“Buen Camino” pa predikim: humori i Checco Zalone-s dhe kriza e kuptimit

Buen Cammino nuk është film fetar, por është pasqyrë e njeriut modern që ecën shumë dhe hesht pak. Camino nuk shfaqet si rrugë shenjtërimi, por si vend ku zbulohet zbrazëtia e brendshme e ritualit pa pendesë, udhëtimit pa kthim të zemrës.

4 Min Lexim
Deklaratë: Të gjithë artikujt dhe reflektimet e botuara në Via Veritatis paraqesin pikëpamjet personale të autorëve. Ato nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të asnjë institucioni fetar.

Filmi Buen Camino, me protagonist Checco Zalone, nuk është as film fetar dhe as reflektim shpirtëror në kuptimin klasik. Është një rrëfim thellësisht laik, i ndërtuar mbi humor grotesk dhe karikaturë sociale. Megjithatë, pikërisht për këtë arsye, filmi ofron një material të pasur për një vlerësim filozofiko-kristian, jo si doktrinë, por si antropologji, si pasqyrim i njeriut kur kuptimi, përgjegjësia dhe marrëdhënia janë zëvendësuar nga komoditeti dhe egoja.

Checco paraqitet si një burrë jashtëzakonisht i pasur, i mbrojtur nga çdo vështirësi reale e jetës. Ai nuk është i keq në kuptimin klasik moral por ai është i papjekur antropologjikisht. Nuk di të dojë, nuk di të kujdeset, nuk di të humbasë. Jeta e tij është e organizuar rreth rehatisë dhe kontrollit, me pak fjalë rreth tij.

Nga një këndvështrim filozofik i frymëzuar nga krishterimi, kjo figurë përfaqëson njeriun që ka gjithçka përveç asaj që e bën njeri, aftësinë për marrëdhënie reale dhe përgjegjësi ndaj tjetrit. Këtu filmi prek një temë qendrore të etikës së krishterë, pa e artikuluar fetarisht, njeriu nuk realizohet në zotërim, por në marrëdhënie.

Cristal, vajza e tij, niset në Camino për t’u larguar, nga një baba që nuk e ka parë kurrë realisht, nga një botë artificiale ku gjithçka blihet, përveç kuptimit.

Në këtë raport, filmi përmbys një pritshmëri klasike, nuk është babai ai që udhëheq, por vajza që detyron babanë të ecë. Kjo është domethënëse, thirrja për ndryshim shpesh vjen nga ata që sistemi i ka lënë pas dore. Jo si predikim, por si fakt jetësor.

Camino de Santiago në film shpaloset si një hapësirë e humbjes së privilegjit. Checco humbet makinën, komoditetin, kontrollin, ritmin e tij artificial. Ai detyrohet të ecë, jo për të gjetur Zotin, por për të mos humbur vajzën. Kjo është një pikë kyçe sepse ndryshimi i njeriut nuk fillon nga idetë e larta, por nga përplasja me kufijtë e vet. Trupi që lodhet, koha që zgjatet, ecja që nuk blihet, këto janë përvoja që e çlirojnë njeriun nga iluzioni i vetë-mjaftueshmërisë.

Në këtë film nuk kemi ndonjë pendesë dhe as që gjendet aty. As nuk nuk ka një proces kthese morale apo model virtyti. E po kjo nuk është pika e dobët e narratives por asht diagnoza kulturore aktuale. Në një botë laike, ku fjala “pendesë” është zëvendësuar nga “vetë-justifikim” dhe “menaxhim emocionesh”, filmi tregon se ndryshimi mbetet i pjesshëm. Kjo asht pika ku filmi tregon kufirin e etikës pa transcendencë. Pa një horizont më të lartë se vetja, njeriu përmirësohet, por nuk shndërrohet.

Buen Cammino përfundon pa shpallje, pa mësim moral, pa zgjidhje të plotë. Marrëdhënia baba-vajzë përmirësohet, por nuk idealizohet. Checco kupton diçka, por nuk bëhet dikush tjetër. Në këtë realizem gjejmë faktin që e vërteta nuk imponohet, por propozohet, ndryshimi nuk dhurohet por kërkon kohë. Filmi ndalet aty ku ndalet edhe përvoja njerëzore pa dimension shpirtërore të artikuluem.

Buen Cammino është një film laik që, pa e synuar, ekspozon një sërë pyetjesh thelbësore të antropologjisë së krishterë, Çfarë e bën njeriun njeri? A mjafton pasuria? Çfarë e detyron njeriun të ndryshojë? Çfarë ndodh kur marrëdhënia zë vendin e interesit?

Për ViaVeritatis, ky film nuk është dëshmi e fesë, por pasqyrë e një bote që ka harruar pse ecën. Dhe ndonjëherë, pikërisht kjo pasqyrë është pika e vetme nga ku mund të lindë një pyetje më e thellë.

Share This Article
Pa Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *