“Zoti është realiteti i vërtetë” – Libri i ri i predikimeve të Benediktit të XVI

Në prezantimin e librit në Vatikan, Atë Federico Lombardi theksoi një gjë thelbësore se Benedikti XVI nuk ishte thjesht një teolog i madh, por një shërbëtor i Fjalës së Zotit. Ai nuk donte të binte në sy. Nuk donte të ishte në qendër. Kur fliste, përpiqej të largohej vetë, që të mbetej Fjala.

3 Min Lexim
Deklaratë: Të gjithë artikujt dhe reflektimet e botuara në Via Veritatis paraqesin pikëpamjet personale të autorëve. Ato nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të asnjë institucioni fetar.
Kopertina e Librit

Një fëmijë nuk ka nevojë për teori për ta kuptuar realitetin. Për të, reale është ajo që ekziston, ajo që nuk varet nga imagjinata e tij. Me kalimin e viteve, njeriu fillon ta ndërlikojë këtë kuptim. I rrituri flet për mendime dhe ndjenja, studenti për ide dhe teori. Por pyetja mbetet e njëjtë për të gjithë, në çdo moshë: çfarë është vërtet reale?

Libri “Zoti është realiteti i vërtetë”, me homelitë (predikimet) e papublikuara të Papës Benedikt XVI, i përgjigjet kësaj pyetjeje pa zhurmë, pa retorikë dhe pa frikë. Ai thotë diçka shumë të thjeshtë, por shumë të fortë se Zoti nuk është një ide. Zoti është realiteti vetë.

Ky libër, i botuar nga shtëpia botuese e Vatikanit (Libraria Editrice Vaticana), mbledh 82 homeli (predikime) të shqiptuara nga Benedikti XVI gjatë viteve 2007 – 2015. Janë fjalë të thëna në kishë, para njerëzve të zakonshëm, në ditë feste e në ditë heshtjeje. Nuk janë leksione universiteti, por as fjalë të lehta. Janë fjalë që synojnë zemrën dhe mendjen njëkohësisht.

Në prezantimin e librit në Vatikan, Atë Federico Lombardi theksoi një gjë thelbësore se Benedikti XVI nuk ishte thjesht një teolog i madh, por një shërbëtor i Fjalës së Zotit. Ai nuk donte të binte në sy. Nuk donte të ishte në qendër. Kur fliste, përpiqej të largohej vetë, që të mbetej Fjala.

Kjo është arsyeja pse këto homeli (predikime) janë të kuptueshme edhe për një fëmijë, sepse flasin për gjëra reale. Për jetën. Për dhimbjen. Për shpresën. Për të vërtetën. Një fëmijë e kupton kur i thuhet se Zoti nuk është larg. Një tetëvjeçar e kupton kur i thuhet se e mira nuk shpiket. Një student e kupton kur sheh se pa një themel, çdo mendim shembet.

Titulli i librit “Zoti është realiteti i vërtetë” nuk është një zbukurim. Kjo do të thotë se pa Zotin, gjithçka tjetër bëhet e pasigurt. Mendimet ndryshojnë. Modat kalojnë. Idetë lindin dhe vdesin. Por ajo që është reale nuk varet nga duartrokitjet, nga votat apo nga ndjenjat e momentit.

Në një botë që flet shumë dhe dëgjon pak, këto homeli (predikime) na kujtojnë diçka themelore, e vërteta nuk ka nevojë të bërtasë. Ajo flet qetë. Dhe pikërisht për këtë arsye, ajo dëgjohet nga kushdo që ka veshë për të dëgjuar, fëmijë, i rritur apo studiues.

Via Veritatis e sheh këtë libër si një dhuratë të rrallë për kohën tonë. Jo sepse është i ndërlikuar, por sepse është i qartë. Jo sepse imponon, por sepse dëshmon. Dhe sepse na rikujton se pa Zotin, edhe realiteti bëhet i paqartë, ndërsa me Të, edhe fjala më e thjeshtë merr peshë të përjetshme.

Share This Article
Pa Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *