Papa Leoni XIV, sot ka emëruar udhëheqësin e ri të Kolegjit të Kardinalëve: kardinalin filipinas Luis Antonio G. Tagle, 69 vjeç, Pro-Prefekt i Seksionit për Evangjelizimin e Parë dhe Kishat e Reja Vendore pranë Dikasterit për Evangjelizimin (departamentit të Vatikanit për përhapjen e besimit).
Këtë pozitë e mbajti për pothuajse shtatë vjet kardinali tash 92-vjeçar Giovanni Battista Re, i cili dha dorëheqje nga detyra e Dekanit. Kardinali Re është figurë historike e Kuries Romake, i cili ka shërbyer gjatë katër pontifikateve të fundit, nga Papa Gjon Pali II e deri më sot – tani ai merr titullin “Dekan Emeritus” dekan në pension i Kolegjit të Kardinalëve.
Ky titull është risi e sjellë nga Papa Françesku e vitit 2019 ku ai reformoi zyrën e Dekanit duke përcaktuar se kjo detyrë nuk do të jetë më e përjetshme, por me një mandat pesëvjeçar, i rinovueshëm vetëm një herë.
Por le të kthehemi tek Kardinal Tagle, emër i njohur për Kishën Moderne dhe i dashur për shumë njerëz.
I njohur me përkëdhelje nga besimtarët si “Chito”, Kardinali Luis Antonio Tagle (69 vjeç) është një nga figurat më me ndikim e më energjike të Kishës Katolike sot.
I lindur në Filipine nga një familje me origjinë të përzier filipineze e kineze, Tagle u shugurua meshtar në vitin 1982 dhe më pas përfundoi doktoraturën për teologji në SHBA. Pasi shërbeu si Ipeshkëv i Imusit dhe më pas si Kryeipeshkëv i Manilës, ai u emërua kardinal nga Papa Benedikti XVI në vitin 2012. Në vitin 2019, Papa Françesku e thirri në Romë për të drejtuar Dikasterin për Evangjelizimin.
Zgjedhja e Kardinalit Tagle në krye të Kolegjit të Kardinalëve është shenjë e qartë e frymëmarrjes së re që po merr Kisha Universale. “Chito” apo “Françesku i Azisë“, gëzon një popullaritet dhe dashuri të veçantë nga besimtarët, i cili ka një stil baritor krejt të thjeshtë dhe afërsi njerëzore, nuk nguron të shfaqë emocionet e tij apo të qëndrojë krah për krah me të rinjtë, me të dobëtit dhe të përjashtuarit.
Pas këtij imazhi “me këmbë në tokë”, qëndron një nga teologët dhe historianët më të mirë të Kishës Bashkëkohore. I shkolluar nën traditën e Etërve Jezuitë në Filipine dhe me studime të thelluara doktorature në SHBA mbi kolegjalitetin ipeshkvor nën dritën e Vatikanit II, Tagle mbart me vete një formim intelektual kompleks dhe një njohje të thellë të historisë kishtare.
Për Kardinalin Tagle, Ungjilli kërkon në mënyrë radikale zhveshjen e institucionit kishtar nga triumfalizmi, pompoziteti dhe luksi që shpesh kanë rrezikuar ta largojnë atë nga njerëzit e thjeshtë. Në predikimet dhe shkrimet e tij, ai ka këmbëngulur vazhdimisht se Kisha nuk mund të jetë një kështjellë e mbyllur e vetëmjaftueshme, por duhet të jetë një “shtëpi me dritare të hapura”, e aftë të ecë zbathur mes pluhurit të udhëve ku vuajnë të harruarit e shoqërisë.
Këtë thirrje për një Kishë të varfër dhe për të varfërit, Tagle e ka dëshmuar së pari në jetën e tij personale: duke refuzuar privilegjet e pushtetit, duke lëvizur me mjetet e transportit publik e me biçikletë edhe si kryeipeshkëv, dhe duke refuzuar ta kthejë shërbesën baritore në një karrierë burokratike. Për të, thjeshtësia e jetës nuk është privim, por parakusht i vetëm që barijtë e Kishës të kenë “aromën e deleve” – një qëndrim që e bën zërin e tij jo vetëm të dëgjueshëm, por thellësisht të besueshëm në një botë të lodhur nga fjalët e mëdha pa mbulesë jetësore.
Emërimi i Kardinalit Tagle si Dekan shënon një kthesë historike: ai zhvendos boshtin e Kolegjit të Kardinalëve nga tradita euro-centrike drejt gjallërisë së “Jugut Global” dhe Azisë. Si primus inter pares, ai merr detyrën kyçe për të bashkuar diversitetin e Kishës universale dhe për të udhëhequr Konklavën e ardhshëm. Me këtë zgjedhje, Kisha i beson drejtimin e saj një figure që lartësinë teologjike e udhëheqjes e gërsheton me thjeshtësinë e jetës, duke vulosur vazhdimësinë e një kishe më të hapur, të përulur e pranë të varfërve.
“Kontinenti i ri që duhet evangjelizuar sot është bota dixhitale. Por kujdes: prania jonë në rrjetet sociale nuk duhet të jetë një fushë betejë mendimesh apo vend arrogante, por një hapësirë ku ofrojmë shpresë, dëgjojmë të vetmuarit dhe sjellim dritë në mes të zhurmës.”
Kardinal Luis Tagle






