“Διέλθωμεν δή ἕως Βηθλεὲμ καὶ ἴδωμεν… “Ejani, pra, të kalojmë deri në Betlehem dhe të shohim këtë fjalë që është bërë ngjarje”. Përmes kësaj fjalie, Ungjilli sipas Lukës i shkruar në gjuhen greke nuk shpreh thjesht një lëvizje fizike por bën thirrje për kalim. Barinjtë ftohen “të kalojnë” dhe të verifikojnë. Tradita kishtare në latinisht e ka përkthyer këtë si “trans-eamus” që ka kuptimin “të shkojmë përtej apo të kalojmë matanë” pra të shkojmë përtej qëndrimeve tona pasive dhe mënyrës së zakonshme të të menduarit.
“Të kalojmë” (διέλθωμεν) nuk nënkupton vetëm një zhvendosje të thjeshtë hapësinore. Ajo shënon një kalim të vetëdijshëm drejt realitetit, një dalje nga dëgjimi pasiv i fjalës drejt verifikimit të saj. Po aq domethënëse është edhe folja ἴδωμεν (të shikojmë) sepse Luka nuk përdor nocionin e soditjes teorike apo kontemplative, por të parit si akt dëshmie. Barinjtë nuk janë spektatorë që emocionohen përballë një ngjarjeje; ata hyjnë në realitetin e saj dhe bëhen dëshmitarë të asaj që u është shpallur.
Në këtë kuptim, “të parit” nuk është perceptim i thjeshtë shqisor dhe as përjetim sentimental, por akt racional i besimit, pra një verifikim i Fjalës së Zotit në histori. Besimi nuk lind nga distanca, por nga ky kalim drejt realitetit ku fjala e shpallur provohet si e vërtetë.
Kjo logjikë e kalimit është e njohur në gjithë traditën biblike. Nga kalimi i Detit të Kuq deri te vetë Pashka, e cila në thelb është kalim. Barinjtë, duke u nisur “me nxitim” drejt Betlehemit, hyjnë në këtë histori të kalimeve që formëson marrëdhënien midis Hyjit dhe njeriut. Simboli i barinjve nuk është thjesht përmbysje sociale, por kritikë e një konceptimi të Hyjit që e lidh të vërtetën me respektimin formal të praktikave dhe me pozicionin institucional. Ungjilli nuk e vendos Hyjin aty ku kontrollohet forma e jashtme e pastërtisë, por aty ku ekziston një hapje e brendshme ndaj Fjalës. Kjo logjikë shkon në vijë të drejtë me kritikat e Jezusit ndaj një feje që pastron “gotën nga jashtë”, ndërsa e lë të paprekur brendësinë.
Paradoksi qëndron në përplasjen midis pritshmërive njerëzore për Hyjin dhe mënyrës se si Hyji e shpalos veten. Njeriu priret të projektojë mbi Zotin atributet e forcës, dominimit dhe ndëshkimit; në Krishtin, përkundrazi, zbulohet një Hyj që hyn në historinë njerëzore jo për ta shtypur, por për ta shndërruar nga brenda. Këtu Mishërimi shfaqet si kritikë radikale e çdo teologjie që e identifikon Hyjin me pushtetin dhe autoritetin e dhunshëm.
Në këtë dritë, edhe “të parit” që u kërkohet barinjve nuk ka kuptim thjesht shqisor apo emocional. Ata ftohen të lëvizin, të dalin nga vendi i tyre dhe të hyjnë në realitetin e asaj që u është shpallur. Zbulesa nuk u jepet atyre që qëndrojnë në distancë teorike, por atyre që pranojnë të bëhen dëshmitarë përmes një akti konkret që është ajo e kalimit nga fjala e dëgjuar në verifikimin e saj në histori. Në këtë kuptim, Zoti nuk përkufizohet në mënyrë abstrakte, por njihet në takim.
Prandaj, Krishtlindja nuk shpall një Hyj selektiv që banon vetëm në margjina, por një Hyj që hyn në kushtet reale të njeriut, aty ku njeriu përballet me kufijtë, frikën dhe errësirën e vet. Lajmi i lindjes së Krishtit nuk përjashton askënd. Ai u bëhet i njohur edhe pushtetarëve, edhe dijetarëve që dinë të lexojnë shenjat e kohës. Ajo që i dallon njerëzit nuk është pozicioni i tyre në histori, por mënyra se si i përgjigjen zbulesës pra hapja që çon në adhurim, ose mbyllja që degjeneron në dhunë.
Teologjia e krishterë ndërtohet mbi dashurinë, afërsinë dhe dhurimin e vetvetes: barinjtë nuk thirren që të binden dhe të zbatojnë rituale legaliste të kohes, por që të shohin. E njëjta logjikë shfaqet edhe në Ungjillin sipas Gjonit, kur dy apostuj e pyesin Jezusin: “Mësues, ku banon?”; “Ejani e shihni” është përgjigja e Jezusit. (krh. Gjn 1: 38–39).
Thelbi i krishterimit është pikërisht ky takim me Zotin, që përmbys iluzionet e predikimet mbi pushtetin, dominimin dhe frikën. Dhe shpesh, hapësirat ku qëndrojnë njerëzit e margjinalizuar, ndonjëherë edhe të harruar nga vetë të krishterët: janë pikërisht ato hapësira ku zbulohet Zoti që është Dashuri (krh. 1 Gjn 4:8).
Barinjtë u nisën me nxitim drejt Betlehemit, na tregon Ungjilltari (krh. Lk 2:16). Një kureshtje e shenjtë i shtyu të shihnin këtë fëmijë të shtrirë në grazhd, për të cilin engjëlli kishte shpallur se ishte Shpëtimtari, Krishti, Zot.
Papa Benedikti XVI






