. Me duart që prekën atë copë argjendi. Duart që i numërojnë paratë: “Çka po më jepni e unë po ua dorëzoj? I numëruan 30 denarë“. Por i numëruan vetëm pasi Krishti u arrestua dhe u dërgua para gjyqit. Ja mashtrimi! Miku, mësuesi, ai që e kishte zgjedhur, që e kishte bërë Apostull, që e bëri fëmijë të Hyjit; që i dha dinjitet, liri, madhështinë e bijve të Hyjit. Shihni! Tridhjetë denarë, fitimi i vogël… Një ndërgjegje nuk vlen shumë, të dashur vëllezër: vetëm tridhjetë denarë. Dhe ndonjëherë ne tonën e shesim edhe për më pak se aq. E shohim Judën si një afarist të keq për këtë.
Dikush beson se ka bërë një punë të shkëlqyer duke e shitur Krishtin, duke e mohuar Krishtin, duke u vënë në anën e armiqve. Fitimi: Tridhjetë denarë! Çfarë ju japin këta tridhjetë denarë? Nuk kemi forcë t’i mbajmë në duar. Ikin, sepse kur ndërgjegjja nuk është e qetë, edhe paratë bëhen një vuajtje. Një gjest tregon madhështinë njerëzore: ua gjuan paratë. E ata njerëz kuptojnë? I mbledhin dhe thonë: “S’është e lejueshme të shtihen në arkë të Tempullit, sepse janë çmim gjaku. Dhe pasi u këshilluan, blenë me to arën e një vorbëtari për varreza të shtegtarëve“.
Kështu skena ndryshon. Nesër mbrëma (e Premtja e Madhe), kur do të zbulohet kryqi do t’i shohim dy varje: kryqi i Krishtit, dhe një lis ku është varur tradhtari.
I shkreti Judë, i shkreti vëlla i yni!
Mëkati më i madh nuk është ta shesim Krishtin, është të dëshpërohemi. Edhe Pjetri e ka mohuar Mësuesin, pastaj e ka shikuar dhe ka qarë. Dhe Zotëria e ka vendosur në vendin e vet: vikar i Tij! Të gjithë apostujt e kanë braktisur Zotërinë, dhe janë kthyer. Dhe Krishti i ka falur. Dhe i ka bashkuar me të njëjtin besim që ka pasur përpara.
Do të kishte pasur vend edhe për Judën po ta kishte dashur ky, nëse do të kishte shkuar te këmbët e Kalvarit, po ta kishte shikuar nga një qoshe të largët, në një vend të “udhës së kryqit“. Shëlbimi do të kishte ardhur edhe për të.
I shkreti Judë!
Një kryq dhe një lis i një të varuri, disa gozhda dhe një litar. Do të thoni ju: “Vdes njëri dhe vdes tjetri”. Por cila është vdekja që ne e zgjedhim: vdekjen e Krishtit, me shpresën e Krishtit; apo të varur, të dëshpëruar, pa një të ardhme?
Por unë ia dua të mirën Judës: është vëllai im, Juda. Do të lutem për të, sepse unë nuk gjykoj, unë nuk dënoj. Do të më duhej ta gjykoja vetveten, ta dënoja vetveten. Më falni nëse këtë mbrëmje që duhej të ishte e afërt ju dhashë gjëra kaq të dhimbshme për të menduar. Nuk mund të mos e mendoj edhe për Judën mëshirën e Zotit, këtë përqafim dashurie, këtë fjalë “mik” që Zotëria ia ka thënë, ndërsa ai po e puthte duke e tradhtuar, unë nuk mund të mos mendoj që kjo fjalë nuk ka shkuar deri edhe në zemrën e tij të shkretë. Ndoshta në momentin e fundit duke e kujtuar këtë fjalë dhe puthjen e dhënë, edhe Juda do ta ketë ndjerë se Zoti ende e donte, dhe se e ka pranuar edhe atje… Ndoshta apostulli i parë ka hyrë bashkë me dy cubat: një procesion që nuk i bën nder Birit të Hyjit, sikurse dikush e mendon, por është madhështia e mëshirës së tij.
(Gjatë larjes së këmbëve) më lejoni gjatë puthjes së këmbëve të fëmijëve tanë që përfaqësojnë Apostujt, të mendoj për një moment mbi Judën që e kam brenda, mbi Judën që ndoshta ju e keni brenda. Më lejoni që t’i kërkoj Jezusit, Jezusit që na pranon ashtu siç jemi, më lejoni t’ia kërkoj, si hir i Pashkëve, ta thërras “mik“. Sepse Pashkët janë kjo fjalë, e thënë një Jude të shkretë si unë, e thënë Judave të shkretë si ju.
Ky është gëzimi: që Krishti na do, që Krishti na fal, që Krishti nuk dëshiron që ne të dëshpërohemi. Edhe kur do të ngrihemi në çdo moment kundër tij, edhe kur do ta shajmë, edhe kur do ta refuzojmë Meshtarin (Priftin e Lartë) në momentin e fundit të jetës sonë, kujtohuni: se për të do të jeni gjithmonë miq.
Autor: Don Primo Mazzolari (Bozzolo, Mantova, e Enjtja e madhe 1958).
Përktheu nga italishtja: Don Alfred Sokoli






