Fjalimi i Shenjtërisë së Tij, Papa Leoni XIV, drejtuar Dikasterit për Doktrinën e Fesë në Asamblenë e Përgjithshme, më 29 janar 2026
Në këtë fjalim drejtuar Dikasterit për Doktrinën e Fesë, Papa Leoni XIV ndalet me një shqetësim të thellë atëror te një prej krizave më delikate të kohës sonë: humbja e busullës morale te gjeneratat e reja. Përmes një gjuhe që ndërthur saktësinë doktrinale me ndjeshmërinë baritore, Ati i Shenjtë përshkruan gjendjen e shumë të rinjve që sot jetojnë në pasiguri, të shkëputur nga rrënjët e fesë dhe pa një referencë të qartë ndaj Hyjit.
Ky mesazh nuk është thjesht një analizë e zbrazëtisë ekzistenciale, por një thirrje urgjente për Kishën që të rizbulojë “gëzimin e ëmbël të ungjillëzimit”, duke e rikthyer Ungjillin jo si një doktrinë të ftohtë, por si bazamentin e vetëm solid mbi të cilin rinia mund të ndërtojë jetën dhe moralin e saj në një botë gjithnjë e më konfuze.
Në emër të Atit e të Birit e të Shpirtit Shenjtë.
Paqja qoftë me ju. Mirë se vini dhe mirëmëngjes!
Të dashur Kardinalë, Të dashur vëllezër në Episkopat, Të dashur vëllezër dhe motra,
Ju mirëpres me gëzim me rastin e Sesionit tuaj Plenar. Përshëndes përzemërsisht dhe falënderoj Prefektin e Dikasterit, bashkë me Superiorët dhe Zyrtarët.
Jam plotësisht i vetëdijshëm për shërbimin e çmuar që kryeni, me qëllimin siç pohon Kushtetuta Praedicate Evangelium, që të «ndihmoni Pontifikun Romak dhe Ipeshkvinjtë të shpallin Ungjillin në mbarë botën, duke promovuar dhe mbrojtur integritetin e mësimit katolik mbi fenë dhe moralin… duke u mbështetur në depozitën e fesë dhe duke kërkuar një kuptim gjithnjë e më të thellë të saj përballë pyetjeve të reja» (nr. 69).
Detyra juaj është të ofroni sqarime lidhur me doktrinën e Kishës, përmes udhëzimeve baritore dhe teologjike mbi çështje shpeshherë shumë të ndjeshme. Për këtë qëllim, gjatë dy viteve të fundit Dikasteri ka botuar disa dokumente, ndër të cilat kryesorët janë:
- Shënimi Gestis verbisque, mbi vlefshmërinë e Sakramenteve (2 shkurt 2024), i cili ofroi udhëzime të qarta për zgjidhjen e rasteve të dyshimta lidhur me administrimin e tyre;
- Deklarata Dignitas infinita, mbi dinjitetin njerëzor (2 prill 2024), e cila ripërsëriti dinjitetin e pafundëm të çdo qenieje njerëzore, i rrezikuar seriozisht sot, veçanërisht nga luftërat e vazhdueshme dhe një ekonomi që i jep përparësi fitimit;
- Normat për të vepruar në dallimin e fenomeneve të supozuara mbinatyrore (17 maj 2024), të cilat mundësuan zgjidhjen e rasteve lidhur me këto ngjarje, përfshirë ato që lidhen me përvojën shpirtërore të Medjugorjes, të cilës i kushtohet specifikisht Shënimi Mbretëresha e Paqes (19 shtator 2024);
- Shënimi Antiqua et nova, i përgatitur në bashkëpunim me Dikasterin për Kulturën dhe Edukimin (28 janar 2025), i cili ofron një shqyrtim të gjerë dhe të saktë të marrëdhënies midis inteligjencës artificiale dhe inteligjencës njerëzore;
- Shënimi doktrinor Mater Populi fidelis, mbi disa tituj marianë që i referohen bashkëpunimit të Marisë në veprën e shpëtimit (4 nëntor 2025), i cili inkurajon devocionin popullor marian, duke thelluar bazat e tij biblike dhe teologjike, ndërsa ofron sqarime të sakta dhe të rëndësishme për Mariologjinë; dhe së fundi,
- Shënimi doktrinor Una caro. Në lëvdim të Monogamisë, mbi vlerën e martesës si bashkim ekskluziv dhe përkatësi e ndërsjellë (25 nëntor 2025), i cili eksploron në mënyrë origjinale veçorinë e unitetit në martesën midis një burri dhe një gruaje.
E gjithë kjo punë do të jetë sigurisht me dobi të madhe për rritjen shpirtërore të Popullit të shenjtë dhe besimtar të Hyjit. Në kontekstin e ndryshimit epokal që po përjetojmë, ajo u ofron besimtarëve një fjalë të shpejtë dhe të qartë nga Kisha, veçanërisht lidhur me fenomenet e shumta të reja që shfaqen në skenën e historisë. Gjithashtu, u jep udhëzime të çmuara ipeshkvinjve mbi ushtrimin e veprimtarisë së tyre baritore, si dhe teologëve, në shërbimin e tyre të studimit dhe ungjillëzimit.
Vlerësoj, në veçanti, që në këtë Asamble të Përgjithshme keni iniciuar një diskutim të frytshëm mbi temën e transmetimit të fesë, një çështje me urgjencë të madhe në kohën tonë.
Në të vërtetë, «nuk mund të anashkalojmë faktin se në dekadat e fundit ka pasur një thyerje në mënyrën se si katolikët ua kalojnë fenë të krishterëve të rinjë», [1] dhe se, veçanërisht në kontekstet me ungjillëzim të hershëm, një numër gjithnjë e më i madh njerëzish nuk e perceptojnë më Ungjillin si një burim themelor për ekzistencën e tyre, sidomos mes gjeneratave të reja.
Në të vërtetë, ka shumë të rinj dhe të reja që jetojnë pa asnjë referencë ndaj Hyjit dhe Kishës, dhe ndërsa kjo na shkakton dhimbje si besimtarë, duhet gjithashtu të na çojë të rizbulojmë «gëzimin e ëmbël dhe ngushëllues të ungjillëzimit», [2] i cili është në vetë zemrën e jetës dhe misionit të Nuses së Krishtit.
Siç kujtova me rastin e Konsistorit të fundit të jashtëzakonshëm, «ne duam të jemi një Kishë që nuk shikon vetëm veten, që është misionare, që shikon përtej vetvetes, drejt të tjerëve»; [3] një Kishë që shpall Ungjillin, veçanërisht përmes fuqisë së tërheqjes, siç theksuan vazhdimisht paraardhësit e mi Benedikti XVI dhe Françesku. [4]
Themeli i jetës së Trupit të Krishtit është dashuria e Atit, e zbuluar tek ne në Birin e bërë njeri, i pranishëm dhe veprues në ne përmes dhuratës së Shpirtit;
Prandaj, «nuk është Kisha ajo që tërheq, por Krishti; dhe nëse një i krishterë apo një komunitet kishtar tërheq, kjo ndodh sepse përmes atij ‘kanali’ rrjedh lëngu jetësor i Dashurisë (Caritas) që zbret si ujëvarë nga Zemra e Shpëtimtarit». [5]
Kisha shpall Krishtin, pa vetë-promovim apo partikularizëm, dhe në të, secili është dhe duhet gjithmonë e vetëm ta njohë veten si «një punëtor i thjeshtë dhe i përulur në vreshtin e Zotit». [6]
Dëshiroj të përmend, para se të përfundoj, një tjetër shërbim tuajin, për të cilin ju jam mirënjohës dhe të cilin ua besoj kujdesit tuaj: atë të mirëpritjes dhe shoqërimit, me çdo mirësi dhe gjykim, të Ipeshkvinjve dhe Superiorëve Gjeneralë të thirrur për t’u marrë me raste të krimeve të rezervuara për Dikasterin.
Kjo është një fushë mjaft delikate e ministrisë, në të cilën është thelbësore të sigurohet që kërkesat e drejtësisë, së vërtetës dhe dashurisë (charitas) të jenë gjithmonë të nderuara dhe të respektuara.
Të dashur miq, dëshiroj të ripërsëris mirënjohjen time për secilin prej jush për kontributin e çmuar që jepni në jetën dhe punën e Dikasterit dhe të Kishës në tërësi, veçanërisht kur ai kontribut ofrohet në mënyrë të përulur dhe të matur.
Si shenjë e mirënjohjes sime, ju jap përzemërsisht Bekimin tim Apostolik të gjithë juve dhe të dashurve tuaj. Ju faleminderit.
Referencat:
[1] Françesku, Nxitja Apostolike Evangelii gaudium (24 nëntor 2013), 70.
[2] Khs. Shën Pali VI, Nxitja Apostolike Evangelii nuntiandi (8 dhjetor 1975), 80; cituar në Françesku, Nxitja Apostolike Evangelii gaudium (24 nëntor 2013), 10.
[3] Fjalë të rastit (pa protokoll) në përfundim të sesionit të parë të Konsistorit të Jashtëzakonshëm, 8 janar 2026.
[4] Khs. Benedikti XVI, Homelia e Meshës së Shenjtë për inaugurimin e Konferencës së Pestë të Përgjithshme të Episkopatit të Amerikës Latine dhe Karaibeve (13 maj 2007); Françesku, Nxitja Apostolike Evangelii gaudium (24 nëntor 2013), 14.
[5] Fjalim me rastin e Konsistorit të Jashtëzakonshëm (7 janar 2026).
[6] Benedikti XVI, Bekimi Apostolik “Urbi et orbi” dhe përshëndetja e parë (19 prill 2005).






