Koment i Ungjillit sipas Mateut 22,15-21
Në Ungjillin e Mateut, na paraqitet laku që iu mbarua Jezusit tepër qartë: a do t’i mbështesë tagrat për Romën, duke bërë t’i ulet ndjekja e popullit që e mbajnë për Mesi, apo do t’i kundërshtojë taksat, duke u anuar me pikëpamjet që kishin nxitur një kryengritje shkatërrimtare jo shumë kohë më parë në vitin 6 para Krishtit. Kjo kryengritje i frymëzoi më vonë zelltarët ta fillojnë luftën e pavarësisë në vitin 66 deri në shkatërrimin e tempullit në vitin 77 pas Krishtit1. Në fakt, tagrat ishte shenjë e zotërimit të huaj në vend dhe e nënshtrimit të judenjve ndaj tyre.

Në Jerusalem, për shkak të ndjeshmërisë së popullit, monedhat vendase prej bakri nuk e paraqisnin portretin e perandorit, por, duke qenë se vetëm perandoria mund të shtypte monedha ari e argjendi ligjërisht, në qarkullim mund të gjendeshin monedha me relievin e perandorit dhe stemat e mbishkrimet e tija. Monedha lidhej drejtpërdrejt me fenë pagane romake dhe me kultin perandorak në Lindje, kështu në anën ku paraqitej shëmbëllesa i tij kishte edhe një mbishkrim2: “TI. CAESAR DIVI AVG.F.AVGVSTVS”—“Tiber Cezari, bir i Augustit hyjnor”; faqja tjetër paraqiste një figurë femërore (ndoshta perandoreshën Livia të personifikuar si perëndesha Roma) dhe mbante mbishkrimin “PONTIF. MAXIM”, që i referohej kryepriftit të fesë romake3. Perandoria i përdorte këto monedha, jo vetëm si mjete tregtie, por edhe mjete adhurimi ndaj kultit të perandorit shëmbëllesat e të cilit judeu duhej mënjanuar. Monedhat ishin pronë e shtetit, më saktësisht e perandorit, dhe judenjtë edhe nuk kishin kah t’ia mbanin pa i përdorur, si p.sh. Tagra për krye/frymë (tributum capitis) e cila mblidhej në çastin e regjistrimit (Lk 2,1–5; Vaps 5,37) e që arrinte rreth 1 deanrë në vit për frymë4. Kjo e pati nxitë edhe kryengritjen e famshme të Judës Galileasit në vitin 6 pas Krishtit (Josephus, De bello Iudaico 2.118)5.
Judenjtë e devotshëm e kundërshtonin monedhën «idhujtare», e cila mbante jo vetëm portretin e një njeriu (në kundërshtim me urdhërimin e dytë, Dal 20,4), por edhe një mbishkrim që e përshkruante perandorin romak si Birin e hyjit (Divi Filius – në kundërshtim me urdhërimin e parë, Dal 20,3)6.
Jezusi sapo merr monedhën e ua paraqet e u kërkon që të vetëdijesohen e ta kuptojnë se e kujt është. Me i dhanë Cezarit çka i takon Cezarit d.m.th. me ia kthy monedhën e vet (krh. 17,25; Rom 13,6–7; 1 Pjt 2,13–14). As figura dhe as mbishkrimi në monedhat nuk i pengonin judenjtë. Në njëfarë mënyre Jezusi ua nxerr në pah dyfytyrësinë, veprimin e tyre idhujtare, dhe se duhet t’i kthehet monedha peradnorit. Judenjt, për hatër s’e linin flamurin e romës brenda e aq më pak të perandorit në qytet (Josephus, De Antquitate Iudaica 18.59)7, porse ja ku e mbanin idhullin e tij nëpër xhepa.
Në anën tjetër Jezusi na fton çka i takon Hyjit, t’i jepet Hyjit (nënkuptohet shëmbëllimi, pra ne, që i takojmë Hyjit). Menjëherë na jehon pjesa e Zanafillës ku Zoti e krijon njeriun në “shëmbëllimin e vet” (hb. ṣelem; gq. eikōn). Të paktën që nga Tertuliani (Adversus Marcionem 4.38; De Idolatria 15)8 e kanë hetuar këtë krahasim mes monedhës së argjendtë, shëmbëllim i prodhuesit njerëzorë dhe ikonës njerëzore, shëmbëllesë e Krijuesit të vet9. Kjo na tregon njëherësh vlerën njerëzore, si krijesa të lartësuara nga Krijuesi përmes shëmbëllesës, e në anën tjetër përkatësinë tonë ndaj tij, pasi që ne të gjithë që e mbartim mbishkrimin the fytyrën e tij. Zoti kërkon që ne t’ia japim adhurimin e duhur atij, që të qëndrojmë në lidhje me të, ndërsa në anën tjetër është edhe Djalli, autori i së keqes, babai i rrenës e majmuni hyjnor, i cili duke mos mundur të krijoi, atëherë veç mundohet të shkatërroi këtë shëmbëllesë hyjnore.

Ai vazhdimisht e paraqet vetveten si hyjni që duhet nderuar, e në botën moderne edhe po ia del bukur mirë, kur shohim mjerimin, luftën, të keqen, ideologjitë e çmendurit nga më të ndryshmet. Në kohën e BV në luginen e t’bijve të Hinomit, judenjt i flijonin fëmijët e tyre duke i vendosur në duart e zjarrta të Molekut (shih 2Mb 3,26-7; 16,3; 21,6), e ende e kësaj dite me miliona i flijohen atij me abort e çmenduri tjera10. Rituale të ngjashme bëhen haptazi nëpër ngjarje sportive11 apo edhe duke i vendosur shtatore bronzi të Molekut publikisht për promovimin e infanticidit në Boston12. Kur Jezusi flet për ferrin e përdorë fjalën heb. gê (ḇen-)hinnōm13, gq. Gehenna14, luginen e vajtimit të gjithë atyre fëmijëve që u flijuan në zjarr.
Jezusi dëshiron të na rikujtoj dinjitetin tonë si bij të Zotit e të na rikthej në bashkim me Atin tonë krijues. Ndoshta mund të jemi monedhë e vjetëruar, e përdorur, ndoshta edhe monedhë e ndotur deri në atë pikë saqë edhe më nuk njihemi, por shëmbëllesa e mbishkrimi mbeten, prandaj edhe duhet t’i kthehen t’Zotit. Veçanërisht në këtë pjesë na tregon se është e mundur t’i paguash detyrimet si perandorit e po ashtu Zotit, të jesh një qytetarë i përgjegjshëm dhe një shërbëtorë besnik i Hyjit15.
- Craig S. Keener, The Gospel of Matthew: A Socio-Rhetorical Commentary (Grand Rapids, MI; Cambridge, U.K.: Wm. B. Eerdmans Publishing Co., 2009), 524; R. T. France, The Gospel of Matthew, The New International Commentary on the New Testament (Grand Rapids, MI: Wm. B. Eerdmans Publication Co., 2007), 829. ↩︎
- Shih Tiberius coins – ANCIENT ROMAN COIN – OFFICIAL WEBSITE ↩︎
- W. D. Davies and Dale C. Allison Jr., A Critical and Exegetical Commentary on the Gospel according to Saint Matthew, vol. 3, International Critical Commentary (London; New York: T&T Clark International, 2004), 216. ↩︎
- Davies and Allison Jr., 2004), 214; Keener, 2009, 524–25. ↩︎
- “Gjatë administrimit të tij, një farë galileasi, me emrin Judë, arriti t’i nxiste bashkatdhetarët e vet të çoheshin në kryengritje; dhe iu tha se ishin frikacakë nëse pranonin t’u paguanin tagra romakëve dhe, pas Zotit, t’u nënshtroheshin si zotave njerëzve të vdekshëm. Ky njeri ishte mësues i një sekti të veçantë, të krijuar prej tij, dhe nuk i ngjante aspak udhëheqësve të tjerë të tyre.”, në Flavius Josephus and William Whiston, The Works of Josephus: Complete and Unabridged (Peabody: Hendrickson, 1987), 604–5. ↩︎
- France, 2007, 830. ↩︎
- “Por ata u shtrinë përtokë, shtrinë qafat dhe thanë se do ta pranonin vdekjen me shumë dëshirë, në vend që të shkelnin urdhëresat e ligjeve të tyre. Kjo e preku thellë Pilatin, kur pa vendosmërinë e tyre për t’i mbajtur ligjet të pacënuara, dhe u urdhëroi menjëherë që shëmbëlltyrat të ktheheshin nga Jerusalemi në Cezare”, në Josephus and Whiston, 1987, 480. ↩︎
- Alexander Roberts, James Donaldson, and A. Cleveland Coxe (eds.), Latin Christianity: Its Founder, Tertullian, trans. S. Thelwall, vol. 3, The Ante-Nicene Fathers (Buffalo, NY: Christian Literature Company, 1885). ↩︎
- Davies and Allison Jr., 2004, 217–18. ↩︎
- April Favara, “Molech,” in The Lexham Bible Dictionary, ed. John D. Barry et al. (Bellingham, WA: Lexham Press, 2016). ↩︎
- Shih ’33 Ba’al/Moloch Ceremony at Soldier Field -Jewish History in Chicago 1833-1933 ; Social media reaction to ‘in seine’ Olympics opening ceremony ↩︎
- Shih Massachusetts Democrats Unveil Statue Of Molech At State Capitol | Babylon Bee ↩︎
- “always with ref. to the sacrifice of children by fire, 2 K 23:10 2 Ch 28:3; 33:6 Je 7:31, 32; 19:2, 6; 32:35; on account of this inhuman & idolatrous practice it was abhorred by priest & prophet, & defiled by Josiah; this conception afterward developed, through Is 66:24, into Jewish Gehinnom & NT γέεννα.” Francis Brown, Samuel Rolles Driver, and Charles Augustus Briggs, Enhanced Brown-Driver-Briggs Hebrew and English Lexicon (Oxford: Clarendon Press, 1977), 244–45. ↩︎
- Alexander Souter, A Pocket Lexicon to the Greek New Testament (Oxford: Clarendon Press, 1917), 54. ↩︎
- France, 2007, 830. ↩︎

Don Kolë Dedaj
Dom Kolë Dedaj është meshtar i Dioqezës Prizren-Prishtinë që nga viti 2017. Misioni i tij baritor është shoqëruar me angazhim akademik: prej vitit 2020 shërben si profesor i Biblës në Shkollën Filozofike-Teologjike “Nëna e Këshillit të Mirë” në Shkodër, duke kontribuar në formimin intelektual e shpirtëror të studentëve. Në vitin 2023 është emëruar zëvendëskancelar i Dioqezës, ku merr pjesë në administrimin dhe koordinimin e jetës kishtare. Deri më tani ka ushtruar shërbimin e famullitarit në famullinë “Shën Gjergjit martir” në Budisalc, për të vazhduar më tutje si misionar në Luzern.


