Kur individi sfidoi autoritetin

11 Min Lexim
Deklaratë: Të gjithë artikujt dhe reflektimet e botuara në Via Veritatis paraqesin pikëpamjet personale të autorëve. Ato nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të asnjë institucioni fetar.

Në filozofinë politike moderne, që nga shekulli XVII, një nga debatet qendrore ka qenë tensioni midis lirisë së individit dhe autoritetit të shtetit. Pyetja nëse autonomia individuale mund të koekzistojë me pushtetin politik, apo nëse janë natyrshëm në konflikt, ka shërbyer si bazë për reflektim mbi natyrën e shoqërisë dhe të njeriut. Historia e liberalizmit dhe iluminizmit ofron pasqyrë të qartë se si teoritë politike kanë tentuar të balancojnë këto dy dimensione.

Liberalism: Old and New i Jose Merquior ofron një pasqyrë të gjërë të historisë së liberalizmit, nga protoliberalizmi i John Locke deri tek teoritë bashkëkohore të John Rawls, duke hulumtuar dallimet, zhvillimet dhe transformimet që ka pësuar mendimi liberal gjatë historisë.

Doktrina klasike e liberalizmit konsiston në tri elemente thelbësore: teorinë e të drejtave të njeriut, konstitucionalizmin dhe ekonominë klasike. Liberalizmi ose më mirë thënë protoliberalizmi ka qenë i ndërlidhur me sistemin anglez, sistem ky që bazën e tij politike e ka ndërtuar mbi limitimin e fuqisë së mbretërisë dhe disponimin e lirisë civile dhe religjioze, edhe vetë liberalizmi si i tillë ka lindur si protestë kundër cenimit të fuqisë së shtetit duke tentuar që limitimin e autoritetit dhe ndarjen e tij t’i vendosë në një vijë. Ashtu siç thekson edhe Carl Schmitt, se ai krijon ndarjen e pushtetit, vendos demarkacionin në autoritetin shtetëror në mënyrë që të mbajë pushtetin përmes ndërveprimit të kontrollit dhe ekuilibrit, pra autoriteti është i ndarë në mënyrë që pushteti të mbahet i kufizuar.

Në këtë kontekst historik, gjatë sundimit te vitit 1680 e gjejmë edhe përplasjen mes Whigs dhe Tories, Whigs ishin ata që e kundërshtonin monarkinë absolute të mbretit e duke qenë sfidues të absolutizmit dhe mbështetës të parimit të sundimit të ligjit mund të themi që ishin liberalët e parë të historisë moderne, në anën tjetër Tories ishin kundërshtarë politik të Whigs të cilët mbështetnin monarkinë. Gjatë kësaj kohe u shtrua edhe pohimi që shoqëria nuk është asgjë tjetër veçse një familje e madhe dhe i gjithë autoriteti është i një natyre prindërore mirëpo Locke me Traktatin e tij e kundërshton këtë pohim patriarkal dhe lirinë e individit e konsideron natyrore duke theksuar se pushteti i mbretit është i nevojshëm të ekzistojë për aq kohë sa mbron liritë natyrore të individëve. Përderisa tek Hobbes-i e gjejmë një përpjekje për të sqaruar sundimin e rendit, me Locke kemi synimin për vendosjen e kushteve të lirisë.

Merquior identifikon katër lloje kryesore të lirisë në historinë e liberalizmit:

  1. Liria nga shtypja si ndërhyrje arbitrare: Kjo liri manifestohet ndër të tjera me ndjenjën e dinjitetit, është liria që çdo individ modern pret ta gëzojë kur ai/ajo kryen role shoqërore të cilat janë të mbrojtura nga ligji.
  2. Liria për të marrë pjesë në çështjet e komunitetit: liria politike, e zhvilluar në poliset greke, të cilat lejonin individin të marrë pjesë në jetën publike (me përjashtime).
  3. Liria e ndërgjegjës dhe besimit: fillimisht një kërkesë për pluralizëm fetar gjatë Reformës Europiane, më pas u laicizua dhe u ndërlidh me lirinë e opinionit dhe të shprehjes.
  4. Liria për të ndërtuar jetën e vet: njeriu modern nuk ndjehet i lirë vetëm sepse të drejtat e tij respektohen ose sepse ka të drejtë të shprehe besimin e tij ose sepse është i lirë të marrë pjesë në politikëbërje, por ndjehet i lirë edhe nga ndërtimi i jetës së tij, nga zgjedhjet e tij personale, pra këtu kemi të bëjmë me lirinë për të përmbushur veten.

Në konceptin liberal, liria do të thotë vetëm mungesa e detyrimit, ndërsa në konceptin demokratik do të thotë autonomi që nënkupton fuqinë e vetëdrejtimit. Këtu kemi edhe ndarjen në liri negative dhe pozitive; me liri negative nënkuptohet liria nga ndërhyrjet e mundshme të dikujt, liria pozitive në anën tjetër esencialisht është dëshira për të qenë i pavarur, një etje për autonomi. Liri pozitive nuk është “liria nga” siç është liria negative, por është “liria për”; ajo shqetësohet me përvetësimin e kontrollit.

Dimensioni ekonomik i liberalizmit shfaqet fillimisht në anglo-liberalizmin klasik me Adam Smithin, i cili e vendosi tregun dhe vetë-interesin si mjete për përmirësimin e gjendjes së individit dhe shoqërisë. Smithi mendonte se shtysat joekonomike përdoren për të ushqyer dëshirën e secilit për të përmirësuar gjendjen e tij, për të vetë-interesi është pasion po aq i lartë sa dëshira për lavdi. Liberalizmi përveç se një doktrinë politike tashmë ishte bërë edhe një botëkuptim që identifikohej me besimin në progres; iluminizmi kështu përveç se ia kishte ofruar progresin ia kishte teorizuar atë kryesisht nga ekonomia klasike.

Ndërkohë, liberalizmi francez, me autorë si Alexis de Tocqueville, theksonte dimensionin moral të lirisë, shqetësimin për individualizmin; individualizmi sipas tij ishte koncept sociologjik që shprehte mungesë; jo të virtytit në vetvete, por të virtytit publik apo qytetar. Individualizmin ai e shihte si karakteristikë të shoqërisë demokratike, por me demokraci duhet të kemi parasysh që Tocqueville kishte parasysh dy gjëra: ndonjëherë ai këtë term e përdorte në kuptimin e tij normal politik të një sistemi përfaqësues që mbështetet në votën e popullit, dhe në raste të tjera e përdorte atë si një sinonim për shoqërinë egalitare, me të cilën ai nënkuptonte jo një shoqëri të barabartë, por një shoqëri ku hierarkia nuk ishte më rregulli apo parimi i pranuar i strukturës shoqërore. Në këtë kontekst, Tocqueville e shihte individualizmin si një patologji sociale, një egocentrizëm të përhapur që buronte nga një shoqëri egalitare e mbushur me materializëm, konkurrencë dhe pakënaqësi. Ajo që vërehet në mendimin liberal francez para Tocqueville është frika ndaj despotizmit apo tiranisë së shtetit, ndërsa Tocqueville kishte një tjetër shqetësim: konformizmin e opinionit. Ai këtë e konsideronte si despotizmin e ri, të quajtur “tirania e shumicës”.

Liberalizmi gjerman përqendrohej në idenë e Rechtsstaat (shtetit ligjor) që garantonte siguri, rregullsi, depersonalizim të ligjit dhe pjesëmarrje qytetare në vendimmarrje. Max Weber, nga ana tjetër, ishte një kritik i demokracisë dhe i socializmit, duke mbështetur një qasje elitiste dhe juridike ndaj liberalizmit, larg konceptit klasik të të drejtave natyrore.

Liberalizmi juridik gjerman, shprehet autori, i mbushur me shumë rezerva përpara individualizmit, doli të ishte më shumë një gjysmë-liberalizëm. Ndërsa liberalizmi klasik theksoi mbrojtjen e të drejtave dhe lirive individuale, Thomas Hill Green, një filozof i mesit të shek. XIX, theksoi se një person mund të jetë i lirë vetëm kur ka burimet, mundësitë dhe kushtet sociale të nevojshme për të bërë zgjedhje dhe për të formësuar jetën e tij; prandaj roli i shtetit është adresimi i pabarazive sociale dhe ekonomike që i pengonin individët të zhvillonin potencialin e tyre. Liberalizmi duhej të evoluonte në përgjigje të pabarazive të krijuara nga kapitalizmi industrial; mendimtarët e kohës mendonin që liria ekonomike nuk duhet të jetë justifikim për përjetësimin e barazisë sociale dhe se shteti ka për detyrë të ndërhyjë në ekonomi për të korrigjuar këto disbalanca. Ata tentonin ta përshtatnin liberalizmin me realitetet e reja shoqërore të epokës industriale. Merquior argumenton se liberalizmi social, siç u zhvillua në këtë kohë, ishte i shqetësuar në esencë me çështjen e drejtësisë sociale, ndërkohë që liberalizmi klasik iu kishte përkushtuar lirisë individuale, prirej të injoronte ose të minimizonte rëndësinë e barazisë sociale dhe ekonomike. Ndërsa liberalët socialë pohonin që ideali liberal i lirisë ishte i zbrazët pa kushtet sociale dhe ekonomike që lejonin individët të zhvilloheshin.

Pas dy luftërave botërore, liberalizmi u sfidua nga totalitarizmat. Hans Kelsen riaktualizoi ligjin si sistem normash të bazuar mbi parime juridike, duke e ndarë atë nga baza morale apo natyrore. Libri i Merquior-it përmend edhe autorë bashkëkohorë si Karl Popper dhe George Orwell, të cilët kritikonin manipulimin ideologjik dhe gjuhësor në regjimet totalitare, duke riafirmuar rëndësinë e lirisë dhe pluralizmit.

Neoliberalizmi pas Luftës së Dytë Botërore solli një fokus të ri mbi tregun, progresin dhe lirinë civile. John Rawls, përmes pozicionit origjinal hipotetik, ofroi një mënyrë për të siguruar drejtësinë sociale duke shmangur përfitimin e palëve të caktuara, duke harmonizuar autonominë me barazinë.

Liberalizmi, edhe pse është një nga teoritë që është përqafuar më shumë nga shtetet evropiane, nuk iu ka shpëtuar kritikave të teoricienëve, sidomos liberalizmi klasik që në fokus ka liritë individuale dhe më pas ekonominë e tregut të lirë; duke u fokusuar shumë në liritë dhe të drejtat personale, e shkëput individin nga shoqëria duke injoruar faktin që njeriu është i lidhur me të tjerët në nivel shoqëror dhe komunitar dhe se individi realizon lirinë dhe vetveten vetëm duke marrë pjesë në jetën publike kështu izolimi dhe privimi i hapësirës publike e detyron atë të përballet me atë çka është jashtë tij në mënyrë të vetme, duke e çuar individin në pasiguri dhe alienim. Liberalizmi si ideologji, nga kritikët e tij, është konsideruar si një sistem që mbron pabarazitë dhe padrejtësitë sociale që vijojnë nga kapitalizmi, duke lënë prapa grupet e margjinalizuara.

Marigona Gegaj

është studente në Fakultetin e Filozofisë në Universitetin e Prishtinës, ku po formohet akademikisht në fushën e mendimit filozofik dhe shoqëror. Interesat e saj përqendrohen në reflektimin kritik mbi njeriun, shoqërinë, vlerat dhe religjionin që formësojnë jetën publike dhe personale, duke e parë filozofinë si mënyrë për thellimin e vetëdijes dhe të dialogut intelektual.

Share This Article
Pa Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *