Muhamedi kush ishte? Studiuesit vënë në provë burimet historike dhe e konsiderojnë pothuajse të pamundur hartimin e një biografie të sigurt. Ajo pak që mund të thuhet me njëfarë sigurie është se ai përhapi një mesazh me përmbajtje biblike.
Kush ishte Muhamedi? Një projekt i ri akademik rihap debatin historik mbi themeluesin e Islamit.
Së fundmi në Francë është botuar vepra “Le Mahomet des historiens” (“Muhamedi i historianëve”) nga botimet Les Éditions du Cerf (2025), një punim voluminoz në dy vëllime (mbi 2.000 faqe), i kuruar nga Mohammad Ali Amir-Moezzi dhe John Tolan, me kontributin e rreth pesëdhjetë specialistëve ndërkombëtarë.
Qëllimi i kësaj vepre është të shqyrtojë në mënyrë shkencore figurën e Muhamedit – mesazhin e tij, biografinë dhe ndikimin kulturor – përtej mitit dhe devocionit fetar, duke analizuar me kujdes të gjitha burimet e disponueshme: islame dhe joislame, arabe, të krishtera, persiane, afrikane, si edhe tekste me karakter mistik apo letrar.
Muhamedi: mungesë sigurish historike
Pavarësisht përpjekjes enciklopedike, historianët e përfshirë theksojnë një pikë vendimtare: ajo që mund të konsiderohet e sigurt për jetën historike të Muhamedit është jashtëzakonisht e pakët.
Në një intervistë për Le Monde, përgjegjësi kryesor i projektit, Ali Amir-Moezzi – drejtor emerit në École Pratique des Hautes Études në Paris dhe një nga islamologët më të njohur – deklaron se “ajo që historiani mund të pohojë me siguri për Muhamedin ndoshta nuk i kalon dy faqe”.
Edhe rreth 30 vite më parë, në revistën Arabica, antropologia Jacqueline Chabbi theksonte se “është e pamundur, me metoda kritike, të shkruhet një biografi historike e Muhamedit, pasi burimet mbi të janë të vona, kontradiktore, të mbushura me pasaktësi e gabime dhe të orientuara teologjikisht e politikisht”.
Biografia e parë e njohur e Muhamedit, ajo e Ibn Isḥāqut e përpunuar nga Ibn Hishām, daton më shumë se një shekull pas vdekjes së tij.
Edhe vetë autorët e veprës së re, Amir-Moezzi dhe John Tolan (profesor emerit në Universitetin e Nantës), konfirmojnë se “nëse arrin të shkruash një biografi për Muhamedin, kjo ndodh sepse nuk po përdor një qasje kritike ndaj teksteve; nëse e përdor qasjen kritike, përpjekja bëhet praktikisht e pamundur”.

Mesazhi i tij konsiderohet biblik, jo specifikisht islamik
Sipas studiuesve, me njëfarë sigurie mund të thuhet vetëm se Muhamedi jetoi në Arabinë Perëndimore në fund të shekullit VI. Pjesa tjetër e jetës së tij mbetet e mbuluar nga mjegulla e burimeve të vona dhe kontradiktore: datat e lindjes e të vdekjes, numri i fëmijëve, i bashkëshorteve etj.
Një tjetër element relativisht i sigurt, sipas tyre, është se ai solli “një mesazh të vendosur brenda traditës monoteiste hebraike dhe të krishterë”, duke paralajmëruar fundin e botës dhe duke ftuar njerëzit në pendesë, devocion, bamirësi dhe mirësi ndaj njëri-tjetrit për të shmangur zemërimin hyjnor.
Amir-Moezzi shpjegon se teksti kuranor “paraqitet si një vazhdim i Tevratit të Moisiut dhe i Ungjillit të Jezusit (Sure 5, 46)”, duke trajtuar tema apokaliptike “qartësisht hebraike dhe të krishtera”. Dallimi kryesor, sipas tij, është se në Kuran “Zoti flet rregullisht në vetën e parë”. Ndërsa autori John Tolan shton se nga teksti i shenjtë islam del një popullsi “gjerësisht e familjarizuar me universin monoteist”, pra biblik, aq sa Kurani i referohet vazhdimisht historive të Biblës – veçanërisht profetëve të Besëlidhjes së Vjetër dhe të Re – në mënyrë aluduese, sikur ato të ishin tashmë të njohura për të gjithë.
Sipas disa studiuesve të tjerë, Kurani mund t’i referohet konkretisht Peshittës siriake, një version i hershëm i Ungjillit me përmbajtje të ngjashme me tekstin aktual.
Vetë Kurani nuk e specifikon qartë se Muhamedi – i përmendur vetëm (4) katër herë – dallohet në mënyrë thelbësore nga profetët hebrenj e të krishterë, as nuk shprehet drejtpërdrejt se ai synonte themelimin e një feje krejtësisht të re.
Përhapja e Kuranit faleminderit Luterit
Në fund të intervistës për Le Monde, Amir-Moezzi shpjegon se intelektualët e krishterë të Mesjetës, të paktën deri në shekullin XVI, e konsideronin Muhamedin si profet të rremë, ndër të tjera sepse Ungjijtë paralajmëronin ardhjen e figurave të tilla, dhe për faktin që Kurani përfshinte elemente biblike.
Një kthesë ndodhi në vitin 1543, kur Kurani u përkthye në latinisht me një parathënie të Martin Luterit. Që nga ajo kohë, sipas studiuesit, “autorët protestantë gjetën argumente kundër katolikëve në tekstin mysliman” dhe, ndonëse perceptimi për Islamin mbeti negativ, ai shihej ndonjëherë si “një e keqe më e vogël” krahasuar me katolicizmin nga këndvështrimi protestant. Me Iluminizmin u zhvillua një imazh më pozitiv i Muhamedit, i perceptuar si figurë e madhe shpirtërore dhe poet, veçanërisht nga Goethe dhe Victor Hugo, me idenë se myslimanët kishin ruajtur një spiritualitet që Evropa e kishte humbur me modernitetin. Nga ana e tij, Napoleoni e konsideronte një ligjvënës të madh.“
Pas revolucionit iranian të vitit 1979 u shfaq fuqishëm Islami politik dhe, që prej asaj kohe, feja islame shpesh perceptohet si kërcënim në diskursin publik perëndimor.
Dallimi me burimet e krishtera
Ky debat thekson se metoda historiko-kritike, e aplikuar për shekuj mbi burimet e krishtera, në këtë rast po zbatohet mbi burimet islame.
Sipas disa studiuesve, krishterimi i ka rezistuar gjerësisht analizës kritike të burimeve dhe sot konsiderohet se të dhënat kryesore mbi Jezusin historik ishin të njohura pothuajse në mënyrë bashkëkohore me ngjarjet e shekullit të parë.
Në përmbledhje, e njëjta forcë metodologjike që ka vënë në provë traditat e krishtera, kur aplikohet mbi Islamin – sipas këtij këndvështrimi akademik – nxjerr në pah një problem themelor: burimet e sigurta janë të pakta dhe një pjesë e madhe e asaj që besohet për Muhamedin mbetet, për historianët, një rindërtim që vështirë mund të quhet plotësisht historik.
Burimi: UCCR Online






