Dëshpërimi i Augustinit

11 Min Lexim
Deklaratë: Të gjithë artikujt dhe reflektimet e botuara në Via Veritatis paraqesin pikëpamjet personale të autorëve. Ato nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të asnjë institucioni fetar.

Në këtë pasazh të jashtëzakonshëm shkëputur nga libri monumental „Rrëfimet“, Shën Augustini zhvesh shpirtin e tij për të rrëfyer agoninë e humbjes. Ai nuk na ofron ngushëllime të gatshme, por një reflektim të thellë të gjendjes njerëzore, ai shtron pyetjen se pse dashuria ndaj gjërave të vdekshme na bën kaq të cenueshëm, pse lotët bëhen streha dhe ngushëllimi i vetëm i shpirtit në orët e fatkeqësisë, dhe si mund të gjejë paqe një njeri, jeta e të cilit është tronditur nga themeli dhe si përfundim cila mbetet rruga e tij?

Ky shkrim vjen si pjesë e ciklit të dedikuar mendimit teologjik dhe filozofik të Shën Augustinit, të cilin portali Via Veritatis do ta vazhdojë ta botojë rregullisht për lexuesit e tij.


Hidhërimi ma mbuloi shpirtin dhe, ngado që hidhja sytë, shikoja vdekjen. Vendi im u bë një trekëmbësh vdekjeje, ndërsa shtëpia më dukej e rëndë dhe e çuditshme: gjithçka që e kisha ndarë bashkë me të, tani pa atë, shndërrohej në një mundim shumë të madh. Sytë e mi e kërkonin më kot kudo: unë i urreja të gjitha gjërat, ngaqë nuk e shihja atë mes tyre dhe ato nuk mund të më thoshin “ja ku është, po vjen”, ashtu si atëherë kur ishte gjallë dhe më merrte malli.

Unë isha bërë një enigmë të ankthshme për veten time dhe e pyesja shpirtin tim se përse ishte i trishtuar dhe më mundonte aq shumë, por ai nuk më përgjigjej. Prandaj, nëse unë thoja “shpresa ime është te Zoti”, shpirti, me të drejtë, nuk përgjigjej, sepse atë njeri të vërtetë, që kishte qenë aq i dashur për të dhe që e kishte humbur, e kishte pasur më të mirë dhe më të vërtetë se fantazma te i cili e urdhëronte të shpresonte. Vetëm e qara më pëlqente, e cila kishte zënë vendin e mikut tim, mes kënaqësive të shpirtit.

O Zot, tashmë e gjitha kjo ka ikur dhe koha e ka lehtësuar plagën time. A mund të di nga Ti, që je e Vërteta, përse e qara është e ëmbël për atë që është fatkeq? A mund ta afroj te goja Jote veshin e zemrës që të ma thuash Ti? Apo ndoshta Ti, përderisa je i gjithëpranishëm, e çon tutje trishtimin tonë dhe e mban brenda Vetvetes, ndërsa ne rrokullisemi nga njëra provë në tjetrën? Në qoftë se nuk do të kishim mundësi të qanim, në veshët e Tu nuk do të ngelej asgjë nga shpresa jonë.

Nga vjen ky frut i brishtë i hidhërimit të jetës, që gjendet në të qarat e psherëtimat, në rënkimet dhe ofshamat? Te lutjet është me vend të jetë kështu, që të arrijnë dëshirën, pjesë përbërëse e lutjeve. Pse të jetë në dhimbjen për një gjë të humbur dhe në zinë që më mundonte atëherë? Sigurisht, unë nuk shpresoja ta ktheja në jetë, nuk e kërkoja këtë me anë të lotëve, por e përmbaja veten me dhimbjen e me të qarët. Isha fatkeq dhe e kisha humbur gëzimin tim. Mos vallë edhe e qara është një gjë e hidhur dhe na lehtëson, vetëm po të krahasohet me neverinë për gjërat e gëzuara, dikur të këndshme, tani të urryera?

Përse i them këto? Kjo nuk është kohë për kërkime, por për rrëfime. Unë isha fatkeq, ashtu siç është çdo mendje e pushtuar nga miqësia për gjërat e vdekshme, e cila pastaj dërrmohet fare kur i humb ato. Vetëm atëherë e ndien të gjithë fatkeqësinë, nga e cila vuante edhe para se t’i humbiste. Kështu më ndodhte në atë kohë: shumë të hidhur ishin lotët e mi, prandaj gjeja qetësi vetëm në paqe.

Unë isha shumë fatkeq, megjithatë, vetë jetën time fatkeqe e kisha shumë të shtrenjtë, më shumë se mikun tim. Unë dëshiroja që ajo të ndryshonte, por jo ta humbisja në vend të tij: nuk e di nëse do të kisha pranuar të vdisja për të, ashtu siç bënë Oresti dhe Piladi (dy personazhe të mitologjisë greke të gatshëm për ta flijuar secili veten për të shpëtuar tjetrin), sepse për të dy ata, më e keqe se vdekja ishte të mos mundnin të jetonin dot pa njëri-tjetrin. Por tek unë ajo gjë kishte lindur si një ndjenjë e kundërt me këtë; për mua mërzia për të jetuar nuk ishte më pak mbytëse se frika nga vdekja, të cilën sa më shumë e doja, aq më shumë e urreja si armike të egër.

Vdekja, që më kishte vjedhur e që ia kisha frikën, më dukej sikur ishte gati papritur të bënte pluhur çdo njeri, ashtu siç kishte mundur ta bënte edhe mikun tim. Po, e mbaj mend mirë, unë isha pikërisht në atë gjendje. Ti, Zoti im, e shikon shpirtin tim, e shikon në brendësi; e shikon se si e kujtoj atë, o shpresa ime! Largoi tutje ndjenjat e mia të turbullta, duke i drejtuar sytë e mi te Ti dhe duke m’i liruar këmbët nga laku!

Unë habitesha se si jetonin ende njerëzit, vdekatarët e tjerë, kur kishte vdekur ai që e kisha dashur sikur të ishte i pavdekshëm; por habitesha edhe më shumë që unë vetë jetoja, unë që isha një tjetër ai, kur ai kishte vdekur. Dikush e ka thënë mirë për shokun e tij se ishte gjysma e shpirtit të tij. Në të vërtetë, unë e ndjeja që imi dhe i tij ishin një shpirt i vetëm në dy trupa, prandaj jeta ime më tmerronte. Unë nuk doja të jetoja përgjysmë: prandaj, vdekja më fuste frikën, sepse me vdekjen time do të vdiste krejtësisht edhe ai, ai që unë e kisha dashur shumë.

Koha nuk kalon kot dhe nuk sillet kot rrotull ndjenjave tona: ajo ka fuqi të çuditshme mbi shpirtin. Kështu vinin ditët dhe iknin njëra pas tjetrës. Duke ardhur e duke ikur, më sillnin brenda dalëngadalë shpresa të tjera, kujtime të tjera: pak nga pak më kthenin kënaqësitë e vjetra, të cilave dhimbja ime tashmë po u hapte rrugë. Por atyre ua zinin vendin, edhe pse jo dhimbje të tjera, shkaqe të tjera dhimbjeje.

Nga ana tjetër, përse vallë ajo dhimbje e parë kishte depërtuar me shumë lehtësi thellë brenda meje, vetëm sepse e kisha derdhur shpirtin tim mbi diçka të paqendrueshme, duke dashur një krijesë të vdekshme, sikur të ishte e pavdekshme? Mbi të gjitha, ajo më ndihmonte për të rifilluar ballafaqimin me miqtë e tjerë; me ata unë doja atë që doja në vend të tij, domethënë një përrallë të pafund dhe një gënjeshtër të gjatë, të cilat me lajkat dhe tundimet e tyre na i gudulisnin veshët dhe na e prishnin mendjen.

Ajo përrallë nuk vdiste tek unë – ajo kishte mbijetuar ndaj vdekjes së një prej miqve të mi. Ishin të tjera gjërat që më afronin gjithnjë e më shumë me ta: të qeshurit dhe të folurit së bashku, dashamirësitë për njëri-tjetrin dhe tërheqja pas librave të lexuar së bashku, shakatë dhe dëfrimet e zgjedhura bashkarisht, nganjëherë edhe mosmarrëveshjet, por jo me inat, ashtu siç ndodh edhe me vetveten. Me këto mosmarrëveshje shumë të rralla e bëja më të fuqishme kënaqësinë e mirëkuptimeve, mësimin dhe shpjegimin, mallin e paduruar për atë që mungon, pritjen për atë që kthehet – këto pra janë të ngjashme me shenjat që, nga zemra e atij që do dhe që duhet përsëri, arrijnë përmes fytyrës, gojës, syve, si dhe mijëra lëvizjeve shumë të hijshme, thuajse për ta ushqyer zjarrin që përhapet e që i shkrin shumë shpirtëra në një të vetëm.

Kjo është ajo që duam te miqtë dhe që duam aq sa ndërgjegja vret, në qoftë se nuk duam kur na duan ose nuk i përgjigjemi dashurisë së tjetrit, pa i kërkuar gjë tjetër trupit të tij, përveç ndonjë shenje përzemërsie. Nga kjo vjen edhe hidhërimi për mikun që vdes, zymtësia e trishtimit dhe shpirti i mbushur me përzemërsi të shndërruar në hidhërim: pra, jeta e humbur e të vdekurve, që bëhet vdekje e të gjallëve.

Lum ai që të do Ty, të ka Ty mik e që ka armiq për Ty! I vetmi, që nuk e humbet të dashurin, është ai për të cilin të gjithë janë të dashur, është Njëri që nuk humbet. Pra, kush është ky, përveç Zotit tonë, i cili bëri Qiellin dhe Tokën, i plotësoi e, duke i plotësuar, i krijoi? Askush nuk të humbet Ty, veç në qoftë se të lë Ai. Kudo të shkojë, kudo të largohet, ai është nga buzëqeshja Jote deri te zemërimi Yt. Në fund të ndëshkimit të tij, kudo që të jetë, do të gjejë ligjin Tënd: ligji Yt është e vërteta, ndërsa e vërteta je Ti.

Share This Article
Pa Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *