Selia e Shenjtë
Përshëndetja e Shenjtërisë së Tij Papa Leoni XIV për besimtarët e pranishëm në Sheshin e Shën Pjetrit, të cilët ndoqën në ekranet e mëdha kremtimin e Meshës së Krishtlindjeve gjatë natës.

Buonasera. Benvenuti tutti! Bienvenidos! Welcome!
Bazilika e Shën Pjetrit është një Bazilikë shumë e madhe, është shumë e madhe, por për fat të keq jo aq e madhe sa t’ju presë të gjithëve. Ju admiroj dhe ju respektoj, dhe ju falënderoj për guximin dhe gatishmërinë tuaj për të qenë këtu këtë mbrëmje.
Ju falënderoj shumë që jeni këtu sonte, edhe në këtë mot. Duam të festojmë Krishtlindjet së bashku. Jezu Krishti, i cili lindi për ne, na sjell paqen dhe dashurinë e Zotit.
Përshëndetje të ngrohta të gjithëve. Ndiqni kremtimin në ekranet e mëdha. Zoti ju mbroftë dhe ju bekoftë të gjitha familjet tuaja.
Në emër të Atit, të Birit dhe të Shpirtit të Shenjtë.
Urime Kriishtlindja të gjithëve!
Të dashur vëllezër dhe motra,
Për mijëvjeçarë të tërë, në të gjithë tokën, popujt kanë shikuar lart në qiell, duke u dhënë emra yjeve të heshtur dhe duke parë imazhe në të. Në dëshirën e tyre imagjinative, Ata kërkuan ta deshifronin të ardhmen në kupën e qiellit, duke kërkuar lart atë të vërtetë që mungonte poshtë, mes shtëpive të tyre. Megjithatë, si të ishin kapur në errësirë, ata mbetën të humbur, të hutuar nga orakujt e tyre. Megjithatë, në këtë natë, “populli që ecte në errësirë pa një dritë të madhe; për banorët, që jetonin në krahinën e hijes së vdekjës, zbardhi për ta drita.” (Is 9:2).
Ja ylli që mahnit botën, një shkëndijë e sapondritur dhe e ndezur nga jeta: ‘Sot, në qytetin e Davidit, ju lindi Shëlbuesi, Krishti Zot.”(Lk 2,11). Në kohë dhe hapësirë,në mesin tone, vjen Ai pa të cilin ne nuk do të ekzistonim. Ai që e jep jetën e vet për ne, jeton ndër ne, duke ndriçuar natën me dritën e shpëtimit të tij. Nuk ka errësirë që ky yll të mos e ndriçojë, sepse në dritën e tij mbarë njerëzimi sheh agimin e një jete të re dhe të amshuar.
Është lindja e Jezusit, Emmanuel. Në Birin e bërë njeri, Hyji nuk na dhuron asgjë më pak se vetveten, që ‘të na shpërblejë nga çdo paudhësi dhe ta pastrojë popullin që Atij i përket’ (Tit 2,14). I lindur në natë është Ai që na shëlbon nga nata. Shenja e agimit nuk kërkohet më në largësitë e kozmosit, por duke u përkulur poshtë, në grazhdin e afërt.
Shenja e qartë që i jepet një bote të errësuar është vërtet ‘një foshnje e mbështjellur me shpërgënj dhe e vënë në grazhd’ (Lk 2,12). Për ta gjetur Shëlbuesin, nuk duhet të ngremë sytë lart, por t’i ulim poshtë: omnipotenca e Hyjit shkëlqen në pafuqinë e një të porsalinduri; kumti i Fjalës së amshuar kumbohet në klithmën e parë të një foshnje; shenjtëria e Shpirtit ndrit në atë trup të vogël, sapo të larë e të mbështjellë me shpërgënj. Nevoja për përkujdesje dhe për ngrohtësi bëhet hyjnore, sepse Biri i Atit ndan historinë me të gjithë vëllezërit dhe motrat e tij. Drita hyjnore që rrezaton prej këtij Fëmije na ndihmon ta njohim njerëzoren në çdo jetë të re.
Për të shëruar verbërinë tonë, Zoti zgjedh të zbulojë vetveten në çdo qenie njerëzore, që pasqyron shëmbëlltyrën e tij të vërtetë, sipas një plani dashurie të nisur që në krijimin e botës. Për sa kohë që kjo e vërtetë porovidenciale humbet nga errësira shpirtërore, atëherë “nuk ka vend as për të tjerët: as për fëmijët, as për të varfrit, as për të huajin” (Benedikti XVI, Homeli, Meshë e Natës së Krishtlindjes, 24 dhjetor 2012). Këto fjalë të Papës Benedikti XVI mbeten një rikujtim gjithnjë aktual se mbi tokë nuk ka vend për Hyjin nëse nuk ka vend për personin njerëzor. Të refuzosh njërin do të thotë të refuzosh tjetrin. Por, aty ku ka vend për njeriun, ka vend edhe për Hyjin; madje edhe një grazhd mund të bëhet më i shenjtë se një tempull, dhe kraharori i Virgjërës Mari të bëhet Arka e Besëlidhjes së Re.
Le të mahnitemi, vëllezër e motra të dashur, nga urtësia e Krishtlindjes. Në Fëmijën Jezus, Hyji i dhuron botës një jetë të re: jetën e vet, të ofruar për të gjithë. Ai nuk na jep një zgjidhje të mençur për çdo problem, por një histori dashurie që na përfshin. Përballë pritjeve të popujve, ai dërgon një fëmijë që të jetë fjalë shprese. Përballë vuajtjes së të varfërve, ai dërgon një të pambrojtur që të bëhet forcë për t’u ngritur sërish. Përballë dhunës dhe shtypjes, ai ndez një dritë të butë që ndriçon me shpëtim të gjithë fëmijët e kësaj bote. Siç vërente Shën Augustini: “krenaria njerëzore të rëndonte aq shumë, sa vetëm përulësia hyjnore mund të të ngrinte sërish” (Shën Augustini, Predikimi 188, III, 3). Ndërsa një ekonomi e shtrembëruar na shtyn t’i trajtojmë qeniet njerëzore si mall, Hyji bëhet si ne, duke zbuluar dinjitetin e pafund të çdo personi. Ndërsa njerëzimi kërkon të bëhet ‘zot’ për të sunduar mbi të tjerët, Hyji zgjedh të bëhet njeri për të na çliruar nga çdo formë skllavërie. A do të mjaftojë kjo dashuri për ta ndryshuar historinë tonë?
Përgjigjja do të vijë sapo të zgjohemi nga një natë vdekjeprurëse drejt dritës së jetës së re dhe, si barinjtë, të sodisim Fëmijën Jezus. Mbi grazhdin e Betlehemit, ku Maria dhe Jozefi ruajnë Fëmijën e porsalindur me zemrën e mrekulluar, qielli me yje shndërrohet në ‘një ushtri të madhe qiellore’ (Lk 2,13). Këto janë ushtri të paarmatosura dhe çarmatosëse, sepse këndojnë lavdinë e Hyjit, prej së cilës paqja mbi tokë është shfaqja e vërtetë (krh. v. 14). Në të vërtetë, në zemrën e Krishtit rreh lidhja e dashurisë që bashkon qiellin dhe tokën, Krijuesin dhe krijesat.
Për këtë arsye, pikërisht një vit më parë, Papa Françesku pohoi se Lindja e Jezusit ringjall në ne ‘dhuratën dhe detyrën për të sjellë shpresë atje ku shpresa është shuar’, sepse ‘me të, gëzimi lulëzon; me të, jeta ndryshon; me të, shpresa nuk zhgënjen’ (Homeli, Meshë e Natës së Krishtlindjes, 24 dhjetor 2024). Me këto fjalë filloi Viti i Shenjtë. Tani, ndërsa Jubileu po i afrohet mbylljes, Krishtlindja bëhet për ne kohë falënderimi dhe misioni: falënderim për dhuratën e marrë dhe mision për ta dëshmuar atë përpara botës. Siç këndon Psalmisti: ‘Shpalleni si një ditë për ditë shpëtimin e tij! Kumtojeni ndër paganë lavdinë e tij, ndër mbarë popujt mrekullitë e tija! (Ps 96,2–3).
Vëllezër e motra, soditja e Fjalës së Mishëruar zgjon në mbarë Kishën një kumtim të ri dhe të vërtetë. Prandaj le të shpallim gëzimin e Krishtlindjes, që është festë e fesë, e dashurisë dhe e shpresës. Është festë e fesë, sepse Hyji bëhet njeri, i lindur nga Virgjëra. Është festë e dashurisë, sepse dhurata e Birit shëlbues realizohet në vetëdhënie vëllazërore. Është festë e shpresës, sepse Fëmija Jezus e ndez atë brenda nesh, duke na bërë lajmëtarë të paqes. Me këto virtyte në zemrat tona, të patrembur nga nata, mund të dalim përpara për t’u takuar me agimin e një dite të re.
Përktheu: ViaVeritatis






