“Ja Zoti vjen, pa marrë parasysh atë që jemi bërë ne” – thoshte një teolog Italian, Curtaz. Dhe vazhdonte: “Nuk është lodhur asnjëherë me neve, nuk është lodhur të lind në mesin tonë e për këtë arsye ka diçka për të na mësuar: heshtjen e Betlehemit.”
Zoti mishërohet duke e marrë natyrën tonë njerëzore dhe kjo nuk mund të spjegohet ndryshe pos përmes dashurisë, nuk ka arsyetim tjetër logjik apo njerëzor pos dashurisë. Për Zotin qe e nevojshme të zhveshej nga vetvetja e ta merrte natyrën e shërbëtorit, në mënyrë që njeriu, viktimë e mëkatit dhe gabimit të tij, të mund të jetonte. Thoshte Shën Atanazi: “Zoti deshi të bëhej njeri në mënyrë që njeriu të arrinte ta prekte Zotin”.
Zoti bëhet pjesë e historisë sonte. Aq shumë është i dashuruar në njeriun saqë bëhet njëri nga ne. Ka mundur të gjente mijëra mënyra tjera që të zbulohej por ka zgjedhur thjeshtësinë dhe vogëlsinë. Kishte mundur të zgjedhte mijëra mënyra tjera që të zbulohej por ka zgjedhur që trupi i njeriut të bëhej pjesë e zbulimit të Tij. Në një botë që e mban veten si ‘të paprekshme’, Zoti zgjedh dhe e lejon njeriun ta prek. Në një botë të mbushur me mundësi, arritje dhe shpikje, Zoti zgjedh një mundësi të vetme: përvujtërinë. Në një botë të mbushur me aq shumë zhurmë, aq shumë britma, aq shumë thirrje dhe dridhje, Zoti zgjedh vetëm një rrugë: heshtjen. Në një botë që e ka shëndrruar Krishtlindjen në konsumizëm, në ndriçime, në përfitime, në mashtrim e biznes, Zoti zgjedh mënyrën e vetme për të jetuar: varfërinë. Gabojmë kur themi se Krishtlindja është festa e të gjithëve. Jo. Nuk është festa e të gjithëve! Është festa e atyre që zgjedhin ta adhurojnë Krishtin në heshtje, në varfëri e në thjeshtësi.
Krishtlindja nuk është festa e mirësisë por e gjykimit të Zotit (padre Ermes Ronchi), sepse atë natë rrjedha e historisë së njerëzimit ka marrë një drejtim tjetër: nuk duhet të sforcohemi për ta arritur Zotin sepse është Ai që vjen e na takon. Zoti zgjedh vetvetiu pikën më të ulët në mënyrë që njeriu të mos e ndjejë më veten të ulët. Po çka nëse ne e refuzojmë? Vjen e na takon përsëri sepse nuk ka frikë të lind në një grazhd. Çka nëse e mohojmë? Ka lindur në indiferencë, mes barinjve, që në atë kohë nuk gëzonin një reputacion të mirë, dhe vdes mes dy cubave, e kështu askush të mos ndihet i largët, i braktisur, i refuzuar.
Krishtlindja nuk është festa e të githëve!
Është festa e atyre që zgjedhin ta adhurojnë Krishtin përmes shërbimit ndaj tjetrit.
Sa ndriçimet gjatë kësaj kohe. Sa dritat që ndriçojnë natën sonte, Kishat, shtëpitë, aty këtu edhe qytetet tona. Natë e shëndritshme e Krishtlindjes për ne. Por sa e sa vendet në botë sonte do të kenë dritë të vetme shpërthimet e bombave e zjarrin e armëve. Sa e sa shtëpitë nuk do të kenë asnjë ndriçim të vetëm, për shkak se njeriu nuk mundet dhe nuk arrin ende të mendojë për të mirën e përbashkët. Sa e sa shtëpitë me pleq, të cilët do ta presin festën në vetminë e natës duke shpresuar në ditë më të mira. Sa e sa njerëz që nuk do të dinë ta dallojnë këtë natë të shenjtë nga netët tjera që jetojnë.
Jo. Krishtlindja nuk është festa e të gjithëve!
Është festa e atyre që dinë të jenë solidar, të veprojnë për paqe e drejtësi, për të mirën e përbashkët.
Thoshte Papa Benedikti XVI: “drita për të cilën na flet Isaia profet sonte, do të thotë njohje, do të thotë e vërteta në kundërshtim me mashtrimin dhe injorancën. Drita jep jetë, na tregon rrugën. Drita do të thotë dashuri. Aty ku ka dashuri, ndriçohet bota; aty ku ka urrejte, bota mbetet në errësirë. Duke filluar nga Betlehemi një dritë ka lindur, dritë e dashurisë, dritë e së vërtetës që ka pushtuar shekujt… Nëse i shikojmë shenjtërit – nga Shën Pali te Shën Augustini, nga Shën Françesku te Shën Dominiku, nga Shën Tereza e Avilës te Shën Nënë Tereza – e shohim këtë dritë të vazhdueshme, kjo dritë që ndizet sonte edhe njëherë në misterin e Betlehemit, tek ai Zot që është bërë foshnje. Kundër dhunës së botës Zoti kundërshton me këtë foshnje…”
Ja Zoti që e prisnim. Ja Zoti për të cilin kemi nevojë. Ja Zoti që takon secilin prej nesh, edhe atë që ‘nuk e meriton’, edhe atë që nuk lutet, edhe atë që nëm e mallkon ditët e veta dhe fatin e vet. Ja Zoti që kalon rrugët e kësaj bote, shpesh herë i përndjekur, i përgjakur, i panjohur, i pa pranuar. Ja Zoti që na ndihmon të mos lodhemi kurrë të themi se jemi të Krishtit dhe i përkasim Atij. Ja Zoti, më ndryshe se sa e kishim dashur apo menduar. Një Zot foshnje që nuk i zgjidh problemet e kësaj bote, por duket se na shton një duke na kërkuar ta pranojmë. Një Zot që nuk i dënon të këqinjtë por kërkohet prej tyre që të vritet. Një Zot që i drejtohet të varfërve, të humburve, të shqetësuarve, të pikëlluarve, të braktisurve, sepse Ai vetë i varfër, i humbur, i shqetësuar, i pikëlluar, i braktisur.
Krishtlindja nuk është festa e të gjithëve!
Jo. Krishtlindja është festa e atyre që zgjedhin pa frikë ti përkasin Atij; është festa e atyre që nuk kanë frikë të kthehen në shtëpinë e Atit; është festa e atyre që nuk kanë frikë të rrinë tek këmbët e kryqit; është festa e atyre që para vogëlsisë dhe heshtjes së Betlehemit gjejnë ngushëllim, gjejnë shpresë, gjejnë dashuri.

Don Alfred Sokoli
Ka përfunduar studimet shtatëvjeçare në Filozofi dhe Teologji në Cremona të Italisë dhe është shuguruar meshtar i Dioqezës Prizren-Prishtinë në vitin 2014. Pasi ka shërbyer si famullitar në Zllakuqan, aktualisht ushtron detyrën e Ekonomit Dioqezan në Prishtinë dhe udhëheq Baritoren Rinore të Kosovës.
Është ligjëruës i Shkrimit të Shenjtë në Shkollën Dioqezane Katekistike, si dhe përkthyes nga gjuha italiane i veprave dhe artikujve me tematikë teologjike.

