Audienca e Përgjithshme e Papa Benediktit XVI mbi kthimin e Shën Augustinit
Salla e Audiencës Pali VI, 27 shkurt 2008
Me takimin e sotëm dëshiroj ta përmbyll paraqitjen e figurës së Shën Augustinit. Pasi jam zhytur në jetën e tij, veprat dhe disa aspekte të mendimit të tij, sot do të doja të kthehesha te përvoja e tij e brendshme, e cila e bëri atë një ndër të konvertuarit më të mëdhenj në historinë e krishterimit. Vitin e kaluar, gjatë Pelegrinazhit tim në Pavia për të nderuar mbetjet mortore të këtij Ati të Kishës, i kushtova posaçërisht reflektimin tim kësaj përvoje të tij. Duke vepruar kështu, desha t’i shpreh atij homazhin e gjithë Kishës Katolike, por gjithashtu të shfaq devocionin tim personal dhe mirënjohjen ndaj një figure me të cilën ndihem shumë i lidhur për rolin që ka pasur në jetën time si teolog, prift dhe bari.
Sot, akoma është e mundur të gjurmohen përjetimet e Shën Augustinit, falë të gjitha Rrëfimeve, të shkruara për ta lavdëruar Zotin dhe që janë në origjinë të një prej formave më specifike letrare të Perëndimit: autobiografisë, ose shprehjes personale të vetënjohjes. Epo, kushdo që ndeshet me këtë libër të jashtëzakonshëm dhe magjepsës, ende gjerësisht të lexuar sot, e kupton shpejt se kthimi i Augustinit nuk ishte i menjëhershëm apo plotësisht i kryer në fillim, por mund të përkufizohet, më tepër, si një udhëtim i vërtetë, i cili mbetet model për secilin prej nesh. Ky itinerar sigurisht kulmoi me kthimin e tij e pastaj me pagëzimin, por nuk u përmbyll as në atë Vigjilje të Pashkëve të vitit 387, kur retoriku afrikan u pagëzua në Milano nga Ipeshkvi Ambroz. Udhëtimi i kthimit të Augustinit, në fakt, vazhdoi me përulësi deri në fund të jetës së tij, aq sa mund të thuhet me të drejtë se hapat e tij të ndryshëm, dhe tre prej tyre mund të dallohen lehtësisht – përbëjnë një të vetme, një kthim të madh.
Shën Augustini ishte një kërkues i zjarrtë i së vërtetës: ai ishte i tillë që në fillim dhe kështu mbeti gjatë gjithë jetës. Hapi i parë i udhës së kthimit të tij u krye pikërisht në afrimin e tij progresiv me krishterimin. Në të vërtetë, ai kishte marrë nga nëna e tij, Monika, me të cilën do të mbetej gjithmonë shumë i lidhur, një edukim të krishterë, dhe megjithëse jetoi një jetë endacake gjatë viteve të rinisë, ai gjithmonë ndiente një tërheqje të thellë ndaj Krishtit, duke e pirë bashkë me qumështin e nënës dashurinë për Emrin e Zotit, siç e thekson ai vetë (krh. Rrëfimet, III, 4, 8). Por edhe filozofia, posaçërisht ajo me ngjyrime platonike, e afroi atë edhe më shumë te Krishti, duke i zbuluar atij ekzistencën e Logos-it, ose arsyes krijuese. Librat e filozofisë i treguan atij ekzistencën e arsyes, prej së cilës vjen i gjithë universi, por nuk mund t’i tregonin se si të arrinte këtë Logos, i cili i dukej aq i largët. Vetëm duke lexuar Letrat e Shën Palit brenda fesë së Kishës Katolike, e vërteta iu zbulua plotësisht. Kjo përvojë u përmblodh nga Augustini në një prej fragmenteve më të famshme të Rrëfimeve: ai rrëfen se, në ankthin e meditimit të tij, ndërsa tërhiqej në një kopsht, papritur dëgjoi zërin e një fëmije që këndonte një varg të padëgjuar ndonjëherë: tolle, lege; tolle, lege “merre e lexo, merre e lexo” (VIII, 12, 29). Atëherë ai kujtoi kthimin e Antonit, Atit i monasticizmit, dhe u kthye me kujdes te kodi i Palit që kishte lexuar së fundmi, e hapi, dhe shikimi i ra mbi fragmentin e Letrës drejtuar Romakëve ku Apostulli këshillon të braktisen veprat e mishit dhe të vishemi me Krishtin (krh. Rom 13, 13-14). Ai e kuptoi se ato fjalë, në atë çast, ishin drejtuar personalisht atij; ato vinin nga Zoti përmes Apostullit dhe i tregonin atij çfarë duhej të bënte në atë moment. Kështu, ai e ndjeu errësirën e dyshimit të shpërndahej dhe më në fund e gjeti veten të lirë t’i jepet tërësisht Krishtit: ai e përshkroi këtë si “kthimi im prej Teje drejt Vetvetes Tënde” (Rrëfimet, VIII, 12, 30). Ky ishte kthimi i tij i parë dhe vendimtar.
Retoriku afrikan arriti këtë hap themelor në udhën e tij të gjatë falë pasionit të tij për njeriun dhe për të vërtetën, një pasion që e shtyu ta kërkonte Zotin, Atë të madhin dhe të paarritshmin. Besimi në Krishtin e bëri atë të kuptonte se Zoti, që dukej aq i largët, në të vërtetë nuk ishte i tillë. Ai, në fakt, u bë i afërt me ne, u bë njëri prej nesh. Në këtë kuptim, besimi në Krishtin e përmbushi kërkimin e gjatë të Augustinit në udhën drejt së vërtetës. Vetëm një Hyj që u bë “i prekshëm”, një prej nesh, ishte më në fund një Hyj të cilit ai mund t’i lutej, për të cilin dhe me të cilin mund të jetonte. Kjo është rruga për t’u marrë me guxim dhe njëkohësisht me përulësi, e hapur ndaj një pastrimi të përhershëm që secili prej nesh gjithmonë e ka të nevojshëm. Por me Vigjiljen e Pashkëve të vitit 387, siç thamë, udhëtimi i Augustinit nuk përfundoi. Ai u kthye në Afrikë dhe themeloi një manastir të vogël ku u tërhoq me disa miq, për t’iu kushtuar jetës kontemplative dhe studimit. Kjo ishte ëndrra e jetës së tij. Tani ai ishte thirrur të jetonte krejtësisht për të vërtetën, me të vërtetën, në miqësi me Krishtin, që është e vërteta: një ëndërr e bukur, e cila zgjati tre vjet, deri sa, kundër dëshirës së tij, u shugurua prift në Hipo dhe u caktua t’i shërbente besimtarëve, duke vazhduar, po, të jetonte me Krishtin dhe për Krishtin, por në shërbim të të gjithëve. Kjo ishte shumë e vështirë për të, por ai e kuptoi që në fillim se vetëm duke jetuar për të tjerët, e jo thjesht për kontemplimin e tij privat, mund të jetonte me të vërtetë me Krishtin dhe për Krishtin.
Kështu, duke hequr dorë nga një jetë vetëm meditimi, Augustini mësoi shpesh me vështirësi t’i vërë në dispozicion të tjerëve frutat e intelektit të tij. Ai mësoi t’ua komunikonte fenë njerëzve të thjeshtë dhe kështu mësoi të jetonte për ta në qytetin që u bë më pas vendbanimi i tij, duke kryer pareshtur një veprimtari bujare dhe të lodhshme, të cilën ai e përshkruan në një nga predikimet e tij më të bukura: “Të predikosh pa ndërprerje, të diskutosh, të përsërisësh, të ndërtosh, të jesh në dispozicion të të gjithëve është një përgjegjësi e madhe, një peshë e rëndë, një përpjekje e jashtëzakonshme” (Predikimi, 339, 4). Por ai e mori këtë peshë mbi vete, duke e kuptuar se pikërisht në këtë mënyrë mund të ishte më afër Krishtit. Ta kuptosh se njeriu i qaset të tjerëve me thjeshtësi dhe përulësi ky ishte kthimi i tij i dytë i vërtetë.
Por ka edhe një hap të fundit në udhëtimin e Augustinit, një kthim të tretë, që e çonte atë çdo ditë të jetës së tij të kërkonte falje nga Zoti. Fillimisht, ai mendoi se, pasi ishte pagëzuar, në jetën e bashkimit me Krishtin, në sakramente, në kremtimin e Eukaristisë, ai do të arrinte jetën e propozuar në Predikimin në Mal: përsosmërinë e dhënë nga Pagëzimi dhe e ripohuar në Eukaristi. Gjatë pjesës së fundit të jetës së tij, ai kuptoi se ajo që kishte nxjerrë si përfundim në fillim mbi Predikimin në Mal domethënë: tani që jemi të krishterë, e jetojmë këtë ideal në mënyrë të qëndrueshme – ishte e gabuar. Vetëm Krishti, vetëm Ai, e realizon plotësisht dhe në mënyrë të përsosur Predikimin në Mal. Ne kemi gjithmonë nevojë të lahemi nga Krishti, i cili na lan këmbët, dhe përtërihemi prej Tij. Kemi nevojë për një kthim të përhershëm. Deri në fund kemi nevojë për këtë përulësi që pranon se jemi mëkatarë në udhëtim, derisa Zoti të na shtrijë dorën përfundimisht dhe të na udhëheq në jetën e amshuar. Ishte pikërisht në këtë qëndrim të fundit të përulësisë, të jetuar ditë pas dite, që vdiq Augustini.
Ky qëndrim i përulësisë së thellë para të vetmit Zot Jezus e çoi atë gjithashtu në një përulësi intelektuale. Augustini, në fakt, që është një nga figurat më të mëdha në historinë e mendimit, në vitet e fundit të jetës së tij dëshironte t’i nënshtrohej një shqyrtimi të qartë dhe kritik të gjitha veprave të tij të shumta. Kjo çoi në lindjen e Retractationum (“Rishqyrtimeve”), të cilat vendosin mendimin e tij teologjik vërtet të madh brenda fesë së përulur dhe të shenjtë që ai thjesht e quan Katolike, domethënë e Kishës. Ai shkroi në këtë libër vërtet origjinal: “E kuptova se vetëm Njëri është vërtet i përsosur, dhe se fjalët e Predikimit në Mal realizohen plotësisht vetëm në Njërin, në vetë Jezu Krishtin. Ndërsa e gjithë Kisha, të gjithë ne, përfshirë Apostujt, duhet të lutemi çdo ditë: Na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë” (De Sermone Domini in Monte, I, 19, 1-3).
Augustini u kthye te Krishti që është e vërteta dhe dashuria, e ndoqi atë gjatë gjithë jetës së tij dhe u bë model për çdo qenie njerëzore, për të gjithë ne që jemi në kërkim të Zotit. Kjo është arsyeja pse desha ta përmbyll në mënyrë ideale Pelegrinazhin tim në Pavia duke ia dorëzuar Kishës dhe botës, para varrit të këtij dashamirësi të madh të Zotit, Enciklikën time të parë të titulluar Deus Caritas Est. I detyrohem shumë atij, në fakt, posaçërisht në pjesën e parë, për mendimin e Augustinit. Edhe sot, si në kohën e tij, njerëzimi ka nevojë të njohë dhe mbi të gjitha të jetojë këtë realitet themelor: Zoti është dashuri, dhe takimi me Të është e vetmja përgjigje ndaj trazimit të zemrës njerëzore; një zemër ku banon shpresa, shpresë kjo ndoshta ende e turbullt dhe e pavetëdijshme në shumë bashkëkohës tanë, por që tashmë sot na hap ne të krishterëve ndaj së ardhmes, aq sa Shën Pali shkruante se “në këtë shpresë u shpëtuam” (Rom 8:24). Desha t’ia kushtoja Enciklikën time të dytë shpresës, Spe Salvi, dhe ajo gjithashtu i detyrohet shumë Augustinit dhe takimit të tij me Zotin.
Në një fragment të bukur, Shën Augustini e përkufizon lutjen si shprehje të dëshirës dhe pohon se Zoti përgjigjet duke i lëvizur zemrat tona drejt Tij. Nga ana jonë, ne duhet t’i pastrojmë dëshirat dhe shpresat tona për të pranuar ëmbëlsinë e Zotit (krh. 1 Gjn 4, 6). Me të vërtetë, vetëm kjo hapje e vetes ndaj të tjerëve na shpëton. Le të lutemi, pra, që të mund ta ndjekim shembullin e kthimit të Augustinit çdo ditë të jetëve tona, dhe në çdo çast të jetës sonë të takojmë Zotin Jezus, të vetmin që na shpëton, na pastron dhe na dhuron gëzimin e vërtetë, jetën e vërtetë.
Përktheu: Marigona Gegaj
ViaVeritatis
in






