Vendimi i fundit i Dhomave të Specializuara të Kosovës ka prekur mbarë popullin shqiptar, duke goditur drejtpërdrejt kredon dhe pastërtinë e luftës sonë çlirimtare. Përballë këtij procesi, që po përjetohet si vazhdimësi e një Kalvari të gjatë të padrejtësive historike ndaj vendit tonë, lind nevoja për një qëndrim të pjekur dhe të përgjegjshëm.
Në emër të Kishës Katolike, Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, ka ngritur zërin e tij baritor për të dënuar këtë situatë të dhimbshme dhe për të udhëzuar reagimin tonë shoqëror e politik. Siç vërejnë edhe traditat klasike të filozofisë së së drejtës – nga koncepti i Shën Tomë Akuinit mbi ligjin dhe drejtësinë – çdo vendim gjyqësor që shkëputet nga e vërteta objektive dhe nga e mira e përbashkët e një populli, humb substancën e vet morale.
Përmes kësaj deklarate, Imzot Dodë Gjergji u bën thirrje të drejtpërdrejtë institucioneve dhe mbarë klasës politike për bashkërendim dhe unitet të plotë. Në këtë sprovë, thekson Mons. Gjergji, Kosovës nuk i shërbejnë ndasitë apo reagimet e nxituara, por një qëndrim i bashkuar dhe i matur për të mbrojtur dinjitetin, kujtesën historike dhe të ardhmen tonë shtetërore.
Reagimi i plotë i Imzot Dodë Gjergjit:
Këto ditë, kur kujtojmë Dom Mikel Tarabulluzin, shkollën shqipe dhe kohën kur populli ynë bënte sakrifica të mëdha për të mbrojtur të vërtetën, gjuhën, dinjitetin dhe të drejtën e të gjithëve për të qenë të lirë -vendimi i Dhomave të Specializuara na kujton edhe një herë se Kalvari i padrejtësive historike vazhdon – e neve s’na mbetet gjë tjetër veçse të bashkohemi për të bindur drejtësinë që të jetë e drejtë ndaj nesh.
Është shumë e rëndësishme që dhimbja të mos na e errësojë arsyen dhe as zemërimi të mos na e marrë urtësinë. Zemërimi i një populli është i kuptueshëm vetëm atëherë kur shndërrohet në forcë për të kërkuar të vërtetën dhe drejtësinë; prandaj çdo reagim duhet të jetë i matur, paqësor dhe i përgjegjshëm si dhe një angazhim për të ndryshuar vendimin. E kur duhet të bëjmë një gjë të tillë, nuk duhet të jemi kundër së vërtetës, por duhet t’i vlerësojmë vlerat.
Për institucionet dhe klasën politike të Kosovës ky është një moment i përgjegjshmërisë e i përgjegjësive, pasi përballë çështjeve që prekin lirinë, dinjitetin dhe kujtesën historike të një populli nuk duhet të shihen ndasitë. Interesi i vetëm kërkon maturi, bashkërendim institucional dhe përgjegjësi të përbashkët, sepse nëse mbi përpjekjet tona për liri mbetet një njollë e tillë që ne e konsiderojmë të padrejtë, liria e fituar do të mbetet e plagosur.
Sot duhet të bashkohemi edhe si komb rreth të vërtetës, dinjitetit tonë dhe përgjegjësisë për të ardhmen. Ashtu që të ruhet pastërtia e përpjekjeve të popullit tonë për liri, të forcojmë miqësinë me ata që na qëndruan pranë në ditët më të vështira e të rindërtojmë besimin e lënduar pas çlirimit.
Mbi të gjitha, të kujdesemi që këtë situatë ta përballojmë me pjekuri e dinjitet, ashtu që zemërimi i tepruar, hapat e nxituar ose veprimi i vonuar të mos e dëmtojnë të ardhmen tonë.
Si Kishë, nuk mund të gjykojmë njerëz e as drejtësi, por nuk mund as të heshtim kur plagoset ndërgjegja dhe liria e fituar me gjak e popullit tonë.
Detyra jonë është të kërkojmë të vërtetën pa urrejtje, drejtësinë pa hakmarrje dhe pajtimin pa e harruar atë që është e drejtë – pra, Kosovës nuk i duhet sot më shumë zhurmë, por i duhet urtësi, bashkim, qëndrueshmëri dhe besim.
Faleminderit!






