Mbyllen dyert e Jubileut, hapen ato të Koncistorit

15 Min Lexim
Deklaratë: Të gjithë artikujt dhe reflektimet e botuara në Via Veritatis paraqesin pikëpamjet personale të autorëve. Ato nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të asnjë institucioni fetar.

Viti Jubilar, i cili është përmbyllur para pak ditësh nga Papa Leoni XIV me mbylljen e dyerve të Bazilikës së Shën Pjetrit në Vatikan, shënon hyrjen e Kishës Katolike në një tjetër moment simbolik dhe të rëndësishëm: hapjen e Konsistorit të Jashtëzakonshëm të Kardinalëve. Kjo ngjarje synon t’i japë zë bashkëpunimit, reflektimit dhe orientimit të Kishës drejt së ardhmes.

Fjala konsistor rrjedh nga latinishtja con-sistere, që do të thotë “të qëndrosh së bashku”. Në rrjedhën historike, konsistorët lindën si takime të papëve të hershëm me presbiterët romakë për të mbikëqyrur pjesë të qytetit. Me kalimin e kohës, këta u zëvendësuan nga figura e kardinalëve, të cilët vazhduan të mblidheshin sipas thirrjes së Papës, duke shërbyer si këshilltarë në çështje të Kishës dhe të shtetit.

Me krijimin e Kurisë Romake, funksioni praktik i konsistorëve u reduktua dhe u bë thuajse ceremonial. Megjithatë, rëndësia e tyre si hapësirë për bashkëbisedim dhe këshillim të drejtpërdrejtë me Papën nuk u zhduk kurrë.

Gjatë këtyre dy ditëve, më 7–8 janar, Papa Leoni XIV thirri Koncistorin e Jashtëzakonshëm të Kardinalëve. Këtë herë, koncistori synoi të ishte më shumë se një ritual formal; përkundrazi, u konceptua si një hapësirë ku Papa dhe kardinalët “ndalojnë” ritmin e përditshëm për të reflektuar mbi misionin e Kishës, sfidat që ajo përballet dhe horizontin e saj të ardhshëm.

“Ejani dhe ju në një vend të pabanuar e pushoni pak në vetmi”(krh Marku 6,31) koncistori duket se përputhet në mënyrë të veçantë me Ungjillin sipas Markut, sepse fillon me thirrjen për t’u mbledhur së bashku dhe për të bërë një ndalesë të domosdoshme; pastaj Marku na fton në dëgjim si orientim i jetës “Ky është Biri im – djali i Dishirit! Atë dëgjojeni!” (Mk 9, 7-8); Ky dëgjim qon drejt përulësisë, shërbimit dhe dhurimit të vetvetes “Biri i njeriut nuk erdhi për të qenë shërbyer, por që ai të shërbejë e të japë jetën e vet si shpërblim për të gjithë.” (Mk 10, 44-45) Vetëm nëse arrijmë ta lexojmë koncistorin në këtë mënyrë mund të nxjerrim frytet e nevojshme prej tij! Vetëm atëherë mund t’i kthehemi fillimit të Ungjillit sipas Markut dhe të pohojmë “Koha u plotësua! Kthehuni e besojini Ungjillit!” (krh Mk 1, 14-15)

Në hapjen e Koncistorit, Papa Leoni XIV iu rikthye fjalëve të Papa Benediktit XVI në homelinë e hapjes së Konferencës së Apareçidës (2007), duke riafirmuar një parim themelor për jetën dhe misionin e Kishës:

Kisha nuk bën prozelitizëm. Ajo zhvillohet më tepër përmes tërheqjes.

Këtë qasje e ka përqafuar edhe Papa Françesku, dhe tani e rimerr prapë Leoni XIV, duke e shndërruar në mesazh qendror për Koncistorin e Jashtëzakonshëm, duke shpjeguar se forca që e udhëheq këtë tërheqje është Charis, Agape – Dashuria e Zotit e mishëruar në Krishtin dhe dhuruar Kishës.

Kjo duket në thelb si një kritikë ndaj “shërbyesve” të Kishës, të cilët shpesh dashurinë dhe shërbimin ndaj njerëzve e zëvendësojnë me struktura dhe formalitete të një “rituali të përhimtë”, duke e bërë Kishën një biznes shpirtëror: e bukur në dukje, por e zbrazët në përmbajtje.

Ky koncistor duhet të jetë mesazh për të gjithë klerikët, qoftë për Kishën tonë lokale, qoftë për atë universale si kthim tek burimi i të gjitha veprave të Kishës e cila është dashuria e Krishtit, dhe jo tërheqja artificiale nga protokollet apo imazhi i jashtëm.

Sepse nëse ka lindur nevoja për të diskutuar mbi “tërheqjen”, duket se po pranohet në mënyrë të pavetëdijshme se “diçka nuk po tërheq më”. Të pohuarit se Krishti është Ai që tërheq e jo Kisha, rrëzon iluzionin se Kisha mund të mbështetet vetëm në strukturat e saj si autoritet institucional. Nëse ajo nuk e ka Krishtin në qendër, nuk është e aftë të “tërheqë”, sepse vetëm Krishti është dashuria përmes së cilës lind forca tërheqëse.

A janë të rastësishme çështjet e diskutimit që ka zgjedhur Leoni?
Përkundrazi, zgjedhja e tij është plotësisht strategjike dhe reflektive:

  1. Evangelii Gaudium – duke e përfshirë këtë enciklikë të Papa Françeskut, e cila në thelb ka të bëjë me takimin me Jezusin që na jep gëzim, Leoni XIV vendos në qendër pyetjen themelore të misionit të Kishës sot. Në Evangelii Gaudium, Françesku paralajmëron për një rrezik që sot është edhe më i thelluar: një i krishterë i kapur nga konsumizmi, vetëkënaqësia dhe zbrazëtia e brendshme. Një jetë ku nuk ka vend për Tjetrin, për të varfrin dhe as për Zotin. Një ekzistencë e mbyllur në vetvete, ku feja reduktohet në zakon, ndërsa Ungjilli humbet fuqinë e tij shndërruese. Një Kishë që nuk e përbrendëson Gëzimin e Ungjillit nuk mund të jetë misionare; ajo kthehet në ankth moral dhe lodhje shpirtërore, në një barrë që rëndon më shumë sesa çliron. Pa gëzimin që buron nga takimi me Krishtin, misioni shndërrohet në detyrë, shërbimi në formalitet dhe dëshmia në fjalë boshe.
  2. Përfshirja e Praedicate Evangelium na paraqet qartë idenë se strukturat e Kishës nuk janë qëllim në vetvete, por mjete në shërbim të Kishave lokale dhe të besimtarëve. Ato ekzistojnë për të mbështetur misionin, jo për ta zëvendësuar atë; për të shërbyer jetën kishtare, jo për ta ngurtësuar atë në procedura dhe mekanizma burokratike. Në Praedicate Evangelium i jepet fund një kuptimi të ngushtë të hierarkisë. Theksohet kjartë se çdo i pagëzuar është misionar. Shpallja e Ungjillit nuk mund dhe nuk duhet të monopolizohet nga kleri, ndërsa laikët të reduktohen në konsumatorë të sakramenteve dhe spektatorë të jetës kishtare. Përkundrazi, e gjithë bashkësia e të pagëzuarve thirret të marrë përgjegjësi për misionin. Në këtë dritë, Leoni XIV duket se po e rikthen këtë çështje në vëmendjen tonë përmes zgjedhjes së këtij dokumenti. Problemi nuk është thjesht diskutimi mbi mekanizmat dhe strukturat, por reflektimi i thellë mbi pyetjen themelore: a po e shpall ende Kisha Ungjillin?  οἰκοδομήσω μου τὴν ἐκκλησίαν – do ta ndërtoj Kishen time (Mateu 16:18) A është Kisha ajo që Jezusi e kishte “idealizuar”? Një projekt hyjnor e jo vetëm njerëzor, e ndërtuar mbi marrëdhënie e jo mbi pushtet… Kisha (ecclesia) që do të thotë trupi i besimtarëve, trupi i Krishtit (në kuptimin teologjik sepse nga greqishtja nënkupton bashkësinë apo asamblenë dhe përdorej në kuptimin politik të saj) a është e zënë duke administruar vetveten, duke harruar arsyen për të cilën ekziston?
  3. Sinodi dhe sinodaliteti – stil bashkëpunimi: sinodaliteti nuk është thjesht një procedurë administrative, por një stil bashkëpunimi që përshkon gjithë jetën e Kishës. Ai është mënyra se si Kisha dëgjon, dialogon dhe ndërton vendime së bashku, duke reflektuar natyrën e saj komunitare dhe misionare. Përmes zgjedhjes së këtij diskutimi, Leoni XIV rithekson rëndësinë e dialogut dhe dëgjimit reciprok. Vetë fjalët hyrëse të tij, “Jam këtu për të dëgjuar”, mjaftojnë për të treguar se ky koncistor nuk ka për qëllim të imponojë agjendë personale, por të krijojë një hapësirë reflektimi dhe vëmendjeje ndaj zërit të çdo anëtari të Kishës. Kisha nuk mund të funksionojë si hierarki e mbyllur; përkundrazi, misioni i saj kërkon bashkëpunim dhe përfshirje. Koncistori i jashtëzakonshëm shërben pikërisht si fushë reflektimi dhe ripërshtatjeje, ku Kisha mund të ritheksojë angazhimin e saj për t’u afruar më pranë të gjithë besimtarëve dhe për të vepruar në frymën e sinodalitetit si mënyrë jetese dhe misioni i përbashkët. “Për një Kishë sinodale” përfshinte edhe Kishen tonë lokale e cila përmes ca aktiviteteve e takimeve me të gjitha grup-moshat ka tentuar të “dëgjojë” por të dëgjosh në Kishë nuk përfshin vetëm shqisat sepse vetëm kur ajo që dëgjohet prek ndërgjegjen dhe zgjon përgjegjësinë, dëgjimi bëhet frytdhënës dhe shndërrohet në veprim konkret për jetën dhe misionin e Kishës.
  4. Liturgjia – burim dhe kulm i jetës së krishterë: kjo është çështja më e ndjeshme e këtij koncistori! Fons et culmen vitae christianae – nuk është një formulë poetike, por një përcaktim ontologjik i jetës së krishterë. Liturgjia nuk mund të shndërrohet në zakon, shfaqje apo ritual të përditshëm, i cili përsëritet pa ndjesinë e pranisë së Zotit. Ajo duhet të jetohet si takim real me Krishtin, momenti ku dashuria dhe misioni i Kishës gjejnë shprehjen e tyre më të vërtetë. Leoni XIV, në këtë Koncistor të Jashtëzakonshëm, tenton të kthejë vëmendjen tek themeli i jetës së krishterë: Eukaristia. Ajo nuk është thjesht simbol apo kujtim, por burimi i bashkësisë, shërbimit dhe misionit të Kishës. Në Eukaristi, çdo veprim i Kishës si: dialogu, shërbimi ndaj të varfërve, sinodaliteti; gjen vetveten dhe ritmet e tij. Liturgjia, pra, nuk është vetëm një moment i veçantë, por referenca për çdo vendim dhe reflektim: nga Koncistori i Jashtëzakonshëm tek çdo veprim i përditshëm i Kishës lokale. Kjo na kujton se Kisha është bashkësi e Krishtit, jo e individëve apo e strukturave, dhe çdo ripërqendrim apo reformë duhet të nisë nga ky burim. (Mbi këtë duhet të reflektojë edhe Kisha jonë lokale, lexoni këtë artikull: https://viaveritatis.info/mbi-kufijte-e-inkulturimit/)

Mbyllen dyert e Jubileut, hapen ato të Koncistorit

Ky titull nuk është thjesht një referencë kronologjike; ai thekson një lëvizje shpirtërore dhe reflektive. Viti Jubilar, me intensitetin e vet për një vit të tërë, nuk duhet të ruhet në arkiva thjesht si një vit i bukur, por të shndërrohet në një thirrje për reflektim të thellë.

Prania e 33 milion besimtarëve gjatë vitit jubilar nuk duhet të interpretohet si sukses numerik, sepse siç ka theksuar Papa Leoni XIV se logjika e Kishës nuk është logjikë e numrave. Përkundrazi, kjo shifër duhet t’i bie këmbanave të ndërgjegjes së Kishës duke shtruar pyetje si “çfarë kanë gjetur këta pelegrinë pas dyerve të shenjta? A kanë gjetur Kishën që rrezaton dashurinë e Krishtit, apo thjesht një strukturë apo ceremoni që duket bukur, por mbetet e zbrazët në përmbajtje?”

Menjëherë pas mbylljes së dyerve të shenjta, Papa Leoni XIV hap dyert e Koncistorit të Jashtëzakonshëm, duke treguar se Kisha duhet të ndalet për të reflektuar para Krishtit, së bashku me udhëheqësit e saj. Mbyllja e dyerve të Jubileut dhe hapja e dyerve të Konsistorit simbolizon kalimin nga entuziazmi te përgjegjësia shpirtërore.

Kjo hapësirë reflektimi është thirrje që Kisha të kujtojë se nuk janë individët apo strukturat ajo që tërheq botën, por vetëm Krishti i gjallë, i cili e bën këtë jo me forcë, por me dashuri.

Teorinë e dijmë, por çka të bëjmë në praktikë?

Dokumentet i kemi lexuar. Termat si sinodaliet, mision, liturgji, bashkëpunim i kemi tashmë në fjalorin tonë çdo ditë. Por nëse gjithçka mbetet në nivel fjalësh atëherë rrezikojmë që ngjarje të tilla qoftë Sinodi i mbajtur 2023-2024; qoftë Viti Jubilar 2024-2026; e edhe ky koncistor i jashtëzakonshëm të mbetën vetëm në kujtesë!

Prandaj Kisha lokale së pari duhet të ndërmarrë hapa konkretë drejt dëgjimit, të jetë e pranishme përherë dhe jo vetëm gjatë ngjarjeve të thirrura nga Kisha Universale. Sepse një Kishë që nuk dëgjon, nuk tërheq. Ajo duhet të gjejë instrumentet për ungjillëzim qoftë edhe përmes platformave online ku sidomos të rinjtë shprehen dhe njëkohësisht dëgjohen.

Së dyti, një vëmendje e veçantë duhet t’i kushtohet liturgjisë. Besimtarët “nominalë”, siç do t’i quante Benedikti XVI, e kanë shndërruar liturgjinë në një zakon javor pa ndikim real në jetën e tyre. Pikërisht këtu qëndron përgjegjësia e klerit: t’i ndihmojë besimtarët që liturgjinë ta përjetojnë si takim me Krishtin, e jo si ritual të zbrazët.

Së treti, të dëgjosh laikët për një vit me radhë dhe të mos ndryshosh asgjë është një mashtrim shpirtëror. Një dëgjim i tillë e humbet kuptimin e vet dhe shuan entuziazmin e besimtarëve për të ngritur zërin dhe për t’u përfshirë në jetën e Kishës.

Së katërti, dashuria e Krishtit nuk ka nevojë për reklamë. Vizita, prania dhe ndihma konkrete ndaj të varfërve dhe të margjinalizuarve janë takimi më i afërt me Jezusin. Ky takim është më ungjillëzues se çdo fjalim, projekt apo strategji tjetër.

Një zgjim nga gjumi dogmatik, në kuptimin kantian, do t’i bënte mirë Kishës Katolike të Kosovës! 🙂

Share This Article
Pa Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *