Fjalimi i Shën Nënë Terezës me rastin e pranimit të Çmimit Nobel për Paqe

19 Min Lexim
Deklaratë: Të gjithë artikujt dhe reflektimet e botuara në Via Veritatis paraqesin pikëpamjet personale të autorëve. Ato nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të asnjë institucioni fetar.

Sot, në ditëlindjen e Shën Nënë Terezës, do të flasim pak më ndryshe për të.

Jo vetëm me fjalët e zakonshme të krenarisë, jo vetëm duke përsëritur se ishte shqiptare dhe se si emri i saj u bë i njohur në çdo cep të botës. Sot do të flasim për Shën Nënë Terezën si dikush që na turpëron. Jo për atë se çfarë ishte ajo, por për atë se çfarë zbulojmë për veten kur e shohim veten përmes saj.

Shën Nënë Tereza ia kushtoi jetën njeriut më të vogël, më të pambrojtur e më të harruar. Nuk u bë e njohur përmes pushtetit, autoritetit apo pasurisë, por përmes shërbimit ndaj tjetrit, përmes shpalljes së Ungjillit.

Pikërisht këtu fillojmë të ndihemi pak në siklet. E kemi krenarinë si një pikënisje themelore dhe e përmendim Nënë Terezën me të njëjtën krenari, shpesh edhe për t’u dukur në publik se jemi krenarë me të. Por kur na kërkohet të veprojmë si Shën Nënë Tereza, vështirë se mund të thirremi në emër të saj.

Mund të valëvisim flamurin pranë emrit të saj, të ndërtojmë shtatore e ta përkujtojmë çdo vit, por nëse nuk e kuptojmë thelbin e jetës së saj, atëherë çfarë kuptimi ka të themi se ajo na përfaqëson?

Prandaj, sot, të mos bëjmë kinse jemi shumë krenarë për Nënë Terezën. Sepse e dimë tashmë se çfarë pikëpamjesh kanë shumë prej nesh për murgeshën katolike, duke filluar që nga shkollat. Në vend që të përsërisim edhe një herë sa krenarë jemi me të, le ta pyesim veten se çfarë kërkon ajo prej nesh.

E ndoshta kërkon pak shumë.

Na kërkon të dalim përtej fjalëve, të shohim tjetrin, të mos ia kthejmë shpinën të varfrit, të njohim dinjitetin e secilit njeri dhe të kuptojmë një dashuri si ajo e Jezusit – një dashuri që kërkon sakrificë dhe shërbim.

Dhe ndoshta kjo është arsyeja pse nuk ndihemi rehat kur në pyetje vjen Nënë Tereza: sepse ajo na vendos përballë vetes dhe na tregon sa larg jemi nga ajo që themi se admirojmë.

Por nëse ne shqiptarët nuk po e ngrisim lart sa duhet figurën e saj, të paktën bota po e bën për neve 🙂


Oslo, Norvegji, 10 dhjetor 1979

Le ta falënderojmë të gjithë së bashku Zotin për këtë rast të bukur, ku të gjithë së bashku mund të shpallim gëzimin e përhapjes së paqes, gëzimin e dashurisë për njëri-tjetrin dhe gëzimin e të pranuarit se më të varfrit ndër të varfërit janë vëllezërit dhe motrat tona.

Ndërsa jemi mbledhur këtu për ta falënderuar Zotin për këtë dhuratë të paqes, unë ju kam dhënë të gjithëve lutjen për paqe që Shën Françesku i Asizit e luti shumë vite më parë dhe pyes veten nëse ai nuk duhet të ketë ndier të njëjtën nevojë që ndiejmë ne sot për t’u lutur. Besoj se të gjithë e keni atë fletë? Le ta themi së bashku.

Zot, më bëj një mjet të paqes sate,
që atje ku ka urrejtje, të sjell dashuri;
që atje ku ka të keqe, të sjell frymën e faljes;
që atje ku ka përçarje, të sjell harmoni;
që atje ku ka gabim, të sjell të vërtetën;
që atje ku ka dyshim, të sjell besimin;
që atje ku ka dëshpërim, të sjell shpresën;
që atje ku ka errësirë, të sjell dritën;
që atje ku ka trishtim, të sjell gëzimin.

Zot, më dhuro hirin që më shumë të kërkoj të ngushëlloj sesa të ngushëllohem;
të kuptoj sesa të kuptohem;
të dua sesa të më duan.
Sepse është duke harruar veten se njeriu e gjen veten.
Është duke falur se njeriu falet.
Është duke vdekur se zgjohet në jetën e amshuar.
Amen.

Zoti e deshi botën aq shumë, saqë dha Birin e Tij dhe ia dha një virgjëreshe, Virgjëreshës së Bekuar Marisë, dhe ajo, në çastin kur Ai erdhi në jetën e saj, u nis me nxitim për t’ua dhënë Atë të tjerëve. Dhe çfarë bëri ajo atëherë? Ajo bëri punën e shërbëtores, pikërisht kështu. Thjesht e përhapi atë gëzim të dashurisë përmes shërbimit.

Dhe Jezu Krishti ju deshi juve dhe më deshi mua, dhe dha jetën e Tij për ne. Dhe sikur kjo të mos mjaftonte për Të, Ai vazhdoi të thoshte: Duajeni njëri-tjetrin ashtu siç ju kam dashur unë, ashtu siç ju dua tani. Dhe si duhet të duam? Të duam duke dhënë. Sepse Ai dha jetën e Tij për ne. Dhe Ai vazhdon të japë, dhe vazhdon të japë, pikërisht këtu, kudo, në jetën tonë dhe në jetën e të tjerëve.

Nuk mjaftoi për Të që të vdiste për ne; Ai donte që ne ta donim njëri-tjetrin, që ta shihnim Atë te njëri-tjetri. Prandaj tha: “Lum ata që janë të pastër në zemër, sepse ata do ta shohin Hyjin.”

Dhe për t’u siguruar që ne ta kuptojmë se çfarë do të thotë kjo, Ai tha se në orën e vdekjes do të gjykohemi për atë që kemi qenë për të varfrit, për të uriturit, për të zhveshurit, për të pastrehët. Dhe Ai e bën Veten të uritur, atë të zhveshur, atë të pastrehë; jo vetëm të uritur për bukë, por të uritur për dashuri; jo vetëm të zhveshur nga një copë veshjeje, por të zhveshur nga ajo dinjitet njerëzor; jo vetëm të pastrehë sepse nuk kanë një dhomë ku të jetojnë, por të pastrehë sepse janë harruar, sepse nuk janë dashur, sepse nuk janë përkujdesur për ta, sepse nuk janë askush për askënd; njerëz që kanë harruar se çfarë është dashuria njerëzore, se çfarë është prekja njerëzore, se çfarë do të thotë të të dojë dikush.

Dhe Ai thotë: “Çfarëdo që i bëtë njërit prej këtyre vëllezërve të mi më të vegjël, ma bëtë mua.”

Është kaq e bukur për ne të bëhemi të shenjtë përmes kësaj dashurie, sepse shenjtëria nuk është një luks i disave; ajo është një detyrë e thjeshtë për secilin prej nesh. Dhe përmes kësaj dashurie ne mund të bëhemi të shenjtë.

Për këtë dashuri ndaj njëri-tjetrit, dhe sot, kur e kam marrë këtë çmim, unë personalisht ndihem më e padenjë se kushdo tjetër. Dhe, pasi i jam zotuar varfërisë për të qenë në gjendje t’i kuptoj të varfrit, unë zgjodha varfërinë e popullit tim.

Por jam mirënjohëse dhe jam shumë e lumtur ta pranoj këtë çmim në emër të të uriturve, të të zhveshurve, të të pastrehëve, të të gjymtuarve, të të verbërve, të të gërbulurve, të gjithë atyre njerëzve që ndihen të padëshiruar, të padashur, të papërkujdesur, të flakur tutje nga shoqëria, njerëzve që janë bërë barrë për shoqërinë dhe që të gjithë i shmangin.

Në emër të tyre e pranoj këtë çmim.

Dhe jam e sigurt se ky çmim do të sjellë një dashuri që kupton, midis të pasurve dhe të varfërve. Dhe kjo është ajo që Jezusi ka këmbëngulur aq shumë. Pikërisht për këtë arsye Jezusi erdhi në tokë: për t’ua shpallur lajmin e mirë të varfërve.

Dhe përmes këtij çmimi, dhe përmes të gjithë neve që jemi mbledhur këtu së bashku, ne duam t’ua shpallim lajmin e mirë të varfërve: se Zoti i do ata, se ne i duam ata, se ata janë dikush për ne, se edhe ata janë krijuar nga e njëjta dorë e dashur e Zotit, për të dashur dhe për t’u dashur.

Njerëzit tanë të varfër janë njerëz të mëdhenj, janë njerëz shumë të dashur. Ata nuk kanë nevojë për mëshirën dhe keqardhjen tonë; ata kanë nevojë për dashurinë tonë që i kupton. Ata kanë nevojë për respektin tonë; kanë nevojë që t’i trajtojmë me dinjitet.

Dhe mendoj se kjo është varfëria më e madhe që përjetojmë, që kemi përpara syve tanë: njerëz që mund të jenë duke vdekur për një copë bukë, por që vdesin edhe për mungesë të dinjitetit.

Nuk do ta harroj kurrë kur solla nga rruga një burrë. Ai ishte i mbuluar me krimba; vetëm fytyra e tij ishte e pastër. E megjithatë, kur e sollëm në shtëpinë tonë për të vdekurit, ai tha vetëm një fjali:

“Kam jetuar si kafshë në rrugë, por do të vdes si një engjëll.”

Dashuria dhe përkujdesja e bënë këtë të mundur, dhe ai vdiq bukur. Ai shkoi në shtëpi te Zoti, sepse vdekja nuk është asgjë tjetër veçse kthimi në shtëpi te Zoti.

Dhe pasi e kishte përjetuar atë dashuri, atë ndjenjë se ishte i dëshiruar, se ishte i dashur, se ishte dikush për dikë në çastin e fundit, ai e solli atë gëzim në jetën e tij.

Dhe ndiej një gjë që dua ta ndaj me të gjithë ju: shkatërruesi më i madh i paqes sot është klithma e fëmijës së pafajshëm të palindur.

Sepse nëse një nënë mund ta vrasë fëmijën e saj në barkun e vet, çfarë mbetet për ty dhe për mua veçse të vrasim njëri-tjetrin?

Edhe në Shkrimin e Shenjtë është shkruar: “Edhe sikur një nënë ta harronte fëmijën e saj – unë nuk do të të harroj; të kam gdhendur në pëllëmbën e dorës sime.”

Edhe sikur nëna të mund ta harronte, sot miliona fëmijë të palindur po vriten. Dhe ne nuk themi asgjë.

Në gazeta lexoni shifra për këtë apo atë person që është vrarë, për këtë apo atë që është shkatërruar, por askush nuk flet për miliona të vegjlit që janë ngjizur për të njëjtën jetë si ti dhe unë, për jetën e Zotit, dhe ne nuk themi asgjë; ne e lejojmë këtë.

Për mua, kombet që e kanë legalizuar abortin janë kombet më të varfra. Ata kanë frikë nga i vogli, kanë frikë nga fëmija i palindur, dhe fëmija duhet të vdesë sepse ata nuk duan të ushqejnë edhe një fëmijë, të edukojnë edhe një fëmijë. Fëmija duhet të vdesë.

Dhe këtu ju kërkoj, në emër të këtyre të vegjëlve, sepse ishte pikërisht ai fëmijë i palindur që e njohu praninë e Jezusit kur Maria shkoi të vizitonte kushërirën e saj, Elizabetën.

Siç lexojmë në Ungjill, në çastin kur Maria hyri në shtëpi, i vogli në barkun e nënës së tij kërceu nga gëzimi, sepse njohu Princin e Paqes.

Dhe kështu, sot, le të marrim këtu një vendim të fortë: do të shpëtojmë çdo fëmijë të vogël, çdo fëmijë të palindur, t’u japim atyre një mundësi të lindin.

Dhe ajo që po bëjmë ne është se po luftojmë abortin përmes birësimit. Dhe Zoti i mirë e ka bekuar kaq bukur këtë punë, saqë kemi shpëtuar mijëra fëmijë, dhe mijëra fëmijë kanë gjetur një shtëpi ku janë dashur, ku janë dëshiruar, ku janë përkujdesur për ta.

Ne kemi sjellë kaq shumë gëzim në shtëpitë ku nuk kishte një fëmijë.

Dhe sot ju kërkoj juve, si dhe familjes mbretërore të pranishme këtu, përpara jush të gjithëve që vini nga vende të ndryshme, le të lutemi të gjithë që të kemi guximin të qëndrojmë pranë fëmijës së palindur dhe t’i japim fëmijës mundësinë të dojë dhe të jetë i dashur.

Dhe mendoj se, me hirin e Zotit, do të jemi në gjendje të sjellim paqe në botë.

Ne kemi një mundësi këtu në Norvegji. Ju jeni, me bekimin e Zotit, mirë ekonomikisht. Por jam e sigurt se në familje dhe në shumë prej shtëpive tona, ndoshta nuk jemi të uritur për një copë bukë, por ndoshta është dikush aty në familje që është i padëshiruar, i padashur, i papërkujdesur, i harruar; aty nuk ka dashuri.

Dashuria fillon në shtëpi.

Dhe që dashuria të jetë e vërtetë, ajo duhet të dhembë.

Nuk do ta harroj kurrë një fëmijë të vogël që më mësoi një mësim shumë të bukur. Në Kalkutë, fëmijët kishin dëgjuar se Nënë Tereza nuk kishte sheqer për fëmijët e saj. Dhe ky fëmijë i vogël, një djalë hindu katërvjeçar, shkoi në shtëpi dhe u tha prindërve:

“Unë nuk do të ha sheqer për tri ditë. Do t’ia jap sheqerin tim Nënë Terezës.”

Sa shumë mund të japë një fëmijë i vogël!

Pas tri ditësh, ata e sollën në shtëpinë tonë dhe aty ishte ky i vogli, i cili mezi arrinte ta shqiptonte emrin tim. Ai donte me një dashuri të madhe; ai deshi derisa i dhembi. Dhe kjo është ajo që unë sjell para jush: ta duam njëri-tjetrin derisa të na dhembë.

Por mos harroni se ka shumë fëmijë, shumë fëmijë, shumë burra dhe gra që nuk kanë atë që keni ju.

Dhe mbani mend t’i doni ata derisa të dhembë.

Pak kohë më parë – kjo ndoshta do t’ju tingëllojë shumë e çuditshme – solla një vajzë të vogël nga rruga dhe mund ta shihja në fytyrën e fëmijës se ishte e uritur. Zoti e di se sa ditë kishte pa ngrënë.

Kështu që i dhashë një copë bukë.

Dhe e vogla filloi ta hante bukën thërrime pas thërrime.

Dhe i thashë fëmijës: “Haje bukën, haje bukën.”

Ajo më pa dhe tha: “Kam frikë ta ha bukën, sepse kam frikë se kur të mbarojë, do të jem përsëri e uritur.”

Kjo është një realitet. E megjithatë, ekziston madhështia e të varfërve.

Një mbrëmje, një zotëri erdhi në shtëpinë tonë dhe tha: “Është një familje hindu dhe tetë fëmijët nuk kanë ngrënë për një kohë të gjatë. Bëni diçka për ta.” Mora oriz dhe shkova menjëherë.

Dhe atje ishte nëna, dhe fytyrat e atyre të vegjëlve, me sytë që shkëlqenin vetëm nga uria. Ajo e mori orizin nga dora ime, e ndau në dy pjesë dhe doli jashtë.

Kur u kthye, e pyeta:

“Ku shkove? Çfarë bëre?” Dhe ajo dha vetëm një përgjigje: “Edhe ata janë të uritur.”

Ajo e dinte se familja myslimane në shtëpinë pranë saj ishte e uritur.

Ajo që më habiti më shumë nuk ishte se ajo e dha orizin. Ajo që më habiti më shumë ishte se, në vuajtjen e saj, në urinë e saj, ajo e dinte se dikush tjetër ishte i uritur dhe kishte guximin të ndante, të ndante dashurinë.

Dhe kjo është ajo që dua të them kur ju kërkoj: duajini të varfrit dhe mos ua ktheni kurrë shpinën të varfërve, sepse kur ua ktheni shpinën të varfërve, ia ktheni shpinën Krishtit.

Sepse Ai e ka bërë Veten të uriturin, të zhveshurin, të pastrehun, në mënyrë që ti dhe unë të kemi mundësinë ta duam Atë. Sepse ku është Zoti? Si mund ta duam Zotin?

Nuk mjafton të them: “Zoti im, të dua.” Por: “Zoti im, të dua këtu.”

Unë mund ta shijoj këtë, por heq dorë. Mund ta haja atë sheqer, por ia jap atë dikujt tjetër.

Nëse do të qëndroja këtu gjithë ditën dhe gjithë natën, do të habiteshit nga gjërat e bukura që bëjnë njerëzit për të ndarë gëzimin e të dhënit. Dhe kështu, lutja ime për ju është që e vërteta të sjellë lutjen në shtëpitë tona, dhe fryti i lutjes të jetë që ne të besojmë se tek i varfri është Krishti.

Dhe nëse vërtet besojmë, do të fillojmë të duam. Dhe nëse duam, natyrshëm do të përpiqemi të bëjmë diçka.

Së pari në shtëpinë tonë, pastaj te fqinji ynë, në vendin ku jetojmë, në të gjithë botën. Dhe le të bashkohemi të gjithë në atë lutje të vetme:

Zot, na jep guximin të mbrojmë fëmijën e palindur, sepse fëmija është dhurata më e madhe e Zotit për një familje, për një komb dhe për të gjithë botën.

Zoti ju bekoftë!

Burimi: https://www.nobelprize.org/prizes/peace/1979/teresa/acceptance-speech/

Share This Article
Pa Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *