Banaliteti i Imazhit: Rasti Don Alberto Ravagnani dhe vdekja e Heshtjes Sakrale

10 Min Lexim
Deklaratë: Të gjithë artikujt dhe reflektimet e botuara në Via Veritatis paraqesin pikëpamjet personale të autorëve. Ato nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të asnjë institucioni fetar.

Nga altari te tregu i suplementeve: Një reflektim mbi tjetërsimin e shpirtit nën diktaturën e algoritmit dhe rrezikun e një kishe që, duke kërkuar të argëtojë botën, përfundon duke humbur veten në zhurmën e parëndësisë.

Përmes teknologjive të reja, priftërinjtë mund t’i njohin njerëzit me jetën e Kishës dhe t’i ndihmojnë bashkëkohësit tanë të zbulojnë fytyrën e Krishtit. Ata do ta arrijnë këtë qëllim më së miri nëse mësojnë, që nga koha e formimit të tyre, se si t’i përdorin këto teknologji në një mënyrë kompetente dhe të duhur, të formësuar nga njohuri të shëndosha teologjike dhe duke pasqyruar një spiritualitet të fortë priftëror të bazuar në dialogun e vazhdueshëm me Zotin. Megjithatë, priftërinjtë prezentë në botën e komunikimeve digjitale duhet të jenë më pak të dukshëm për aftësitë e tyre mediatike sesa për zemrën e tyre priftërore, për afërsinë e tyre me Krishtin. Kjo jo vetëm që do të gjallërojë punën e tyre pastorale, por do t’i japë edhe një “shpirt” pëlhurës së komunikimeve që përbëjnë “Web-in”. – Benedikti XVI

Neil Postman, në vitet ’80, la një “profeci” për njeriun në epokën e imazhit, duke argumentuar se mediumi nuk është thjesht një mjet neutral, por një metaforë që dikton formën e së vërtetës.

Këtu ndërlidhet rasti i Don Alberto Ravagnanit që është përfolur vazhdimisht ditët e fundit, dhe njëkohësisht duket si profecia e përmbushur e Postman.

Duke tentuar të banojë në hapësirën e Instagramit dhe Tik-Tokut, Ravagnani u përball me një shkëputje ontologjike, braktistjen e toposit për një realitet pixel-ësh.

E duke qenë se është i formuar në frymën katolike, kjo e fundit shpjegon se e vërteta është e lidhur në mënyrë të pazgjidhshme me Fjalën e Mishëruar pra me Logosin, por algoritmi digjital bën që të pësojmë një lloj “çmishërimi”.

Duke e analizuar përmes lenteve të Postman-it, Ravagnani u mbyt nga pamundësia ontologjike për të ruajtur shenjtërinë brenda një mediumi që kërkon shpejtësi.

Rrjetet sociale shkatërrojnë vazhdimësinë e mendimit, kështu kur një prift poston reflektime mbi Ungjillin dhe menjëherë pas tyre ushqime me vitamina apo suplemente, kjo nuk është thjesht marketing, por banalizim i plotë i jetës shpirtërore.

Kësisoj, ungjilli reduktohet në një produkt konsumi, i ngjashëm me suplementet ushqimore, i shërbyer për të përmirësuar sipas fjalëve të Ravagnanit “versionin tim më të mirë”.

Paradoksi i Priftit-Influencer dhe Nevoja për Heshtje

Jeta shpirtërore kërkon një hapësirë sakrale të cilën rrjetet sociale nuk e mundësojnë. Duke tentuar të balancojë jetën meshtarake me atë të influencerit, Don Alberto flijoi “Unin” e tij për t’u bërë një imazh i parashikueshëm që ndjek trendet e algoritmit.

Këtu nuk kemi të bëjmë me një censurë orwelliane, por me një dystopi huxley-ane: neve nuk na ndalohet ta dëgjojmë fjalën e Zotit, por ajo po mbytet në zhurmën ku gjithçka shërbehet si argëtim.

Mbi këtë “zhurmë” na ndihmon reflektimi i Papës Benedikti XVI (2010), i cili thekson se priftërinjtë duhet të ruajnë identitetin e tyre brenda kësaj hapësire tunduese që, nga natyra, tenton ta tjetërsojë subjektin. Sipas tij, media duhet të jetë në shërbim të Fjalës; në momentin që humbet ky kuptim, prifti i nënshtrohet tregut digjital. Prania pastorale duhet të reflektojë një jetë shpirtërore që buron nga dialogu me Zotin, i cili kërkon heshtje.

Bota e komunikimit digjital, me kapacitetin e saj shprehës pothuajse të pakufishëm, na bën ta vlerësojmë edhe më shumë thirrjen e Shën Palit: “Mjerë unë nëse nuk predikoj Ungjillin” (1 Kor 9:16). Disponueshmëria e shtuar e teknologjive të reja kërkon përgjegjësi më të madhe nga ana e atyre që janë thirrur të shpallin Fjalën, por gjithashtu kërkon prej tyre që të bëhen më të përqendruar, efikasë dhe bindës në përpjekjet e tyre. Priftërinjtë qëndrojnë në pragun e një epoke të re: ndërsa teknologjitë e reja krijojnë forma më të thella marrëdhëniesh në distanca më të mëdha, ata janë të thirrur të përgjigjen pastoralisht duke i vënë mediat gjithnjë e më efektivisht në shërbim të Fjalës. – Benedikti XVI, Dita Botërore e Komunikimit – 2010

Heshtja bëhet parakusht i domosdoshëm i komunikimit të vërtetë. Rrjeti digjital është i ndërtuar për të gjeneruar reagim të menjëhershëm, duke e lënë njeriun në gjendje konfuzioni.

Prandaj, prifti duhet të krijojë “hapësira lutjeje” brenda kësaj zhurme, duke përdorur mjetet audiovizive jo për spektakël vetjak, por për të hapur portën drejt transcendencës gjatë scroll-it ditor.

Kriza ekzistenciale dhe thirrja për lutje

Nga ana psikologjike, jeta e një influenceri është një proces i vazhdueshëm i konsumit të vetvetes. Ne dëgjojmë çdo ditë rrëfime të “influencerëve” të ndryshëm, mbi stresin e tyre për të krijuar kontent çdo ditë.

Psikika njerëzore duket se nuk është e ndërtuar për këtë lloj ekspozimi të përhershëm, ku edhe intimiteti më i lartë shfaqet për audiencën, psikika nuk është e gatshme për mbikëqyrjen e vazhdueshme të panoptikonit publik.

Ky tjetërsim është vdekjeprurës për një prift. Don Alberto, i dërrmuar psikologjikisht nga presioni i algoritmit për të qenë gjithmonë prezent, humbi aftësinë për të qenë prezent në atë hapësirë ku media nuk depërton: në misterin e Meshës.

Për të rinjtë që ndjejnë thirrjen për meshtari, ky imazh krijon një krizë ekzistenciale: nëse jeta e priftit është thjesht një tjetër lifestyle fitnesi dhe marketingu, atëherë ku qëndron sakrifica? Ku është e vërteta që na bën të lirë?

Dorëheqja e tij është një alarm për shoqërinë, e cila ka harruar se Krishti nuk erdhi për të qenë “i pëlqyeshëm”, por për të qenë një “skandal” për logjikën tonë njerëzore.

“Sepse çfarë dobie ka njeriu nëse fiton botën mbarë, por humbet shpirtin e vet?” (Mateu 16:26). Sot, “fitimi i botës” është marrja e vëmendjes.

Të krishterët, duke vrapuar për të pushtuar këtë hapësirë, bijnë në kurthin e parashikuar me kohë nga Krishti: fitojnë audiencën, por humbin vetën, aftësinë për mendim, lutje dhe heshtje.

Megjithatë, nuk duhet të biem në kurthin e idealizimit të figurës së meshtarit, si qenie e paprekshme nga ligjet e rënies njerëzore.

Meshtari nuk është imazh statik, apo ikonë e ngrirë siç ne e kemi projektuar në mendjet tona, ata mbartin më vete peshën e mëkatit dhe brishtësisë njerëzore dhe gjenden mes tensionit të vazhdueshëm mes kufizimeve njerëzore dhe thirrjes për t’i shërbyer Popullit të Zotit.

Të zgjedhësh të jesh “ura” mes njerëzores dhe hyjnorës në një botë që ka humbur ndjenjen e së shenjtës, është sakrificë që mbetet e padukshme.

Pa u vendosur në pozicionin e gjykatësit, secili prej nesh shpreson që ai dhe të tjerët ta rigjejnë atë heshtje sakrale, të cilën zhurma e botës digjitale ua mbyt përkohësisht.

Shën Pali na kujton se “sepse cili nga njerëzit, pra, njeh gjërat e njeriut, përveç se fryma e njeriut që është në të?” (1 Kor 2:11) duke na bërë të ditur në këtë rast se fshehtësitë e zemres dhe mendjes muk i njeh askush si Ati që sheh në fshehtësi.

Dhe, vetëm duke kujtuar Shën Augustinin, kur thotë se Zoti na është më i brendshëm se vetë brendësia jonë (interior intimo meo), mund të kuptohet plotësisht rrugëtimi i një të krishteri.


Shënim: Alberto Ravagnani ka lindur në vitin 1993 në Brianza dhe u shugurua prift i dioqezës së Milanos në qershor të vitit 2018. Ai e nisi shërbimin e tij baritor në oratorin San Filippo Neri në Busto Arsizio, ku u bë i njohur botërisht gjatë pandemisë së vitit 2020 duke përdorur rrjetet sociale si mjet për të komunikuar me të rinjtë.

Përmes YouTube dhe Instagram, ai arriti të bëhej një nga figurat më popullore të kishës në internet, duke themeluar shoqatën LabOratorium dhe komunitetin “Fraternità”. Përveç aktivitetit digjital, ai u bë edhe autor i suksesshëm i disa librave bestseller si “La tua vita e la mia”, duke u shndërruar në një pikë referimi për pastoralen rinore.

Megjithatë, në fillim të vitit 2026, në moshën 32-vjeçare, ai njoftoi opinionin publik mbi vendimin për të lënë shërbimin meshtarak, me dëshirën për të vazhduar misionin e tij të besimit si laik, jashtë roleve dhe veshjeve institucionale.

Share This Article
Pa Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *