Hap Facebook-un dhe sheh nji flamur kombëtar, për të cilin kanë derdhë gjak shqiptarë në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi, të lidhun në qafën e nji qeni.
Dhe thu me vet, po, e larmishme protesta.
Por nëse ndalemi vetëm në anen e dukshme, humbim thelbin. Sepse forma, sado e bukur, apo sado e çuditshme, sado fyese apo sado banale të duket, nuk e shpjegon vetë dhimbjen që e ka nxjerrë njeriun në shesh.
Çdo qytetar që del në protestë për nji padrejtësi reale ka të drejtë jo vetëm me protestu por me u rrevoltu në çado lloj niveli. Protesta, kur buron prej dhimbjes, zemërimit dhe pamundësisë, nuk ka detyrim me kenë elegante. Nuk ka detyrim me i pëlqy salloneve politike. Nuk ka detyrim me u dukë e bukur në ekran. Nganjëherë mendoj që në këtë protestë duhet me sjellë traktor me fekale dhe me e ly fasadën e qeverisë veç për ti tregu nivelin dhe gjendjën reale të shtetit.
Megjithatë, nuk du me e lexu këtë fenomen vetëm në sipërfaqe. Nuk du me u ndalë vetëm te flamuri, te qeni, te simboli, te zemërimi i momentit, nji projekt i caktum, Rrjolli apo Zvërrneci. Ajo që më intereson ma shumë asht baza prej nga po dalin krejt këto halle.
Në shesh nuk del vetëm nji kategori njerëzish. Dalin identitete të ndryshme politike, sociale, kulturore, fetare e qytetare. Secili del me hallin e vet. Dikush për pronën. Dikush për bukën. Dikush për dinjitetin. Dikush për padrejtësinë. Dikush për faktin se shteti i duket si mur, jo si derë. Dikush për ekologjinë.
Prandaj duhet me e tejkalu pyetjen se pse po vazhdojnë e dalin këta njerëz edhe sot?
Por ajo që po e shtroj asht ma thellë, çfarë sistemi i ka grumbullu kaq shumë padrejtësi, sa qytetari të mos ketë më besim te rruga normale institucionale?
Këtu du me u nisë prej nji ideje të madhe të Hannah Arendt-it, prej asaj që ajo e quajti banaliteti i së keqes. Jo për me barazu korrupsionin me krimet makabre që analizonte ajo. Jo. Por për me marrë prej saj nji çelës leximi që e keqja moderne nuk shfaqet gjithmonë me fytyrë përbindëshi. Shpesh shfaqet me fytyrë normale. Me njeri të zakonshëm. Me zyrtar të rregullt. Me gjuhë procedure. Me firmë. Me vulë. Me raport. Me urdhër. Me fjali të ftohta si “unë vetëm detyrën bëra.”
Kjo asht pika ku e keqja bëhet edhe ma e rrezikshme. Jo kur duket si krim, por kur duket si normalitet.
Dhe taman këtu futet banaliteti i korrupsionit.
Mos ta mendojmë korrupsionin si nji zarf me lek nën tavolinë. Nuk janë aq budallenj. Korrupsioni i vërtetë asht sofistiku. Ai nuk ec gjithmonë natën. Shpesh del ditën, i veshun mirë, me kostum ligjor, me fjalë të bukura, me prezantim publik, me tituj si zhvillim, modernizim, inovacion, investim strategjik, transformim urban, partneritet publik-privat.
Ai prodhon letra. Prodhon procedura. Prodhon komisione. Prodhon vendime. Prodhon justifikime juridike. Prodhon raporte teknike. Prodhon ekspertë. Prodhon media që e shpjegojnë si sukses.
Dhe mandej, kur qytetari reagon, i thuhet fjalia klasike…
“Nëse ke fakte, denonco.”
Këtu mbyllet qarku.
Sepse faktet janë brenda sistemit. Dokumentet janë brenda sistemit. Aksesi asht brenda sistemit. Kontrolli asht brenda sistemit. Ai që duhet me hetu shpesh varet prej atij që duhet me u hetu. Ai që duhet me folë ka frikë. Ai që ka akses ka interes. Ai që denoncon izolohet. Ai që hesht shpërblehet.
Qytetarit i kërkohet me provu nji padrejtësi që vetë sistemi e ka veshë me ligj.
Kjo asht pjesa ma e frikshme… jo kur abuzimi duket si abuzim, por kur abuzimi duket si dosje e rregullt. E kopsitun bukur. Me procesverbal. Me fond limit. Me operator fitues. Me komision vlerësimi. Me relacion juridik. Me firmë. Me vulë.
Në fund, padrejtësia del e ligjshme.
Për mua, thelbi i krizës është diçka ma e madhe përtej qeverisë, ministrave, etj., asht ma e shpërndame, ma e thellë. Unë këtë trup kam qejf me e quajtë “Qeveriu”.
Me “Qeveriu” kam parasysh nji trup të tërë politik, administrativ, ekonomik, juridik, mediatik dhe klientelist që funksionon përmes varësisë.
Politika jep drejtimin dhe %. Administrata e kthen në procedurë. Juristët e mbulojnë me formulim ligjor. Komisionet i japin pamje teknike. Bashkitë dhe drejtoritë e fusin në zbatim. Biznesi përfitues e pret kontratën. Media e afërt e quan “zhvillim”. Analisti i pagum e shpjegon si domosdoshmëri. Qytetari mbetet përballë nji muri letrash.
Pastaj mungon serumi në spital, por nuk mungon tenderi për strategji shëndetësore. Shkolla nuk ka ngrohje, por ka projekt për transformim digjital. Rruga inaugurohet me kamera, por çahet pas shiut të parë. Bashkia mbjell palma, por qytetari nuk gjen çerdhe për fëmijën. Institucioni hap tender për transparencë, por kontrata nuk kuptohet prej askujt. Komisioni vlerëson ofertën, por kriteret janë shkru fix për fituesin. Media flet për zhvillim, por nuk pyet kush e mori tokën, kush e firmosi lejen, kush përfitoi prej projektit dhe pse qytetari doli jashtë loje.
… kur qytetari ankohet, përgjigjja është gjithmonë e njëjtë “Procedura është ndjekë.”
Kjo asht formula ma e rrezikshme e nji shteti të kapun… kur procedura nuk shërben ma për drejtësi, por për mbulim.
Këtu korrupsioni nuk mund të sintetizohet vetëm vjedhje asht strategji sundimi.
Sepse nëse korrupsionin e kuptojmë vetëm si lek të vjedhuna, atëherë nuk e kemi kuptu deri në fund. Leku asht vetëm nji pjesë. Qëllimi ma i thellë asht varësia.
Vend pune. Tender. Leje. Favor. Heshtje. Moskontroll. Nji raport i butë. Nji firmë e shtyme. Nji gjobë e selektume. Nji dosje e zhdukme në sirtar. Nji biznes që mbijeton vetëm nëse nuk flet. Nji media që e di se reklama publike i vjen vetëm nëse nuk prek aty ku dhemb. Nji nëpunës që e di se karriera i varet prej bindjes. Nji qytetar që e di se halli i zgjidhet vetëm nëse njeh dikë.
Kështu ndërtohet korrupsioni si sistem varësie.
Jo të gjithë firmosin vjedhje. Jo të gjithë urdhërojnë abuzim. Por secili mban nga nji hallkë. Njëri hesht. Njëri firmos. Njëri vonon. Njëri zbukuron raportin. Njëri ban sikur nuk sheh. Njëri e kthen në lajm pozitiv. Njëri e quan sulm politik. Njëri e mbyll dosjen. Njëri pret shpërblimin.
Në fund, askush nuk ndihet fajtor, sepse secili ka bërë vetëm nji pjesë të vogël.
Ky asht banaliteti i korrupsionit. E keqja ndahet në aq shumë duar, sa secili thotë “unë vetëm punën time bana.”
Por kur të gjithë bajnë “vetëm punën e tyne” brenda nji sistemi të kalbun, padrejtësia del e pastër, e rregullt, e firmosun dhe e vulosun.
Rastet nuk kanë mungu. Inceneratorët, sterilizimi, tenderët, dosjet bashkiake, skandalet në shëndetësi, kontratat publike, lejet, koncesionet, bordet, drejtoritë, mediat që heshtin, drejtësia që vonon dhe qytetari që lodhet nuk janë thjesht episode të shkëputuna. Janë pjesë të së njëjtës hartë.
Çdo skandal del si shpërthim. Shoqëria tronditet për pak ditë. Pastaj fillojnë debatet televizive. Pastaj vijnë kundër-akuzat. Pastaj palët ndahen sipas partisë. Pastaj lodhja. Pastaj harresa. Pastaj nji skandal tjetër. Prapë e njëjta rrugë. Prapë tronditje. Prapë debat. Prapë lodhje. Prapë harresë.
Kështu krijohet anestezia morale.
Korrupsioni afatgjatë përveç që e shkatërron shoqninë tu i’a vjedh lekët, ma e keqja asht që i’a mpin nervin moral. Në fillim qytetari revoltohet. Pastaj pret drejtësi. Pastaj sheh që drejtësia vonon. Pastaj sheh që skandali zëvendësohet me nji skandal tjetër. Pastaj sheh që të njëjtët njerëz vazhdojnë me folë në emër të ligjit, shtetit dhe zhvillimit. Dhe pak nga pak, ai e humb besimin te reagimi i vet.
Nuk thotë ma “Kjo asht padrejtësi.” Thotë “Kështu ka kenë gjithmonë.” Nuk thotë ma “Duhet me u ndëshku.” Thotë “Të gjithë janë njësoj.”
Nuk thotë ma “Duhet me dalë kundër.” Thotë “S’ia vlen.”
Kjo “s’ia vlen” asht fitorja ma e madhe e sistemit të korruptu.
Na e dijmë që sistemi nuk ka nevojë që qytetari me e dashtë. I mjafton që qytetari të lodhet. I mjafton që qytetari të mos besojë ma. I mjafton që qytetari të thotë “çfarë të baj unë?” I mjafton që njeriu i ndershëm me u mbyll në shtëpi, ndërsa i panderëshmi të vazhdojë me firmosë apo të përfitojë.
Frika të mban zgjuar. Anestezia të fut në gjumë.
Shoqëria e frikësume mund të shpërthejë përkundrazi duhet me shpërthy. Shoqëri e mpime vetëm përshtatet, edhe në llumë!
Prandaj korrupsioni asht ma i rrezikshëm kur bahet normalitet. Kur njerëzit nuk tronditen ma. Kur thonë “hajt se dihet.” Kur lajmi për vjedhjen pritet me ironi, jo me zemërim. Kur skandali bahet pjesë e humorit të ditës. Kur qytetari qesh për mos me kja. Kur padrejtësia nuk duket ma si plagë, por si gja e zakonshme.
Korrupsioni vjedh lekun. Pastaj vjedh drejtësinë. Pastaj vjedh besimin. Pastaj vjedh reagimin. Në fund, vjedh edhe aftësinë e shoqërisë për m’u habitë prej së keqes.
Kjo asht anestezia.
Prandaj problemi nuk asht vetëm te kryet e Qeveriut. Problemi asht sidomos te trupi.
Kryet jep orientimin politik, por trupi e bën kapjen të përditshme. Sekretari i madh. Sekretari i vogël. Drejtori. Këshilltari. Shefi i sektorit. Juristi i institucionit. Komisioni i vlerësimit. Bordi. Inspektorati. Bashkia. Agjencia. Kontraktori. Nënkontraktori. Portali. Eksperti. Analisti. Janë tentakulat.
Dhe nëse mendojmë se korrupsioni rrëzohet vetëm duke rrëzu një figurë politike, ia kemi huqë.
Jo sepse figura politike nuk mban përgjegjësi. Përkundrazi. Figura politike mban përgjegjësi të madhe. Por nëse ikën vetëm koka dhe mbetet i njëjti trup, sistemi riprodhohet. Ndërrohet fasada, por jo mekanizmi. Ndërrohet emri, por jo varësia. Ndërrohet flamuri i zyrës, por jo mënyra si merret vendimi.
Prandaj kërkesa “Rama ik” mund të jetë instinktivisht e drejtë si kërkesë politike, por si diagnozë asht e pamjaftueshme.
Pyetja tjetër asht pak ma e vështirë…
Çfarë bëjmë me trupin administrativ që e ka mbajtë këtë sistem në këmbë për kaq vite?
Kush vendosi? Kush firmosi? Kush heshti? Kush përfitoi? Kush e hartoi procedurën? Kush e kontrolloi? Kush e anashkaloi kontrollin? Kush e shpalli të ligjshme atë që politikisht, publikisht dhe njerëzisht ishte e dyshimtë?
Pa këto pyetje, çdo ndryshim rrezikon të mbetet sipërfaqësor.
A mund të ndihmojë nji qeveri transitore?
Po, por vetëm pjesërisht.
Nji qeveri transitore mund të jetë si ndërprerës emergjence. Mund ta ulë tensionin. Mund të krijojë distancë mes partisë dhe shtetit. Mund të garantojë nji proces zgjedhor më të pastër. Mund të hapë nji dritare politike.
Por nuk e shëron vetë trupin e kontaminum.
Nëse ndërrohen vetëm ministrat, por mbeten të njejtit sekretar, të njëjtat drejtori, të njëjtat komisione, të njëjtat firma, të njëjtat varësi, të njëjtat kontrata, të njëjtat media të ushqyeme prej pushtetit dhe e njëjta administratë që ka mësu me i shërby jo shtetit, por partisë, atëherë nuk kemi ndryshim sistemi. Kemi vetëm ndërrim dekori.
Prandaj duhet çmontim i mekanizmit të varësisë.
Jo hakmarrje politike. Jo spastrim propagandistik. Jo zëvendësim militantësh me militantë të tjerë. Por hapje reale e trupit administrativ. Kontroll kontratash. Auditim tenderësh. Hetim pasurie. Transparencë mbi vendimmarrjen. Çlirim të institucioneve prej partisë. Fund të medias së ushqyeme nga paratë publike. Fund të biznesit që rritet vetëm pranë pushtetit. Fund të administratës që sillet si zyrë partie.
Kjo asht arsyeja pse protesta ka vlerë, edhe kur format e saj mund të diskutohen. Mendoj që protesta vlen shumë ma shumë kur e detyron shoqërinë me pa mirë e në detaj mekanizmin.
Nuk mjafton vetëm flamuri, parrulla, etj.
Spektakli të mban në sipërfaqe. Mekanizmi rri poshtë, i qetë, me letra në rregull.
“Qeveriu” e ka shpalosë vetë këtë logjikë… shteti trajtohet si pronë politike, ku kërkohet post, pushtet, rehati, imunitet, ambasadë, tender, leje, favor dhe heshtje. Pastaj krejt kjo shitet si normalitet.
Por normaliteti i një shteti të kapur është pikërisht sëmundja e tij. Korrupsioni ma i rrezikshëm nuk është ai që vjen natën me zarf. Asht ai që del ditën me kostumin e ligjit. Asht ai që të thotë: “procedura është ndjekë.” Asht ai që të kërkon fakte, ndërkohë që faktet i ka mbyllë vetë në sirtar. Asht ai që e ndan fajin në aq shumë zyra, sa në fund askush nuk mban përgjegjësi. Asht ai që nuk kërkon vetëm me vjedhë, por me kriju varësi. Dhe mbi të gjitha, asht ai që e lodh shoqërinë aq shumë, sa e keqja nuk duket ma si skandal, por si përditshmëri.
Prandaj sistemi duhet me u sulmu aty ku firma, vula dhe letra e kthejnë padrejtësinë në procedurë, në përditshmëri.
Sepse aty ku korrupsioni vesh kostumin e ligjit, beteja nuk asht vetëm politike.
Asht morale.

Engjell Gjugja
është publicist dhe shkrimtar shqiptar nga Kosova, me veprimtari publike në hapësirën shqiptare dhe në diasporë. Ai është i angazhuar në publicistikë filozofike, teologjike dhe kulturore, ku trajton në mënyrë kritike çështje që lidhen me fenë, demokracinë, kujtesën historike.





