Plagë Kundër Dinjitetit Njerëzor – Dhuna me bazë gjinore

...nëse dikush citon cilindo libër të “shenjtë”, cilindo interpretim fetar apo cilindo autoritet moral për të justifikuar dhunën ndaj një gruaje, atëherë ai libër, ai interpretim dhe ai autoritet nuk janë të shenjtë. Askush nuk duhet të mbetet brenda një feje, ideologjie apo rrethi shoqëror që e ushqen ose e mbron dhunën. Përkundrazi, duhet të largohet prej saj dhe ta denoncojë hapur, sepse dhuna e hedh Zotin jashtë jetës së njeriut, ndërsa Krishti erdhi pikërisht që ta restaurojë dinjitetin e çdo njeriu.

8 Min Lexim
Deklaratë: Të gjithë artikujt dhe reflektimet e botuara në Via Veritatis paraqesin pikëpamjet personale të autorëve. Ato nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të asnjë institucioni fetar.

Botë moderne? Të zhvilluar dhe të emancipuar? Ndërkohë dhuna me bazë gjinore vazhdon të jetë një plagë e heshtun, e përhapun dhe shpesh e normalizuar, me një hajt se kalon. Nuk është vetëm një problem social, por problem antropologjik, etiko-moral deri në politik. Dhuna, në çdo formë të saj, nuk është thjesht shkelje e të drejtave të një personi por është shkelje e shëmbëlltyrës së Zotit tek ai person.

Sot, në përmbylljen e ditëve të aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore, askush nuk mund dhe nuk duhet të hesht. Sepse heshtja është një nga format më të rënda të bashkëpunimit me të keqen.

Dhuna që lind nga mohimi i tjetrit

Dhuna ndaj grave, fizike, psikologjike, ekonomike, shpirtërore, nuk fillon me fyerje, shuplakë, grusht, por me një ide. Me idenë e rreme se gruaja vlen më pak se sa një burrë. Se gruaja është posedim, asht e “jotja”. Se gruaja duhet nënshtruar. Këto nuk janë vetëm mendësi të kalueme, në shumë ambiente, edhe sot, ato ushqehen përmes kulturës, fesë së keqinterpretuar, traditës së shterpët dhe egoizmit mashkullor.

Nga këndvështrimi i krishtenë, një botëkuptim i tillë është një blasfemi. Krishti nuk e trajtoi kurrë gruan si pronë. Faktikisht, theu çdo model patriarkal të kohës së vet, që në vetvete ishte shumë e rrezikshme për kohen, bisedoi me ato për gjëra të thella, i shëroi, i mbrojti, i ngriti, i besoi, i dërgoi si dëshmitare të ringjalljes. Në çdo rast, Ati i tij shpalli qartë: “Njeriu nuk është i thirrur të zotërojë tjetrin, por ta dojë.”

Prandaj, çdo formë dhune ndaj gruas është, para së gjithash, një kundërshtim i drejtpërdrejtë i Ungjillit.

Shoqëria që dënon dhunën, por ushqen rrënjët e saj

Ne e dënojmë dhunën kur shpërthen në lajme, apo në një ngjarje që realizohet nga ambasadat apo organizatat e shoqërisë civile, me duartrokitje e me buzëqeshje 24 karat, por vazhdimisht tolerojmë ato mekanizma që e prodhojnë:
– edukimin ku djemtë mësohen të sundojnë dhe vajzat të durojnë;
– kulturën që i shpërfill emocionet e burrave dhe i mbush me idenë se autoriteti fitohet me forcë dhe dhunë;
– heshtjen e institucioneve që e shohin dhunën si “çështje të brendshme familjare”;
– dhe sidomos mentalitetet fetare të deformuara që nën maskën e besimit justifikojnë dominimin e mashkullit.

Nuk mjafton të reagojmë ndaj pasojës, duhet të shërhohet rrënja.

Perspektiva e Krishterë… dinjitet i barabartë, përgjegjësi e përbashkët

Në antropologjinë e krishtenë, burri dhe gruaja nuk janë dy botë paralele, ata janë bashkëkrijues të jetës, të thirrur në një marrëdhënie përmbushëse dashurie dhe dinjiteti të barabartë. Ungjilli nuk njeh asnjë hierarki që do t’i jepte të drejtë njërës palë të ushtrojë forcë ndaj tjetrës. Jezusi e shfuqizon çdo logjikë dominimi duke vendosur qënien njerëzore në barazi të plotë para Zotit. Kjo barazi nuk është thjesht sociale apo juridike, por ontologjike, çdo njeri është shëmbëlltyrë e Atit, tempull i Shpirtit të Shenjtë dhe trashëgimtar i së njëjtës dashuri hyjnore. Në një antropologji të tillë, dhuna nuk është vetëm e gabuar por është edhe teologjikisht e pamundur.

Pikërisht këtë e shpalli Krishti në një nga episodet më të forta kundër dhunës patriarkale të kohës. Para turmës që kërkonte të vriste një grua në emër të ligjit, ai ndërhyri me fjalët: “Kush është pa mëkat ndër ju, le të jetë i pari që t’i hedhë gurin.” (Gjn 8:7)
Me këtë fjali, Jezusi nuk shpëtoi vetëm një jetë mbi të gjitha ai përmbysi një kulturë të ndërtuar mbi gjykim, epërsi mashkullore dhe legjitimim të dhunës. Ai e ndaloi dhunën jo duke e relativizu, por duke e çarmatosur në rrënjë, duke i rikthyer njeriut ndërgjegjen e vet dhe duke shpallur se askush nuk ka autoritet moral për ta dhunu tjetrin.

Prandaj, nuk ka asnjë varg të Ungjillit që e lejon dhunën, nuk ka asnjë teologji të krishtenë që e trajton gruan si objekt. Çdo përdorim i fesë për të arsyetuar dhunën është perversitet i fesë i bërë nga mendësi perverese!

Dhe nëse dikush citon cilindo libër të “shenjtë”, cilindo interpretim fetar apo cilindo autoritet moral për të justifikuar dhunën ndaj një gruaje, atëherë ai libër, ai interpretim dhe ai autoritet nuk janë të shenjtë. Askush nuk duhet të mbetet brenda një feje, ideologjie apo rrethi shoqëror që e ushqen ose e mbron dhunën. Përkundrazi, duhet të largohet prej saj dhe ta denoncojë hapur, sepse dhuna e hedh Zotin jashtë jetës së njeriut, ndërsa Krishti erdhi pikërisht që ta restaurojë dinjitetin e çdo njeriu.

Si duhet të përgjigjemi?

Si komunitet i Via Veritatis, ne i bëjmë thirrje çdo familje, institucioni, kishe, xhamie, shoqate dhe çdo burri e gruaje:

  1. Të njohë dinjitetin e vet dhe të tjetrit si dhuratë të Shenjtë.
  2. Të thyejë heshtjen, sepse heshtja është terreni ku rritet dhuna.
  3. Të edukojë fëmijët me frymën e respektit, jo të dominimit.
  4. Të refuzojë çdo interpretim fetar që poshtëron gruan, sepse Zoti nuk e krijoi askënd për t’u ulur poshtë tjetërkujt.
  5. Të mbajë përgjegjësinë personale, sepse shoqëria ndryshon vetëm kur ndryshon zemra e njeriut.

Dhuna si plagë e shpirtit

Dhuna ndaj gruas nuk i lëndon vetëm gratë. Ajo ndërton gjenerata të thyer, burra të humbur, fëmijë të traumatizuar, institucione të pafuqishme dhe një kulturë që nuk i beson ma drejtësisë.
Kjo është arsyeja pse Krishti shëron gjithmonë duke filluar nga zemra sepse zemra që nuk mëson të dojë, do të gjejë gjithmonë një arsye për të shkelur dhe dhunuar.

Prandaj, beteja kundër dhunës me bazë gjinore nuk është vetëm një betejë sociale por asht është një betejë shpirtërore.

Thirrja e Ungjillit nuk është neutraliteti

Në një botë që vazhdon të prodhojë plagë, Krishti e tregon kjartë që nuk duhet të mbetemi as spektatorë, as komentues të pasigurt, por na thërret të bëhemi shërues. Kjo do të thotë të qëndrojmë pranë atyre që vuajnë, të mbrojmë të pafuqishmit, të flasim pikërisht kur të tjerët heshtin, dhe të mos lejojmë kurrë që dhuna të normalizohet apo të bëhet pjesë e përditshmërisë tonë morale.

Sepse aty ku ka dhunë, ajo shoqëri e konsideron Zotin jo ekzistent.

Dhe, siç paralajmëron Dostojevski në Vëllezërit Karamazov, “Nëse Zoti nuk ekziston, atëherë gjithçka është e lejueshme.”

Një shoqëri që e largon dhe rrefuzon Zotin nga qendra e saj humbet kufirin moral, dhe kur nuk ka më dinjitet të shenjtë të njeriut, dhuna gjen terrenin më pjellor për t’u rritur.

TAGGED:
Share This Article
Pa Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *