Lëvizja për Rikthim po e degradon Sakramentin e Pagëzimit – Kisha në heshtje

26 Min Lexim
Deklaratë: Të gjithë artikujt dhe reflektimet e botuara në Via Veritatis paraqesin pikëpamjet personale të autorëve. Ato nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të asnjë institucioni fetar.

Hyrje

Nëse ndokush vjen te ti për t’u pagëzuar nga ndonjë dobi tokësore apo për t’iu pëlqyer njerëzve, ai nuk po hyn në Kishë me trup e me shpirt, por po sjell hipokrizi në shtëpinë e Hyjit.

Kështu e udhëzon Shën Augustini diakonin e Kishës së Kartagjenës kur ky i fundit i kërkonte ndihmë dhe këshillë mbi përgatitjen e kandidatëve për Sakramentin e Pagëzimit.

Në kapitullin 5, paragrafi 9, Augustini shkruan për hipokrizinë e atyre që i afrohen Kishës për dobi tokësore dhe i drejtohet diakonit se së pari duhet ta pyesësh atë që kërkon të bëhet i krishterë nëse e bën këtë për ndonjë përfitim në këtë jetë (aliquod commodum praesentis vitae), apo sepse dëshiron t’i pëlqejë ndokujt prej të cilit shpreson të marrë ndonjë favor.

Nëse vjen me shtirje e hipokrizi, ai nuk po hyn në Kishë me zemër – thotë Doktori i Kishës – por vetëm me trup; e nëse e shihni se ai është i nxitur nga ndonjë dobi tokësore, dhe për këtë arsye po shtiret, katekisti atëherë e ka për detyrë ta shfrytëzojë këtë rast për t’i treguar se sa e kotë është të kërkosh gjëra kalimtare në shtëpinë e Zotit. (Shën Augustini, De catechizandis rudibus – Mbi katekezën e fillestarëve, rreth vitit 400.)

Nëse kjo e vitit 400 nuk na mjafton, le t’i kthehemi të Drejtës Kanonike sot, e cila qartëson se si kusht që një i rritur të pagëzohet, kërkohet që ai të ketë shfaqur vullnetin për të marrë pagëzimin, të jetë udhëzuar mjaftueshëm mbi të vërtetat e besimit dhe detyrimet krishtere, si dhe të jetë sprovuar në jetën krishtere përmes katekumenatit (Kanoni 865 – § 1).

Se sa me zell përgatiten sot kandidatët për Pagëzim në rastet që po diskutohen në Kosovë është pikërisht çështja që kërkon përgjigje prej prijësve të Kishës. Kanoni 851, nr. 1, kërkon pranimin e të rriturit në katekumenat dhe udhëheqjen e tij, sa të jetë e mundur, nëpër etapat e inicimit të krishterë.

Katekizmi i Kishës Katolike, në paragrafët 1247–1248, e përshkruan këtë formim si pjekje të kthimit shpirtëror dhe të besimit, përmes njohjes së misterit të shpëtimit dhe hyrjes në jetën liturgjike, morale e bashkësiore. Kohëzgjatja nuk përcaktohet nga një afat; ajo që kërkohet është përgatitja reale. Përndryshe rrezikojmë një «hir ekspres», pak zell folklorik dhe një fotografi për rrjete sociale.

Papa Françesku, në Evangelii Gaudium, §117, kujton se Ungjilli ka përmbajtje tejkulturore, edhe kur predikohet në gjuhën dhe përmes kujtesës së një populli. Ai paralajmëron kundër tundimit për ta shenjtëruar kulturën tonë të veçantë në emër të ungjillëzimit. Sa lehtë mund të përfundojmë edhe ne në këtë ngatërrim, kur përkatësia historike fillon të marrë vendin e takimit personal me Krishtin!

Shqyrtim kritik i definicioneve të pagëzimit nga Lëvizja për Rikthim

Le të shohim se si Lëvizja për Rikthim në postimin e vet të fundit e përkufizon atë që për një katolik është një nga ngjarjet themelore të gjithë jetës së tij:

Pagëzimi, n’thelbin e vet më t’thellë, nuk asht thjesht nji rit fetar apo nji akt formal i përkatësisë institucionale… Në planin shoqëror e historik, pagëzimi merr nji kuptim edhe më t’thellë. Ai shndërrohet n’akt rezistence kulturore e rikthimi identitar… Asht heqje dorë prej barrës t’nji identiteti t’imponuem e rikthim te rrënjët e mohueme. – Lëvizja për Rikthim

SED CONTRA: Shën Pali thotë në Letrën drejtuar Galatasve: “Sepse, gjithsa jeni pagëzuar në Krishtin – me Krishtin jeni veshur. Nuk ka më: hebre – grek! Nuk ka më: skllav – i lirë! Nuk ka më: mashkull – femër! Të gjithë ju jeni një në Krishtin Jezus.”, kësisoj, pikërisht se i tejkalon ndarjet e etnisë, gjinisë dhe statusit social, pa e mohuar realitetin historik të këtyre dallimeve – Pagëzimi është në thelbin e vet vita in Spiritu, jetë në Shpirt, dhe bashkim me Krishtin.

Katekizmi i Kishës Katolike, §1267, shkon edhe më tej, kur sqaron se nga burimi pagëzimor lind Populli i vetëm i Hyjit i Besëlidhjes së Re, i cili i tejkalon kufijtë natyror dhe njerëzor të kombeve, kulturave, racave dhe gjinive – kjo është përkatësia e re e të pagëzuarit, ajo i jep historisë së tij një thellësi që nuk mund të nxirret prej gjenealogjisë.

Një prej dhuratave themelore të Pagëzimit është Hiri Shenjtërues, përmes të cilit i pagëzuari merr pjesë në jetën hyjnore. Katekizmi, në paragrafët 1213 dhe 1262–1266, e quan Pagëzimin themel të jetës së krishterë dhe shpjegon se ai sjell faljen e mëkateve, rilindjen në Shpirtin Shenjt si bij e bija të Hyjit.

Kombësia, kultura, historia dhe përkatësia gjeografike i përkasin rendit historik të jetës njerëzore. Kisha e njeh mishërimin e besimit në kulturë (inculturatio); por kur rezistenca kulturore paraqitet si qëllimi përcaktues i Pagëzimit, ndodh një përmbysje e rendit teologjik sepse përvoja historike e popullit zë vendin që i takon misterit të hirit të Hyjit.

Pagëzimi e çon njeriun deri te rrënja më e thellë e ekzistencës së tij, te krijimi sipas shëmbëlltyrës së Hyjit dhe te pajtimi me Të në Jezu Krishtin. Krishti nuk u kryqëzua për të bërë rezistencë kulturore ndaj Perandorisë Romake apo ndaj hebrenjve; ta ulësh Pagëzimin në nivelin e një manifesti politik kundër një identiteti tjetër do të thotë ta zhveshësh atë nga karakteri i vet transcendent.

Kjo bie ndesh me mësimin e vetë Kishës kur kthimi te rrënjët kombëtare e shteron të gjithë arsyen e Pagëzimit dhe e redukton të Vërtetën Universale të Ungjillit në një ndërmarrje restaurimi muzeal. Atëherë sakramenti rrezikon të shndërrohet nga një akt i besimit të gjallë në Credo-n e Kishës në një performancë nostalgjie historike me sfond folklorik.

Një shqiptar mund ta ndjejë thirrjen e Krishtit kur zbulon historinë e të parëve të vet të krishterë, kur lexon për martirë të hershëm, Arbërinë, kur dëgjon për Skënderbeun, për priftërinjtë e martirizuar ose për fenë e ruajtur ndër arbëreshë. Ky mund të jetë çasti i parë i zgjimit të ndërgjegjes fetare, një hapje ndaj hirit paraprirës që, sipas Katekizmit (KKK 2001), e përgatit vullnetin njerëzor për t’iu përgjigjur Hyjit. Përvoja e përkatësisë mund të hapë një udhë të vërtetë drejt Ungjillit. Por udha kërkon vijim, ai që kërkon Kishën për shkak të kujtesës së vet duhet të ketë mundësinë ta njohë Krishtin si Person të gjallë dhe ta rrëfejë lirisht fenë e Tij.

Rrënjët e mohueme? Kush janë rrënjët e vërteta për të pagëzuarit e rinj dhe ata që po u derdhin ujin në emër të Trinisë? Sepse deri më sot Katekizmi ka mësuar se rrënja e të krishterit, pavarësisht se çfarë kapele mban në kokë, është Ngjarja e Shpëtimit.

Nëse arsyetimi mbetet vetëm te pohimi “Po pagëzohem sepse kështu kanë qenë të parët e mi para 500 vjetësh” ose “Po kthehem te feja e gjyshit”, pa kaluar në besimin në Jezu Krishtin, në vdekjen dhe ngjalljen e Tij, atëherë lind përgjegjësia serioze e katekistit dhe e priftit për ta ndihmuar kandidatin ta kuptojë dhuratën që po kërkon. KKK 1253 është i qartë, besimi i kërkuar në Pagëzim është një fillim që duhet të rritet; nuk kërkohet njohje e përkryer e mistereve, por të paktën të dij bazat elementare. Pikërisht për këtë nevojitet formimi i vërtetë i katekumenit, i cili vazhdon edhe pas Pagëzimit (KKK 1254).

Nëse një i rritur i afrohet Pagëzimit me shtirje të vetëdijshme, pa vullnetin për të pranuar besimin e Krishtit dhe për t’u larguar prej mëkatit (e neve katolikëve na vjen keq nëse priftërinjtë gjatë “përgatitjes” tuaj kanë harruar t’ua shpjegojnë këtë), Shën Toma i Akuinit shpjegon se shtirja (fictio) e pengon frytin e hirit (Summa Theologiae III, q. 69, a. 9). KKK 1272 kujton se Pagëzimi i vlefshëm lë vulen e pashlyeshme sakramentale, edhe kur mëkati pengon frytet e shpëtimit. Këtu duhet të kujtojmë edhe KKK 1128: sakramenti vepron ex opere operato, me fuqinë e Krishtit, ndërsa frytet e tij lidhen edhe me dispozicionin e marrësit. Shën Toma shton se, kur shtirja largohet përmes pendesës, Pagëzimi mund të japë frytet e hirit që më parë mbeteshin të penguara (III, q. 69, a. 10). Trajtimi i vetëdijshëm e i padenjë i sakramentit mund të përbëjë sakrilegj (KKK 2120); gjykimi për një ndërgjegje konkrete nuk merret nga një fotografi apo një deklaratë publike.

(Sakrilegji përbëhet në profanizimin ose në trajtimin e padenjë të Sakramenteve…’ (KKK 2120). Kur Pagëzimi zhvishet nga Hiri Hyjnor për t’u shndërruar në rekuizitë të ideologjive tokësore, apo kur i afrohesh Altarit jo për t’u penduar para Krishtit por për spektakël identitar, ti po përdor atë që është e Shenjtë për qëllime profane – e kjo, sipas doktrinës katolike, përbën formalisht mëkat të rëndë sakrilegj.)

Prifti i cili po ju pagëzon dhe që e njeh realisht një mungesë të tillë disponimi ose një mangësi të rëndë në përgatitje dhe përsëri e trajton kremtimin si skenë të një demonstrimi identitar, duhet t’i përgjigjet detyrës së vet baritore. Duke lejuar që domethënia e sakramentit të mjegullohet nga një rit kombëtar, ai rrezikon t’u japë besimtarëve përshtypjen e rreme se Kisha Katolike mund të përdoret si një degë fetare e realizimit të çështjeve politiko-kultuore.

Shqyrtimi i dytë kritik i definicioneve mbi pagëzimin nga Lëvizja për Rikthim

Në aspektin teologjik, pagëzimi do me thënë çlirim prej mëkatit, ndërsa në aspektin sociologjik e filozofik, do me thënë çlirim prej nënshtrimit t’brendshëm. – Lëvizja për Rikthim

SED CONTRA: Këtu na vjen në ndihmë vetë Jezusi përmes ungjilltarit Gjon: “Jezusi u përgjigj atyre: Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them: Kush bën mëkatin është skllav i mëkatit.”

Këtë e shpjegon edhe Shën Toma i Akuinit (ST III, q. 69): falja e mëkateve, rilindja në Krishtin dhe jeta e re e hirit janë ndër frytet vendimtare të Pagëzimit, ashtu siç i shtjellon edhe Katekizmi në §§1262–1267.

Kësisoj, në përkufizimin e Lëvizjes për Rikthim përdoret fjala ‘çlirim’. Në teologji për ata që janë keq-formësuar në katekizmin e tyre apo që mjaftohen me disa “leksione” shpejt e shpejt, çlirimi do të thotë lirim nga vdekja e përjetshme, nga djalli dhe nga mëkati origjinal.

Sepse ÇLIRIM NGA ÇFARË? Koncepti i çlirimit në Bibel zhvillohet si udhëtim nga çlirimi fizik e shoqëror drejt lirisë së plotë shpirtërore ekzistenciale. Në Librin e Daljes (Eksodi) shfaqet si ngjarje politike, ku Zoti ndërhyn në histori për të çliruar popullin e shtypur nga skllavëria egjiptiane. Levitiku më pas e institucionalizon këtë përmes Vitit Jubilar, duke e kthyer çlirimin në një normë sociale që parandalon pabarazinë dhe robërinë ekonomike.

Në Besëlidhjen e Re, Jezusi e vendos këtë koncept në nivel universal duke sqaruar se misioni i tij është t’u sjellë liri të burgosurve – siç e gjejmë në kapitullin e 8 të Gjonit: “Nëse Biri do t’ju bëjë të lirë, do të jeni me të vërtetë të lirë”, çlirimi kësisoj merr një kuptim radikal të brendshëm, kur Jezusi tha “Jepni, pra, Cezarit atë që i përket Cezarit, e Hyjit atë që i përket Hyjit” (Mt 22,21), ai refuzoi ta kthente misionin e tij në një lëvizje çlirimi kombëtar.

Lëvizja e merr nocionin e çlirimit dhe e çvesh nga karakteri i vet hyjnor, duke e katandisur në një koncept psiko-sociologjik, duke rrezikuar ta bëjnë gabimin e njejtë si hebrenjtë para 2000 vitesh – kërkon një udhëheqës politik për t’i çliruar nga Roma e nuk e kupton Zotin që erdhi t’i çlironte nga skllavëria e vërtetë: mëkati.

Pagëzimi rrjedhimisht nuk është seancë psiko-terapeutike për shërimin e komplekseve të inferioritetit, as revolucion sociologjik emancipues. Nëse për çudinë tonë një i pagëzuar çlirohet nga ‘nënshtrimi i brendshëm sociologjik’ siç pretendojnë ata, kjo mund të jetë një pasojë tërthorëse njerëzore, por asnjëherë nuk është formalisht objekt i Sakramentit.

Shqyrtimi i tretë kritik i definicioneve mbi pagëzimin nga Lëvizja për Rikthim

Asht çlirim prej idesë se njeriu shqiptar duhet me jetue i përkulun, i frikësuem… Pagëzimi e thyen këtë logjikë e e rikthen njeriun shqiptar n’dinjitetin e tij fillestar. – Lëvizja për Rikthim

SED CONTRA: Shën Augustini në librin e tij De Civitate Dei, mëson se tërë historia njerëzore nuk ndahet sipas kombëve e racave apo kufijve shtetërorë, por sipas dy dashurive: dashuria për veten deri në përbuzje të Hyjit – qyteti tokësor; dashuria për Hyjin deri në përbuzje të vetvetes – qyteti qiellor.

Kisha Katolike nuk e sheh njeriun si “qytetar të Arbërisë” apo “qytetar të Dardanisë”, por si udhëtar (viator) drejt Atdheut Qiellor. Të pretendosh se pagëzimi bëhet për të lartësuar një etni mbi një tjetër, do të thotë ta ulësh sakramentin dhe ta mbyllesh brenda qytetit tokësor.

Prandaj edhe dashuria për vendin/kombin ka vendin e saj në jetën e besimtarit. Vetë Shën Gjon Pali II, në Tiranë më 25 prill 1993, e njohu të drejtën e shqiptarëve për ta dashur me pasion atdheun dhe i paralajmëroi kundër nacionalizmit intolerant. Në këtë dallim qëndron edhe përgjegjësia jonë, kujtesa e një populli mund të ruajë gjurmët e fesë së krishterë, ndërsa Sakramenti na përfshin në një bashkim që i kapërcen kufijtë e çdo populli.

Sa i përket ‘dinjitetit fillestar’ të njeriut – Shën Toma i Akuinit e sqaron bukur se dinjiteti origjinal i njeriut para Rënies nuk ishte ndonjë atribut kulturor apo etnik, por bazohej në dy gjëra: Imago Dei (Shëmbëlltyra e Hyjit) dhe Justitia Originalis (Drejtësia Origjinale).

Para rënies në Eden nuk ekzistonte asgjë në kuptimin e strukturës kombëtare apo politike; kësisoj të argumentosh se pagëzimi të kthen në ‘dinjitetin fillestar të njeriut shqiptar’ është thjesht anakronizëm filozofik dhe teologjikisht non-sense, pasi kombësitë janë zhvillime dytësore ose siç do t’i quante Akuini – aksidentale, e jo substanciale; pra JO struktura të Krijimit.

Kur e përkufizon pagëzimin si “clirim prej idesë se njeriu shqiptar duhet me jetue i përkulun“, shihet se sa pak kuptohet jeta dhe misioni i Jezu Krishtit.

Pretendimi se Pagëzimi vjen për ta larguar përkuljen, tregon keqkuptimin për virtytet e krishtera. Në logjikën e Ungjillit, përkulja nuk është “dobësi”, por kulm i dinjitetit hyjnor – Krishti vetë erdhi në tokë për t’u bërë shërbëtor duke iu larë këmbët apostujve të tij, Krishti siç na kujton Shën Pali në Letrën dërguar Filipianëve:

“Kini në ju po ato ndjenja që ishin në Krishtin Jezus: i cili, edhe pse me natyrë Hyj, barazinë e vet me Të nuk e çmoi si një visar që s’mundët pa të, por ia mohoi vetvetes, e mori natyrën e shërbëtorit dhe u bë i ngjashëm me njerëz, dhe, për kah pamja e jashtme dukej vetëm njeri. E përkuli vetveten duke u bërë i dëgjueshëm deri në vdekje, mu deri në vdekje në Kryq. Prandaj edhe Hyji e lartësoi tesve dhe i dha emrin që është mbi çdo emër që në Emër të Jezusit të përkulet çdo gju i atyre që janë në qiell, në tokë e në nëntokë dhe çdo gjuhë të dëshmojë: Jezu Krishti është Zot”

– me jetën tonë konkrete jemi të thirrur të dëshmojmë se i përngjajmë Atij që u përkul deri në vdekje në Kryq. Detyra parësore, absolute dhe e pashmangshme e çdo të pagëzuari është të bëhet dëshmitar i Krishtit dhe ta shpallë Ungjillin e Tij në botë, e jo ta keqpërdorë apo ta shfrytëzojë Sakramentin e Shenjtë për të promovuar ideologji nacionaliste.

Kjo na vendos perpara rrezikut të etnofiletizmit, vendosjes së etnisë në qendër të jetës kishtare, deri aty sa përkatësia kombëtare të bëhet kriteri që sundon mbi fenë.

KKK 2113 përmend shprehimisht hyjnizimin e racës, paraardhësve dhe shtetit ndër format e idhujtarisë. Papa Piu XI, në Mit brennender Sorge (1937), §8, paralajmëron se kush e ngre racën, popullin ose shtetin në rangun e vlerës më të lartë, përmbys rendin e krijuar nga Hyji. Shën Gjon Pali II, në Redemptoris Missio, §52, flet për mishërimin e Ungjillit në kulturat e popujve, duke kërkuar njëkohësisht ruajtjen e paprekur të veçantisë dhe tërësisë së fesë së krishterë. Përndryshe, siç na kujton vetë emri i saj: Kisha ose është Universale, ose nuk është fare!

Shqyrtimi i katërt kritik i definicioneve mbi pagëzimin nga Lëvizja për Rikthim

Pagëzimi nuk e bën domosdo njeriun t’pafajshëm, por e bën gjithsesi t’lirë. – Lëvizja për Rikthim

Se a të bën Pagëzimi plotësisht njeri të pafajshëm apo jo, nuk është çështje opinioni teologjik, por është Dogmë e fesë Katolike e formuluar qysh në Koncilin e Trentit:

Nëse dikush mohon se nëpërmjet hirit të Zotit tonë Jezu Krishtit, që jepet në Pagëzim, falet faji i mëkatit origjinal; ose nëse pohon se nuk hiqet gjithçka që ka natyrën e vërtetë dhe të saktë të mëkatit… qoftë mallkuar (anathema sit). -Sesioni V, Viti 1546, Decretum de peccato originali, kanoni 5

Po ashtu, Katekizmi i Kishës Katolike e përsërit këtë Dogmë duke sqaruar se me anë të Pagëzimit falen të gjitha mëkatet: mëkati origjinal dhe të gjitha mëkatet personale, e në të pagëzuarit nuk mbetet asgjë që do t’i pengonte të hyjnë në Mbretërinë e Hyjit.

Le të jemi objektivë e të themi se ndoshta Lëvizja e ka formuluar këtë fjali duke pasur parasysh faktin se njeriu pas Pagëzimit mund të mëkatojë përsëri, por kjo është një ngatërresë mes pafajësisë ontologjike dhe pranisë së lëngatës së mëkatit (concupiscentia).

Në Pagëzim, siç e dimë, mëkati dhe faji hiqen tërësisht: njeriu del nga uji i pagëzimit si njeri i ri. Megjithatë, te ai mbetet lëngata e mëkatit, e cila nuk është mëkat në vetvete, por prirje natyrore si pasojë e Rënies, kundër së cilës i pagëzuari duhet të luftojë gjatë gjithë jetës me ndihmën e Hirit dhe të Sakramenteve të tjera, përfshirë këtu Rrëfimin dhe Eukaristinë.

Fatkeqësisht, kjo ngre edhe pikëpyetje të tjera lidhur me pohimin e tyre: Si mund të jetë i lirë një njeri që nuk është bërë i pafajshëm para Hyjit?

Në teologjinë dhe filozofinë katolike, liria nuk është një gjendje psikologjike-shoqërore, një emancipim politik apo një ndjenjë e brendshme e krenarisë etnike, por takimi jonë personal me Personin e Jezu Krishtit: “Do ta njihni të Vërtetën dhe e Vërteta do t’ju bëjë të lirë.” (Gjn 8, 32).

Teologjia e lirisë katolike është rrënjësisht kristocentrike: nuk është vetëdija kombëtare që e çliron njeriun, por Krishti i cili është “Udha, e Vërteta dhe Jeta“. Kësisoj, pohimi është kontradiktë në vetvete sepse si mund të jetë i lirë një njeri që vazhdon të mbetet nën fajin e mëkatit?

Në përpjekjen e saj entuziaste për ta riinterpretuar Sakramentin sipas nevojave të momentit, Lëvizja po vallëzon mbi një fije jashtëzakonisht të hollë, një fije floku nga rënia e drejtpërdrejtë në herezi (herezia: mohimi ose pohimi me ngulm i një të vërtete të shpallur të fesë katolike, që bie ndesh me Dogmën e Kishës).

Surge, Ecclesia!

Nëse për laikët apo aktivistët e zëshëm e të keq-informuar të Lëvizjeve të tilla mund t’u jepet një lloj mirëkuptimi për shkak të mos-formimit teologjik, pyetja më e rëndë u drejtohet priftërinjve që marrin pjesë, i përkrahin dhe i udhëheqin këto kremtime.

Si ka mundësi që barinjtë, të cilëve Zoti u ka besuar administrimin e Mistereve të Shenjta, po lejojnë që Sakramenti i themeluar nga vetë Jezu Krishti të keqpërdoret e të profanizohet si mjet për spektakël mediatik e për nacionalizma e patriotizma të panevojshëm? Aq larg sa në emër të Kishës të bëhen pohime që çojnë deri në herezi?

Prifti nuk është pronar i sakramentit, është shërbëtor i tij; ai nuk ka kurrfarë të drejte ta përshtatë apo ta zbusë kuptimin e Pagëzimit sipas orekseve e kërkesave të ditës.

Pyetja për priftërinjtë mbetet thellësisht konkrete: çfarë përgatitjeje kanë marrë të rriturit që kërkojnë Pagëzimin dhe si është verifikuar vullneti i tyre për të jetuar besimin e Kishës?

E kemi parë në rrjete sociale, por kemi qenë edhe prezent në raste kur kandidatët për sakramentin e Pagëzimit nuk dinin ta bënin as shenjën më elementare të kryqit e nuk mund të shpjegonin çfarë po ndodhte duke na dhënë arsye të pyesim seriozisht për cilësinë e formimit.

Ruajeni shenjtërinë e Sakramentit nga shekullarizimi me petk kombëtar, sepse kur barinjtë heshtin dhe lejojnë që Fjala e Hyjit të tjetërsohet për t’iu pëlqyer njerëzve, kuptimi i Pagëzimit mjegullohet.

Kisha Katolike e Kosovës duhet ta ngrisë zërin e mos të qëndrojë e heshtur përballë kësaj “masakre” që po i bëhet doktrinës katolike ku secili person i keq-formësuar teologjikisht flet në emër të Krishtit e Kishës së Tij, (ani pse në definicionet e tyre rrallë ku e gjeni Krishtin), Kisha nuk duhet të heshtë përballë tjetërsimit dhe degradimit që po i bëhet Sakramentit të Pagëzimit.


Referenca

https://viaveritatis.info/books/evangelii-gaudium-al/

https://www.newadvent.org/fathers/1303.htm

https://www.vatican.va/content/john-paul-ii/en/encyclicals/documents/hf_jp-ii_enc_07121990_redemptoris-missio.html

https://www.vatican.va/content/pius-xi/en/encyclicals/documents/hf_p-xi_enc_14031937_mit-brennender-sorge.html

https://www.newadvent.org/summa/4069.htm

KKK – Katekizmi i Kishës Katolike, Botuar nga Konferenca Ipeshkvore e Shqipërisë (KISH), 2023.

Bibla – (Përktheu Dom Simon Filipaj), 1994.

Codex Iuris Canonici (1983), Liber IV: De Ecclesiae Munere Sanctificandi (Kanonet 851 e 865).

https://www.vatican.va/archive/cod-iuris-canonici/cic_index_la.html#DE%20POPULO%20DEI

Share This Article
Pa Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *