Papa Leoni XIV: Antisemitizmi, i papajtueshëm me “Nostra Aetate”

14 Min Lexim
Deklaratë: Të gjithë artikujt dhe reflektimet e botuara në Via Veritatis paraqesin pikëpamjet personale të autorëve. Ato nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të asnjë institucioni fetar.

Në një kohë kur tensionet globale shpesh testojnë kujtesën tonë kolektive, Papa Leoni XIV ka zgjedhur të rikonfirmojë një nga shtyllat më të rëndësishme të tolerancës moderne fetare. Përmes një mesazhi të drejtpërdrejtë në Ditën e Përkujtimit të Holokaustit, Ati i Shenjtë u bëri thirrje besimtarëve dhe botës mbarë të kthejnë sytë nga parimet e Deklaratës #NostraAetate.

Papa nuk u mjaftua me një ngushëllim rutinor, por riktheu në vëmendje dokumentin historik të vitit 1965, i cili transformoi marrëdhëniet mes Kishës Katolike dhe popullit hebre.

Dokumenti i përkthyer në shqip, të cilit sot iu ka referuar Papa Leoni XIV në përkujtimin e Holokaustit:

DEKLARATË MBI MARRËDHËNIET E KISHËS ME RELIGJIONET JO-TË KRISHTERA

NOSTRA AETATE

SHPALLUR NGA SHENJTËRIA E TIJ

PAPA PALI VI

MË 28 TETOR 1965

1. Në kohën tonë, kur njerëzimi po afrohet dita-ditës më shumë dhe lidhjet midis popujve të ndryshëm po bëhen më të forta, Kisha shqyrton më me vëmendje marrëdhëniet e saj me religjionet jo-të krishtera. Në detyrën e saj për të nxitur unitetin dhe dashurinë mes njerëzve, madje edhe mes kombeve, ajo shqyrton mbi të gjitha në këtë deklaratë atë që njerëzit kanë të përbashkët dhe çfarë i shtyn ata drejt bashkësisë.

Një është bashkësia e të gjithë popujve, një origjina e tyre, sepse Hyji bëri që e gjithë gjinia njerëzore të banojë mbi faqen e dheut. Një është edhe qëllimi i tyre i fundit, Hyji. Providenca e Tij, dëshmitë e mirësisë së Tij dhe plani i Tij i shpëtimit shtrihen mbi të gjithë njerëzit, deri në atë kohë kur të zgjedhurit do të bashkohen në Qytetin e Shenjtë, qytetin e ndriçuar nga lavdia e Hyjit, ku kombet do të ecin në dritën e Tij.

Njerëzit presin nga fetë e ndryshme përgjigje për gjëegjëzat e pazgjidhura të gjendjes njerëzore, të cilat sot, ashtu si në kohët e mëparshme, trazojnë thellë zemrat e njerëzve: Çfarë është njeriu? Cili është kuptimi dhe qëllimi i jetës sonë? Çfarë është e mira morale dhe çfarë është mëkati? Nga vjen vuajtja dhe cilit qëllim i shërben ajo? Cila është rruga drejt lumturisë së vërtetë? Çfarë janë vdekja, gjykimi dhe shpërblimi pas vdekjes? Së fundi, cili është ai mister i fundmë dhe i pashpjegueshëm që përfshin ekzistencën tonë: nga vijmë dhe ku po shkojmë?

2. Që nga kohët e lashta e deri më sot, ndër popuj të ndryshëm gjendet një perceptim i caktuar i asaj fuqie të fshehur që lëviz mbi rrjedhën e gjërave dhe mbi ngjarjet e historisë njerëzore; herë pas here, disa kanë arritur madje në njohjen e një Qenieje Supreme, ose edhe të një Ati. Ky perceptim dhe kjo njohje përshkon jetën e tyre me një ndjenjë të thellë fetare.

Megjithatë, fetë që janë të lidhura me një kulturë të përparuar janë përpjekur t’u përgjigjen të njëjtave pyetje përmes koncepteve më të rafinuara dhe një gjuhe më të zhvilluar. Kështu, në Hinduizëm, njerëzit meditojnë mbi misterin hyjnor dhe e shprehin atë përmes një pasurie të pashtershme mitesh dhe përmes kërkimit depërtues filozofik. Ata kërkojnë çlirimin nga ankthi i gjendjes tonë njerëzor qoftë përmes praktikave asketike, meditimit të thellë, apo ikjes drejt Hyjit me dashuri dhe besim. Poashtu, Budizmi, në format e tij të ndryshme, pranon pamjaftueshmërinë radikale të kësaj bote të ndryshueshme; ai mëson një rrugë me anë të së cilës njerëzit, me një shpirt të devotshëm dhe të qendrueshëm, mund të jenë të aftë të fitojnë gjendjen e çlirimit të përsosur, ose të arrijnë, me përpjekjet e tyre apo përmes një ndihme më të lartë, ndriçimin suprem. Po ashtu, fetë e tjera që gjenden kudo përpiqen të kundërshtojnë shqetësimin e zemrës njerëzore, secila në mënyrën e vet, duke propozuar “rrugë”, që përfshijnë mësime, rregulla jete dhe rite të shenjta.

Kisha Katolike nuk hedh poshtë asgjë që është e vërtetë dhe e shenjtë në këto fe. Ajo i sheh me nderim të sinqertë ato mënyra veprimi dhe jete, ato parime dhe mësime të cilat, ndonëse ndryshojnë në shumë aspekte nga ato që ajo mban dhe paraqet, megjithatë shpesh pasqyrojnë një rreze të asaj të Vërtete që ndriçon të gjithë njerëzit. Vërtet, ajo shpall dhe duhet të shpallë gjithmonë Krishtin si “rrugën, të vërtetën dhe jetën” (Gjoni 14:6), në të cilin njerëzit mund të gjejnë plotësinë e jetës fetare, në të cilin Hyji ka pajtuar të gjitha gjërat me Vetveten.

Kisha, prandaj, i nxit bijtë e saj që, përmes dialogut dhe bashkëpunimit me ndjekësit e feve të tjera, të kryer me maturi dhe dashuri dhe në dëshmi të besimit dhe jetës së krishterë, të njohin, të ruajnë dhe të nxisin të mirat shpirtërore dhe morale, si dhe vlerat socio-kulturore që gjenden ndër këta njerëz.

3. Kisha i sheh me nderim edhe myslimanët. Ata adhurojnë Hyjin e vetëm, të gjallë dhe vetë-ekzistues; të mëshirshëm dhe të gjithëpushtetshëm, Krijuesin e qiellit dhe të tokës, i cili u ka folur njerëzve; ata përpiqen t’u nënshtrohen me gjithë zemër edhe vendimeve të Tij të pahulumtueshme, ashtu siç iu nënshtrua Hyjit Abrahami, me të cilin feja islame ka dëshirë të lidhet. Ndonëse ata nuk e njohin Jezusin si Hyj, e nderojnë Atë si profet. Ata nderojnë gjithashtu Marinë, Nënën e Tij virgjër; herë pas here madje e thërrasin atë me devotshmëri. Përveç kësaj, ata presin ditën e gjykimit kur Hyji do t’u japë shpërblimin të gjithë atyre që do të ringjallen prej së vdekuri. Së fundi, ata çmojnë jetën morale dhe e adhurojnë Hyjin veçanërisht përmes lutjes, lëmoshës dhe agjërimit.

Meqenëse gjatë shekujve kanë lindur jo pak grindje dhe armiqësi midis të krishterëve dhe myslimanëve, ky Sinod i shenjtë i nxit të gjithë që të harrojnë të kaluarën dhe të punojnë sinqerisht për mirëkuptim të ndërsjellë, si dhe të ruajnë e të nxisin së bashku, për të mirën e të gjithë njerëzimit, drejtësinë sociale dhe mirëqenien morale, si dhe paqen dhe lirinë.

4. Ndërsa Sinodi i shenjtë hulumton misterin e Kishës, ai kujton lidhjen që bashkon shpirtërisht popullin e Besëlidhjes së Re me pasardhjen e Abrahamit.

Kështu, Kisha e Krishtit pranon se, sipas planit të shpëtimit të Hyjit, fillimet e besimit dhe të zgjedhjes së saj gjenden që te Patriarkët, Moisiu dhe profetët. Ajo deklaron se të gjithë ata që besojnë në Krishtin, bijtë e Abrahamit sipas besimit, janë të përfshirë në thirrjen e të njëjtit Patriark, dhe po ashtu se shpëtimi i Kishës është parashikuar në mënyrë misterioze nga eksodi i popullit të zgjedhur prej tokës së skllavërisë. Kisha, prandaj, nuk mund të harrojë se ajo mori zbulesën e Besëlidhjes së Vjetër përmes popullit me të cilin Hyji, në mëshirën e Tij të pashpjegueshme, lidhi Besëlidhjen e Vjetër. As nuk mund të harrojë se ajo merr ushqim nga rrënja e asaj ulliri të butë mbi të cilin janë shartuar degët e egra, paganët. Vërtet, Kisha beson se me kryqin e Tij, Krishti, Paqja Jonë, pajtoi hebrenjtë dhe paganët, duke i bërë të dy një në Vetveten.

