Tallavaja si normë shoqërore

Kultura nuk është luks, ajo është themel i vetëdijes shoqërore. Kur ajo degradohet, degradohen edhe kriteret, edhe arsimi, edhe politika po ashtu. Kur antivlera bëhet normalitet, problemi nuk është më arti e muzika; problemi është shoqëria.

4 Min Lexim
Deklaratë: Të gjithë artikujt dhe reflektimet e botuara në Via Veritatis paraqesin pikëpamjet personale të autorëve. Ato nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të asnjë institucioni fetar.

Ishte fillimi i pasluftës, nëpër kafenetë e diasporës shqiptare në Gjermani, Zvicër e gjetkë, muzika tallava ishte kolona zanore e çdo mbrëmjeje. Këngëtarë anonim, të rrethuar nga tymi i duhanit dhe paratë në tavolinë, filluan të ëndërronin më shumë se sa muret e atyre lokaleve. Disa prej tyre e gjetën rrugën jo përmes cilësisë apo vlerës artistike, por përmes lidhjeve, ndikimit dhe parasë.

Redaktorët e muzikës në televizionin publik në Kosovë, në një kohë konfuzioni institucional dhe varfërie, u bënë porta hyrëse. Kështu, këngëtarët e kabareve të diasporës u shfaqën në programet festive, u bënë fytyra publike dhe fituan një legjitimitet që nuk do ta kishin kurrë në një sistem normal kulturor.

Prej aty, gjithçka rrodhi natyrshëm drejt degradimit. Programet festive, si ky i fundit i Vitit të Ri, që duhej të ishte një pasqyrë e shijes dhe identitetit kulturor, u shndërrua në spektakël zhurme pa vlerë, pa kurim artistik, pa hierarki vlerash, përveç “tralala” me ritme që shpojnë timpanin e veshit, refrene bosh dhe një garë kush e ul më shumë nivelin.

Normalizimi i muzikës tallava, i surles dhe timbrit arabesk në televizion sot nuk është më debat, është fakt. Problemi nuk është më ekzistenca e saj; ajo është bërë normë, duke shtypur çdo formë tjetër shprehjeje muzikore e artistike. Ajo dikur ishte periferi, sot është në qendër të shijes kolektive.

Televizionet tona nuk dallojnë më nga ato të margjinave bullgare apo të lindjes, pa pikë kulture, spektakël banal, antivlera, dhe ku alternativat nuk ekzistojnë, ndërsa publiku është kalitur me mediokritetin si standard. Ky degradim kulturor nuk ndodh në vakum; ai shkon paralel me degradimin arsimor. Kosova renditet zakonisht e fundit ose ndër të fundit në testin PISA. Kjo nuk është rastësi, një shoqëri që nuk lexon, që nuk edukohet estetikisht dhe që nuk zhvillon mendim kritik, e konsumon antivlerën pa rezistencë.

Në këtë kontekst shfaqet edhe mentaliteti i dasmës, ku çdo festë publike shndërrohet në “dajre oborri”. Nuk ka rëndësi rasti, simbolika apo mesazhi; rëndësi ka vetëm ritmi dhe zhurma. Para këtij mentaliteti janë dorëzuar edhe këngëtarë e artistë që dikur promovonin vlera që do t’ia kishte zili tërë bota e civilizuar. Tash i sheh duke u jargavitur për të fituar ndonjë ofertë dasme; tregu i masës i ka uniformuar.

A ka shpresë për këtë shoqëri? Po, por jo pa ndërhyrje serioze.
Shteti ka dështuar në politikat kulturore, investimi në kulturë është më se minimal, arsimi estetik pothuajse inekzistent, mediat publike nuk e ushtrojnë rolin e tyre formues, dhe lind pyetja legjitime nëse kjo gjendje i konvenon pushtetit. Një popull i dehur nga “surlja e kusija” nuk pyet shumë, nuk është kërkues dhe nuk bën pyetje të thella.

Kultura nuk është luks, ajo është themel i vetëdijes shoqërore. Kur ajo degradohet, degradohen edhe kriteret, edhe arsimi, edhe politika po ashtu. Kur antivlera bëhet normalitet, problemi nuk është më arti e muzika; problemi është shoqëria.

Artan Kastrati

është jurist dhe kitarist shqiptar nga Gjakova, i dalluar për aftësinë dhe ndjeshmërinë artistike dhe qasjen intelektuale ndaj muzikës. Paralelisht me profesionin e tij në fushën e së drejtës, ai ka kultivuar prej vitesh pasionin për kitarën, duke u përqendruar në interpretim dhe krijim muzikor me thellësi emocionale.

Share This Article
Pa Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *