Hyrje
Përkthimi i Shkrimit Shenjt në gjuhën shqipe, në krahasim me gjuhët tjera, fillon mjaftë thjeshtë, duke u nisur prej disa fjalëve të përkthyera nga zori, e mund të themi edhe bukur vonë. Megjithatë përkthimi i plotë i Biblës nga dom Simonit nuk është i pari, siç e pranon edhe ai vet në paraqitje kur thotë se «këtë nder e patën para meje së paku edhe dy vetë: Grigori nga Durrësi, arqipeshkëv /+ 1772/ dhe Theodhor Haxhi Filipi /1730-1806/»1. Më vonë, në studimet e mbajtura me rastin e 10-ë vjetorit të përkthimit të parë të plotë e gjejmë një listë të gjerë përkthimesh të pjesshme dhe të plota që deri atëherë i kishte gjetur dhe rreshtuar dom Simoni2.
Përkthyesi është përballur me sfida të ndryshme, gjatë përkthimit të tij dhjetravjeçarë, duke u nisur nga situata politike-shoqërore tek rrethanat e mjetet punës së pavolitshme, nga çështja e përzgjedhjes së shkrimit, dialekt apo standard, tek pranimi i lexuesit-kritikuesit të veprës. Në mes të gjitha këtyre, ai bëri më të mirën e mundshme me dashuri të jashtëzakonshme për Fjalën e Zotit.
Unë si studiues i vitit 2025-ë, me lirinë politike, me të gjitha mjetet e nevojshme për punë, me gjithfarë lloj tekstesh në gatishmëri e me mjetet kompjuterike e programet biblike, nuk kam dëshirë të kritikoj me arrogancë, por me përvujtëri po i afrohem një vepre kaq madhështore të këtij vigani të Fjalës së Zotit, mbi supet e të cilit si xhuxh qëndroj.
Fjalët e para të njeriut të parë në Bibël janë e folme poetike «kjo tash është ashti i eshtrave të mi dhe mishi i mishit tim!» (Zan 2,23). Po ashtu edhe Kisha prej kohe kur i drejtohet Zotit në lutje i drejtohet me poezi të shprehura në Psalme e Këngë poetike e kështu shpreh gëzimin, hidhërimin lavdërimin, falënderimin e shpreh krejtësisht veten në vargje poetike.
Bibla është një visare i shumëllojshëm i shkruar “prej autorësh njerëzorë të ndryshëm, në kohë të ndryshme, në vende të ndryshme, në gjuhë të ndryshme, në gjini letrare të ndryshme”3.
Prandaj, kam dëshirë të shkoqis vetëm një pikëpamje nga visari i Librit të librave, atë të të shprehurit poetik, dhe ta krahasoj me përkthimin e dSF e përkitazi t’i paraqes edhe disa këndvështrime të përkthimit të Shoqërisë Biblike4. Është më se e qartë se kjo punë nuk mëton të jetë një punë shteruese e tematikës së përzgjedhur, por një paraqitje e shkurtër në nderë të dom Simonit.
Poezia hebraike
Bibla, ndër shumë gjinitë letrare që përmban, ndër më të ndërlikuarat për përkthim është ajo poetike. Ky lloj përbën pothuajse 1/3 e Besëlidhjes së Vjetër, nëpër shumicën e librave të profetëve e deri të pjesa e “Shkrimeve” në Tanak5. Në krahasim me poetikën perëndimore, përfshirë edhe atë shqiptare, ka dallime të theksuara. Ne jemi të zhytur në mjedisin jetësorë të poezisë helene e latine, ndërsa poezia hebraike është më shumë lindore, Kananease. Ky lloj është shumë i thukët, mundohet të shpreh të vërteta, ndjesi e përvoja në mënyrë pamore. Shprehet në mënyrë më se të strukturuar, në vargje të baraspeshuara, në lojëra fjalësh e në lojëra tingujsh.
Studiues të shumët e kanë lëvruar që prej kohësh. Në vitet 1700, Imzot Robert Lowth në veprat e tij6 hetoi disa veçori të poezisë biblike7. Lowth vrojtoi se poezia hebraike është e përbërë «nga Vargu – që dallohet nga proza, jo vetëm nga stili, figurat, diksioni; nga një lartësi mendimi dhe pasuria e figuracionit; por duke qenë e ndarë në vargje, dhe nganjëherë në sisteme vargjesh; që, duke pasur një barazi, ngjashmëri ose përpjesëtim të dukshëm me njëra-tjetrën, në një farë mënyre mateshin me vesh dhe rregulloheshin sipas disa ligjeve të përgjithshme të metrit, ritmit, harmonisë, ose kadencës»8. Këto vargje janë të renditura në paralelizëm të dy pjesëve të vargut, që mund të kenë një larmi dhe gradacion të jashtëzakonshëm9. Ja modeli i Lowth-it:
וּֽמַעֲשֵׂ֥ה יָ֝דָ֗יו מַגִּ֥יד הָרָקִֽיעַ׃ // הַשָּׁמַ֗יִם מְֽסַפְּרִ֥ים כְּבֹֽוד־אֵ֑ל
haššāmayim məsappərîm kəḇōwḏ-ʾēl // ûmaʿăśē yāḏāyw maggîḏ hārāqîaʿ
Qiejt e shpallin lavdinë e Hyjit, // kupa qiellore kumton veprat e duarve të tij! Ps 19,2
Aspektet kryesore
Prej aspekteve kryesore që mund të nxjerrën në pah janë: fillimet e paralelizmit, ndarjen e vargut poetik e në përfundim disa thellime të paralelizmit së bashku me disa mjete stilistike.
Paralelizmi në fillim
Këto vargje paralele mund të thjeshtohen në tri llojeve kryesore: paralelizmi sinonimik, antitetik dhe sintetik. Këto pastaj edhe mund të pasurohen duke u kombinuar në përpilimin e teksteve të ndryshme poetike10.
Paralelizëm sinonimik kemi kur përsëritet e njëjta ndjenjë e autorit me fjalë tjera të barasvlershme. Kështu p.sh. kemi si në vijim:
«Kur Izraeli doli nga Egjipti, // Shtëpia e Jakobit nga populli barbar,
Judeja u bë Shenjtërorja e tij, // Izraeli zotërimi i tij. […] Ps 114,1-2
Paralelizmi antitetik na paraqitet kur në të njëjtin varg një gjëje i barasvihet e kundërta e saj. Kështu kemi11:
«Më të mira janë plagët e atij që të do
se të puthurat tradhtare të atij që të urren». Fu 27,6
Paralelizmi sintetik, sipas Lowthit kemi atëherë kur pjesët e vargut nuk përsërisin të njëjtën ndjenjë e as nuk e kundërshtojnë çka u tha më parë, por prej mënyrës së tyre të ndërtimit12, shton, përsos apo zhvillon mendimin.
«I përsosur është Ligji i Zotit,
shpirtin përtërin;
për t’u besuar është Dëshmia e Zotit,
të miturve u jep dijen». Ps 19,8
Sipas studiuesve të mëvonshëm kjo kategori u pa si një mënyrë gjithëpërfshirëse e tepricave që mbeten, një kategori si thes që mbledh hedhurinat.
Në fund të fundit, Alonso Schökel në doracakun e poezisë thotë se «termi “paralelizëm” është një metaforë. Domethënia e tij, hapësinor kryesisht, zbatohet nga poetika në një ngjarje kohore të gjuhësisë»13.
Ndarja e vargut
Vargu poetik hebraik zakonisht është i ndarë në dy segmente (dystiku)14, tre segmente (trestiku) apo edhe katër segmente (katërstiku), i cili është më i rrallë. Këto ndarje nuk ishin shumë të dallueshme për syrin e paushtruar të një perëndimori, e ndoshta me vështirësi kuptoheshin edhe nga vetë lexuesit e gjuhës amëtare të asaj kohe. Duhet të mbahet parasysh se teksti hebraike, për arsye të kursimit të hapësirës, ishte i shkruar pa hapësira ndarëse. Përveç kësaj edhe pikat zanore i mungonin tekstit i cili ishte me bazë bashkëtingëllor.
Në këtë kontekst, u ngritën disa shkolla shkruesish që për qëllim kishin ruajtjen e integritetit të tekstit të Biblës Hebraike. U quajtën Masoretë, nga fjala hebraike për “lidhje”15, duke reflektuar detyrimin e tyre për të mbajtur besëlidhjen me Zotin. Prej vitit 500 e deri në 900 pas Krishtit këta kopjuan me kujdes tekstet biblike dhe vendosën pikat zanore për të ruajtur shqiptimin dhe kuptimin16. Përveç shenjave zanore, u vendosen edhe shenjat sqaruese sintaksore e edhe muzikore17.
Në 21 librat që i mbajtën si jo poetik, çuditërisht edhe profetët, fundi i vargut shënohet me sof passuq (:). Ndarja e vargut në dy pjesë (A e B) shënohet përfundi rrokjes së theksuar të pjesës parë me theksin
’atnaḥ ( ֑ ), p.sh. ja dystiku nga Is 11,1:
וְיָצָ֥א חֹ֖טֶר מִגֵּ֣זַע יִשָׁ֑י / וְנֵ֖צֶר מִשָּׁרָשָׁ֥יו יִפְרֶֽה׃
B / A
Një pinjoll do të dalë nga trungu i Jeseut, / një pip prej rrënjëve të tij do të piptojë.
A / B
Në librin e Jobit, të Fjalëve të urta dhe të Psalmeve, fundi i vargut poashtu është i shënjuar nga sof passuq (:), ndërsa ndarjet e pjesëve (A e B) shënjohen përfundi rrokjes së fundit të theksuar të pjesës së parë prej theksit ‘oleh weyored ( ֥ ֫ ). Theksi ’atnaḥ shënjon një ndarje të mëtutjeshme të rangut më të vogël.
אַ֥שְֽׁרֵי־הָאִ֗ישׁ אֲשֶׁ֤ר׀ לֹ֥א הָלַךְ֮ בַּעֲצַ֪ת רְשָׁ֫עִ֥ים // וּבְדֶ֣רֶךְ חַ֭טָּאִים לֹ֥א עָמָ֑ד / וּבְמֹושַׁ֥ב לֵ֝צִ֗ים לֹ֣א יָשָֽׁב׃
Ps 1,1
| ʾašrê-hāʾîš ʾăšer lōʾ hālaḵ baʿăṣaṯ rəšāʿîm // ûḇəḏereḵ ḥaṭṭāʾîm lōʾ ʿāmāḏ / ûḇəmōwšaḇ lēṣîm lōʾ yāšāḇ: | Lum njeriu që nuk i ndjek këshillat e bakëqijve, // që nuk qëndron në udhën e mëkatarëve / e nuk rri së bashku me përqeshës; |
Tristiku, na tregon Watson, që ndodh shpesh pa ndonjë arsye aty ku do të prisnim një dystik. Megjitatë kur e gjejmë atëherë shpesh kryen funksionin e përkufizimit të segmenteve poetike (shih 1 Sam 2, 2.10). Ja një tristik:
כִּ֤י חִלַּ֥צְתָּ נַפְשִׁ֗י מִ֫מָּ֥וֶת / אֶת־עֵינִ֥י מִן־דִּמְעָ֑ה / אֶת־רַגְלִ֥י מִדֶּֽחִי׃
Ai ma shpëtoi jetën prej vdekjes, / sytë e mi prej lotëve, / këmbët e mia prej rënies. Ps 116,8
Gjuha hebraike është theksore, e renditur në bazë të theksit tonik. Theksi ka tendencën të bie në rrokjen e fundit. Ndarja e fjalëve në fjalitë poetike mund të ketë përpjesëtime të ndryshme. Më i zakonshmi është 3 fjalë në njërin segment të vargut e 3 në tjetrin (Ps 92,2-3), por ka edhe forma asimetrike tjera. Në librin e vajtimeve e hasim përpjesëtimin 3 me 2 (Vaj 1,20a; 2,21 etj). Kjo thuktësi e vargut poetik hebraik është bukur e vështirë të nxjerrët në pah nëpër përkthime. Ja një shembull te Ps 30,6:
כִּ֤י רֶ֨גַע׀ בְּאַפֹּו֮ חַיִּ֪ים בִּרְצֹ֫ונֹ֥ו / בָּ֭עֶרֶב יָלִ֥ין בֶּ֗כִי וְלַבֹּ֥קֶר רִנָּֽה׃
A 5 + B 5 = 10
For his anger is but for a moment; his favor is for a lifetime.
Weeping may linger for the night, but joy comes with the morning.
NRSVCE: 14 + 12 = 26
…perché la sua collera dura un istante, la sua bontà per tutta la vita.
Alla sera ospite è il pianto e al mattino la gioia.
CEI 2008: 14 + 11 = 25
Denn sein Zorn währet einen Augenblick und lebenslang seine Gnade.
Den Abend lang währet das Weinen, aber des Morgens ist Freude.
DBG: 10 + 11 = 21
Zemërimi i tij zgjat veç një çast, por përkrahja e tij, tërë jetën.
Mbrëmja edhe vjen me lot, por mëngjesi, plot hare.
ShB: 11 + 9 = 20
Sepse një çast zgjatë hidhërimi i tij e tërë jetën dashamirësia e tij!
Mbrëmja vjen me lot, e mëngjesi plot hare!
dSF: 11 + 8 = 19
Paralelizmi më në thellësi
Përveç tri llojeve të paralelizmit që Imzot Lowth i kishte hetuar në vitet e 1700a, në hulumtimet e mëvonshme janë gjetur edhe disa lloje tjera që e pasurojnë tekstin poetik biblik. Mund të cekim paralelizmin semantik, atë leksikor, morfologjik, sintaktik dhe fonetik. Edhe këta e edhe disa mjete stilistike të përdorura në poezinë hebraike gjithashtu, veçsa do të përkasim, s’do t’i thellojmë.
Le të nisemi duke thënë se vargu poetik është në thelb semantik. Segmenti i dytë i vargut e çon pjesën e parë përtej, e përkufizon, e ripohon, e kontraston, e emfatizon më shumë se çfarëdo simetrie apo paralelizmi18. P.sh. Ps 114,1-3:
| Kur Izraeli doli nga Egjipti, Judeja u bë Shenjtërorja e tij, Pa deti dhe i bëri rrugë, … | Shtëpia e Jakobit nga populli barbar, Izraeli zotërimi i tij. Jordani u kthye prapazi … |
“Kolona e parë është autonome, ka logjikën e vet; e dyta jo, sepse i mungojnë elementë të rëndësishëm. Elementet e së dytës varen nga ato përkatëse të së parës, ato përbëjnë përforcimin, zgjatjen, retingllimin, dyfishimin e tyre”19. Të dy pjesët mund të duken sinonimike, por rrallë herë kemi përsëritje monotone fjalë për fjalë. Edhe nëse i hasim të njëjtën fjalë të përsëritur, p.sh. si te Luigj Gurakuqi poshtë, po e thamë në mënyrë monotone, jo veç se s’do tingëllonim si autori po s’do të tringëllonim normal.
«Çou pra, çou; del vorrit jashtë
Ngrehu n’ kambë, lê dhén e zí;
T’ ka ardhë vllau qi aq fort ke dashtë,
Me ty sonde don m’ u-ngî;
Çou mos m’ lên mâ shum me qá;
A s’ t’ ka marrë malli me m’ pá?!»20.
Kështu segmenti i dytë i vargut mund të ketë disa nuanca: ngritja cilësore në fjalë të veçanta apo shprehje poetike (Ps 19,11); specifikimi duke shkuar nga e përgjithshmja tek e veçanta (Ps 104,11.16-17); konkretizimi i një pohimi abstrakt (Ps 31,10); dramatizimi (Ps 72,9); fokalizimi në detaje (Kk 5,2.11); kontrasti (Is 1,3); merismi – tërësia e shprehur në pjesë (Kk 2,6); njëpasnjëshmëria ku mes segmentit parë e t’dytit ka lidhje shkak-pasojë (Jb 37,10).
Në kuadrin semantik mund të hasim po ashtu paralelizmi leksikor. Kështu përmes renditjeve të ndryshme të fjalëve në fjali, përmes lojërave të fjalëve dhe togfjalëshave krijohet një pasuri poetike që janë «më të ëmbla se mjalti për gojën…» e «…dritëz për këmbët…» (Ps 119,103-15).
Mund të hasim njëpasnjëshmërinë paralele të fjalëve në varg të yrnekut abc/a’b’c’ si p.sh. Ps 135,13:
יְ֭הוָה שִׁמְךָ֣ לְעֹולָ֑ם / יְ֝הוָ֗ה זִכְרְךָ֥ לְדֹר־וָדֹֽר׃
O Zot emri yt është për amshim / O Zot kujtimi yt brezni me brezni.
abc / a’b’c’
Mjaft e përhapur nëpër tekstin biblik është edhe njëpasnjëshmëria simetrike – khiasmi e yrnekut abc/c’b’a’ si p.sh. Ps 19,2:
הַשָּׁמַ֗יִם מְֽסַפְּרִ֥ים כְּבֹֽוד־אֵ֑ל / וּֽמַעֲשֵׂ֥ה יָ֝דָ֗יו מַגִּ֥יד הָרָקִֽיעַ׃
Qiejt shpallin lavdinë e Zotit, / veprën e duarve të tij kumton kupa-qiellore.
abc / c’b’a’
Të këtilla, në bazë të numrave të segmenteve në një varg, mund të jenë shumë lloje. Kur i shtohet loja e fjalëve me bazë bashkëtingëllore kemi diçka si p.sh. Fu 7,2121:
הִ֭טַּתּוּ בְּרֹ֣ב לִקְחָ֑הּ / בְּחֵ֥לֶק שְׂ֝פָתֶ֗יהָ תַּדִּיחֶֽנּוּ׃
E lajkaton me shumë joshje (ל-ק-ח) / me lëmuarsinë (ח-ל-ק) e buzëve të saja e tërheq.
dSF: Me fjalë të shumta ia qiti rrejtën, / me joshjet e buzëve të saja e hoqi pas.
Në lojërat e fjalëve kemi edhe togfjalësha e qifte fjalësh që na drejtojnë tek tërësia, si p.sh ditë e natë (Ps 121,6), qiellë e tokë (Ps 85,12), e shumë tjera si këto.
Paralelizmi morfologjik përdorë lojën me anë të elementeve morfologjike si p.sh. gjinia femërore e mashkullore që ndryshon brenda një vargu (Ps 37,30), veta e cila prej segmenti në segment ndryshon nga veta e tretë me veten e dytë (Ps 92,2), lakimi shepsh aktiv (qal) me atë shpesh pësore (nifal) në segmente të ndryshme të vargut për të njëjtën rrënjë të fjalës (Ps 24,7), etj.
Paralelizmi sintaktik na tregon se kufiri i vargut zakonisht përkon me përfundimin e njësisë sintaksore, d.m.th. tendenca e fundit të fjalisë dhe të pauzës të përputhen në fundin e vargut poetik hebraik (Ps 19,2.3, etj). E kundërta e kësaj ndalese në fund është tejshtrirëzimi22 (enjambement) ku fjalia nuk mbaron në fundin e vargut, por vazhdon në vargun pasues (Lgjp 32,8). Në kuadër të poezisë hyn edhe ndryshimi i rendit të rregullt (Folje-Subjekt-Objekt) të fjalëve në fjali për të theksuar aspekte specifike. Përveç këtyre kemi edhe fenomene specifike si dyfishimi (anadiplosis Ps 96,13) ku e njëjta fjalë rimerret në fund të segmentit parë dhe në fillim të segmentit dytë të vargut; yrneku i boshtit (elipsa Jer 51,31) ku një fjalë lunë rol të dyfishtë për dy pjesët e vargut duke i lidhur ato si një boshte që i përshkon tejpërtej, etj.
Paralelizmi fonetik përdorë tingujt si ato bashkëtingëllorë e edhe ato zanorë, edhe pse në masë më të pakët, për të krijuar një çast të paharruar në trupin e atij që po e njëmendëson poezinë. Siç na tregon Robert Pinsky: «Poezia është një art vokal, që do të thotë një art trupor. Mjeti i poezisë është trupi i njeriut: kolona e ajrit brenda gjoksit, e formuar në tinguj kuptimplotë në laring dhe në gojë. Në këtë kuptim, poezia është një art po aq fizik ose trupor sa vallëzimi. Për më tepër, poezia ka një intimitet të veçantë sepse, në këtë ide të artit, mediumi nuk është trupi i një eksperti, si kur dikush shkon në balet: në poezi, mediumi është trupi i audiencës. Kur i them vetes një poezi nga Emily Dickinson ose George Herbert, mediumi i artistit është fryma ime. Fryma dhe dëgjimi i lexuesit mishërojnë fjalët e poetit. Kjo e bën artin fizik, intim, vokal dhe individual»23.
Këtu hasim paronomasinë, figurën që i barasvendosë fjalët që tingëllojnë identik apo kanë ngjashmëri fonetike të theksuara edhe pse semantikisht mund të jenë të ndryshme. P.sh. Gjq 5,4:
יְהוָ֗ה בְּצֵאתְךָ֤ מִשֵּׂעִיר֙ / בְּצַעְדְּךָ֙ מִשְּׂדֵ֣ה אֱדֹ֔ום
Zot, kur dilje (bəṣēʾṯəḵā) nga Seiri / kur marshoje (bəṣaʿdəḵā) prej stepës së Edomit…
Gjithashtu përdorim gjejnë edhe metaforat e zakonshme (p.sh. armiku – luan, ari në Vaj 3,10) dhe ato të zgjeruara (p.sh. dielli e torahu në Ps 19).
Një tjetër mjet artistik i përdorur është edhe kompozimi akrostik24 ku secili varg fillon me një shkronjë të veçantë që lexuar vertikalisht japin një mesazh të caktuar. Ja, p.sh. Edgar Allan Poe:
Elizabeth it is in vain you say
‘Love not’ — thou sayest it in so sweet a way:
In vain those words from thee or L. E. L.
Zantippe’s talents had enforced so well:
Ah! if that language from thy heart arise,
Breathe it less gently forth — and veil thine eyes.
Endymion, recollect, when Luna tried
To cure his love — was cured of all beside —
His folly — pride — and passion — for he died.
Akrostik hasim edhe në shqip si p.sh. tek Bogdani kur i këndon Sibilës Eritrea (Sibilës së Kosovës) dhe mesazhi që përcjellë është: Jesus Kristvs Dej Filjus servator25.
Në Bibel hasim akrostikun alfabetik që lexuar vertikalisht paraqet alfabetin hebraik. Yrneku i zakonshëm është për secilin varg nga një shkronjë (Ps 25; 34; 145; Fu 31), pastaj është yrneku më i dendur ku, brenda një vargu, të dy segmentet fillojnë me nga një shkronjë (Ps 111; 112 etj). Kemi akrostikë të zgjeruar ku vetëm njëra strofë mban në krye shkronjën alfabetike (Ps 37; Vaj 1; 2 etj) si edhe asish që brenda strofës secili varg fillon me të njëjtën shkronjë (Ps 119 etj).
Qëllimi i përdorimit të akrostikut alfabetik nuk është mjaft i qartë. Janë disa shpjegime të mundshme, secila prej tyre e mangët në një aspekt apo tjetër: a) qëllimi pedagogjik, sipas të cilit akrostiku shërbente për mësimnxënie në tekste themelore, por ne hasim edhe akrostikë të mangët që do të pengonte nxënien; b) qëllimi mnemonic, sipas të cili akrostiku ndihmon në të kujtuarit e tekstit biblik duke nisur me shkronjat e renditura sipas alfabetit, megjithatë ndodhë që të ketë të tillë ku renditja e shkronjave të caktuara ka ndryshuar; c) qëllimi estetik, që si qëllim ka t’i pëlqej edhe syrit e jo veç veshit, e njëkohësisht shpreh edhe aftësinë e shkruesit të akrostikut; ç) qëllimi numërues, duke pasur parasysh se emrat e shkronjave janë emra gjësendesh (alef – ka), shërbejnë si inventar i përcaktuar; d) qëllimi retorik – i përsosmërisë duke marrë shkas nga një alfabet i plotë, po ndodhë që të gjejmë edhe akrostikë të paplotë.
Do të mund të vazhdohej më tutje rreshtimi i veçorive e detajeve të ndryshme poetike, por po ndalem këtu pa pretenduar se kam shterur bunin poetik biblik.
Përkthimet shqip
Prej gjitha atyre cilësive që pamë më sipër rreth poetikës biblike hebraike, vrojtuam se nuk është fort punë e lehtë një përkthim i mirë që t’i përfshijë të gjitha pasuritë e tekstit edhe në përkthim. Kështu përkthyesi gjendet para një udhëkryqi ku i duhet të vendosë a t’i qëndrojë tekstit origjinal besnik, duke rrezikuar që teksti të mos kuptohet, apo të distancohet prej tekstit duke përkthyer domethënien e tij që të jetë sa më e kuptueshme për lexuesin e sotëm. Të dyja vështirë se mund të ekzistojnë njëkohësisht në njëjtën faqe. Po e kufizojmë punën duke përzgjedhur një shembull konkret, Fu 31,10-31, nga përkthimi i dom Simonit dhe nga ai i Shoqërisë Biblike26.
Gruaja burrneshë tek dSF dhe SHB
Gruaja burrneshë27 (Fu 31,10-31) është një poezi e cila e përmbyllë krejt librin e Fjalëve të urta. Gjendet në kapitullin e fundit dhe është e paraprirë nga këshillat e një mbretëreshe nënë e cila e qorton të birin t’i largohet gjërave që s’u ka hije mbretërve e të jepet pas atyre që ka dhënë Zoti (Fu 31,1-9). Këto dy pjesë mund të lexohen së bashku nëse e shohim se qortimi i nënës pasohet nga një përshkrim i një gruaje ideale, por ka edhe shumë elemente tjera që na sugjerojnë t’i shohim edhe si njësi të ndara, p.sh. pjesa e dytë është një akrostik alfabetik i plotë, i strukturuar mirë dhe me një shenjë ndarëse në tekstin hebraik. Prandaj do të ndalem vetëm tek pjesa e dytë, duke e shikuar si pjesë poetike të mëvete.
E gjithë poema është një akrostik alfabetik i përsosur i llojit të zakonshëm, pra që përmban të gjitha shkronjat e alfabetit hebraik secila në krye të një vargu përkatës. Tek përkthimi i të Lxx-ve e hasim një ndërrim vendesh të vargjeve të shkronjave pe- ʿajin që më vonë duhet të jenë redaktuar e korrigjuar. Qëllimi i këtij akrostiku ndoshta mund të jetë përshkrimi i tërësishëm i kësaj zonje shtëpie e cila ka të gjitha të mirat, madje edhe përtej asaj që një grua e thjeshtë kishte në atë kohë.
dSF, sikurse edhe shumë përkthyes tjerë, duke mos pasur mundësi të përshtatjes alfabetike, tek secili varg shkruan shkronjën hebraike përkatëse me të cilën fillon vargu në krye e po kështu bën edhe SHB (Ps 9). Megjithatë tek SHB e hasim një provim të këndshëm edhe pse jo të përsosur, mbajtja e akrostikut alfabetik. Tek shumica e bashkëtingëlloreve kjo është e mundshme të arrihet disi (vv. 11-16.19-24.26.27.29.30) edhe pse duhet mëshuar tekstit për ta futur në kallëpet e akrostikut. Porse grykoret ’alef (v.10), ḥeth (v.17) dhe ʿajin (v.25) nuk kanë korrispondent ose vështirë mund të shqiptohen për veshin perëndimor. ’alef madje nuk ka një tingull të veçantë dhe i përshtatet pikave zanore sipas nevoje, kështu jo domosdoshmërisht është a, mund të jetë edhe e, etj. Mbetet një gjimnastikë e bukur përkthimore, që përshtatet me gjimnastikën e poetit që e shkroi akrostikun alfabetik.
E gjithë poema është e qëndisur në dy pjesë të mëdha përmes strukturës khiastike të formuar në qendër të poemës, si më poshtë:
| ydyh šlḥh | “shtrinë duart e saja” | (19a) |
| kpyh | “shuplakat e saja” | (19b) |
| kph | “shuplakat e saja” | (20a) |
| ydyh šlḥh | “shtrinë duart e saja” | (20b)28 |
Gjithashtu fillimi dhe fundi i poezisë së gruas burrneshë janë të lidhur përmes fjalëve חַ֫יִל ḥayil dhe בַּעַל baʿal.
Nuk do të marrim në shqyrtim të gjitha vargjet, por do t’i përzgjedh vetëm disa si shembuj të përzgjedhjeve në përkthim. v.10 Poema fillon me defamiljarizimin e vargut të zakonshëm hebraik folje-subjekt-objekt, duke e parapri subjektin e poemës në fillim për ta nxjerrë në pah. Në të dy përkthimet, dSF dhe SHB, kjo gjë ruhet, sepse për gjuhën tonë është mjaft normale, por në hebraisht shënjon theksim dhe vënie në qendër të vëmendjes. Gruaja e vënë në shenjë përshkruhet me termin חַ֫יִל ḥayil29, term ky që tregon fuqi, pushtet, aftësi e pasuri në shumicën e rasteve të fituara me luftë, sikurse e hasim të referuar në fjalët e mbretëreshës drejtuar Lëmuelit (Fu 31,1-10). Nuk është gabim prandaj të përkthehet si grua zonjë (SHB), porse mua më duket më e qëlluar përkthimi i dSF burrneshë. Kjo nuk ka të bëj me gjini, e gjëra tjera të çoroditura të sodit, por lidhet me fjalën virtyt, nga latinishtja virtus e cila përbrenda ka rrënjën burrë, latinisht vir. Kështu një burrë që është i virtytshëm tregon burrni e poashtu një grua me hire, bekime e virtyte prej Zotit, siç më duket se përshkruhet në poemë, është burrneshë.
v.11 Hasim një aliteracion rreth shkronjave b dhe l në tekstin hebraisht. Për herë të parë, prej gjithsej tre herëve (shih edhe v.23.28) e hasim t’shoqin e saj të quajtur në hebraisht בַּעַל baʿal d.m.th. pronar, burrë e zotëri (i dikujt a i ndonjë vetie)30. Mosdukja e shpeshtë e tij nuk e bën atë më të parëndësishëm. Siç e shohim në rreshtat që duket, ai është një njeri fisnik, i njohur në log, pra në kuvendin e burrave që marrin vendime për vendin dhe si i tillë mund të mendohet se ai ia mundëson të gjitha aktivitetet të shoqes vet. Sikurse tregon ky varg, zemra e tij ka besim tek ajo.
Burrnia e kësaj zonje të shtëpisë qëndron në aftësitë e saj mbarështuese si brenda e ashtu edhe jashtë shtëpie. Brenda shtëpie ajo me duart e veta tjerr «lesh e li» dhe e punon hareshëm ditë e natë (v.13.18-19), kështu që krejt familja e saj s’frikësohet prej dimrit ngaqë janë dyfish të mbështjellë (v.21). Shprehja «lesh e li» (dSF) është e ruajtur sikur tek origjinali, ndërsa SHB ia ndryshon vendin. Nuk është ndonjë ndryshim i madh, por për vesh tingëllon më natyrale njëpasnjëshmëria e-i, sikurse e recitojmë në alfabetin tonë, sesa i-e.
Përveç angazhimeve shtëpiake, kjo burrneshë është edhe ndërmarrëse e madhe. Në fakt, është e rrallë që një grua të dalë e të merrej me shitblerje tokash e mbjellje vreshtash (v.16) apo me shitje mallrash tregtarëve (kanaanejve v.24). Për këtë arsye në mënyrë metaforike përshkruhet sikur «anije tregtare» (v.14). Gjitha këto i bën pse është e urtë dhe e përshpirtshme (v.26), por mbi të gjitha pse e ka «drojën e Zotit» (v.30). Familja e saj, burri e fëmijët, kanë shumë arsye për ta lavdëruar «Shumë gra kanë vepruar burrërisht, por ti ua ke kaluar të gjithave!» (v.29). dSF vazhdon për të qenë i qëndrueshëm në përkthimin e termit חַ֫יִל ḥayil me burrëri, ndërsa SHB e ndërron, njëherë zonjë (v.10) e pastaj rang (v.29). Nuk është ndonjë ndryshim i madh, sepse në fund të fundit חַ֫יִל ḥayil do të thotë edhe rang. Megjithatë, ne e kemi një fjalë të pasur në shqip që si në hebraisht ka një domethënie të gjerë. Pse atëherë të mos ta përdorim e të jemi konsistent, të paktën brenda së njëjtës poezi.
Do të mund të vazhdohej ende komentimi i shumë pikëpamjeve tjera, por po e përmbyll këtu.
Përmbyllje
Tema e poezisë është një pus i pafund, prandaj nuk kam dëshirë të zhytem, sepse vështirë do të dilej. Sikur e ceka edhe në fillim, nuk është qëllimi për të shterur të gjitha që mund të thuhen për poezinë hebraike e as të sos të gjitha çka mund të krahasohen.
Mendoj se gjerësia poetike hebraike, edhe pse shkurtimisht e shtjelluar, doli në pah duke parë shumëllojshmërinë e paralelizmave, të figurave e mjeteve poetike që janë të përdorura.
Nga krahasimi i tekstit hebraik dhe përkthimeve shqip të dom Simonit dhe të Shoqërisë Biblike, duke u nisur nga shembulli konkret i Fu 31,10-31, u vërejt se SHB synon t’i qëndroj besnik tekstit origjinal hebraisht, nganjëherë edhe duke rrezikuar vështirësimin e të kuptuarit të domethënies së tekstit si edhe ngathtësinë poetike të një shqipeje disi artificiale. Në v.19-20 kemi foljen שָׁלַח šālaḥ dërgoj31, por që në kombinim me fjalë tjera e në forma t’ndryshme foljore i ndryshon kuptimi. Në këtë rast në kombinim me fjalën dorë, formohet një mënyrë hebraike e të shprehu יָדֶיהָ שִׁלְּחָה yāḏêhā šilləḥâ (v.19.20) fj.fj. d.m.th. dërgon dorën e saj, ose shtrinë dorën e saj, por hala më mirë do t’ishte t’i përshtatej, mënyrës hebraishte të të thënit një mënyrë shqipe sikurse te dSF «ua ngjet dorën». Në këtë mënyrë kalojmë nga përkthimi në përkthim poetik të mishëruar në lexuesin.
Gjuha shqipe për shumicën e shqipfolësve nuk është ajo e shkruar. Gjuha shqipe e letrave është një gjuhë intelektuale që secili duhet ta mësoj me zor e që në fund të fundit nuk e përdorë në përditshmëri, por gjuha e folur me të cilën kemi lindur, ka përmasa poetike. Gjuha intelektuale është e mirë, por Fjalën e Zotit, e të gjitha mësimet tjera, i bën të ndalen vetëm në intelekt, aty ku na ngulitet gjuha e mësuar. Gjuha e zemrës me të cilën ke jetuar e çon Fjalën jo vetëm në intelekt, por e zbret në zemër, e mishëron atë.
Pa dashur të përul e as të zvogëloj rëndësinë e mundin e asnjërit, më duhet të them se përkthimi i dom Simonit jo vetëm përkthen, por edhe e mishëron, e bën të zbres në zemër Fjalën e Zotit. Ndërsa përkthimi i Shoqërisë Biblike e përkthen besnikërisht nga origjinali, por me një gjuhë disi artificiale ndalet në intelekt, ku për një shumicë të madhe aty përfundon, nuk shkon përtej. Fjala e Zotit ka nevojë të ndalet në intelekt e edhe në zemër për të të ndryshuar mendjen e zemren (khs Heb 4,12) e për t’i drejtur kah Zoti.
Bibliografia
Burime
Shkrimi Shenjt, Besëlidhja e Vjetër dhe Besëlidhja e re (përkthyer dhe shtjelluar nga dom Simon Filipaj) (Ferizaj 1994)
Bibla, Shkrimi i shenjtë “së bashku” (përkthyer nga Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë: Atë Joan Lena, dom Marian Paloka, Oldi Morava, Pastor Zefjan Nikolla) (Tiranë 2000)
Libra
Alonso Schökel L., A Manual of Hebrew Poetics (SubBib 11; Roma 1988)
Bogdani P., Kënga e sibilave, dhe vargje tjera (transkriptoi At’ Mark Harapi) (Tiranë 2019)
Brown F., Driver S. R., and Briggs Ch. A., Enhanced Brown-Driver-Briggs Hebrew and English Lexicon (Oxford: Clarendon Press, 1977)
Dedaj K., Una comparazione tra Pr 31,10-31 e Lu-Dingira (Roma 2020), e pabotuar
Fox M. V., Proverbs 10–31: A New Translation with Introduction and Commentary, (AYB 18B; New Haven; London, 2009)
Gurakuqi L., Vjersha; me nji jetëshkrim të shkurtër (kujd. Gjikam) (BF; Shkodër 2016)
Kugel J., The Idea of Biblical Poetry. Parallelism and its History (New Haven, CT 1981)
Lowth R., Isaiah: a new Translation, with a preliminary Dissertation, and Notes (Londër 1778).
Lowth R., Praelectiones Academicae De sacra Poesi Hebraeorum (Oxford 1741-1751) anglisht si Lectures on the Sacred Poetry of the Hebrews (1787)
Pinsky R., The Sounds of Poetry: A Brief Guide (Farrar Straus & Giroux 1999)
Sonnet J.-P., Alef-Bet della poesia biblica (e papublikuar Romë 2019)
Artikuj
Drum W., “Massorah,” in The Catholic Encyclopedia: An International Work of Reference on the Constitution, Doctrine, Discipline, and History of the Catholic Church, ed. Charles G. Herbermann et al. (New York, 1907–1913).
Filipaj Dom S., “Përpjekje përkthimi të Shkrimit Shenjt – Biblës në gjuhën shqipe” (Shën Gjergj 1994) në Bibla Shqip dhe Filipaj (Studime) (Lezhë 2010), fq. 225-249.
Fruchtenbaum Dr. A. G., “Foreword,” in Discovering the Mystery of the Unity of God: A Theological Study on the Plurality and Tri-Unity of God in the Hebrew Scriptures (San Antonio, TX, 2010)
Nikolla Z., “Probleme dhe vështirësi në përkthimin e Biblës” në Bibla Shqip dhe Filipaj (Studime) (Lezhë 2010), fq. 157-161.
Topalli T., “Disa veçori të tekstit biblik në përkthimin e dom Simon Filipajt” në Bibla Shqip dhe Filipaj (Studime) (Lezhë 2010), fq. 67-71.
- Shkrimi Shenjt, Besëlidhja e Vjetër dhe Besëlidhja e re (përkthyer dhe shtjelluar nga dom Simon Filipaj) (Ferizaj 1994), fq. 10. Tash e tutje shkurtimisht dSF. ↩︎
- Dom Simon Filipaj, “Përpjekje përkthimi të Shkrimit Shenjt – Biblës në gjuhën shqipe” (Shën Gjergj 1994) në Bibla Shqip dhe Filipaj (Studime) (Lezhë 2010), fq. 225-249. ↩︎
- Zefjan Nikolla, “Probleme dhe vështirësi në përkthimin e Biblës” në Bibla Shqip dhe Filipaj (Studime) (Lezhë 2010), fq. 157-161. Khs. Tefë Topalli, “Disa veçori të tekstit biblik në përkthimin e dom Simon Filipajt” në Bibla Shqip dhe Filipaj (Studime) (Lezhë 2010), fq. 67-71. ↩︎
- Bibla, Shkrimi i shenjtë “së bashku” (përkthyer nga Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë: Atë Joan Lena, dom Marian Paloka, Oldi Morava, Pastor Zefjan Nikolla) (Tiranë 2000). Tash e tutje shkurtimisht SHB. ↩︎
- Tanak është Bibla hebraike në tërësi, pra Torah (ligji/mësimet), Nëvijim (profetët) dhe Këtuvim (shkrimet). ↩︎
- Robert Lowth, Praelectiones Academicae De sacra Poesi Hebraeorum (Oxford 1741-1751) publikuar në përkthim anglisht si Lectures on the Sacred Poetry of the Hebrews (1787) dhe Po ai, Isaiah: a new Translation, with a preliminary Dissertation, and Notes (Londër 1778). ↩︎
- Shih Jean-Pierre Sonnet, Alef-Bet della poesia biblica (e papublikuar Romë 2019) fq. 1-9. Kjo është udhërrëfyes. ↩︎
- R. Lowth, Isaia fq.vii. ↩︎
- Shih Po ai, Lectures, 157. ↩︎
- R. Lowth, Isaia, viii ↩︎
- R. Lowth Lectures, 35 dhe 45. ↩︎
- R. Lowth, Lectures, 48-49. ↩︎
- L. Alonso Schökel, A Manual of Hebrew Poetics (SubBib 11; Roma 1988). ↩︎
- Nga gq. δι- (di-, “dy”) + στίχος (stíkhos, “rend, rresht, varg”). Po kështu edhe për tre e për katër. ↩︎
- Shih Ez 20,37, lidhja e besëlidhjes hyjnore heb. מָסֹ֫רֶת māsōreṯ. ↩︎
- Puna e tyre ishte aq e saktë sa Teksti Masoretik u pranua gjerësisht si versioni më i saktë i shkrimeve të shenjta. Kjo ishte e rëndësishme sepse hebraishtja origjinale ishte shkruar pa zanore, dhe me kalimin e kohës, shumë hebrenj ishin bërë më pak të njohur me gjuhën për shkak të diasporës dhe ndryshimeve kulturore. Këta studiues vendosën rregulla rigoroze për korrigjimin e teksteve, duke u përqendruar në drejtshkrim, gramatikë dhe shqiptim për të arritur uniformitetin tekstor. Qëllimi i tyre kryesor ishte të riprodhonin shembullin e tyre në mënyrë të përsosur, me një angazhim për të trashëguar Masorah-në dhe për të shmangur çdo gjë të re. Sot, Teksti Masoretik mbetet themeli kryesor për shumicën e përkthimeve të Biblës, duke ruajtur një traditë shkencore që shtrihet shumë përtej versionit të saj përfundimtar mijëvjeçar. Shih Dr. Arnold G. Fruchtenbaum, “Foreword,” in Discovering the Mystery of the Unity of God: A Theological Study on the Plurality and Tri-Unity of God in the Hebrew Scriptures (San Antonio, TX, 2010), 845; Walter Drum, “Massorah,” in The Catholic Encyclopedia: An International Work of Reference on the Constitution, Doctrine, Discipline, and History of the Catholic Church, ed. Charles G. Herbermann et al. (New York, 1907–1913). ↩︎
- טעמי המקרא – ṭʿmy hmqrʾ fj.fj. shije, fig. perceptim i të lexuarit me zë. ↩︎
- Shih J. Kugel, The Idea of Biblical Poetry. Parallelism and its History (New Haven, CT 1981) fq. 51. ↩︎
- L. Alonso Schökel, A Manual of Hebrew Poetics (SubBib 11; Roma 1988) fq. 69. ↩︎
- L. Gurakuqi, Vjersha; me nji jetëshkrim të shkurtër (kujd. Gjikam) (BF; Shkodër 2016) fq. 65-67. ↩︎
- Folja nāṭâ në hifil ka kuptimin e zgjatjes apo shtrirjes së një cohe (p.sh. të çadres) rreth diçkaje apo dikujt duke bërë që kështu të devijohet nga rruga e duhur. Prandaj dom Simoni e nxjerr kuptimin e duhur të termit. Ndërsa folja e segmentit të dytë nāḏaḥ, po ashtu në hifil, do të thotë me shtrëngu dikë, me detyru dikë, në këtë rast të devijoj. Edhe në këtë rast dom Simoni e nxjerr mirë kuptimin e detyrimit. Shih F. Brown, S. Rolles Driver, and Ch. A. Briggs, Enhanced Brown-Driver-Briggs Hebrew and English Lexicon (Oxford: Clarendon Press, 1977), 623 dhe 640–641. Tash e tutje BDB. ↩︎
- Ndoshta më mirë tejshtrirje e tejshtrirëzim, ose mbishtrirje dhe mbishtrirëzim i vargut. ↩︎
- R. Pinsky, The Sounds of Poetry: A Brief Guide (Farrar Straus & Giroux 1999) fq. 3. ↩︎
- Gq. ἄκρος “majë, krye” dhe στίχος “varg”. ↩︎
- Shih P. Bogdani, Kënga e sibilave, dhe vargje tjera (transkriptoi At’ Mark Harapi) (Tiranë 2019) fq. 31-34. ↩︎
- Këshillohet, për të ndjekur më lehtë sqarimet, të mbahet para teksti i dom Simonit. ↩︎
- Khs Kolë Dedaj, Una comparazione tra Pr 31,10-31 e Lu-Dingira (Roma 2021), tezë magjistrature e pabotuar. ↩︎
- M. V. Fox, Proverbs 10–31: A New Translation with Introduction and Commentary, (AYB 18B; New Haven; London, 2009), 895. ↩︎
- BDB, 298–299. ↩︎
- Shih BDB 127. ↩︎
- BDB 1018–1019. ↩︎

Don Kolë Dedaj
Dom Kolë Dedaj është meshtar i Dioqezës Prizren-Prishtinë që nga viti 2017. Misioni i tij baritor është shoqëruar me angazhim akademik: prej vitit 2020 shërben si profesor i Biblës në Shkollën Filozofike-Teologjike “Nëna e Këshillit të Mirë” në Shkodër, duke kontribuar në formimin intelektual e shpirtëror të studentëve. Në vitin 2023 është emëruar zëvendëskancelar i Dioqezës, ku merr pjesë në administrimin dhe koordinimin e jetës kishtare. Deri më tani ka ushtruar shërbimin e famullitarit në famullinë “Shën Gjergjit martir” në Budisalc, për të vazhduar më tutje si misionar në Luzern.


