Kisha në Lëvizje: Ngjarjet kryesore që shënjuan 2025

9 Min Lexim
Deklaratë: Të gjithë artikujt dhe reflektimet e botuara në Via Veritatis paraqesin pikëpamjet personale të autorëve. Ato nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të asnjë institucioni fetar.

Viti 2025 tregoi një Kishë që nuk qëndron e palëvizshme, por ecën drejt njerëzve, duke u përballur me sfidat e botës bashkëkohore me dashuri, shpresë dhe kurajo. ngjarjet e këtij viti shprehin një Kishë në lëvizje, të hapur për dialog, edukim dhe shenjtëri. Çdo hap i saj na kujton se besimtarët janë thirrur të jenë dritë dhe shpresë në një botë të pasigurt dhe të ndriçojnë me shembullin e tyre dashurinë dhe besimin në Ungjill.

Vdekja e Papa Françeskut

Papa Françesku e filloi pontifikatin e tij më 13 mars 2013 dhe e mbajti kryqin e tij deri në vdekje! Në mëngjesin e të hënës së Pashkës, më 21 prill 2025 Vatikani njoftoi që Françesku është kthyer në shtëpinë e Atit! Kjo shënoi fundin e një pontifikati që kishte vënë në krizë shumë gjëra që Kisha i kishte si të sigurta: një papë që e zhvendosi qendrën e Kishës drejt periferive, që foli më shumë për mëshirë dhe dashuri sidomos ndaj të varfërve, sesa për rregull dhe dogma.

Konklava dhe zgjedhja e Papa Leonit XIV

Konklava filloi më 7 maj dhe do të hyjë në histori ndoshta si një ndër konklavat më të shpejta! Kardinali Robert Francis Prevost më 8 maj u zgjedh pasues i ri i Shën Pjetrit nga 180 kardinaj, në raundin e katërt të votimeve. Ndërsa mesha e inaugurimit u mbajt më 18 maj.

Anëtar i Urdhrit të Shën Augustinit, Prevost formimin e tij akademik e kishte të pasur sidomos në matematikë dhe të drejtën kanonike duke bërë të ditur që mendja tij udhëhiqet nga parimet sistematike dhe juridike por shërbimi i tij si Prefekt i Dikasterit për Ipeshkvinj e ka bërë njohës të thellë të Kurisë Romake dhe dinamikave të qeverisjes kishtare. Zgjedhja e emrit Leoni XIV është kthesë tek Leoni XIII, autori i enciklikës së njohur “Rerum Novarum” dokument i cili hapi kapitullin e parë të Doktrinës Shoqërore të Kishës. Kjo zgjedhje e emrit sinjalizoi një pontifikat të ndjeshëm ndaj çështjeve sociale, drejtësisë dhe dinjitetit njerëzor, në dialog me sfidat bashkëkohore.

Viti i Shenjtë Jubilar “Shtegtarë të Shpresës”

Viti i Shenjtë Jubilar është traditë e kahmotshme e Kishës Katolike që shpallët çdo 25 vjet si kohë hiri, faljeje dhe ripërtrirjeje shpirtërore. I nisur zyrtarisht nga Papa Françesku me hapjen e Portës së Shenjtë të Bazilikës së Shën Pjetrit më 24 dhjetor 2024, Jubileu vazhdoi gjatë gjithë vitit 2025 (mbi të cilin do ta kemi një artikull të veçantë) për tu përmbyllur më 6 janar 2026, në solemnitetin e Epifanisë së Zotit. “Shtegtarë të Shpresës” siç thekson Bulla e Shpalljes së Jubileut nga Françesku, shpresa nuk kuptohet si optimizëm i lehtë por si qëndresë shpirtërore përballë një bote të plagosur.

Jubileu i Rinisë

Rreth një milion të rinj nga e gjithë bota vërshuan në rrugët e Qytetit të Amshuar – Romës – për Jubileun e Rinisë, nga data 28 korrik deri më 3 gusht. Bashkëndarje, lutje, shpresë, lodhje, të qeshura, lot, miqësi të reja, njohje dhe përvoja të reja: kjo ishte dinamika që shoqëroi çdo të ri për gjashtë ditë radhazi, mes tyre edhe të rinj nga Kosova dhe Shqipëria.

Më 2 gusht, Leoni XIV iu bashkua këtij shtegtimi të jashtëzakonshëm njerëzor dhe shpirtëror në vigjiljen e takimit në Tor Vergata, ku mbarti Kryqin e Jubileut të Shpresës dhe u bashkua me të rinjtë në Adhurimin e të Shenjtërueshmit Sakrament. Ky gjest nuk ishte thjesht simbolik, por një shenjë e qartë se shpresa e Kishës ecën bashkë me rininë, në heshtje, lutje dhe përgjegjësi.

Shtegtimi i të rinjve, fizik dhe simbolik, shpreh një antropologji biblike sipas së cilës njeriu nuk është i rrënjosur përfundimisht në status quo, por është gjithmonë në ecje, i thirrur të dalë nga vetvetja dhe të kërkojë kuptim përtej rehatisë. Në këtë kuptim, Jubileu i Rinisë nuk ishte një arratisje nga realiteti, por një përballje e vetëdijshme me të, e ndriçuar nga shpresa që buron nga feja dhe nga bashkësia.

Ky shtegtim u përmbyll më 3 gusht, më kremtimin e Meshës nga Papa Leoni XIV.

Kanonizimi i Carlo Acutis dhe Pier Giorgio Frassati

Më 7 shtator 2025, Carlo Acustis dhe Pier Giorgio Frassati u shpallën shenjtorë në Sheshin e Shën Pjetrit nga Papa Leoni XIV. Përmes këtyre dy figurave të dashura sidomos për të rinjtë, Kisha kujton se çdo besimtar është i thirrur të jetë i shenjtë. Shenjtërimi i tyre tregon se jeta e zakonshme mund të bëhet vepër dashurie dhe besimi dhe se shenjtëria është e arritshme për secilin prej nesh.

Dokumenti i parë papnor i Leonit XIV

‘Dilexi te’ është nxitja e parë apostolike e Leonit XIV e firmosur më 4 tetor 2025 dhe e botuar më 9 tetor të atij viti. Kjo nxitje apostolike lindi si nevojë për një Kishë që po përballët me sfida të brendshme dhe globale përfshi këtu pabarazitë e thella ekonomike, krizat e besueshmërisë në institucione e me radhë. Dilexi te na vjen si shtysë që dashuria të jetë primare dhe aktive, si identitet i vetë Kishës duke vendosur në qendër nevojën për vemendje të vazhdueshme ndaj më të varfërve jo vetëm si akt bamirësie por si detyrë etike dhe shpirtërore. Kështu, ky dokument, shfaq një vizion antropologjik të njeriut si qenie-në-marrëdhënie; ku dashuria është arsye dhe metodë e ekzistencës.

Newman: Doktori i ri i Kishës

Papa Leoni XIV më 1 nëntor 2025, shpalli Shën John Henry Newman si Doktorin e ri të Kishës duke u bërë figura e 38-të dhe e pesta nga Londra me këtë titull. Ai u cilësua nga Leoni XIV si mjeshtër i “teorisë dhe praktikës së edukimit” dhe model për t’i dhënë botës dritën e besimit dhe udhëzimit shpirtëror. Newman (1801-1890) ishte teolog, filozof, historian dhe poet anglez. Fillimisht prift anglikan dhe udhëheqës i Lëvizjes Oxfrod që synonte rikthimin e Kishës së Anglisë tek tradita katolike, pastaj u konvertua në Kishën Katolike Romake më 1845 dhe u bë frymëzim për besimtarët dhe edukatorët.

Shtegtimi i parë apostolik i Leonit XIV në Turqi dhe Liban

Nga 27 nëntori deri më 2 dhjetor 2025, Papa Leo XIV realizoi shtegtimin e tij të parë ndërkombëtar në Turqi dhe Liban, duke takuar figura politike dhe religjioze, besimtarë dhe komunitete të zakonshme, si dhe duke përkujtuar Koncilin e Nikesë. Ky udhëtim ishte më shumë se një vizitë ceremoniale: ai e tregoi Kishën si udhëheqëse e dialogut, simbol shprese dhe aktore e paqes ndërkulturore. Për rëndësinë e kësaj vizite lexoni artikullin e ViaVeritatis:  “Papa Leoni XIV drejt gjurmëve të krishtërimit të hershëm” dhe “‘Mos druaj, o grigjë e vogël’: Mesazhi i fuqishëm i Papës në zemër të Turqisë” në këto linqe:

https://viaveritatis.info/mos-druaj-o-grigje-e-vogel-mesazhi-i-fuqishem-i-papes-ne-zemer-te-turqise/

https://viaveritatis.info/papa-leoni-xiv-drejt-gjurmeve-te-krishterimit-te-hershem/

Përsekutimi i besimtarëve dhe misionarëve të krishterë

Në vitin 2025, në mbarë botën, janë vrarë 17 persona mes meshtarëve, rregulltareve, seminaristëve dhe laikëve, tregon Vatican Neës. Afrika regjistroi numrin më të lartë, ndërsa humbje u panë edhe në Amerikë, Azi dhe Evropë. Nga viti 2000 deri në 2025, 626 misionarë dhe besimtarë katolikë janë vrarë në mënyrë të dhunshme, shpesh si pasojë e luftërave, krizave dhe varfërisë. Skenari më i përgjakshëm ishte ai në Nigeri ku u vranë tre priftërinjë dhe dy seminaristë.

Siç ka theksuar Papa Leo XIV, këta janë dëshmitarë të Ungjillit, që përhapin dashurinë jo me forcë, por me përkushtim, duke sfiduar dhunën dhe padrejtësinë me besnikëri dhe kurajo.

Lexoni këtë artikull të ViaVeritatis për t’u njohur më mirë me gjendjen në Nigeri: “Nigeria: të krishterët nën pushtetin e frikës”:

https://viaveritatis.info/nigeria-te-krishteret-nen-pushtetin-e-frikes/

Këto janë disa nga ngjarjet kryesore që e kanë karakterizuar Kishën Universale përgjatë vitit 2025!

Share This Article
1 Koment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *