“Zoti merr jetën apo t’vret” asht blasfemi e veshun me devocion

“Kur themi se ‘Zoti merr jetën’, nuk po flasim për Zotin e Ungjillit, por për nji idhull frike që e kemi ndërtue vetë. Zoti sipas Krishtërimit nuk asht autor i vdekjes, sepse njeriu nuk u kriju për me vdekë, por për me jetu në përjetësi. Vdekja hyn si pasojë e shkëputjes nga Jeta, jo si vullnet hyjnor. Prandaj, çdo fe që e paraqet Zotin si vrastar nuk predikon të vërtetën, rrugën dhe jetën, por blasfeminë e veshun me gjuhë devocioni.”

8 Min Lexim
Deklaratë: Të gjithë artikujt dhe reflektimet e botuara në Via Veritatis paraqesin pikëpamjet personale të autorëve. Ato nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të asnjë institucioni fetar.

Keqpërdorimi i emnit të Zotit asht ba nji plagë e heshtun në diskursin fetar. Sot dëgjon pa pushim klerikë e njerëz që thonë: “Zoti merr jetën”, “Zoti vret”, “Zoti e deshti kështu”, “Zoti t’vraftë”. Këto nuk janë thjesht shprehje naive, as produkte folklori apo zakoni gjuhësor. Këto janë formula që bartin mbrenda nji vizion të deformuem të Hyjit. Në thelb, këtu kemi të bajmë me nji shtrembërim të randë teologjik, mbi të gjitha me nji blasfemi që maskohet me devocion. Sepse në momentin që Zoti paraqitet si burim i vdekjes, i dhunës dhe i fatkeqësisë, Ai pushon me kenë Zoti i zbulesës së krishterë dhe shndërrohet në nji idhull frike. E kjo nuk asht rastësi, kështu shpaloset asht logjika e së keqes, që gjithmonë ka synue me e përmbysë figurën e Zotit, tue e paraqitë si armik të njeriut.

Shkrimi i Shenjtë flet ndryshe, dhe flet qartë. “…sepse Hyji nuk e krijoi vdekjen dhe nuk i gëzohet humbjes së të gjallëve.” (Urt 1,13). Kjo fjali asht nji bosht hermeneutik. Ajo nuk rrëzon vetëm retorikën fetare të frikës, por edhe leximin primitiv të historisë biblike, ku njeriu, në mënyrë të vazhdueshme, i ka atribuu Zotit fitore lufte, dhunë, shkatërrim, sikur Hyji të ishte nji projektim i instinkteve ma të errëta njerëzore. Me ia veshë Zotit vdekjen do me thanë me e mohue zbulesën e Tij dhe, në mënyrë të heshtun, me e zhveshë Ungjillin prej thelbit.

Njeriu u krijue për përjetësi. Nuk asht nji ide poetike, por themeli ontologjik i teologjisë së krishtenë. Po këtu fillon tradita judeo-kristiane, njeriu si qenie e thirrun për marrëdhënie, për bashkë-ekzistim me Zotin. “Hyji krijoi njeriun në përngjasimin e vet, e krijoi në përngjasimin e Hyjit; i krijoi mashkull e femër.” (Zan 1,27). Dhe imazhi i Zotit nuk asht i përkohshëm, as i destinuem për prishje. Me thanë që njeriu u kriju për vdekje asht nji kundërthanie në terma, do me thanë që Zoti krijon diçka për me e zhdukë. Por drama hyn aty ku njeriu shkëputet nga Burimi. Shën Pali e shpjegon këtë jo thjesht si moral, por si ngjarje ekzistenciale: “Sikurse me anë të një njeriu mëkati hyri në botë e, me anë të mëkatit, vdekja, dhe kështu vdekja kaloi në të gjithë njerëzit, sepse të gjithë njerëzit mëkatuan” (Rom 5,12). Mëkati këtu nuk asht thjesht shkelje ligji, por prishje marrëdhënieje, nji çarje ontologjike e cila e solli nji pasojë që ishta Vdekja. Kur njeriu del prej Jetës, vdekja hyn si pasojë, jo si vullnet hyjnor.

Këtë e ka theksue fuqishëm Shën Gjon Pali II që Vdekja nuk i përket planit origjinal të Zotit mbi njeriun (krh. Evangelium Vitae, 3). Kur vdekja normalizohet, kur justifikohet teologjikisht, kemi kalu nga Ungjilli në atë që ai e quante “kultura e vdekjes”. Prandaj duhet thanë pa ekuivoke, kur predikohet Zoti si autor i vdekjes, nuk predikohet më krishterimi e as e vërteta. Mund të jetë fe, moral, ideologji, por nuk asht Ungjill. Dhe kjo duhet thanë hapur, pa diplomaci të rreme.

Por historia nuk mbyllet te rënia. Dashnia e Zotit nuk qëndron në nivel abstrakto-spekulativ, ajo asht konkrete, dhe bahet pjesë e kohës dhe hapësirës. “Fjala u ba mish dhe banoi ndër ne” (Gjn 1,14). Kjo fjali asht skandali i krishterimit. Zoti nuk e shpjegon vdekjen nga larg, por hyn në trup, në kohë, në dhimbje. Jo për me e justifikue vdekjen, por për me e shkatërrue atë nga brenda. “Unë erdha që delet ta kenë jetën e ta kenë me plotësi. (Gjn 10,10). Kjo asht deklaratë ontologjike, jo metaforë etiko-morale, e cila tregon që ky bari ka ardhur jo vetëm për të shpëtuar delet por që ta jep jetën e vet për to. Kryqi nuk asht akt dhune hyjnore, por momenti ku dhuna njerëzore zbulohet në gjithë absurditetin e saj dhe mposhtet nga dashnia e përjetshme Hyjnore. Siç thotë Shën Pali: “Armiku i fundit që do të asgjësohet, do jetë vdekja” (1 Kor 15,26).

Benedikti XVI në Spe Salvi e shpjegon me thellësi këtë mister duke e thënë që Krishti nuk e shpjegon dhimbjen nga jashtë, por e merr mbi vete, dhe kështu e shndërron. Për Benediktin, krishterimi nuk asht teori për vdekjen, por shpresë konkrete që lind prej Ringjalljes. Pa Ringjallje, feja do të ishte bosh. Por “fakti që Krishti u ringjall, atëherë vdekja nuk e ka ma fjalën e fundit”, kjo asht logjika e Ungjillit.

Në këtë dritë duhet kuptue edhe pagëzimi. Jo si simbol identitar, as si rit komunitar, por si akt real hyrjeje në jetë. “kush nuk lind me anë të ujit e të Shpirtit, nuk mund të hyjë në Mbretërinë e Hyjit.” (Gjn 3,5). Pagëzimi asht rikthim në boshtin e jetës, pjesëmarrje konkrete në fitoren e Krishtit mbi vdekjen: “Me anë të pagëzimit, pra, bashkë me Të jemi varrosur në vdekje që, sikurse Krishti u ngjall në lavdinë e Atit prej të vdekurve, po ashtu edhe ne të jetojmë në jetën e re.” (Rom 6,4) dhe vulose epifania e transformim ontologjik.

Prandaj, kur sot dëgjojmë gjuhë fetare që e paraqet Zotin si vrastar, duhet me pas guximin me thanë që kjo nuk asht e vërteta. Kjo nuk asht fe e shpresës dhe e dashurisë. Kjo nuk asht fe e krishterë. Kjo asht frikë e veshun me fjalë fetare. Kjo asht blasfemi.

Në kulturën e vdekjes, Zoti reduktohet në nji ide të dobishme për me justifikue humbjen, dhunën dhe fatalizmin. Aty Zoti tolerohet vetëm si nji “dashuri abstrakte” që thuhet se shpëton, por që në fakt lihet pa fuqi reale për me e mposhtë vdekjen. Në këtë kulturë, Zoti pranohet sa kohë që nuk trazon rendin e frikës dhe të nënshtrimit. Por në kulturën e jetës, e cila ishte dhe asht akoma tabu, Zoti nuk asht koncept, as arsyetim moral, as shprehje ngushëlluese, Ai asht Rruga, e Vërteta dhe Jeta (Gjn 14,6). Ky trinom nuk asht simbolike, por real, ontologjike, që hyn në histori, e mposht vdekjen dhe ia hap njeriut rrugën për përjetësi. 

Kultura e vdekjes ka nevojë për nji zot që shpjegon pse vdesim; kultura e jetës njeh Zotin që e asgjëson vdekjen. E këtu ndahet feja nga Ungjilli, frika nga shpresa, blasfemia nga e vërteta. Zoti i Krishtit nuk merret me vdekjen, Ai e zhduk atë. Dhe aty ku Ai keqpërdoret për me legjitimu errësinë, njeriu humb jo vetëm besimin, por humb vetë kuptimin e ekzistencës.

P.s

Nëse mendon që “Zoti t’vret” asht e vërtetë, atëherë përveç rrëfimit, të duhet edhe me i hy katekizmit nga fillimi.

Engjell Gjugja

 është publicist dhe shkrimtar shqiptar nga Kosova, me veprimtari publike në hapësirën shqiptare dhe në diasporë. Ai është i angazhuar në publicistikë filozofike, teologjike dhe kulturore, ku trajton në mënyrë kritike çështje që lidhen me fenë, demokracinë, kujtesën historike.

Share This Article
Pa Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *