Tregu i Krishtlindjeve: Nga rrënjët e Evropës, te devijimi kulturor në Kosovë

4 Min Lexim
Deklaratë: Të gjithë artikujt dhe reflektimet e botuara në Via Veritatis paraqesin pikëpamjet personale të autorëve. Ato nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të asnjë institucioni fetar.

Tregu i Krishtlindjeve, origjina e tij, është një traditë e vjetër që lindi në qytetet gjermane të mesjetës së vonë. Fillimisht shërbente si një hapësirë e qetë, e ngrohtë dhe e përmbajtur ku qytetarët përgatiteshin për festën, blinin ushqime sezonale, artizanate dhe krijonin një atmosferë reflektimi para kërshëndellave. Me kalimin e kohës, kjo traditë u përhap në tërë Evropën dhe më tej në botë, duke u kthyer në një simbol të dritave, aromave, shijes së dimrit dhe magjisë së Krishtlindjes.

Ky koncept ka hyrë së fundmi edhe në Kosovë si fenomen i ri, por trajektorja që mori shpesh largohet nga thelbi. Në vend të qetësisë festive, jo rrallë dominon muzika me volum shumë të lartë përtej të gjitha standardeve, tonalitetet tallava dhe një atmosferë që zbeh idenë e tregut si vend i harmonisë. Në shumë raste, dinamika e tregut shndërrohet në një zgjatim të kulturës së zhurmës, një shfaqje e konsumit pa ndonjë lidhje me esencën e saj. Ky devijim nuk është thjesht një fenomen estetik apo organizativ, ai prek një çështje më të thellë, raportin e Kosovës me vlerat e veta kulturore dhe me traditat perëndimore që tenton t’i adoptojë.

Përgjatë shekujve, shqiptarët kanë kaluar nëpër sundime që kanë lënë gjurmë të thella në identitet. Sundimi osman pesëshekullor ndikoi fuqishëm në mendësine e shqiptarëve, duke zbehur elementet autoktone kulturore, ku shumë rituale të vjetra nuk arritën të ruhen, e të tjera u përzien me elemente lindore.

Më vonë, koha e Jugosllavisë solli një shtresë të re transformimesh. Shën Nikolla, figura tradicionale krishtere, një ipeshkv bujar që gëzonte fëmijët, u spostua nga narrativi shtetëror dhe u zëvendësua me figurën sllave të Babadimrit (Deda Mraz). Kjo jo vetëm që ndryshoi simbolikën, por zhvendosi qasjen ndaj festës duke e shkëputur nga rrënja e saj fetare dhe autentike për ta futur në një kornizë ideologjike, ku festa i shërbente propagandës e aspak shpirtit të Krishtlindjes.

Në këtë sfond historik, ndër vite janë humbur pjesë të rëndësishme të kulturës krishtere që dikur ishte e pranishme, janë zbehur traditat e vjetra, ushqimet karakteristike dhe ritet simbolike. Prandaj, nuk është e çuditshme që sot, kur tentojmë t’i përqafojmë traditat moderne evropiane, shpesh i adoptojmë ato vetëm në pamje të jashtme, pa arritur të kuptojmë thelbin e tyre.

Rezultati është një lloj mimikrie kulturore, një fuzion i çuditshëm dekore perëndimore të kombinuara me kaosin tipik turbofolk, me zhurmë dhe mungesë estetike. Në vend të ruajtjes së rrënjëve, kemi krijuar një mozaik që nuk i ngjan as njërës palë e as tjetrës, përdorim i vlerave perëndimore sa për sy e faqe, por i veshur me një kaos lindor.

Pyetja që shtrohet është e thjeshtë: a duam të kemi një tradite që respekton rrënjët e veta dhe sjell qetësi, shije, artizanate dhe kuptim, apo duam vetëm një dekor sfondesh për fotografi dhe një zhurmë kolektive pa substancë?! Sfida nuk qëndron te marrja e një tradite të huaj, por te aftësia për ta kuptuar atë dhe për ta sjellë brenda frymës së vërtetë të festës.

Rrugët e qyteteve tona mund të jenë po aq të bukura sa ato të Evropës, por vetëm nëse i japim kuptim dritave e jo intensitet dhe decibel jashtë çdo norme. Ndoshta është koha të bëjmë thirrje që të rikthehemi te vlerat që kemi humbur, te qetësia, te tradita dhe te ngrohtësia njerëzore që e bëjnë kërshëndellën një moment të veçantë. Pa këtë element, çdo treg, pavarësisht dekorit, mbetet vetem një skenë pa thirrjen e vërtetë të saj.

Artan Kastrati

është jurist dhe kitarist shqiptar nga Gjakova, i dalluar për aftësinë dhe ndjeshmërinë artistike dhe qasjen intelektuale ndaj muzikës. Paralelisht me profesionin e tij në fushën e së drejtës, ai ka kultivuar prej vitesh pasionin për kitarën, duke u përqendruar në interpretim dhe krijim muzikor me thellësi emocionale.

TAGGED:
Share This Article
Pa Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *