Mbi dashurinë dhe erotikën: Tjetërsimi i Erosit në konsum kënaqësie

28 Min Lexim
Deklaratë: Të gjithë artikujt dhe reflektimet e botuara në Via Veritatis paraqesin pikëpamjet personale të autorëve. Ato nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të asnjë institucioni fetar.

I dashur lexues,

Ligjërata që vijon na fton ta rikonceptojmë dashurinë jo si një përpjekje egoiste për të zotëruar Tjetrin, por si një akt integrimi dhe sakrifice. Fulton Sheen argumenton se seksi i ndarë nga dashuria e vërtetë e kthen njeriun prapa në një gjendje izolimi, ku Tjetri trajtohet thjesht si një objekt funksional.

Për ta shpëtuar Erosin nga ky degjenerim mekanik, ai duhet të gjejë rrugën e tij drejt një dashurie që nuk kërkon vetëm të marrë, por të dhurojë, duke guxuar të shohë te Tjetri diçka që shkon përtej të tashmes së thjeshtë.

Lexim të këndshëm! 🙂


[…]Tani, unë do të ndalem saktësisht në minutën e 19-të pas një ore, në mënyrë që të mund të shkoni në leksionet tuaja. Do t’i përmbahem thjesht orës sime. Nuk kam letra me vete, kështu që nuk mund të thoni: “I kanë mbetur edhe vetëm nja dy gisht letër për të lexuar”. Arsyeja pse nuk përdor shënime është se një herë dëgjova një grua të thoshte për një peshkop që po lexonte predikimin e tij: “Lavdi Zotit, nëse ai vetë nuk arrin ta mbajë mend, si pret që ta mbajmë mend ne?”

Oh, ju pëlqen kjo, apo jo? Po ju them diçka, unë kam qenë profesor për 25 vjet. Nuk fillova të jap mësim këtu në Amerikë. Fillova në Londër. Jepja mësim teologjie dhe vendosa që, nëse do të bëhesha ndonjëherë mësues, duhej të bëja dy gjëra. E para: duhej të qëndroja në këmbë, jo ulur; dhe e dyta: nuk duhej të lexoja. Ishte shumë e vështirë; në fakt, isha një mësues shumë i dobët në vitin e parë apo të dytë; kështu që thjesht u bëra mësues pa përdorur kurrë shënime.

Një gazetar erdhi tek unë dhe më tha: “A keni përgatitur diçka?” I thashë: “Sigurisht që kam përgatitur diçka, por nuk është e shkruar.” Për çfarë do t’ju flas? Për një temë që mendoj se është shumë afër jush – dhe ashtu duhet të jetë – bëhet fjalë për dashurinë. Dhe një nga arsyet pse po flas për këtë është se sot thuhet rëndom: “E po, çdo gjë është në rregull nëse ka dashuri”. Por, për fat të keq, në anglisht kemi vetëm një fjalë për dashurinë (love) – dhe kështu – unë i “dashuroj” kastravecat turshi; i “dashuroj” ullinjtë; e “dashuroj” autostradën e Los Anxhelosit; e “dashuroj” Gjonin. Prandaj, fjala dashuri nuk mbart ndonjë thellësi të madhe kuptimi.

Por dashuria ka kuptime të ndryshme. Dhe grekët kanë tri fjalë për dashurinë. Tri. Dhe ne do të kthehemi pas për t’i analizuar këto tri fjalë për dashurinë – tri fjalët greke. Tani më lejoni t’ju them, të dashur studentë, se vetëm zbulimi i këtyre tri fjalëve greke për dashurinë vlen sa i gjithë çmimi i biletës për të hyrë në këtë sallë.

Fjala e parë greke për dashurinë ishte eros. Dhe ajo në të vërtetë nënkuptonte një shtysë të madhe për të tejkaluar vetveten. Ishte forca shtytëse që krijoi artin, që e bëri njeriun filozof. Dhe, veçanërisht, erosi ishte hovi drejt një jete të mirë. Ndonjëherë ai përdorej madje edhe si një dëshirë e zjarrtë drejt Zotit. Prandaj, ishte një fjalë shumë fisnike. Por ajo ndryshoi në kohët tona nga Frojdi, i cili e përdori atë si libido. Dhe tani erosi është kthyer në erotikë. E kështu, sot kemi fjalën “seksi” – ose erotike. Dhe kjo është forma moderne dhe e degjeneruar e diçkaje që për grekët ishte shumë fisnike, domethënë, erosit.

Le të flasim pra për erotiken siç kuptohet ndonjëherë sot. Dr. Rollo May, psikiatri i shquar i cili sapo ka shkruar këtë vepër të mrekullueshme, “Dashuria dhe Vullneti“, thotë se gjethja e fikut që shfaqet aq shpesh në skulpturën greke, gjethja e fikut që fshehte pjesët intime të burrit dhe të gruas, sot është zhvendosur te fytyra, kështu që ajo që fshihet në pjesën më të madhe të dashurisë sot është vetë personi. Dhe gjithçka që nënkupton dashuria nuk është aq shumë një shqetësim për një person, sesa një shqetësim për kënaqësinë që ky person më jep mua. Prandaj, kjo nuk është dashuria ndaj një personi; është dashuria ndaj një përvoje.

Ndaj nuk është çudi që një nga romanet që qarkullon sot titullohet “Makina e Dashurisë“. Kështu që, ashtu si në një makinë ka pjesë që zëvendësohen, po ashtu edhe në marrëdhëniet njerëzore ka pjesë që zëvendësohen – qeniet njerëzore.

Kjo harron faktin se të vetmet kafshë që bëjnë dashuri ballë për ballë janë personat njerëzor. Dhe kjo ndodh sepse personi është i rëndësishëm. Seksi është i zëvendësueshëm; dashuria jo. Askush nuk mund të zërë vendin e një babai, të një nëne, të një vëllai, të një motre, të një burri apo të një gruaje. Por kur erosi degjeneron thjesht në kënaqësi, atëherë personi zhytet e humbet plotësisht.

Nuk është aq çudi që burrat ta zhvillojnë këtë ide; është disi befasuese që gratë bien pre e saj. Dhe arsyeja është se një burrë dhe një grua mund të dashurojnë në mënyra të ndryshme. Një burrë mund të dashurojë një pjesë të gruas. Nuk kam nevojë ta shtjelloj më tej këtë. Një burrë mund të dashurojë një pjesë të gruas, burra të tjerë mund të dashurojnë vetëm një pjesë, por një grua mund të dashurojë vetëm burrin si tërësi.

Kjo është arsyeja pse gruaja ngurron dhe nuk nxiton të dashurojë. Sepse ajo pret derisa të mund t’i përkushtohet plotësisht dikujt, pasi është në natyrën e saj ta dhurojë veten tërësisht dhe ajo pret derisa të jetë e sigurt për këtë dorëzim. Dhe ajo dëshiron që ky dorëzim të vlerësohet. Kështu, kur erosi degjeneroi në erotizëm, ai na dha parësinë e kënaqësisë, të emocionit dhe të tundimit, në vend të dashurisë për një person.

Ja diçka interesante rreth natyrës së vërtetë të dashurisë. Në Shkrimet e Shenjta, ju kurrë nuk do ta gjeni dashurinë të përshkruar me terma seksi – dhe kjo jo sepse Shkrimet e Shenjta e shpërfillin seksin. Në fakt, shakaja e parë me karakter seksual në Bibël është ajo për Abrahamin dhe Sarën. Cila është fjala që përdoret? Njohja. Dhe kjo duhet të thotë diçka për ju, studentë. Për shembull, Adami njohu Evën dhe ajo ngjizi. Maria – unë nuk njoh burrë. Burra, zotërojini gratë tuaja në njohje. Pse njohje? Për dy arsye. Së pari, nuk ka asnjë intimitet në natyrë që të barazohet me afërsinë e mendjes me atë që ajo njeh, ose të atij që njeh me atë që njihet. Kështu që, këtu lihet të kuptohet se ekziston një lidhje shumë e ngushtë e të dyve në një mish të vetëm. Por ka edhe një arsye tjetër. Njohja krijon detyrime dhe lidhje. Tani, ju jeni studentë të Kansas State. Ju do të jeni krenarë që do të jeni të diplomuar të Kansas State. Diploma që merrni këtu dhe njohuritë që po merrni nga ky universitet do t’ju bëjnë gjithmonë të ndjeni një lloj detyrimi ndaj Kansas State. Ose, për ta bërë më të saktë, supozoni se nuk e keni ditur kurrë më parë deri më tani që Shekspiri lindi në vitin 1564 dhe vdiq në vitin 1616. Dhe tani e morët vesh për herë të parë. Ju do të më ishit gjithmonë të detyruar mua që ju dhashë këtë njohuri. Ju mund ta përdorni këtë njohuri pa pushim, burimi mbetet i njëjtë, por kurrë nuk mund ta fitoni atë sërish për herë të parë.

E po kështu, edhe në marrëdhënien midis burrit dhe gruas, është ajo që e bën atë burrë dhe është ai që e bën atë grua. Dhe njohuria është ndarë mes tyre. Një lidhje ka kaluar dhe është krijuar. Nuk është si të pish ujin dhe të harrosh gotën. Dhe ashtu siç jeni gjithmonë përgjegjës ndaj Kansas State për informacionin dhe njohuritë që ju janë dhënë, dhe e konsideroni atë si Alma Mater, ashtu është krijuar edhe një lidhje në mish, e cila është e qëndrueshme, e cila mbetet e regjistruar, dhe njohuria është shkëmbyer. Kjo është natyra e vërtetë e erosit. Dhe, siç po e shihni, ajo vendos theksin te personi.

Përse ndodh, për shembull, që nuk na bën asnjë përshtypje kur shohim njerëz duke ngrënë në publik? Kur shkojmë në Paris në verë apo në pranverë, shohim plot njerëz që hanë jashtë, në kafenetë e trotuareve. Por përse vallë, ndonëse nuk ju bën përshtypje të shihni njerëz duke ngrënë në publik, nuk ju pëlqen të shihni njerëz duke bërë dashuri në publik?

Kjo ndodh sepse të bësh dashuri është diçka personale, unike; përfshin vetëm një qenie tjetër. Dhe ta ekspozosh para turmës atë që është e rezervuar vetëm për një, do të thotë ta ekspozosh ndaj vulgus-it, që në latinisht do të thotë turmë. Dhe ta ekspozosh ndaj vulgus-it do të thotë ta bësh atë vulgare, gjë që na kthen edhe një herë te ideja se erosi i vërtetë është dashuria për një person dhe jo për një përvojë. Kjo, pra, ishte fjala jonë e parë greke.

Na kanë mbetur edhe 19 minuta për të kaluar në dy të tjerat. Dua t’ju them se këto 19 minuta do t’ju duken të gjata, sepse fjalimet e mia gjithmonë duken më të gjata nga ç’janë në të vërtetë. Një herë dëgjova për një ligjërues biblik që kishte si temë 12 profetët e vegjël. Pas një ore e 45 minutash, ai kishte përfunduar vetëm tre prej tyre. Ai e ndjeu se ndoshta audienca po lodhej dhe mendoi se duhej ta prezantonte profetin e radhës me njëfarë doze teatraliteti. Ai tha: “Dhe tani… dhe tani… ku ta vendos Habakukun?” Dikush u ngrit në fund të sallës dhe tha: “Mund të ulet në vendin tim.“

Grekët kishin një fjalë tjetër për dashurinë. Fjala tjetër për dashurinë është philia. Ju e njihni atë: Filadelfia (Philadelphia). Adelphos në greqisht do të thotë vëlla. Kështu që Filadelfia është dashuria vëllazërore. Philia do të thotë të kujdesesh. Do të thotë se njerëzit kanë rëndësi. Kjo është dashuria për njerëzimin. Kjo është ajo lloj dashurie që, për shembull, frymëzon Korpusin e Paqes (Peace Corps). Është ajo lloj dashurie që frymëzon dashurinë tuaj për drejtësinë shoqërore, të cilën gjenerata jonë e re e ka aq shumë për zemër. Por, natyrisht, diçka që duhet mbajtur mend është se philia nuk është kurrë përzgjedhëse. Ajo nuk zgjedh thjesht disa të varfër të caktuar; ajo i do të gjithë të varfrit. Ajo nuk zgjedh thjesht një vatër ku ka padrejtësi shoqërore; ajo i zgjedh të gjitha. Philia është universale. Dhe në të vërtetë, në botë ka shumë më tepër nga kjo philia nga ç’imagjinohet rëndom. Dhe pikërisht kur ndodh që të mos jemi më të vetëdijshëm për faktin se jemi rojet e vëllezërve tanë, ne humbasim një pjesë të madhe të dinjitetit tonë personal.

Dostojevski, romancieri i shquar rus, tregon historinë e një plake në ferr. Engjëlli i erdhi pranë dhe i tha: “A ke bërë ndonjëherë ndonjë gjë të mirë në jetën tënde?” Dhe ajo tha: “Po… një herë i dhashë një karotë një lypësi.” Engjëlli tha: “Mirë atëherë. Do të lëshoj një karotë poshtë në ferr; dua që të kapesh pas asaj karote dhe unë do të të tërheq lart.” Kështu që, natyrisht, kur mijëra shpirtra që ndodheshin rreth plakës e panë atë duke u tërhequr lart e varur pas karotës, u varën edhe ata pas saj. Dhe ishin me mijëra e mijëra. Atëherë ajo u kthye nga ata dhe bërtiti: “Shporruni! Unë jam ajo që po tërhiqem lart.” Në atë çast ranë të gjithë poshtë… karota dhe plaka bashkë me të. E megjithatë, ne shpëtojmë thjesht sepse jemi të vetëdijshëm se jemi njerëz bashkë me gjithë të tjerët në mbarë botën.

Tani po mendoj për historinë e një njeriu të cilit i kërkuan të jepte lëmoshë për bamirësi, dhe kur shkoi në qiell, Shën Pjetri e pyeti: “A ke bërë vërtet ndonjë gjë ndonjëherë?” Ai tha: “Po, një herë i dhashë një dollar Fondit të Komunitetit (Community Chest).” Shën Pjetri i tha engjëllit përgjegjës për kartat IBM: “Kërko pak dhe shihe nëse ka dhënë ndonjëherë një dollar për Fondin e Komunitetit. Ai ka shumë para.” Engjëlli tha: “Po, e ka dhënë një dollar.” Atëherë Shën Pjetri i tha engjëllit: “Ktheja mbrapsht dollarin e tij. Dhe thuaji të shkojë në ferr.“

Më kujtohet se po bisedoja një herë me një misionar në Ishujt e Paqësorit dhe e pyeta: “Cili është virtyti më i madh i njerëzve me të cilët punon?” Dhe ai më tha: “Mund t’ju tregoj për virtytin e tyre më të madh përmes vesit të tyre më të madh. Është ajo që ata e quajnë ‘Kai Po’ – mëkati i të ngrënit vetëm. Ata mund të rrinë pa ngrënë për tri apo katër ditë, derisa të gjejnë dikë me të cilin mund ta ndajnë ushqimin.” Kjo është philia. Kjo është dashuri. Ajo kërkon, natyrisht, një sakrificë të vetvetes. Dhe te të rinjtë fshihet një potencial i madh, një potencial i jashtëzakonshëm për sakrificë; dhe ne nuk po e nxjerrim në dritë, por ai është aty. Faji është vërtet i yni.

Para nja nëntë apo dhjetë vitesh, po udhëtoja për në Çikago nga Nju Jorku. Ndërsa aeroplani po ngrihej, një stjuardesë u ul pranë meje. Kishte një bukuri magjepsëse. Ajo më tha: “A ju kujtohet që jemi takuar?” Dhe unë i thashë: “Jo, nuk më kujtohet. Duhet të më kujtohej, por nuk ju mbaj mend.” Atëherë ajo tha: “Para dy vitesh në këtë aeroplan ju takova; ndenja me ju për njëzet minuta dhe kujtoj çdo fjalë që keni thënë.” – “Çfarë thashë?” – Ajo u përgjigj: E nisët duke më thënë: “Je një vajzë shumë e bukur. Dhe a e dini se nga të gjitha dhuratat që jep Zoti, ajo që Ai e merr mbrapsht më së fundi dhe më pak nga të gjitha është dhurata e bukurisë? Ai jep para; njerëzit i përdorin për të varfrit; Ai jep këngën, dhe njerëzit e përdorin për adhurim; por kur jep bukurinë, ndonjëherë nuk merr mbrapsht asgjë tjetër veçse kocka të vjetra. Ndaj, pse nuk mendon t’ua dhurosh bukurinë tënde njerëzve që nuk kanë parë kurrë asgjë të bukur?” Këtë më keni thënë. Unë i thashë: “Kjo tingëllon pikërisht si unë. Këtë do të thosha.” – “E po,” tha ajo, “pata dy vjet kohë për t’u menduar; dhe e kam ndarë mendjen. Jam e gatshme të bëj çdo gjë.” – “Kur?” – “Tani.” – Unë i thashë: “Mirë atëherë, hajde në zyrat e mia në Nju Jork dhe unë do të të tregoj se ku do të shkosh. Mund të ta tregoj që tani nëse dëshiron ta dish.” Ajo tha: – “Nuk ka rëndësi.” Dhe unë i thashë: “Do të shkosh në Vietnam. Do të shkosh në një koloni leprozësh.” (shënim: në gjuhën shqipe leproza zakonisht njihet përmes termit gërbulë)

Aty ndodhet ajo sot, bashkë me një mjeke, dhe kanë një xhip. Dhe udhëtojnë me atë xhip, veçanërisht nën ura ku fshihen leprozët pasi i dëbojnë nga fshatrat; ajo i merr, i çon në koloninë e leprozëve dhe kujdeset për ta. Dhe kështu, lebrozët po shohin diçka të bukur për herë të parë në jetën e tyre. Dhe ajo vetë, për shkak të philia-s dhe dashurisë për njerëzimin e vuajtur, po sheh gjithashtu diçka shumë të bukur. Kjo është philia. Kjo është dashuria për njerëzimin.

Tani vijmë te fjala e fundit. Fjala e fundit është agape. Fjala agape nuk përdorej shumë shpesh në letërsinë klasike greke. Dhe të krishterëve iu desh të gjenin një fjalë të re për të përshkruar atë dashuri të Zotit që u bë njeri dhe që vdiq për mëkatet tona. Kështu, ata morën këtë fjalë të përdorur rrallë, agape, dhe e përdorën për dashurinë. Për shembull, pasazhi më i famshëm e më i bukur mbi dashurinë në të gjithë letërsinë gjendet në letrën e Palit drejtuar Korintasve. Dhe aty, në përkthimin e vjetër [anglisht], në versionin King James, përdoret fjala charity [bamirësi]; por në të vërtetë, një përkthim më i mirë është thjesht dashuri.

Tani, çfarë lloj dashurie është agape? Te agape, dashuria është diçka që nuk kërkon shpërblim; do të thotë të dashurosh edhe kur dashuria nuk të kthehet mbrapsht. Do të thotë t’i duash njerëzit jo për shkak të funksioneve të tyre, ngjyrës apo diçkaje tjetër, por t’i duash thjesht sepse janë persona.

Një shembull i këtij lloji të agape-s u shpërfaq fillimisht nga Dr. Viktor Frankl. Ndoshta ju, studentët e psikologjisë, keni lexuar disa nga librat e tij mbi logoterapinë. Ai është një profesor hebre i neurologjisë në Universitetin e Vjenës. Dhe ai më tregoi se ishte ftuar në një nga universitetet tona amerikane për të themeluar shkollën e tij të logoterapisë.

Ajo ishte një terapi e bazuar mbi faktin se shtysa e jetës nuk është kënaqësia; shtysa e jetës është kuptimi. Dhe duke qenë se u ftua në kohën e persekutimit nazist, dilema e tij e madhe ishte: A duhet ta braktis babanë tim, i cili, ngaqë është hebre, sigurisht që do të hidhet në furrë nga Hitleri; apo duhet të shpëtoj veten, të bëj atë që dua dhe të themesoj shkollën time të psikiatrisë në Shtetet e Bashkuara?

Dhe shkoi në kishën e Shën Shtjefnit në Vjenë për një orë dhe u lut për qartësim të dilemes. Siç duket, nuk mori asnjë përgjigje. Kur erdhi në shtëpi, gjatë darkës atë natë, i tha babait të tij: Çfarë është ajo copë mermeri atje mbi tryezë? Babai i tij i tha: – E di, Hitleri e dogji sinagogën tonë. Shkova te gërmadhat sot pasdite, gërmova pak me shkopin tim dhe nxora këtë copë mermeri. Dr. Frankl i tha babait: – Ka diçka të shkruar mbi të, shkrim hebraik. A e lexove? – Jo, – tha ai, – nuk e lexova. Dhe u afruan për ta parë; ishte urdhërimi: Ndero babanë tënd dhe nënën tënde. Kjo ishte përgjigjja për Dr. Frankl-in, kështu që ai qëndroi në Vjenë; dhe ngaqë ishte një neurolog aq i shquar, nazistët nuk e vranë dhe ai arriti t’ia mbyllte sytë në gjumin e amshuar vetë babait të tij.

Kështu që ai ishte një që e deshi babanë, ishte i gatshëm të sakrifikonte, nëse ishte nevoja, vetë karrierën e tij, thjesht sepse dashuria e tij nuk ishte egoja – ajo dashuri e kthyer nga brenda, me të cilën kthehemi në gjarpërinj që gllabërojnë vetveten.

Sepse agape nuk do të thotë të kesh, të zotërosh e të posedosh; ajo do të thotë të të kenë, të të zotërojnë e të të posedojnë. Dashuria nuk është një rreth i kufizuar nga vetvetja. Ajo është diçka tjetër: krahë të hapur e të shtrirë për të përqafuar mbarë njerëzimin. Kjo është ajo çfarë është agape.

Nën dritën e agape-s, kushdo bëhet i dashur. Kjo është ajo çfarë është agape. Tani, për shembull, Zoti më do mua. Ai ju do juve. Tani, te unë nuk ka asgjë veçanërisht që mund të duhet, që është e dashur. Dhe janë të paktën dy apo tre prej jush që do ta pranonin se nuk ka asgjë veçanërisht që dikush mund ta dojë as te ju. E megjithatë, Zoti ju do juve dhe më do mua. Tani, përse më do Ai mua? Sepse Ai vendos dashurinë e Tij brenda meje. Dhe kur Ai vendos dashurinë e Tij brenda meje, unë bëhem shumë i dashur. Dhe kur unë filloj ta vendos dashurinë time te njerëzit e tjerë, edhe ata bëhen të dashur. Në fakt, dashuria i transformon njerëzit.

Më lejoni t’ju jap këtë shembull të fundit të agape-s. Para rreth katër apo pesë vitesh, shkova në një koloni leprozësh në Afrikë. Kisha marrë me vete rreth pesëqind kryqa argjendi për pesëqind leprozët; kisha ndërmend t’i jepja nga një secilit prej tyre.

Leprozi i parë që u afrua meje e kishte krahun e majtë të prerë te bërryli. Ai ngriti pjesën tjetër të krahut të tij dhe rreth krahut kishte një rruzare. Pastaj zgjati dorën e djathtë. Ajo dorë ishte shndërruar në një grumbull të tmerrshëm plagësh të kalbura e të qelbura, siç nuk kisha parë kurrë në jetë! E mbajta kryqin mbi dorën e tij dhe thjesht e lëshova; ai humbi e u mbyt menjëherë mes plagëve të sëmundjes.

Krejt papritur, në atë kamp u bënë pesëqind e një leprozë, dhe unë isha i pesëqind e njëti; sepse e kisha marrë këtë simbol të dashurisë hyjnore dhe kisha refuzuar të identifikohesha me një njeri që nga brenda ishte një mijë herë më i mirë se unë. Në atë çast, më pushtoi mendimi i tmerrshëm i asaj që kisha bërë; gërmova me gishta në dorën e tij, e nxora kryqin që andej dhe këtë herë ia shtrëngova fort pas pëllëmbës. E kështu veprova me të pesëqind leprozët e tjerë. Që nga ajo ditë, njeriu i do ata sepse i ka prekur dhe ka ndarë vuajtjen me ta. Kjo është agape. Kjo është dashuri.

Prandaj, të dashur studentë, ju jeni të gjithë të rinj dhe keni zemra ende të paplota – ato nuk do të plotësohen kurrë përveçse përmes dashurisë. Por asnjëri prej jush, askush prej jush nuk ka një zemër të përsosur. Ajo nuk është e përsosur në trajtë dhe në formë si zemrat e përkryera të kartolinave. Duket sikur në çdo zemër njerëzore mungon një pjesëz e vogël anash. Kjo mbase shërben si simbol i asaj pjesëze që u shkëput në kryq nga zemra universale e njerëzimit. Por besoj se kuptimi i vërtetë është ky: kur Zoti krijoi zemrën e secilit prej jush, e pa atë aq të mirë, aq të bukur, aq fisnike dhe aq premtuese, saqë mbajti një pjesëz të vogël si mostër në Qiell. Dhe pastaj, pjesën tjetër të zemrës suaj e nisi në këtë botë, ku ju do të dashuroni me gjithë fuqinë që keni, por ku do t’ju duhet të mësoni përmes anktheve të jetës dhe rrethanave njerëzore se nuk do të gjeni kurrë paqe të vërtetë, nuk do të jeni kurrë plotësisht të lumtur dhe as me zemër të përmbushur, derisa të ktheheni sërish te Zoti për të rimarrë atë pjesëz që Ai po e ruan për ju që nga amshimi.

Ju faleminderit, mirupafshim, dhe Zoti ju do!

Fulton John Sheen (lindur Peter John Sheen; 8 maj 1895 – 9 dhjetor 1979), prelat katolik amerikan që shërbeu si Ipeshkëv i Rochester-it gjatë viteve 1966–1969.

Imzot Fulton Sheen – “Tri format e dashurisë”

Leksionet Landon, Universiteti Shtetëror i Kansasit.

16 mars 1970,

Përktheu: Redaksia

Share This Article
Pa Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *