Sot Vatican News në orët e hershme të mëngjesit, kanë bërë të ditur se në orën 7:58, nga Aeroporti Fiumicino në Romë, Papa Leoni ka shtegtuar drejt Ankarasë, e gjatë këtij shtegtimi që do të zgjasë deri më 2 dhjetor, Ati i Shenjtë do ta vizitojë edhe Libanin.
Ky udhëtim i parë apostolik i Leonit, është një vazhdimësi e premtimit të Françeskut i cili e kishte dëshirë të kahmotshme të shtegtonte në Turqi dhe Liban, duke qenë se për Kishën Katolike Romake, që të dyja vendet janë kujtesë historike qysh prej kohës së apostujve.
Kjo vizitë nuk u bë e mundur për Françeskun për shkak të luftërave dhe konflikteve atje.
Ani pse përkundër kësaj, Françesku ka mbajtur një lidhje të ngushtë me Libanin dhe komunitetin e krishterë që ndodhet atje, përmes mesazheve, thirrjeve publike ka kërkuar vazhdimisht ndihmë ndërkombëtare për këtë popull, kështu, afërsinë e tij prej Ati dhe Bariu, e kombinonte me diplomacinë e shtetit të Vatikanit.
Është e njohur letra e Krishtlindjes, e vitit 2020 që Françesku iu ka dërguar popullit libanez duke shprehur shqetësimin për shkak të kushteve të jashtëzakonshme (shpërtimi në portin e kryeqytetit Beirut) por njëkohësisht edhe shpresën që ky popull i cili është simbol i lirisë dhe dëshmi e bashkëjetesës të gjejnë identitetin e tyre si popull, identitet që përcjell mesazhe respekti, bashkëjetese dhe pluralizmi, “Por në këtë ditë Krishtlindjesh, ‘populli që eci në errësirë pa një dritë të madhe’ (Isaia 9:1) – drita që lehtëson frikën dhe frymëzon shpresën, duke pohuar sigurinë se Providenca nuk do ta braktisë kurrë Libanin dhe do ta kthejë edhe këtë hidhërim në diçka të mirë”, kështu shkruajti Françesku në letrën e Krishtlindjes.
Shtysa e Françeskut “visit Lebanon as soon as possible” nuk u përmbush, por kjo është realizuar më herët nga Pali VI më 1964; Gjon Pali II më 1997; Benedikti XVI në 2012 dhe tani nga Leoni XVI në 2025.
Ky shtegtim drejt Turqisë dhe Libanit nuk është i rastësishëm, as tani që po zhvillohet nga Papa Leoni, e as nga pontifët e mëhershëm.
Slogani me të cilin është nisur Leoni XIV tregon shumë:
One God, one faith, one baptism
Efesianëve 4, 5-6
Nuk është e çuditshme që Papa merr një moto të tillë dhe e dërgon drejt Libanit, vetë Ati i Shenjtë duke qenë augustinian e ka të përbrendësuar këtë doktrinë, edhe stema e tij episkopale ka të vendosur moton “In Illo uno unum”, që i përket njërit prej predikimeve të Shën Augustinit mbi Psalmin 128, ku ai thotë: ““Lum të gjithë ata që i frikësohen Zotit dhe ecin në rrugët e Tij” (Psalmi 128:1). Ai u flet shumë njerëzve; por meqenëse këta shumë janë një në Krishtin, në fjalët e mëposhtme ai (psalmisti) flet në njëjës: “Sepse do të hani nga mundi i fryteve tuaja”… Kur flas për të krishterët në shumës, kuptoj një në Krishtin e Vetëm. Prandaj, ju jeni shumë dhe jeni një; ne jemi shumë dhe jemi një. Si jemi shumë dhe megjithatë një? Sepse i përmbahemi Atij, gjymtyrët e të cilit jemi; dhe meqenëse Koka jonë është në qiell, që gjymtyrët e Tij të mund të na ndjekin.” – (Predikim i Shën Augustinit)
Së këndejmi, ndoshta është bërë e qartë që të gjitha këto “rrugë” qojnë drejt unitetit, njeriu kështu nuk është qenie e vetmuar, por qenie-në-marrëdhënie; marrëdhënia më e thellë që ai ka, është ajo me Krishtin, në kuptimin teologjik njeriu kështu së pari individ, hyn në një komunitet, por në këtë komunitet ai si individ nuk zhduket, përkundrazi e gjen identitetin e vërtetë.
Uniteti për të cilin flet Augustini, na e kujton Koncilin e Nikesë, Kisha si Trupi i Krishtit nuk është metaforë sociologjike por realitet ontologjik: Kisha është një, sepse Krishti është Një;, ky koncil gjërësisht njihet për vendosjen e themeleve të besimit të krishterë nga ku ka dalur edhe “Besojma”, që është dogma themelore trinitare, e cila vendos që Biri është i një substance (consubstantial) me Atin, pra ka barazi ontologjike me Zotin.
Kështu pas Koncilit të Jeruzalemit, Koncili i Nikesë i vitit 325, shënon një kalim për krishtërimin, nga një religjion i përndjekur në një religjion i cili fillon të strukturohet duke ngritur edhe themelet e strukturës administrative të kishës qoftë marrëdhëniet mes dioqezave, jetën e klerikëve, praktikën e koncileve ekumenike, marrëdhëniet Kishë-Shtet e me radhë.
Një rikujtim i Koncilit të Nikesë sot, dhe vizitës së Leonit pikërisht në 1700 vjetorin e mbajtjes së tij, lutja së bashku me Patriarkun Ekumenik Bartolomeun, udhëheqësi i ortodokësve në mbarë botën, shënon një kthesë në histori: një unitet të Lindjes dhe Përëndimit, ky takim është kthimi te ajo që Augustini e quan “kthimi te Koka”, një kthim te qendra që bashkon gjymtyrët e Tij, të ndara prej shekujsh.