Kisha mban gjithmonë në mendje fjalët e Apostullit për farefisin e tij: “atyre u përket adoptimi si bij, Lavdia, Besëlidhjet, Ligji, kulti, premtimet; të tyre janë edhe patriarkët; prej tyre, si njeri, është edhe Krishti, i cili është mbi çdo gjë, Hyji i bekuar në shekuj.” (Rom. 9:4-5), Biri i Virgjërës Mari. Ajo kujton gjithashtu se Apostujt, themelet dhe shtyllat e Kishës, si dhe shumica e apostujve të parë që shpallën Ungjillin e Krishtit botës, rrodhën nga populli hebre.

Siç dëshmon Shkrimi i Shenjtë, Jeruzalemi nuk e njohu kohën e vizitës së tij, as hebrenjtë në numër të madh nuk e pranuan Ungjillin; vërtet, jo pak e kundërshtuan përhapjen e tij. Megjithatë, Hyji i ka shumë të shtrenjtë hebrenjtë për hir të Etërve të tyre; Ai nuk pendohet për dhuratat që bën apo për thirrjet që drejton e tillë është dëshmia e Apostullit. Së bashku me Profetët dhe të njëjtin Apostull, Kisha pret atë ditë, të njohur vetëm nga Hyji, në të cilën të gjithë popujt do t’i drejtohen Zotit me një zë të vetëm dhe “do t’i shërbejnë Atij krah për krah” (Sof. 3:9).

Meqenëse trashëgimia shpirtërore e përbashkët për të krishterët dhe hebrenjtë është aq e madhe, ky Sinod i shenjtë dëshiron të nxisë dhe të rekomandojë atë mirëkuptim dhe respekt të ndërsjellë, i cili është fryt, mbi të gjitha, i studimeve biblike dhe teologjike, si dhe i dialogëve vëllazërorë.

Është e vërtetë se autoritetet hebreje dhe ata që ndoqën udhëheqjen e tyre këmbëngulën për vdekjen e Krishtit; megjithatë, ajo që ndodhi në Pasionin e Tij nuk mund t’u ngarkohet të gjithë hebrenjve pa dallim, as atyre që jetonin atëherë, as hebrenjve të sotëm. Ndonëse Kisha është populli i ri i Hyjit, hebrenjtë nuk duhet të paraqiten si të hedhur poshtë apo të mallkuar nga Hyji, sikur kjo të rridhte nga Shkrimet e Shenjta. Të gjithë duhet të kujdesen, pra, që në veprën katekistike apo në predikimin e fjalës së Hyjit të mos mësojnë asgjë që nuk përkon me të vërtetën e Ungjillit dhe shpirtin e Krishtit.

Për më tepër, në refuzimin e saj të çdo përndjekjeje kundër çdo njeriu, Kisha, e vetëdijshme për trashëgiminë që ndan me hebrenjtë dhe e shtyrë jo nga arsye politike, por nga dashuria shpirtërore e Ungjillit, dënon urrejtjen, përndjekjet, shfaqjet e antisemitizmit, të drejtuara kundër hebrenjve në çdo kohë dhe nga kushdo.

Përveç kësaj, siç Kisha ka mbajtur gjithmonë dhe mban tani, Krishti pësoi pasionin dhe vdekjen e Tij lirisht, për shkak të mëkateve të njerëzve dhe prej dashurisë së pafundme, me qëllim që të gjithë të arrijnë shpëtimin. Prandaj, është detyrë e predikimit të Kishës të shpallë kryqin e Krishtit si shenjë të dashurisë gjithëpërfshirëse të Hyjit dhe si burim nga i cili rrjedh çdo hir.

5. Nuk mund t’i thërrasim me vërtetësi Hyjit, Atit të të gjithëve, nëse refuzojmë të trajtojmë në mënyrë vëllazërore çdo njeri, i krijuar siç është në shëmbëlltyrë të Hyjit. Marrëdhënia e njeriut me Hyjin Atë dhe marrëdhënia e tij me njerëzit vëllezër janë aq të lidhura saqë Shkrimi thotë: “Ai që nuk do, nuk e ka njohur Hyjin” (1 Gjonit 4:8).

Prandaj, nuk mbetet asnjë bazë për asnjë teori apo praktikë që çon në diskriminim midis njeriut dhe njeriut, ose popullit dhe popullit, sa i përket dinjitetit njerëzor dhe të drejtave që rrjedhin prej tij.

Kisha dënon,të papajtueshme me mendësinë e Krishtit, çdo diskriminim kundër njerëzve apo ngacmim të tyre për shkak të racës, ngjyrës, kushteve të jetesës ose fesë së tyre. Përkundrazi, duke ndjekur gjurmët e Apostujve të shenjtë Pjetërit dhe Palit, ky Sinod i shenjtë u kërkon me ngulm besimtarëve të krishterë që “të mbajnë një sjellje të mirë mes kombeve” (1 Pjetrit 2:12), dhe, nëse është e mundur, të jetojnë nga ana e tyre në paqe me të gjithë njerëzit, në mënyrë që të jenë vërtet bij të Atit që është në qiej.

Share This Article
Pa Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *